SERBIA – POLITIKA E VJETËR E SAJ

Nga Xhelal Zejneli

Më 12 qershor të viti 1999, në saje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave pushtuese serbe, Kosova u çlirua. Me çlirimin e saj iu dha fund padrejtësisë më të madhe në Evropë. Ndërhyrja e Aleancës Veri-Atlantike parandaloi pastrimin etnik të Kosovës të planifikuar nga Beogradi si dhe një katastrofë humanitare përmasash biblike. ShBA-ja solli në Ballkan liri, paqe, stabilitet dhe vlera demokratike. Pikërisht për këtë, ajo gëzon mbështetjen e të gjitha forcave demokratike të rajonit. Pjesëmarrja e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, e ish-sekretares së Shtetit Medlin Ollbrajte zëvendës-ndihmëssekretarittë Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Metju Palmer, ekomandantit suprem të NATO-s, gjeneralit Uesli Klark në kremtimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbë, paraqet nder për qytetarët e saj.

*   *   *

Në fillim të korrikut pritet të mbahet në Paris takimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Duke qenë se Serbia në këtë takim do të shkojë me politikë të vjetër, atëherë nuk është vështirë të konstatohet se nga ky takim s’do të dalë gjë.

Teologu dhe shkrimtari amerikan Xhejms Friman Klark (James Freeman Clarke, 1810-1888) thotë: “Dallimi ndërmjet politikanit dhe burrit të shtetit qëndron në faktin se politikani mendon për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa burri i shtetit mendon për brezat e ardhshëm”.

Serbisë i duhen burra shteti dhe jo politikanë si Vuçiqi apo si Daçiqi të cilët shikojnë nga e kaluara dhe kundërshtojnë të tashmen. Serbisë i duhet një burrë shteti që do ta shkëputë atë nga ideologjia e Garashaninit. Ora e politikës serbe është ndalur në kohën e Naçertanies.

Serbia ka nevojë për një politikë të re, euroatlantike. Serbët kanë nevojë për një burrë shteti:

– i cili çështjen e Kosovës do ta konsiderojë të mbyllur;

– i cili do të pranojë se për Kosovën s’ka kurrfarë kompromisi për arsye se shqiptarët e kanë pranuar kompromisin me Planin e Ahtisarit;

– i cili do të heqë dorë nga pretendimet e sotme të Beogradit për veriun e Kosovës, ngase synimet e tilla nuk janë veçse pretendime territoriale dhe si të tilla janë në kundërshti të plotë me parimet themelore të BE-së për pandryshueshmërinë  e kufijve;

– i cili do të heqë dorë nga synimet si këto të Vuçiqit, për të krijuar në Kosovë njëfarë republike serbe, ngase me pretendimet e tilla shkelen në mënyrë drastike parimet bazike mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian;

– i cili do ta pranojë se s’ka shtet në Evropë që është etnikisht i pastër;

– i cili do ta pranojë se në kuadër të Serbisë së madhe ndodhen sot Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë); sanxhaku i banuar me boshnjakë dhe Vojvodina, e banuar nga hungarezë si dhe nga 25 grupe të tjera etnike;

– i cili do ta pranojë se menjëherë pas mbarimit të Luftë së Dytë Botërore, serbo-komunistët dëbuan nga Vojvodina qindra mijë gjermanë, për të sjellë në pronat e tyre kolonë serbë dhe malazezë;

– i cili do t’i japë fund konfliktit të Serbisë me të gjithë fqinjët e vet – me Kosovën, me Malin e Zi, me Bosnjën dhe Hercegovinën, me Kroacinë.

Duhet shtuar se në historinë politike të kohës më të re, Serbia ka luftuar kundër Bullgarisë disa herë, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe sot e kësaj dite nuk e njeh atë sllavo-maqedonase.

Një shtëpi që është në konflikt me të gjithë fqinjët e vet, fajin duhet ta kërkojë në vetvete.

Para do kohe, autoritetet e Kosovës ndërhynë në veri për të parandaluar veprimet e paligjshme të individëve apo të grupeve të caktuara. Serbia në Kosovë nuk do rend dhe rregull. Ajo do kaos. Për këtë ndërhyrje legale dhe legjitime të organe të policisë së Kosovës, kryeministrja serbe i quajti shqiptarët njerëz të malit. Vallë, ç’njerëz na qenkëshin serbët e Ana Bërnabiqit të cilët në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar sulmuan me ushtrinë serbosllave dhe me paramilitarët serbë – Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën, duke vrarë dhe duke plagosur qindra mijë vetë?!

*   *   *

Në vitin 1970, kancelari gjerman Vili Brant vajti në Poloni dhe u gjunjëzua para lapidarit të viktimave të nazizmit gjerman. Serbisë i duhet një burrë shteti që ta bënte të njëjtën, që do të gjunjëzohej para një përmendoreje të viktimave të krimeve serbe në Kosovë dhe gjetkë. Vuçiqi, ky ndjekës i devotshëm i politikave të vjetra serbe dhe i ushqyer me ideologjinë mesjetare dhe bizantine të Klerit Ortodoks Serb, këtë nuk mund ta bëjë.

Serbia nuk ka një intelektual siç është shkrimtari dhe filozofi ekzistencialist francez Zhan-Pol Sartri i cili e dënoi rreptë luftën kolonialiste të Francës në Algjer, duke mbështetur prerazi lëvizjen algjeriane për vetëvendosje. Në qershor të vitit 1961, në hyrje të apartamentit të tij në Paris shpërtheu një lëndë shpërthyese që ishte vendosur ngaultranacionalistët e ekstremit të djathtë. Një akt i tillë u përsërit edhe një herë tjetër. Kur e djathta franceze i kërkoi Gjeneral Sharl  Golit që ta arrestojë Sartrin dhe ta nxjerrë para skuadrës së pushkatimit, Presidenti Dë Gol u përgjigj: “Ma gjeni një që mund ta burgosë Volterin”?! Një Volter si Sartri serbët nuk kanë, as që mund të kenë. Baba të kombit, serbët e quanin shkrimtarin e pallankave dhe akademikun me shkollë të mesme bujqësore – Dobrica Qosiqin.

*   *   *

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Berlini e dinë mirë se shqiptarët, ndonëse evropianë dhe në Evropë, janë i vetmi popull në rruzullin tokësor që është i ndarë në gjashtë pjesë: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Çamëri. Shqipëria është i vetmi shtet në Evropë dhe ndër të rrallët në botë, më tepër se gjysma e së cilës ndodhet jashtë saj.

Çlirimi i Kosovës nga kolonializmi serb në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt të viti 2008, i paralajmëruar nga ish-presidenti amerikan Xhorxh W. Bush paraqet vetëm zgjidhje të pjesshme të çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.

Duke qenë se çështja e Kosovës është e mbyllur, nga kjo del se në takimet midis përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, nuk ka për se të bisedohet. Në ato takime Kosova duhet t’i kërkojë Serbisë:

– ta njohë pavarësinë e Kosovës;

– ta njohë tërësinë e tokave të Kosovës;

– ta njohë sovranitetin e Kosovës;

– t’i kërkojë falje Kosovës për krimet e luftës;

– të zbardhë fatin e shqiptarëve të pagjetur;

– t’i paguajë Kosovës reparacion lufte apo dëmshpërblim;

– të mbajë përgjegjësi për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve;

– t’i paguajë Kosovës zhdëmtim për politikën kolonialiste të ndjekur që nga viti 1912 e këndej;

– të mbajë përgjegjësi për dëbimin dhe për deportimin e shqiptarëve për në Anatoli, sipas elaboratit famëkeq të Vasa Çubrilloviqit;

– të mbajë përgjegjësi për kolonizimin e Kosovës me kolonë serbë dhe malazezë, të zbatuar sidomos pas Luftës së Parë Botërore;

– t’u garantojë shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) të drejta sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Beogradi, duke i getoizuar shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, i detyron ata që t’i lënë vatrat stërgjyshore dhe të shpërngulen që andej. Ky është një lloj pastrimi etnik i kryer heshtazi.

Sa për pakicën serbe në Kosovë, e gjithë bota e di se liritë dhe të drejtat e tyre janë të garantuara me ligjet e Kosovës, sipas standardeve më të larta të BE-së. Ç’kërkon Beogradi më shumë se kaq?!

Kërkesat e sipërthëna të cilat Kosova duhet t’ia paraqesë Beogradit, nuk janë çështje takimesh apo ndërmjetësimesh diplomatike. Kancelaritë e fuqive historike të Evropës duhet të ndërmarrin një angazhim më të madh për ta parandaluar politikën luftënxitëse të Beogradit. Po qe se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, atëherë është Uashingtoni ai që do t’i dalë zot kësaj pune. Shqiptarët nuk kërkojnë kurrfarë të drejtash të posaçme, për arsye se ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.

Një burrë shteti serb që do ta varroste politikën e vjetër serbe dhe që do të ndiqte një politikë të re, euroatlantike do të mund ta shndërronte Serbinë në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe do t’u çelte perspektivë brezave që vijnë.

Please follow and like us:
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
YouTube
YouTube
Instagram