ALMIRI I VOGËL RRITET NË ZEMRAT E ÇDO NJERIU HUMAN

0

Nga Xhelal Zejneli

Më 25 qershor të vitit 2016, personi i quajtur BobanIliq, e shkeli me paramendim fëmijën 4-vjeçar, Almir Aliun. Tragjedia ndodhi në Kumanovë.

Në përputhje me nenin 123 paragrafi 2 pika 3 të Kodit penal të Republikës s Maqedonisë, vrasjen e Almirit të vogël nga vrasësi BobanIliq, organet e drejtësisë e cilësuan si vepër penale vrasje. Vrasësi 30-vjeçar BobanIliq u akuzua për vrasje.

Më vonë, kjo vepër penale, nga vrasje, u rikualifikua në vepër të rëndë në qarkullimin rrugor kundër sigurisë së njerëzve dhe të pasurisë.

Ky rikualifikim i veprës shkaktoi reagime në publik.

Katër prokurorë publikë të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë dolën para publikut me një komunikatë në të cilën theksonin se janë kundër vendimit të Prokurorisë PublikeThemelore të Kumanovës dhe të Gjykatës themelore të Kumanovës që vepra e lartpërmendur të rikualifikohet.

Lidhur me komunikatën e katër prokurorëve, prokurori publik republikan theksoi se prokurorët publikë, gjatë ushtrimit të profesionit të tyre nuk duhet të bien nën ndikimin e mendimeve dhe të vlerësimeve subjektive apo nën ndikimin e trysnisë së publikut dhe të politikës.

Më 21 qershor 2019, Gjykata themelore e Kumanovës, me akuzën vepër e rëndë në qarkullimin rrugor kundër sigurisë së njerëzve dhe të pasurisë,30-vjeçarin BobanIliq e dënoi me dënim burgu në kohëzgjatje prej gjashtëvjetësh. Me fjalë të tjera, akuza paraprake – vrasje, u eliminua.

*   *   *

Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë s Veriut si mbarë opinioni i këtij vendi, duhet ta dinë se BobanIliqi:

– është vrasës ordiner;

– vrasjen e ka kryer me paramendim;

– vrasjen e ka kryer në mënyrë të qëllimshme;

– vrasjen e ka kryer me vetëdije të plotë;

– ka qenë i vetëdijshëm se vret një shqiptar;

– ka kryer vrasje makabre;

– ka vrarë një fëmijë 4-vjeçar;

– për vrasjen e kryer ekzistojnë xhirime.

*   *   *

Në ShBA, për një vepër të këtillë, për vrasjen me paramendim të një fëmije 4-vjeçar, kryerësi i krimitdo të cilësohej si vrasës apo si kriminel dhe do të dënohej me vdekje, do të përfundonte në karrige elektrike. Në vendet ku vepron drejtësia, kryerësi i një vepre të këtillë do të dënohej me dënim të përjetshëm.

Po të kishte drejtësi në Maqedoni, vrasësi BobanIliq do të dënohej me dënim të përjetshëm ose të paktën me njëzet vjet burg, pa të drejtë ankese dhe pa të drejtë shfrytëzimi të uljes së dënimit nga kryetari i shtetit.

Duke e bërë rikualifikimin e veprës nga vrasje në vepër të rëndë në qarkullim rrugor kundër sigurisë së njerëzve dhe të pasurisë, vihet në dyshim drejtësia në Maqedoni. Me fjalë të tjera, dënimi me gjashtë vjet burg i një vrasësi i cili me veturën e vet ka përplasur për vdekje, me paramendim dhe në mënyrë të qëllimshme një fëmijë 4-vjeçar, tregon se në Maqedoni nuk funksionon drejtësia. Dënimi isipërthënë dëshmon se në Maqedoni kemi një drejtësi të padrejtë, një kuazi-drejtësi apo një drejtësi selektive.

Ç’do të kishte ndodhur sikur vrasësi të kishte qenë shqiptar, ndërsa viktima, një 4-vjeçar i përkatësisë etnike sllavo-maqedonase?!

Për epilogun e procesit “gjyqësor” që ka të bëjë me vrasjen e Almirit duhet të njoftohen instancat ndërkombëtare, d.m.th. organizatat dhe institucionet ndërkombëtare përkatëse. Për drejtësinë selektive në Maqedoni ndërkaq, duhet të njoftohet ShBA-ja, në mënyrë që rasti i Almirit dhe pseudo-drejtësia e Maqedonisë të përfshihet në raportin vjetor amerikan për funksionimin e drejtësisë në këtë vend.

Duke qenë se në Maqedoni ka drejtësi të padrejtë dhe të përzgjedhur, atëherë procesi gjyqësor i vrasjes së fëmijës 4-vjeçar duhet të përcillet në gjykatën e Strasburgut.

A thua si do të hyjë në Bashkimin Evropian një shtet si Maqedonia, që ka një drejtësi të padrejtë dhe të pareformuar. Një prokurori dhe një drejtësi e këtillë e Maqedonisë është turpi i Evropës. Drejtësia e padrejtë e Maqedonisë së Veriut të përkujton drejtësinë e regjimit diktatorial të Koresë së Veriut. Epilogu i këtij procesi antigjyqësorparaqetkëtu në Maqedoni, evropianizimin e regjimit të Pol Potit.

Vrasja me paramendim dhe e qëllimshme e një fëmije 4-vjeçar është krim barbar, akt irracional dhe veprim absurd. Gjyqtarët, prokurorët, vrasësi apo krimineli nuk do t’i shpëtojnë ferrit dantesk, ndërsa drejtësia e kapur e Maqedonisë duhet të përfundojë në gërmadhat e historisë.

Armiri i vogël, i ndërprerë në lule të moshës, do të rritet në zemrat e çdo shqiptari dhe të çdo njeriu human, pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare. Një çerdhe e fëmijëve apo një institucion parashkollor, në çdo qytet shqiptar në Maqedoni duhet ta mbajë emrin e këtij vogëlushi, shpirti dhe shikimi i virgjër i të cilit troket në ndërgjegjen e çdo njeriu human.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok