24 MARSI – GËZIM DHE ANKTH PËR SHQIPTARËT

0

24 Marsi i vitit 1999 na kujton gëzimin dhe ankthin e madh, për atë cfarë do të ndodhte në Kosovë. Forcat e mëdha politike dhe ushtarake ndërkombëtare tashmë kishin marrë vendimin për fillimin e bombardimeve mbi caqet ushtarake e policore serbe, me qëllimin e vetëm, ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve që po e bënte Millosheviqi me ushtrinë dhe paramilitarët e vet. Pas shumë përpjekjeve diplomatike, e vetmja zgjidhje për të ndalur ofensivat e Serbisë mbi popullin e Kosovës, ishte intervenimi ushtarak nga NATO-ja.

Në mërgimtarët e kemi përjetuar dyfishë qoftë gëzimin për fillimin e bombardimeve, por poashtu edhe ankthin e vertetë se çfarë do të ndodhte nga hakmarrja serbe mbi civilët e pafajshëm shqiptarë. Shumë prej nesh kemi pasur familjet dhe farefisin në atë gjendje lufte e tmerri dhe jeta për ne në mërgim ishte rënduar shumë.

Megjithatë, roli i mërgimtarëve kanë qenë shumë i rëndësishëm, sepse shumë grupe të shqiptarëve, të organizuar në forma të ndryshme, kishin njoftuar dhe kishin sensibilizuar vazhdimisht opinionin ndërkombëtar për krimet që po ndodheshin në Kosovë. Në Suedi për shembull, shqiptarët kanë organizuar dhjetra protesta, shumë tubime e manifestime, të cilat kanë pasur synim të vetëm, që të bëhej më shumë jehonë për çështjen e Kosovës.

Në librin “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare” në Suedi, është shkruar për ato zhvillime në hapësira të veçanta ku janë publikuar shumë dëshmi për gjithë ato përpjekje që janë bërë. 91 shkrime e publikime të mediave suedeze për Kosovën janë identifikuar dhe faktuar deri në librin e 9-të të librit Thesar Kombëtar…Ndërkaq, në numrin e 8 janë botuar mbi 500 faqe me lista të kontributdhënësve për fonde të ndryshme për Kosovën.

Ne mërgimtarët shqiptarë në Suedi i jemi mirënjohës në veçanti shtetit suedez, që na siguroi strehë, ushqim, punë dhe jetë. Kështu ishim në gjendje të ndihmonim, aq sa ishte e mundur, edhe njerëzit tanë në Kosovë, në kohërat më të rënda që po kalonin.

Sot shqiptarët i janë mirënjohës NATO-s dhe aleatëve të saj përjetësisht. Por, ajo histori nuk guxon të harrohet. Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, do të vazhdojë të shkruaj e të ndriçojë edhe më tutje historinë nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptar bashkë me shumë miq tanë. Por, Shoqata jonë, inkurajon edhe të tjerët, krijues e studiues të ndryshëm, të shkruajnë dhe të lënë gjurmë për historinë e dhembshme që ka kaluar Kosova jonë.

Zoti e bekoftë NATO-n dhe aleatët e saj,

Zoti i bekoftë SHBA dhe miq tjerë perendimorë,

Zoti e bekoftë popullin shqiptar.

Hysen IBRAHMI,

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, 24 mars 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok