OFENSIVA MEDIATIKE NDËRKOMBËTARE E KINËS KUNDËR LIRISË SË SHTYPIT NË BOTË

Nga Frank Shkreli

Derdhja e miliarda dollarëve në investime të ndryshme, përfshirë infrastrukturën nga Kina në kontinentin evropian dhe anë e mbanë botës gjatë viteve të fundit, nuk është asgjë e re.  Qeveri dhe media të ndryshme anë e mbanë Evropës dhe këtu në Amerikë kanë folur dhe kanë raportuar për këtë fenomen gjatë viteve të fundit.  Por, deri tani është ditur pak në lidhje me një ofensivë tjetër ndërkombëtare kineze – që paralelisht me të parën, me investimet ekonomike pra, anë e mbanë botës, që nepërmjet kontrollimit të medias, ka për qëllim të influencojë Evropën dhe botën, në përfitim të interesave të Kinës.

Reporterët pa Kufijë ose “Reporters Sans Frontiers” (RSF), është një organizatë ndërkombëtare jo-qeveritare dhe jo fitim-prurëse, me qendër në Paris, mbështetëse e lirisë së fjalës dhe të lirisë së shtypit në përgjithësi, anë e mbanë botës. Kohët e fundit, kjo organizatë ka botuar një raport me titull: “Përpjekjet e Kinës për një rend të ri mediatik në botë”, në të cilin pasqyrohet politika kineze dhe shpenzimet marramendëse që ka ndërmarrë Pekini në ofensivën e tij, për të influencuar botën me pikpamjet e tij.

Në raportin prej 50-faqesh të organizatës “Reporters Sans Frontiers” thuhet se gjatë 10-viteve të fundit, Kina ka ndërmarrë përpjekje të mëdha për të vën nën kontrollin e Pekinit atë që cilësohet si një “Rend i ri mediatik botëror”, me qëllim për të parandaluar kritikat e medias botërore ndaj regjimit kinez.  Organizata për mbrojtjen e shtypit dhe të fjalës së lirë me qëndër në Paris e cilëson projektin e Kinës si një, “kërcënim ndaj lirisë së shtypit anë e mbanë botës.”

Kina, sipas indeksit të “Reporters Sans Frontiers” mbi lirinë e shtypit në botë, zë vendin e 176 nga 180 vende që pasqyrohen në atë indeks.  Shqetësimi lind nga fakti se Kina, ndërkohë që ka ndërmarrë këtë ofensivë, konsiderohet njëkohësisht nga organizatat për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, si vendi që ka burgosur numrin më të madh të gazetarëve.  Sipas RSF, Pekini ka burgosur me dyzina gazetarë dhe “bllogera”, vetëm e vetëm, se kanë botuar lajme dhe informacione të censuruara zyrtarisht nga Partia Komuniste Kineze.  Për më tepër, thuhet në raport, nepërmjet një sistemi shumë të sofistikuar censure dhe propagande, Kina kufizon përhapjen e lajmeve dhe të informaconit për 800-milionë kinezët që aktualisht përdorin internetin, ndërsa një sistem shumë i sofistikuar përgjimi e kontrolli, kufizon edhe më shumë mundësinë e kinezëve për tu informuar lirisht.

Në parathënien e raportit thuhet se “Presidenti i Kinës, Xi Jingping nuk e fsheh faktin se është armik i demokracisë, i vlerave universale, i të drejtave të njeriut dhe i lirisë së shtypit.”  Sipas mendimit të udhëheqsit kinez, thuhet në raport, detyra e gazetarëve është që të përhapin propagandën e Partisë dhe “të lidhen ngusht me udhëheqsinë e Partisë, në mendime, në politikë dhe në veprim.”

Gjatë fushatës së tij të egër kundër gazetarëve dhe “bllogerëve” kinezë pesë vitet e fundit, Presidenti i Kinës, Xi, sipas organizatës “Reporters Sans Frontiers”, “Ja ka arrijtur të imponojë vizionin e tij totalitar brenda vendit të tij dhe tani po përpiqet që këtë vizion totalitar ta eskportojë përtej kufijve të Kinës.”

Organizata franceze RSF thekson se gjatë dekadës së fundit, Kina ka bërë përpjekje aktive për të vendosur një “rend të ri mediatik botëror”, nën kontrollin e saj, një rend nën të cilin gazetarët nuk janë asgjë tjetër veçse ndihmës të propagandës shtetërore.  Thuhet se pjesë e këtyre përpjekjeve propagandistike janë modernizimi i transmetimeve të saj televizive ndërkombëtare, investimet në media të huaja, blerja masive e reklamave në faqet e mediave ndërkombëtare dhe ftesa që Pekini zyrtar u bën gazetarëve nga mbarë bota për të vizituar Kinën, duke marrë përsipër të gjitha shpenzimet e tyre.  Sipas këtij raporti Kina aktualisht shpenzon 1.3 miliardë euro në vit me qëllim të përhapjes së propagandës së saj anë e mbanë botës.

Regjimi kinez madje organizon edhe takime ndërkombëtare si një mënyrë tjetër për të promovuar vizionin e tij shtypës ndaj lirisë së fjalës dhe modelit të tij se si duhet të funksionojë media, nënvijohet më tej.   Raporti “Reporters Sans Frontiers” thekson gjithashtu se Kina edhe nepërmjet ambasadave të veta dhe instituteve Konfucius nuk hesiton më që të sulmojë dhe të frikësojë gazetarët me qëllim që të imponojë një “fjalor ideologjikisht korrekt” për të fshehur “kapitujt e errët” të historisë së saj.  Në raport thuhet se ambasadorët kinezë shpesh ankohen se një artikull ose një tjetër në median vendase, “ka lënduar ndjenjat e 1.4 miliard kinezëve”, një ekzagjerim i tepëruar ky, sipas raportit të RSF, pasi 97 % e 800-milionë kinezve që përdorin internetin, nuk mund të lexojnë shtypin e huaj, pikërisht për shkak të censurës së imponuar të regjimit kinez mbi popullin e vet.

Kjo ofensivë kineze kundër lirisë së shtypit dhe të fjalës – e cila sipas raportit të organizatës franceze për mbrojtjen e gazetarëve, RSF – është ende vështirë t’i dihen përmasat e saja – përbën jo vetëm një kërcënim ndaj lirisë së medias, por edhe ndaj demokracive në përgjithësi.  Në raportin në fjalë,  paralajmërohet se nëqoftse vendet demokratike nuk rezistojnë këto masa të Pekinit, atëherë qytetarët kinezë do të humbasin të gjitha shpresat se vendi i tyre do të ketë ndonjëherë liri të shtypit, ndërkohë që stili propagandistik kinez do të konkurojë me gazetarinë e mirëfilltë që njohim ne, që nuk jetojmë në Kinë — duke kërcënuar dhe rrezikuar kështu mundësitë e qytetarëve kudo që të zgjedhin vet fatin e tyre.

Tani, mund të ketë njerëz që thonë se çfarë të keqe kanë investimet kineze madje edhe fushata e Pekinit kundër lirisë së fjalës dhe në favor të një “rendi të ri botëror të medias” të stilit propagandistik kinez.  Për ata, të cilët nuk vlerësojnë lirinë e medias dhe fjalën e lirë në shoqërinë ku jetojnë, s’ka kurrfarë rëndësie.  Por, për ata që besojnë në lirinë e shtypit dhe të fjalës së lirë unë u them: mos mendoni se këto investime të Kinës kryesisht me qëllim propagandistik, si në fushën ekonomike ashtu edhe në atë mediatike — Pekini po i bën për interesat e Evropës ose të botës, përfshirë Ballkanin Perëndimor.  Jo, e bën për interesat e veta, në dëm të tjerëve dhe aspak me qëllime të mira.  Rreziku nga flirtime të tilla nga udhëheqsit aktualë është se siç kemi venë re gjatë këtyre viteve, modeli i korruptuar autokratik i llojit putinist, erdoganist ose ai i tipit kinez, po bëhen gjithnjë më të pranueshëm, sidomos në radhët e disa udhëheqësve aktualë autokratikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Kjo lojë që po luhet atje, nuk është vetëm çështje parash, investimesh e financash;  madje as influencash, por ka të bëjë me çështje më me rëndësi, siç janë me vlerat njerëzore. Ka të bëjë me vlerat dhe me të drejtat bazë të njeriut, përfshirë lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës — ashtu siç pasqyrohen në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut.  30-vjet pas shëmbjes së komunizmit zyrtar – lind pyetja se cili është interesi parësor i udhëheqësve të këtyre vendeve: a kanë në mend të ndërtojnë shoqëri me modele ekonomike dhe politike të tipit demokratik perëndimor që funksionojnë në bazë të sundimit të ligjit, apo të përqafojnë modelet korruptive politiko-ekonomike të autokratëve si Putini, Xi ose Erdogan?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
Google+
Google+
https://www.merbraha.com">
YouTube
YouTube