I vetmi komb në Europë që nuk di të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike

Nga Ndue Ukaj

Në vitin 2019, shqiptarët janë i vetmi komb në Europë që nuk di të organizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike dhe kjo është një e vërtetë e trishtueshme, e cila nuk mund të fshihet, për aq sa mund të mbulohet dielli me shoshë. Dhe përballë kësaj të vërtete, duhet të mërzitet dhe të turpërohet gjithsecili shqiptar që e do Shqipërinë më shumë se udhëheqësit e saj.

Por, si shpeshherë në histori, shqiptarët as nga kjo amulli nuk mësuan gjë. Përkundrazi, tifozët e shumtë, me shumë zjarrmi e shigjeta të helmatisura, filluan të gulçojnë në media e rrjete sociale, pro dikujt dhe kundër dikujt, duke e vendosë individin e partinë mbi Shqipërinë.

Kjo është fatkeqësi kombëtare dhe një lëngatë që na ka lënë shumë prapa popujve të përparuar të perëndimit.

Në fakt, ndër shqiptarët, politika kurrë nuk është përkthyer me terma ekonomie, siç ngjet kudo në botën normale, po me tifozëri, zhdërvjelltësi, forcë, autoritarizëm e çka jo tjetër.

Duket sikur krejt çka është mësuar në këto vitet e demokracisë formale është kultura e tifozërisë politike, në të cilën nuk na kalon kush. Dhe krejt kjo ngjet, meqë, siç kanë vërejtë të diturit qëmoti, shqiptarët dashurinë për shtetin e kanë zëvendësuar me dashurinë individin. E, kjo, po të skematizohej i bie: dashurinë për torishtën dhe klanin që ha e pi në të. Pikërisht kjo logjikë ka prodhuar fundërrina politike si Enver Hoxha dhe dishepujt neokomunistë, të shumtë e të shpërndarë kudo, që sot janë kamufluar dhe shfaqen nën petkat demokratike.

Prapambeturi demokratike, shqiptarëve u rri si një njollë e keqe në fytyrën e sakatosur dhe pasojat e kësaj prapambeturi vërehen në krejt organizmin tonë kombëtar.

Dhe sot nuk duhet të jesh i djathtë apo i majtë për ta kuptuar një gjë të tillë.

Jam i bindur se edhe ato tufa militantësh të verbuar dhe besimtarët e devotshëm ideologjikë, sa herë që mbesin të vetmuar dhe larg euforisë së pushtetit, e kuptojnë një gjë të tillë.

Kjo atmosferë kaq e nderë dhe kaq të pashpresë, nuk mund të shërohet me gulçima e britma, me urrejtje e sharje, me përbuzje dhe luftë kundër njëri-tjetrit. Më së paku duke e ndihmuar kulturën e tifozërisë.

Please follow and like us:
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
Google+
Google+
YouTube
YouTube