Marin Mema dhe Trëndafilat e Çamërisë të Shkollës Shqipe “Alba Life”, New York

Nxënësja Dea Watkins i dhuroi një buqetë me trëndafila me aromë çamërie në emër të shkollës dhe i tha se unë e kam vizituar Çamerinë, kam qenë në Filat, Paramithi, Gumenicë, Pargë…

Kur kërcej unë vallen çame,

Gjithe Nju Jorku ndizet flakë,

Diaspora si krah shqiponje,

E vë gishtin përmbi plagë…

Interpretuar nga A. Xhaferri

Nga Keze Kozeta Zylo

1 Qershori dita e fëmijëve u mirëprit me plot dashuri dhe gëzim nga gjithë nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”, që operon në disa lagje të Nju Jorkut. Në këtë ditë të bukur pranvere me aromë çamërie dhe qiell të blunjtë erdhi pranë nxënësve gazetari i shquar i Kombit Marin Mema, pena dhe oratoria e të cilit ka prekur zemrat e miliona shqiptarëve në mbarë trojet tona.

Gazetari Mema shoqërohej nga Marko Kepi, president i organizatës së mirënjohur “Rrënëët Shqiptare”. Vlen për të theksuar se në Pardën e sivjetme që do të organizohet në Manhattan, Rrënjët Shqiptare me organizuesit kryesorë e kanë përzgjedhur gazetarin Marin Mema: “Marshall të Paradës” dhe kjo paradë i kushtohet Çamërisë.

Pranë nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” ishte dhe editorja për gjuhën angleze në gazetën “Dielli” znj.Rafaela Prifti e cila i dëgjoi me plot dashuri dhe vëmendje pyetjet dhe përgjigjet e nxënësve. Emocionant ishte fakti kur takoi nxënësin Diellon Bardhi ku i ati i Diellonit Shpëtim Bardhi bëri lidhjen si: Ja u takuan Dielli dhe Dielloni… Gazetarja Prifti tha se ja që tani Dielloni do të jetë e ardhmja dhe një anëtar i ardhshëm i Diellit. Nuk ka detyrë më të shenjtë se t’ju mësosh brezave të ardhshëm historinë!

Me plot dashuri tri zonja i dhuruan z.Qemal Zylo logon e Traditës dhe veshjeve popullore shqiptare të cilat kishin ardhur enkas nga Atdheu për të marrë pjesë në Paradën Shqiptare dhe për të paraqitur kostumet dhe veshjet popullore që ato punojnë.

Duke qenë në prag të përgatitjeve për paradën madhështore në Manhattan nxënësit e shkollës Shqipe “Alba Life” nën kujdesin e mësueseve Laçaj, Sela, Muda, Puli, Watkins, Bulku dhe Vadahi kanë përgatitur nxënësit me projekte për Çamërinë. Ata mësuan historinë tragjike rreth Çamërisë, genocidin e gjeneralit famëkeq Zverdës si dhe traditat, veshjet popullore, heronjtë dhe shkrimtarët dhe për të gjitha këto nxënësit morën njohuri të paditura më parë rreth kësaj treve ku banonin, jetonin dhe shkruajtën historinë shqiptarët çamë.

Ardhja e gazetarit Marin Mema është një frymëzim për nxënësit, sepse tek ai shohin modelin e një gazetari që eksploron në trojet shqiptare dhe tregon historitë e vërteta të mohuara dhe të zhdukura nga armiqtë e Shqipërisë si dhe nga pluhuri i harresës. Gazetari Mema u mirëprit nga themeluesi dhe drejtori i Shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në disa lagje të Nju Jorkut. Nxënësit e mirëpritën me plot dashuri dhe duartrokitje, ngase ata e kishin parë disa herë në ekran, në mësimet që u zhvilluan për Çamerinë, me një fjalë ata ishin njohur me punën dhe oratorinë e tij.

Nxënësja Dea Watkins i dhuroi një buqetë me trëndafila me aromë çamërie në emër të shkollës dhe i tha se unë e kam vizituar Çamerinë, kam qenë në Filat, Paramithi, Gumenicë, Pargë…

Marin Mema së bashku me stafin e tij nga Top Channel, qëndroi pranë klasave dhe dëgjoi me vëmendje të posaçme nxënës të ndryshëm që iu përgjigjën pyetjeve të gazetarit rreth Çamërisë dhe Shqipërisë. Të gjitha projektet e tyre ishin përgatitur plot dashuri fëmije dhe seriozitet. Pranë kamerave folën rreth projekteve të tyre si Oresti Salillari, Rafael Gjona, Arelt Xhaferi, Gloria Puli, Natalia Sinani, Kelvin dhe Enea Bulku, Blenda Shehu, Elio Tahiri, Erla Lamçe, Loriana Thaqi, Onida Granica, Diellon Bardhi, Enri Kume me origjinë nga Çamëria, Eduart Maqellara, Alba Vadahi, Era Vadahi etj…

Në klasën e grupmoshës së më të vegjëlve të mësuese Vlerës dhe Brunildës u pa një orë mësimi e hapur rreth historisë së Çamërisë, ku shumë prej tyre iu përgjigjën pyetjeve saktësisht.

Nxënësit nuk do t’i harrojne kurrë këto mësime që morën për Çamërinë si dhe dëshminë nga ish mesuesja e Shkolles Shqipe Betulla Bollati me origjinë nga Çamëria, familja e së cilës është dëshmitare e masakrave nga genocidi grek. Ata do ta kujtojne këtë ditë pasi ata realizuan dhe finalizuan projektet për Çamërinë me plot sukses dhe u njohën me një trevë historike të Shqipërisë që i është rrëmbyer padrejtësisht nga trungu amë. Ata u dashuruan me Çamërinë sa nxënësi Eduart Maqellara tha se unë kur të shkoj në Shqipëri do të vete të vizitoj medoemos Çamërinë.

Duke dëgjuar zërin e ëmbël të Eduartit dhe duke parë fytyrat e gëzuara të nxënësve kur i përgjigjeshin gazetarit Marin Mema para kamerave në sytë e mi hapeshin petalet e Trëndafilave të Çamërisë.

Trëndafili i Çamërisë është një poezi mjaft prekëse dhe plot dhimbje për Çamërinë shkruar nga poeti Fatmir Muja i cili midis të tjerash lë amanet në këto vargje si:

Si mund të të puth edhe një herë o trëndafil në Çamëri?

E të mbahem mend si puthje e përgjakur në histori!

Amanet vetëm këtë poezi t’ua lexoni të gjithë njerëzve të mi

Për Trëndafilin tim të tharë në Çamëri…

Marin Mema, Trëndafilat e Çamërisë të shkollës Shqipe “Alba Life”, Organizata Panshqiptare “Vatra”, “Illyria”, Rrënjët Shqiptare dhe gjithë diaspora po ujisin rrënjët e trëndafilit të Çamërisë që të mos thahet kurrë më…

Mësimi i hapur, projektet e nxënësve, bisedat e ngrohta u filmuan nga Top Channel me kameraman Deni, TV “Alba Life” me kameraman Agron Ceka dhe Aaron Suka.

Autorja është shkrimtare, publiciste, gazetare për TV “Alba Life”, mësuese dhe themeluese e Shkollave Shqipe në New York

1 Qershor, 2019

Staten Island, New York

Please follow and like us:
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
YouTube
YouTube
Instagram