Të ruajmë identitetin kombëtar, gjuhën tonë

Meditim për veprimtaren e palodhur të gjuhës shqipe, Nexhmije Mehmetaj

Nga Alfred Papuçiu

Një miku im i mirë zviceran kur bisedonim një ditë më tha : «  On n’est grand homme qu’à la condition d’être homme d’abord ». Po e perifrazoj në shqip « Njeri i madh  është ai që në radhë të parë është njeri ». Këtë mendova mbrëmë kur mora një mesazh të ngrohtë prej zonjës fisnike dhe tepër modeste, Nexhmije Mehmetaj, ku ndër të tjera më theksonte : « Përshëndetje, i nderuar z. Alfred. Lexova me kënaqësi shkrimin kushtuar profesorit Assal. Ai na afron të dhëna të reja dhe të panjohura për një njeri të madh. Ju falenderoj! Edhe shkrimi për pedagogun Pestaloci i shkëlqyer, paralelizmi i përkryer dhe stili aq elegant. Urime! Artikullin për prof Basil Shader, publikuar pak më parë e kam lexuar,  është i përkryer ».

Desha të theksoj, në këtë shkrim, nisur nga fjalët e zonjës Nexhmije, siç e kam ngritur edhe herë tjetër, punën që duhet bërë me Diasporën shqiptare disa milionëshe jashtë shtetit. Zviceranët jashtë janë sot mbi 700 mijë vetë, nga të cilët tre të katërtët kanë dyshtetësinë. Për të mbrojtur interesat e tyre, Organizata e Zviceranëve Jashtë shtetit, mban çdo vit Kongresin e saj vjetor, në Lucernë të Zvicrës. Ajo egziston qysh nga viti 1916 dhe njihet nga autoritetet si zëdhënëse e zviceranëve jashtë qysh nga viti 1966. Zakonisht e quajtur si « Zvicra e Pestë », ajo përfaqëson pothuajse një të dhjetën e popullsisë të të gjithë vendit. Zviceranët jashtë votojnë me korrespondencë qysh nga viti 1992. Sipas Organizatës së Zviceranëve Jashtë shtetit, zviceranët që jetojnë jashtë vendit të tyre, janë si ndërmjetës midis Zvicrës dhe kombit ku janë vendosur. Me rrjetet që ata disponojnë, janë në pozicion të mirë për të bërë që të tjerët të kuptojnë Zvicrën, politikën dhe vlerat e saj. A do të arrijë dhe Kombi ynë ndonjëherë që t’i tërheqë rreth vetes nëpërmjet përfaqësive diplomatike jashtë, shtetasit e vet? Dhe jo vetëm, në Festën Kombëtare, edhe ato me pikatore, jo çdo vit, ku shumë prej tyre mbeten jashrtë liste, pasi në to prioriteti u jepet diplomatëve të huaj…

Si rastësisht, lidhur me këtë temë, kisha marrë disa vite më parë, nga mësuesja Nexhmije Mehmetaj e Courgenay në Zhyra (Jura) letrën e përshëndetjes të gazetarit Peggy Frey, i cili realizoi artikullin tek gazeta « Le Nouvelliste » « Ne kemi dy vende, dy histori ». Dhe ai vazhdon : « Në tavolinën e një familje shqiptare nga Kosova ngërthejnë kujtimet. Një mënyrë për të zbuluar traditat e këtyre të larguarve nga vendi i tyre dhe të vendosur në Zhyra. Në Zvicër, ata janë 200 mijë, bashkësia e dytë e huaj e vendit…E apasionuar për letërsi dhe gjuhësi, Nexhmija, nëna, jep mësim gjuhën shqipe fëmijëve të bashkësisë. Neziri, babai, ka punuar në ndërtimin e tuneleve të Transzhyrasë. Liburni, djali, fillon studimet për drejtësi në Universitetin e Friburgut”.

Dhe dje ndër të tjera, zonja Nexhmije më njoftonte se Liburni është tashmë avokat në Gjenevë. Pra një kuadër tjetër me vlerë nga Kosova, në Zvicër.

Mësuesen e shquar dhe atdhetare, veprimtaren e palodhur të gjuhës shqipe, Nexhmije Mehmetaj e kam takuar për herë të parë në veprimtarinë e organizuar disa vite më parë në Nëshatel, për botimin e librit të Akademik Bedri Dedja « Presidenti i planetit të kuq », Planetit Mars, ku merrte pjesë dhe mikja jonë e përbashkët, « Nderi i Kombit », e paharruara Vaçe Zela. Ishte takimi i parafundit i « Divas shqiptare » me bashkëkombasit, para atij organizuar në Gjenevë, nga Universiteti Popullor Shqiptar, ku merrte pjesë dhe zëri i artë nga Kosova, Nexhmije Pagarusha. Kujtime të paharruara për diasporën shqiptare në Zvicër që do mbeten të pashlyera në mendjet e tyre.

Le të kthehemi tek tema jonë. Kemi vazhduar të komunikojmë herë pas here dhe Nexhmija më ka dërguar edhe mendime të vyera për shkollën shqipe në Zvicër, si dhe për profesorin zviceran, mik i shquar i shqiptarëve, Basil Schader.

Ajo është tepër modeste kur më theksonte dje: « Unë nuk kam shkruar libër të përbashkët me profesorin e nderuar Basil Schader, por kam punuar në disa projekte te tij. Në projektin “Tekste mësimore për shkollën shqipe të mësimit plotësues në diasporë” unë dhe disa autorë tjerë kemi hartuar  18 teksteve mësimore për shkollat shqipe. Projektin “Doracak dhe libër pune” për mësimdhënien e mësimit plotësues, i përbërë prej Librit « Bazat dhe arsyet » dhe gjashte pjesëte  tjera. Seminare për ngritje profesionale etj; Konferenca për gjuhën shqipe, kumtesa ime “Ruajtja apo humbja e gjuhës shqipe në Zvicrën frëngjishtfolëse” të gjitha këto pashkëputje nga Shkolla e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Jura, ku kam themeluar në 1993 dhe aktualisht kam 80 nxënës ».  Ajo  i shpreh këto me shumë modesti që në fakt është një punë e madhe dhe shpesh vullnetare.

Zonja e nderuar Nexhmije Mehmetaj thekson : « Shkolla shqipe në Zvicër ka formuar një traditë, shkollë tashmë në vitin e 28 të jetës së saj, shkollë tashmë me një histori të vetën, që lidhet me gjuhën e nënës, me fjalën e artë shqipe, atë fjalë që e ka mbledhë si bleta nektarin lule më lule, Naimi, Asdreni, Pashko Vasa, Fishta, Kadare…”

A ka fjalë më të ndjera se këto që kjo mësuese e përkushtuar e gjuhës shqipe i transmeton brezit të ri shqiptar në Zvicër`.  Nexhmije Mehmetaj vazhdon për dekada të tëra të japë ndihmesën e saj të çmuar për përhapjen e gjuhës amtare tek brezi i ri në diasporë.

Nexhmije Mehmetaj e përkushtuar më theksonte edhe këtë shqetësim të saj të ligjshëm: “Ta ruajmë identitetin kombëtar e kemi domosdoshmëri. Dhe shenja e parë e identitetit është gjuha. Ta ruajmë gjuhën tonë, të flasim me fëmijët shqip, sepse ata janë e nesërmja, ata do ta përcjellin gjuhën shqipe nga brezi në brez, e ta ruajmë shqipen si sytë e ballit, se aty ku nuk flitet gjuha jonë jemi të tretur, të humbur”.

Në shënimet e mija të mbajtura në Tiranë, gjeta ndër të tjera edhe shënimin tim: ”Profesori im i nderuar, Nonda Bulka, shpesh na kujtonte gjatë orëve të mësimit, kur na jepte orën e letërsisë frënge, në vitet 1965-1969, poemën e bukur të Alfonse de Lamartine (emri i rrugës në Gjenevë ku unë banoj prej 25 vitesh, me bashkëshorten time të urtë, që më qorton se shkruaj shumë dhe marr kohë nga jeta ime që sa vjen e shkurtohet), me titull: “Simfoni shqiptare”. Ndër të tjera poeti  francez, në poemë shprehet :”Shqipëria është vendi i herojve të të gjithë kohërave”. A nuk ndihesh krenar dhe a mund të rrish pa shkruar kur ke përpara shënime të tilla të një poeti të madh apo shkrime si të profesoreshës së gjuhës shqipe në Zhyra (Jura) të Zvicrës, Nexhmije Mehmetaj. Ndoshta këto shënime po i hedh shpejt, pasi si çdo shqiptar po ndjek me ankth dhe interes zhvillimet e fundit të tensionuara politike në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe të miliona sovranëve të këtij vendi të bukur, si Zvicra, të lashtë, mikpritës dhe largpamës. Uroj nga zemra  të ndiqen projektet dhe ndihmat që jep ndër të tjera Zvicra dhe të ndërmerren reforma të duhura, në Shqipërinë me tranzicion të tejzgjatur, nga të gjitha palët dhe forcat politike në unison, si në Zvicrën e 7 ministrave të të gjitha krahëve politike. 1 Gushti është për zviceranët, siç është 14 Korriku për francezët dhe 4 Korriku për amerikanët, apo 28 Nëntori për shqiptarët në Shqipëri dhe 17 shkurti për Kosovën. Zviceranët e përkujtojnë këtë ditë të shënuar qysh prej më tepër se një shekull, megjithëse ata përkujtojnë një ngjarje që daton prej vetëm mbi 700 vitesh. Në vetë shënimin e kësaj date për Konfederatën Zvicerane, është një zakon që ka të ngjarë të jetë qysh nga lindja e jetës në tokë. 1 Gushti na kujton besën e dhënë nga ana e tre kantoneve alpine më 1291, me qëllim që të përfundohej një aleancë e përjetëshme, akt themelues i Konfederatës. Përfaqësuesit e Schwyz (Shvicit), Unterwalden dhe Urit u takuan në lëndinën e Rutlit, mbi liqenin e Lucernës, për të uruar vëllazërimin dhe të vulosnin paktin e asistencës së përbashkët, në rast se liritë e tyre do të cënoheshin nga agresorët e huaj. Aty flet Presidenti i Konfederatës. Ky është një rast edhe për të gjithë njerëzit politikë të së djathtës, të qendrës dhe të majtës zvicerane, në të gjitha nivelet, shtatë  këshilltarë federalë (ministra), si dhe kryetarë bashkie të komunave, për të mbajtur fjalime në gjithë Zvicrën. Kjo ditë përkujtohet në çdo komunë zvicerane, me fishekzare, fëmijët parakalojnë në rrugë, shpesh të zbukuruar me Kryqin e Bardhë, simbol i Zvicrës apo me simbolet e kantoneve. Banorët ndezin qirinj tek dritaret e banesave të tyre. Flamujt e  Zvicrës dhe kantoneve mbahen gjithmonë në dritaret dhe ballkonet e banesave.  Njerëzit mblidhen si vëllezër, harrojnë hallet dhe shqetësimet e përditëshme, këndojnë, kërcejnë dhe drekojnë bashkë, rreth një “barbecue” (zjarr ku piqet mishi në hell), me “fondynë” (djath i shkrirë) e famshme zvicerane dhe verën e bardhë të kulluar të Valesë (Valais). Dhe një ditë e tillë “festohet” pothuajse çdo fund jave gjatë vitit, nga zviceranë dhe të huaj që janë vendosur aty. Dihet se Zvicra është një vend i vogël, me sipërfaqe afro sa dy herë Shqipëria: 48 mijë km2. Por ajo e ka bërë zgjedhjen e saj në mënyrë të ndërgjegjëshme, me synim që të ruajë vlerat e saj më të shtrenjta. Zvicra nuk bën pjesë në Europën e Brukselit, por ajo ka marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet që e përbëjnë atë. Natyrisht kjo ka një çmim, duke patur parasysh presionet që i janë bërë asaj. Fjala që e karakterizon më mirë Zvicrën është ekuilibri midis Zvicrës gjermanofone dhe asaj romande, por edhe me fqinjët, Europën, SHBA dhe gjithë botën. Zvicra është një tërësi ekuilibrash. Sapo ekuilibri cënohet pak, bëhet gjithçka për ta rivendosur. Si njohës i mjedisit dhe jetës në përgjithësi në Zvicër jam përpjekur të nxjerr në pah, nëpërmjet refleksioneve të mija, atë kulturë, politikë, gjendje shoqërore, demokraci, mirësi, solidaritet, që ekziston në Zvicër, jo vetëm nga vetë zviceranët,  por edhe nga funksionarët ndërkombëtarë, gazetarët e shkrimtarët miq, me të cilët kam punuar e punoj prej disa dekadash. Jashtë afishimit siç ndodh në median shqiptare (një pjesë e saj) të fenomeneve të tilla si prostitucion, vrasje, grabitje, të cilat zënë shumë pak vend në shtypin e vendeve demokratike, pasi ato e çorientojnë lexuesin apo e shtyjnë të ndërmarrin veprime të gabuara.

Këto ditë kam botuar disa artikuj, lidhur me përkatësinë “de facto” dhe “de jure” të Shqipërisë apo Kosovës, në Europë, megjithëse janë përkohësisht si edhe Zvicra në “Europën tjetër”. Ndoshta është e rëndësishme të theksoj se unë kam shkruar edhe më parë dhjetra e dhjetra shkrime publiçistike, lidhur me këtë problem, një pjesë të të cilave do ti përfshij në librin tim të fundit: “Lumturia në malet e Zvicrës dhe shqiptarët”, pavarësisht nga sistemi politik, i kaluar apo aktual në Shqipëri, pasi kjo i takon popullit shqiptar që është i vendosur në tokën europiane, shumë më përpara se popuj të tjerë që janë në Europën e Brukselit prej dekadash. Më ka shqetësuar dhe më shqetëson një fakt: Pse duhet lidhur e ardhmja e këtyre vendeve, nga “tahmaja” deri diku e madhe për karrige e ofiqe, privilegje, e një pjese të klasës politike në Shqipëri apo edhe në Kosovë. Shqipëria dhe Kosova nuk është as çiflik i disa personave, ajo është pronë e shqiptarëve që jetojnë e punojnë aty, në Tiranë, Sarandë, Korçë, Prizren e Prishtinë, Tropojë, Konispol, Devoll, Voskopojë, Durrës, Kukës, Burrel, Lezhë, Vlorë, Fier, Gjirokastër, Himarë,e kudo që ndodhen, si edhe brezave të tërë që përkohësisht apo përgjithmonë janë vendosur në Diasporë. Kjo rrugë e mundëshme, realiste por edhe largpamëse do ta bashkonte atë shumë shpejt me familjen europiane të Brukselit, sado që edhe ajo e Brukselit është aktualisht tepër e brishtë. Anëtari i 28-te i saj do të ishte Shqipëria apo Kosova e popullit të vet që ka ëndëruar si Rilindasit tanë, Naimi, Cajupi etj.,, të bëhen si Zvicra. Ajo Shqipëri me bregdet e male të bukur, me tokë pjellore, ajo Kosovë kreshnike, e Skënderbeut, Nënë Terezës, Adem Jasharit e Mic Sokolit dhe mijra e mijra shqiptarëve në diasporë që japin ndihmesën e tyre në Europë, në ndërtimin e rrugëve, pallateve, në ekonomi, arsim, shkencë, mjekësi, art.

Le te kthehemi tani përsëri tek tema jone fillestare. Në këto çaste, kur profesoresha e gjuhës shqipe Nexhmije Mehmetaj, më dërgoi shkrimin e saj të mëposhtem, për ta botuar para do kohësh,  mendoja se edhe ajo është një nga heroinat shqiptare, paçka se Nexhmija do të më qortojë kur të shohë këto shënime të hedhura në letër, këtu në malin e Dajtit, ku u ngjita me teleferik. Si ato vitet 1965-69 kur ngjiteshim me profesorin e nderuar të fjalorëve dhe shkrimtarin Vedat Kokona, apo edhe njeherë me të paharruarin flokëgjatë dhe fisnik, Nonda Bulka. Nje miku im këtu, si edhe çdo shqiptar kur të sheh sidomos që vjen nga Diaspora, më dha ordinatorin dhe unë po hedh këto rreshta, i emocionuar pasi lexova shkrimin e të urtës Nexhmije. Ajo së bashku me kolegët e saj bëjnë një punë të çmuar dhe shpesh pa pagesë, që vocëraket tanë edhe pse të integruar në shoqerinë zvicerane, të mos harrojnë gjuhën e të parëve të tyre, të cilën e mbrojten me gjak e sakrifica breza të tërë shqiptarësh. A ka simfoni më të bukur se kjo që po na dhuron Nexhmija sot? Ja le lexuesit ta vlerësojë.

Nexhmije Mehmetaj është mësuese në Jura të Zvicrës. Ndërkohë ajo është një veprimtare e shquar e LAPSH-it, Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë. Në një nga projektet e shumtë ka bërë pjesë dhe projekti “Kamishibai”, ku është përfshirë edhe letërsia shqipe për fëmije.  Ky projekt, i quajtur “Kamishibaï “ i kushtohet gjuhësisë dhe integrimit. Ideja e projektit lindi nga arsimtarët  e kantonit Jura dhe nismëtare ishte arsimtarja e përkushtuar e gjuhës shqipe, Nexhmije Mehmetaj. Projekti është përkrahur edhe nga Zyra e integrimit dhe lufta kundër racizmit në Delemont (anëtare e së cilës është dhe Nexhmija). Ajo është shprehur me entuziazmin e një profesoreshe të gjuhës shqipe, tepër modeste dhe fisnike, fjalëpakë:”Nuk ka qëllim më të bukur sesa të punosh që njerëzit të cilët do të vijnë më pas të jenë më të lumtur sesa ishim ne. Lumturinë më të madhe njerëzimi e gjen duke u përpjekur për lumturinë e fëmijëve. Ndihmën së pari e meritojnë të vegjëlit, fëmijët, nxënësit, se për ta çelet e ardhmja. Fjala dhe vepra e mirë dëgjohen larg. Ky projekt jep një imazh të mirëfilltë gjuhës dhe kulturës shqiptare e cila nuk prezantohet shpesh në shkollat zvicerane. “Kamishibaï”është një projekt i suksesshëm bashkëpunimi shkollë–institucion dhe kulturë amtare kushtuar integrimit. “Kamishibaï” është disi i panjohur për ne. Historinë e Kamishibaït e gjejmë qysh në shekullin XVI në Japoni. Themeluesi i Kamishibait konsiderohet një edukator i shquar japonez. Pra emri rrjedh prej fjalës japoneze që do të thotë, kami – letër dhe shibaï teatër. Në fillim Kamishibai përdorej si mjet marketingu nëpër rrugë në formë spektakli. Pas viteve ’50-të të shekullit që lëmë pas Kamishibaï ka gjetur përdorim edhe në pedagogji. Ku përfshinë strategjitë e të mësuarit, që fokusohen në mësimdhënien e fëmijëve në moshat 6 -7 -8 vjeçe.  Themeli i Kamishibait si art i të mësuarit është ndërtuar në përshtatjen dhe përvetësimin e leximit për mes formës “ludique”(lojës)”.

“Si shqiptare dhe mësuese, shprehet Nexhmija, ke gëzim kur merr pjesë në orën e mësimit në shkollën zvicerane. Sheh, bujarinë, korrektësinë, profesionalizmin, përpikërinë në punë. Njëkohësisht ndjen dhimbje shpirtërore kur dëgjon sa dobët artikulohet gjuha shqipe nga nxënësit tanë, sa pak vlerësohet ajo nga prindërit e tyre   në të folur e në  shkruar prej vetë shqiptarëve”.

Më  poshtë për lexuesit po jap disa mesazhe që jep profesoresha Nexhmije Mehmetaj për të folmen shqipe në Zvicër.

Ajo shprehet ndër të tjera: Ngulimi i shqiptarëve në Zvicër është themeluar, në valë të ndryshme, në një hark kohor që kap mbi 40 vjet. Dihet se në Zvicër banojnë disa grupe të popullsisë shqiptare: Shqiptarët nga Shqipëria, shqiptarët nga Kosova, shqiptarët nga viset shqiptare të Maqedonisë, shqiptarët nga Kosova Lindore (Serbi jugore), shqiptarët nga viset shqiptare të Malit të Zi. Pra vendi prej nga janë dyndur shqiptarët janë më shumë nga Kosova. Deri në vitet ’90 të shekullit që lamë pas, vlerësohet se në Zvicër nuk kishte më shumë se 120 mijë shqiptarë, kurse sot mendohet se janë rreth 200 mijë shqiptarë. Numri i madh i mërgimtarëve kanë përtëritur dhe shtuar dukshëm elementin shqiptar e gjuhën shqipe në Zvicër. Krahas kësaj shtrohen pyetjet që i përkasin një trajtimi kryesisht sociolinguistikë.

1. Kush flet shqip në Zvicër, cila është gjendja e sotme gjuhësore e tyre dhe a ka shqiptarë që flasin vetëm shqip dhe nuk dinë as njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës ?

2. Kur flitet shqip dhe kur frëngjisht nga shqiptarët e Zvicrës?

3. Në ngulimet shqiptare në Zvicër a ka dygjuhësi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve do të mbështetemi në gjykimin tonë të formuar nëpërmjet kërkimeve dhe anketimeve rreth të folmeve shqipe në kantonin Jura të Zvicrës . Kërkime të pjesëshme e, sidomos, plotësime të materialeve e verifikime kam bërë disa herë edhe gjatë periudhës dy vjeçare 1995/97, duke mbledhur nga nxënësit fjali me përzierje shqip – frëngjisht.

Pyetja e parë, që shtruam më lart, lidhet me zanafillën e numrin e ngulimeve shqiptare të Zvicrës, me kohën e vendin e shpërnguljes së tyre, si dhe me numrin e sotëm të banorëve të këtij komuniteti. Sipas të dhënave më të fundit të studiuesit të shquar zviceran prof. Dr. Basil Schaderit, popullsia shqiptare në Zvicër përfshin nja 160’000 – 175’000 njerëz. Në shkrimet e vetë shqiptarëve ky numër na del më i madh. Është vështirë për t’u përcaktuar me saktësi numri i shqiptarëve në Zvicër, dokumentet heshtin në këtë pikë. Porse dihet prejardhja e tyre nga vende të caktuara shqiptare. Mendimi i përgjithshëm i studiuesve është se nuk ka qytet as fshat në Zvicër që nuk ka shqiptar.  Shqiptarët që sot jetojnë në Zvicër kanë mbetur të lidhur fort me atdheun, nuk i këpusin lidhjet shpirtërore me vendlindjen e tyre. Është e kuptueshme, prandaj, pse ata nuk i fillojnë herët përpjekjet për një jetë më të organizuara politike dhe kulturore në mërgim.

Proceset migruese e kanë ndryshuar dukshëm strukturën demografike të mërgimeve tradicionale shqiptare. Një numër i mirë shkrimtarësh, mësuesish, gazetarësh dhe veprimtarësh shqiptarë njohin, zotërojnë dhe, sipas rastit, përdorin me shkrim ose me gojë edhe gjuhën letrare shqipe.  Shqipja e diasporës shqiptare në Zvicër është kryesisht një idiomë e folur, e mësuar dhe e shkruar në shkollat e vendlindjes.

Të gjitha këto tregojnë se shqipja vijon të jetë një gjuhë kulture e folur dhe e shkruar, tri gazeta shqipe dalin dhe botohen prej shqiptarëve të Zvicrës. Kultura shqiptare është një element konstituiv i bashkësive të sotme shumë kulturore të Zvicrës në gji të së cilës po integrohen shqiptarët.

A ka fjalë më domethënëse se ato që shpreh mësuesja e përkushtuar Nexhmije Mehmetaj: Një fjalë e urtë e popullit thotë: “Kush mbjell një arë me grurë punon për një vit, kush mbjell një pemë- punon për dhjetë vjet, kush hap një shkollë punon për njëqind vjet”. Shkolla e mësimit plotësuese të gjuhës shqipe në Jura u krijua më 1993 dhe vazhdon punën e saj edhe sot. Ky fakt tregon edhe për punën me nivel që bëjnë prindërit shqiptarë për të mbajtur lartë ndërgjegjen kombëtare. Parimisht në këtë drejtim është bërë një punë e mirëfilltë në dy drejtime: E para në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe e dyta: në ruajtjen e gjuhës amtare nga fëmijët e mërgimtarëve. Rolin kryesor në mësimin e gjuhës shqipe e kanë prindërit. Duke mësuar gjuhën shqipe fëmijët tanë, do të pasurojnë kulturën e tyre, dhe më e  rëndësishmja, veç përvetësimit të gjuhës amtare, do të përfitojnë edhe  traditat dhe zakonet e mira që populli ynë ka trashëguar në shekuj”.

Këtu përfundon, të nderuar lexues shkrimi i profesoreshës Nexhmije Mehmetaj të cilin kam bindje se e keni pëlqyer. Do ti kthehemi përsëri punës të saj, që ajo e quan modeste, por që vlen shumë më tepër, për mbajtjen gjallë të gjuhës amtare shqipe, për brezin e ri që ndodhet në diasporë në Zvicër, SHBA, Kanada, Britaninë e Madhe, Francë e gjetiu, për Elynën, Marion, Amelian, Alesian, Mian, Izabelën, Ebrin, Tonin, Krisin, Dionin, Emin e mijra e mijra të tjerë..

Gjenevë, më 31 maj 2019

Please follow and like us:
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
YouTube
YouTube
Instagram