KINEMAJA SHQIPTARE NË NJË STAD TË RI*

0

Parantesë për vlerat modeste, por të padiskutueshme krijuar para vitit ‘90

Nga Vangjush Saro

Kur flasim për çfarë kemi lexuar e parë pas 90-ës, pra për prurjet në kinema apo edhe në letrat shqip në këtë periudhë të rëndësishme për krejt fatet e shoqërisë shqiptare, nuk kemi pse të përsërisim argumente të konsumuara. Por duke qenë se herë pas here, individë ndonjëherë pa ndonjë emër kushedi, por kokëmushkë, vazhdojnë të hedhin baltë për gjithë sa u krijua në kohën tjetër, në rendin tjetër, jemi të detyruar të ndalemi sado shkurt, për të vënë pikën mbi I.

Janë dekada kur është punuar, ka pasur botime, filma, teatër, opera, sport, dashuri, siç ka pasur edhe represion. Shumë represion. Unë bëj pjesë ndër ata që përpiqen të kuptojnë të dëshpëruarit dhe vuajtësit e vërtetë të kohës tjetër, të rendit tjetër, pra jo ata që shtiren; por megjithatë, është e pandershme të përbaltësh mundin e brezave të tërë, është marrëzi të mohosh gjithçka, për të parë ‘zhvillim’ vetëm në kohën kur ti, ndoshta një shkrues mjeran e i vonuar, fillon e hedh ndonjë ‘mendim’ në rrjete a në gazeta… Dhe ja, e shpëtove botën dhe demokracinë…

Unë sinqerisht nuk arrij të kuptoj mbi ç’kritere mund të bëhet kjo baltosje, që ndonjëherë merr trajtat e epidemesë dhe, më tej, nga iu buron shkruesve diletantë gjithë ai vrer (!) Është e papranueshme. Ka gjithmonë një lidhje të pazhbëshme midis etapave, në krijimin dhe episodet e jetës e të artit, lidhje që gjeneron pengesa a frymëzime të ndryshme – dhe kjo është e natyrshme – por bën të mundur ndryshimet dhe çuarjen më përpara: në konceptim, në teknika dhe në vlerësime. Kush nuk e kupton këtë, nuk është vetëm një i paditur, i pakulturuar, por është edhe (le të themi) thjesht një i keq.(“Mos e shiko të shkuarën me tërbim apo të ardhmen me ankth, por shiko përreth me kujdes.” Xhejms Thurber)

Përkundër denigrimeve të kujtdo, nga ajo kohë vijnë punë e vuajtje që duhen nderuar, nga kinoregjisori i parë shqiptar Viktor Stratobërda, te Gëzim Erebara, Kristaq Dhamo, Hysen Hakani, etj; nga ajo kohë e vështirë, vijnë krijime të arrira. Po përmend vetëm disa. Me temë historike: “Nëntori i dytë”/ V. Gjika; “Mësonjëtorja”/ M. Fejzo, “Koncert në vitin 36”/ S. Kumbaro, “Udha e shkronjave”/ V. Prifti, etj. Me temë sociale: “Dhe vjen një ditë” e “Flutura në kabinën time”/ V. Prifti, “Duaje emrin tënd” e “Apasionata”/ I. Muçaj, K. Mitro, “Në shtëpinë tonë”/ Dh. Anagnosti, “Jeta në duart e tjetrit”/ A. Xholi, “Unë e dua Erën”/ A. Minga, etj. Kinokomedi, të cilave snobët mund t’iu vijnë anës: “Kapedani”/ F. Oshafi, M. Fejzo, “Zonja nga qyteti”/ P. Milkani, “Përrallë nga e kaluara”/ Dh. Anagnosti, “Shkëlqim i përkohshëm”/ A. Xholi, etj.

Përveçse koha ka treguar tashmë çfarë vlen e mund të mbijetojë dhe çfarë harrohet vetiu – dhe koha është më solide se të gjithë mohuesit e snobët, të marrë së bashku – le të shpresojmë që edhe institucionet dhe ekspertët do të hedhin dritë gjithashtu mbi pamjet ku gjer më sot përpiqen të firmosin soj-soj amatorësh.

Kinoregjisorët, në një tjetër epokë, në të tjera përgjegjësi

Përtej kësaj parantese, po shfaq opinionet e mia posaçërisht në lidhje me kinemanë dhe arritjet e saj pas vitit ‘90. Në një nga shënimet e mëparshme, atë me titull “Fjalë për profilin artistik”, kam shkruar se ndryshimet që ndodhën në Shqipëri në fillim të viteve ‘90, fillimisht e vunë në pikëpyetje kinemanë. Përballja me filmin – tanimë pa atë strukturën gjigande të Kinostudios (prej 700 punonjësish) dhe pa fondet e garantuara, anipse në të keq – ishte e mundimshme për artistët, të cilët, megjithatë, do të përpiqeshin që, pak e nga pak, ta ribënin kinemanë shqiptare, madje të sillnin në të një frymë tjetër. Kam folur edhe më parë, dhe me nderim, për filmat e fundit të Piro Milkanit e Dhimitër Anagnostit. Më tej, kam shtuar se ndërkohë, në ‘rol’ erdhën regjisorë të rinj: Besnik Bisha: “Bolero”, “Mao Ce Dun”; Pluton Vasi: “Maya”, “Këtu bën ftohtë”, “Ndërkombëtarët”; Artan Minarolli: “Nata pa hënë”, “Alive”; Edmond Budina: “Letra në erë”, “Ballkan Pazar”; Iris Elezi: “Bota”; Bujar Alimani: “Amnistia”; “Delegacioni”, etj.

E vërteta është që filmi i tyre, falë lirisë së krijimit, por dhe bashkëpunimit me kineastë të huaj, doli nga klishetë dhe ‘ngurtësia’ e Realizmit Socialist. Duke e thyer akullin që u krijua do kohë për shkak të mungesës së filmit shqiptar në festivale dhe takime ndërkombëtare, tani ata po i përcjellin krijimet e tyre me sukses edhe në botë. Ajo që bie në sy në krijimtarinë më përfaqësuese të këtyre dekadave, është realiteti shqiptar dhe më gjerë jo si spektakël apo lajm për të ‘blerë’ audiencën. Ja si shprehet për kohën një nga ikonat e kinemasë, Alen Delon: “Gjithçka është false, gjithçka është e rreme. Nuk ka më respekt, nuk ka më fjalë të dhënë. Ka vetëm numërim parash. Dëgjojmë që flitet për krime gjatë gjithë ditës.” Regjisorët me të cilët po ‘bashkëbisedoj’ në këtë shënim, janë ende në pjesën serioze të jetës dhe të krijimtarisë, nuk janë bërë rob të temave dhe subjekteve në dukje ‘aktuale’, por që shndërrohen në klishe; (droga, prostitucioni, krimet) çka nuk do të thotë se anashkalohen si dukuri.

Unë mendoj se këta kinoregjisorë janë të talentuar, të kulturuar, bashkëkohorë, por edhe një shembull bindës në lidhje me atë që mund ta quaja vetëpërmbajtje. (“Nuk ka rrezik më të madh se të jesh tepër modern. Mund të dalësh nga moda nga çasti në çast.” Oskar Uajld) Ata, gjithashtu, janë të thjeshtë; pasioni i tyre nuk është reklama, por puna. Duket sikur ndjekin moton e Robert De Niros: “Nuk e konsideroj veten legjendë të filmit. Thjesht një aktor që përpiqet të bëjë më të mirën me materialin që ka.”

Ndër kinoregjisorët e rinj, ra në sy Fatmir Koçi, me filmin “Tirana, viti zero”. Që në këtë prurje të parë, krijuar tashmë pa kufizimet e mëparshme, ai ndoqi linjat e një kinemaje që i beson më shumë gjetjeve filmike, kuadrit, dinamikës së jetës e, disi më pak, dialogut, të cilin gjithashtu e çepkat me shumë kujdes. Edhe pse heraherës në njëlloj simbioze me dokumentarizmin, mbase për hir të temës, filmi ishte avangard, i përparuar për nga forma e konceptimi. Padyshim, qe një tjetër arritje e rëndësishme e tij edhe filmi i mëpasëm “Koha e kometës”; (edhe pse disa nga personazhet mund të kishin bërë më tepër në krijimin e karaktereve).

Mund të thuhet se Gjergj Xhuvani u ndesh më këmbëngulshëm me këtë ‘defekt’ përvoje e rrethanash, sidomos në filmin “Parrullat”; sa për vetë meritat e novelës së shkrimtarit Ylljet Aliçkaj, aq edhe falë profesionalizmit të aktorëve. (Artur Gorishti, Luiza Xhuvani, Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, Niko Kanxheri, Robert Ndrenika, Fadil Kujofsa, etj. Një ‘pa koment’ për këtë trupë ekselente.)

Ajo që duhet ‘gjuajtur’ me ngulm e përtej fjalëve të mira të përgjithshme, nënvizoja në shkrimin e cituar, është se dy kinoregjisorët, nga më të veçantët dhe më të suksesshmit e kësaj kohe, dallojnë nga njëri-tjetri, janë duke krijuar tashmë një profil të tyre, çka shihet në përzgjedhjen tematike, në mënyrën se si rrëfejnë, por edhe në gjininë e frymën ku e shohin krijimin e tyre. (P. sh. Koçi rreh nga epizmi, personazhet e tij rrinë disi ‘rëndë’ e ftohtë përpara kameras; regjisori e lë ‘më të lirë’ aktorin, tenton njëlloj natyralizmi. Kurse Xhuvani është më lirik, subjektet dhe personazhet e tij e vlerësojnë natyrën, meditimin. Po ashtu, Xhuvani inspiron maksimumin në interpretim.) Të dy inspirojnë pareshtur – e gjithnjë me shpirt dhe profesionalizëm – një kinema që të ballafaqohet me botën, siç edhe po ndodh.

Mbase është pak për punën intensive dhe prurjet e sukseshme që ata kanë përcjellë në publik gjatë një kohe relativisht të shkurtër; por më mirë t’i artikulojmë disa fjalë, disa vlerësime, se sa të presim pafund që të vijnë kritikët e artit, kur të jetë…

Pluton Vasi; filmi i tij, si një nga ‘të vërtetat’ shqiptare

Le të bëjmë një invers. Prej vitesh, lexojmë a dëgjojmë të flitet pa shumë entuziazëm për këtë kinema; siç thotë edhe një nga protagonistët kryesorë të këtij shënimi (kinoregjisori Pluton Vasi) ‘karshi kinemasë ka një arogancë’; dhe në vështrimin tim, referuesit gjithnjë mbështeten në kujtime dhe arritje të padiskutueshme të filmit shqiptar para viti ‘90, ndërkohë që duke iu besuar më shumë kritereve estetike dhe më pak emocioneve, duhet pohuar që kinemaja e sotme, siç u pohua dhe më lart, është duke e ‘ribërë’ filmin shqiptar. Jemi në dekada të tjera e në kërkesa të tjera. Por e përsëris, kjo kinema po e nxjerr filmin shqiptar nga shabllonet, nga klishetë, nga bërtitja, nga emfaza, për ta zhvilluar profesionalisht edhe më tej, për ta bërë më realist, më bashkëkohor.

Në zhvillim të kësaj ideje, po ndaloj në këto radhë në njërin prej emrave më të njohur të kinemasë së sotme, Pluton Vasi.  Autori është i njohur për filmat dokumentarë “Kënga”, “Ata ikën drejt qiellit”, “Ortek në tri kohë”, “Mjekër e thinjur”, etj. Ai është një fitues i madh me dokumentarin “A ka klasë të mesme në Shqipëri?” Në publikun shqiptar dhe më gjerë, ai erdhi edhe më bindshëm sidomos me filmat artistikë “Maya”, “Rrëfim për një obez”, “Këtu bën ftohtë” e, së fundi, “Ndërkombëtarët”.

Filmi “Maya”, me skenar të Luljeta Lleshanakut, në vështrimin tim, është një mësim se si thyhen klishetë. Një emigrant shqiptar, pas disa kohësh në atdhe tjetër, kthehet në vendin e tij, çel një biznes të vogël e ndërkaq, merret nga pak me pronat e familjes dhe përpiqet të përshtatet me jetën e provincës ku zhvillohen ngjarjet. Këto vijnë në një mënyrë të tillë që djaloshi – në një rol interesant aktori Genti Kame – e braktis për të dytën herë vendin e vet. Rrëfim brengosës. Skena realiste. Lojë bindëse e protagonistëve të filmit, veças e Genti Kames dhe Rovena Lule Kuka, lojë në të cilën mes heshtjes dhe fjalës ka një raport harmonik.

Ky film, pyes duke ndjekur heshtazi titrat e fundit, është tranzicioni, Shqipëria në tranzicion? Apo më shumë se kaq? Është dalja nga një gjendje e shtirur në… pak më shumë dritë e sinqeritet? Shoqëria shqiptare vuan vragat e të shkuarës së saj… Ka një trishtim të papërballueshëm në të gjitha skenat e filmit. Sa e vështirë është të lëvizë bota shqiptare, të ndryshojë mentaliteti shqiptar, të shkojë ca hapa përpara shoqëria mediokre dhe provinciale e një vendi, që mbase edhe për shumë kohë do të mbetet viktimë e së shkuarës, pak edhe e vetvetes. (Provincializmi shkon e mbërthen madje edhe ndonjë nga shkruesit që, për fat të keq, nuk kanë ditur ta shohin filmin…) “Maya” është nderuar me çmimin “Festival Directors Choice” në edicionin e VI të Festivali të Filmit “Swansea Bay” zhvilluar në Uells (Britania e Madhe); një festival që organizohet me mbështetjen e aktores hollivudiane Kethrin Zeta Xhons dhe Majkëll Shin OBE. (Në po këtë festival, Vasi ishte më parë edhe me filmin “Shqetësimet e një obezi”.)

Duke kërkuar pareshtur në tematikë dhe në shprehi artistike, por më së pari duke u përpjekur të kuptojë dhe pastaj të përcjellë në art ravgimet e lodhshme të vendit të vet, dramat e popullit të vet, Pluton Vasi erdhi te spektatori me filmin tjetër tejet interesant “Ndërkombëtarët”. Ben Andoni, një ndër gazetarët dhe vëzhguesit që unë e vlerësoj, e cilëson si një nga ‘filmat artistikë më të vështirë të tranzicionit shqiptar’. “Ndërkombëtarët” shkruan më tej Andoni, në vendet e Ballkanit janë më shumë se institucion. Në thelb, ata janë subjekti ku projektohet çdo gjë që lidhet me jetën e ballkanasit. Dhe pastaj: “Pluton Vasi, me këtë peshë të madhe trashëgimie dhe me subjektin e Ylljet Aliçkës, shkoi ngushtësisht afër idesë së groteskut dhe në njëfarë mënyre krizës morale të të huajve në ditët tona.” Siç shihet, nga “Maya” te “Ndërkombëtarët”, Pluton Vasi është në hullinë e vet tematike e në shqetësimet e shpalosura (edhe më parë) si kinoregjisor dhe si intelektual i një vendi që në mënyrë tragji-komike shtyn ditët jo edhe aq bindshëm në një tranzicion të zgjatur.

Pa tentuar ndonjë filozofi të shenjuar, por duke iu qasur realitetit me thjeshtësi dhe duke ua kthyer shikuesve brenda dhe jashtë vendit këtë jetë në një ekran plot gjetje e metafora, Vasi shkon drejt profilit te vet artistik, ku kombinohen përjetimet, bindjet, ndjesitë artistike, tematika dhe teknikat që ai parapëlqen. Kinoregjisori i njohur Steven Spielberg thotë: “Mos u largoni nga ajo e cila është e dhimbshme. Kontrollojeni atë. Sfidojeni atë.” Duke iu referuar kësaj figure emblematike të kinemasë, vijmë sërish te prirjet dhe natyra kërkuese e protagonistit të këtij episodi. Siç ka pohuar edhe vetë P. Vasi, ndër të tjera, atë e shqetëson ‘mungesa e komunikimit mes shqiptarëve’; ai me të drejtë konstaton (dhe e ka përcjellë artistikisht te “Maya”, te “Ndërkombëtarët”) se ‘nuk e kemi gjetur kodin me njëri-tjetrin’. Kjo është një nga dramat e vendit të tij, që ka ngjashmëri me pamjen në shumë hapësira të tjera, veças në vetë Ballkanin e trazuar; është në të njëjtën kohë arti i tij, në kërkim e zhvillim të të cilit ai është ende. Kahje e përzgjedhur me sukses.

Përfundime

Në çdo kohë krijohen vlera dhe, njëherësh, konsumohet energji për asi përpjekjesh që nuk i gjejmë dot me këtë term. Ka dekada të vështira, me shumë mundime dhe ku arti, megjithatë, nëpër të, e thotë fjalën e vet. Ka edhe dekada në dukje më rozë, por ku vështirësitë dhe mungesat fshihen, manipulohen. (“Përndjekja; e gjithë historia e botës është e mbushur me të…” Xh. Xhojs) Duke përmbyllur këto radhë për filmin e dekadave të fundit – pranoj se shënimet për letrat dhe artin nuk janë profesioni dhe as pasioni im më i parë e, doemos, as gjëja që di të bëj më mirë – si gjithnjë, nuk përpiqem të fshihem pas fjalëve të mëdha, as pas subjektivizmit; thjesht sjell një pamje të tyre, si unë e shikoj, duke pohuar që kinemaja shqiptare ka bërë hapa të rëndësishëm në dimensionin e profesionalizmit dhe të bashkëkohësisë.

Kinemaja shqiptare është në një stad të ri; ajo duhet ndjekur, duhet vlerësuar, duhet inkurajuar. Kultura dhe trashëgimia shqiptare po pasurohen falë saj. Po kujtoj një fjali tejet trishtuese të protagonistit kryesor të këtij shënimi, kinoregjisorit Pluton Vasi: “Politika shqiptare ka arrogancë të paparë me artin.” Unë do të shtoja: “Kështu ka qenë gjithnjë…” Ani. Institucionet dhe krijuesit, krahas përfshirjes në këtë punë të vështirë dhe me përgjegjësi, duhet të gjejnë mënyrën për ta inspiruar këtë art jetëgjatë, ndoshta më të preferuarin në kohëra për njerëzimin. Ato çka janë arritur, me sakrifica të mëdha, në çdo kohë, tregojnë se vetëdija artistike është një nga realitetet shqiptare më prekëse dhe më të vërteta; pra le të shikojmë përpara…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok