Mendime për romanin: DY BOTË’ të shkrimtarit Elvi Sidheri

Nga Kristaq Turtulli

Ishte me të vërtet një befasi e këndshme dërgesa e librit. Mora kompjuterin me vete ngaqë e kisha në PDF dhe vazhdova ta lexoj e kur shkova në Ottavë, në pritje të ambasadës, për të marrë titullin e akorduar. Në kthim e përfundova me plot dëshirë e mbresa romanin e porsa  botuar në Prishtinë, Kosovë, të mikut tim, krijuesit të talentuar Elvi Sidheri: ‘ DY  BOTË’.

Autori është relativisht i ri në moshë dhe është sprova e dytë për të, por me guxim, ambicie letrare dhe dinjitet ka realizuar me sukses një roman bashkëkohor dhe, vjen përpara lexuesit  me një bagazh të shëndoshë njohurie në fushën e përkthimit të autorëve të shquar bashkëkohorë. Por me shkathtësinë, larminë dhe sigurinë e lavdërueshme që i nevojitet aq shumë një krijuesi në terrenin e vështirë të krijimit të një romani që të lë mbresa. Por që nuk i qëndron rob ndikimit të autorëve të mëdhenj që shpesh është e natyrshme. Elvi me talent hap shtegun e tij të individualitetit krijues.

Qysh në faqet e para të librit dallohet për rrjedhshmërinë e një pene të sprovuar dhe plot besim, na jep çelësin në dorë të çelim librin dhe të ndjekim me kujdes fatin e heroinës, Livias, karakter i vajzës qytetare, në vorbullën e krizës familjare, të krizës politike e ekonomike dhe, luftës e përpjekjeve të vajzës, gruas shqiptare për dinjitet e progres, skalitur me mjeshtëri nga Elvi Sidheri.

Livia, vajzë e hijshme, e sinqertë, e mençur, me ambicie të mirë dhe njohëse e mirë e disa gjuhëve të huaja. Një portet i vajzës shqiptare i shekullit njëzet e një, që lufton me vendosmëri, përplaset në situata tejet të vështira, triumfon me dinjitet. Autori ka një pikësynim, i qëndron besnik ngjarjes në të cilën na tregon dhe heroinës. E shoqëron deri në fund dhe, kur mbyll faqet e fundit të librit, kjo vajzë me vlera të spikatura dhe personalitet, që lartësohet faqe pas faqe dhe kapitull mbas kapitull, të ngelet në mendje.

Livia në një farë mënyre është një Hirushe e kohës moderne, si shumë vajza të pafajshme për shkak varfërisë krizës familjare dhe politike, peshkaqenët e parasë, maniakët seksualë gjejnë në to fushë veprimi për gjah të freskët, të pa mbrojtur, për ti shpërdoruar dhe më vonë flakur në rrugë si të pa vlera. Por Livia heroina kryesore e romanit nuk u tregua një pulë qore, dhe në momentet më të vështira, ngujuar brenda katër mureve, me një plakë maniake mbi krye, mundi të dalë nga situatat e vështira. Këtu qëndron vlera, në shtjellën e ngjarjeve të cilën autori e ndjek me besnikëri heroinën dhe e çon deri zgjidhje. Elvi Sidheri është zhbirues i hollë i ngjarjeve dhe skalitës i kujdesshëm i karaktereve, cilat i shtojnë vlerën librit. Si Filipi, i ati, një njeri i pafytyrë, paskrupullt, njerka Albana dhe e bija e saj Aurela. E ëma e Livias që nuk jetonte, Matilda, shoqja Stela dhe, Joze dhe  Christian, të cilët do luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e vajzës së re.

Elvis Sidheri është njohës i mirë i truallit ku shkel, jo më kot e ka titulluar librin :DY BOTË, sepse na jep me vërtetësi dy botë, të cilat janë sa pranë po aq dhe sa larg nga njëra tjetra. Autori ka informacion të bollshëm për vendet ku çon e heroinën. Për efekt të ngjarjes dhe qëllimit të tij përgjatë shtjellimit të ngjarjes paraqet përpara lexuesit një larmi kulturash, mendësish, dashurish, qëndrimesh ndaj jetës, të cilat na jepen nëpërmjet ndërthurjeve së disa dashurive paralele, të ngjizura brendapërbrenda një ndjenje të vetme, duke përçuar përmes jetës, botëkuptimit, mëdyshjeve dhe përvojave të një vajze bashkëkohore shqiptare e shekullit XXI,

Në këtë roman, shtjellohen me kujdes dhe mençuri nuancat e një historie dashurie dhe realizimi vetjak përkundër rrethanave dhe gjasave. Autori qysh në faqet e para të librit na paraqet Tiranën në pranverën e nxehtë të vitit 1999, fare pranë fundit të shekullit të njëzetë. Ndërkohë si të gjithë kryeqytetasit ndjehej fare pranë ditët e përgjakura të Luftës së Kosovës edhe heroina jonë duke qenë pranë tyre e përjeton realisht gjendjen e vështirë të popullit martir kosovar që braktisi trojet e të parëve nën presionin e terrorit serb.

Hapi i parë e lëvizjes, ikjes prej vendlindjes ishte për vajzën e re një provë me surpriza të pakëndshme, që do ti shkaktonin shqetësime dhe brenga, por duke qenë e rritur në vështirësi dhe, karakter që brenda kishte vlagë, formohej në stuhi, nga dita në ditë, për të mos u dorëzuar, mundi të shmangej llumit dhe shpërdorimit të cilën e hodhën pa mëshirë për një grusht të holla. Kjo u ka ndodhur dhe u ndodh aq shumë femrave fatkeqe kur u gjendën në udhëkryq. Por autor i ka vënë tjetër mision heroinës së tij dhe, të mos e paraqesë shtjellimin e ngjarjes në bardh e zi, por ka një fill të tijin që e tjerr ngjarjen.

Autori me zgjuarsi dhe plot kolor na hapën një sipar të njohim më mirë  arbëreshët, në marrëdhënie me botën e tyre, të cilët u shpërngulën nga mëmëdheu qindra vjet më parë. Por ata përsëri e kanë në shpirt vlagën e pashuar të mirësisë dhe ngrohtësisë së mëmëdheut të largët. Kushtet që u ndodh Livia të hyjë në gjirin e ngrohtë të  arbëreshëve dhe u bë pjesë e rëndësishme në këtë roman, të trajtuar mirëfilli si personazhe ndërveprues. Dhe nëpërmjet kësaj ne njihemi me jetën, trashëgiminë unike kombëtare dhe kulturore, si dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur gjuhën e bukur shqipe dhe identitetin e tyre, në Itali, Brazil dhe gjetkë.

Në libër dalin në pah dhe dy elemente interesante; Ashtu si arbëreshët që kanë mbijetuar në shekuj, asimilimit duke ruajtur vlerat më të qenësishme edhe personazhi kryesor i këtij romani, Livia, përpiqet t’ i mbetet besnike vetvetes, duke ditur të përzgjedhë me mençuri më të mirën dhe të përshtatshme për të dhe natyrën e saj.

Shtysat e papërballueshme të dashurisë dhe dëshira e paepur për të gjetur vetveten mes dy botëve, janë pikërisht thelbi i rrugëtimit të gjatë dhe emocionues të personazhit kryesor të këtij romani, ku këto dy botë metaforike, por edhe reale, ngërthejnë domethënien e dyzimit dashuror e jetësor që mbizotëron në tërë jetëgjatësinë e këtij romani.

Fill përçues i romanit “Dy botë” është padyshim dashuria për jetën, për njeriun, për traditat për mbijetesën. Dashuria për dashurinë e shtjelluar përtej botëkuptimit të ngurtë, e jetuar nga personazhet e përfshirë në të, fare natyrshëm, pa paragjykime, me ndërgjegje të pastër e një pasion të fuqishëm, që nxit të tejkalohen pengesat dhe, të njohim realitete të reja

“Dy botë” është një roman ku jo vetëm personazhi kryesor, një vajzë e çiltër, pasionante dhe lozonjare tiranase, por me personalitet të spikatur, që bën ta adhurosh deri në fund, bëhet pjesë përbërëse e botës së madhe, me origjinalitetin e saj shqiptar. Autori kërkon ti thotë gjithkujt: Ky ka qenë është dhe duhet të jete imazhi i shqiptarit në botë.

Ku qëndron vlera e këtij libri, edhe pse heroina u gjend në momente të vështira, përsëri ndjehej rrezatimi i dritës së buronte nëpërmjet kënd shikimit optimizmit të fshehur të autorit. Ky optimizëm rrjedh e gurgullon si ujëra e nëndheshme të burimit, ndryshe nga tonet e errëta që të lexojmë nëpër libra vitet e fundit. Pra lajtmotivi është, kur njeriu beson te vetja nuk ka gjë së nuk realizohet.

I uroj suksese të mëtejshme autorit të talentuar Elvi Sidheri.

Please follow and like us:
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
YouTube
YouTube
Instagram