Marrëdhëniet ndëretnike në botën bashkëkohore

0

Nga Nikë Gashaj

Në një numër të madh të shteteve të botës bashkëkohore manifestohen një sërë problemesh mbi baza etnike, nacionale, fetare, gjuhësore dhe dallime të tjera midis popullatës së tyre. Nuk janë të rralla marrëdhëniet e tensionuara, por as konfliktet e ashpra të cilat ua humbin jetën qindra mijëra ose madje miliona njerëzve. Qysh nga Lufta e Dytë Botërore në botë kanë qenë rreth 250 konflikte të mëdha etnike, ndër të cilat sipas numrit të viktimave dhe rëndësisë së pasojave, në veçanti janë të njohura përleshjet ndërmjet indusëve dhe myslimanëve pas ndarjes së Indisë (1947), lufta e kurdëve për të fituar shtetin e vet, luftërat e baskëve në Spanjë dhe të irlandezëve në Irlandën Veriore (të parët për qëllim të autonomisë, kurse të dytët për t’u ndarë dhe bashkuar me Republikën e Irlandës), konflikti me rastin e orvatjes së ndarjes së Bijafrës nga Nigeria (1967-70), e cila ka kushtuar rreth 2 milionë jetë njerëzish, përleshja ndërmjet popujve të Bahutut dhe Vatutsit në Ruandë dhe marrëdhëniet tejet të konfrontuara midis grupeve të njëjta në Burundu, konflikti në mes të shumicës singaleze dhe pakicës tamile në Sri-Lankë, si dhe lufta etnike në Bosnje dhe Hercegovinë, në Kosovë, në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës.

Para disa viteve (1991) është konstatuar se në botë veprojnë edhe rreth 640 lëvizje secesioniste, të cilat për bazë kanë arsyet nacionale respektivisht etnike. Shumë shtete që ballafaqohen me problemet e lartpërmendura bëjnë përpjekje që të gjejnë mënyra për t’i zgjidhur ato. Këtu një kujdes të veçantë do t’ia kushtojmë disa hulumtimeve shkencore të këtyre problemeve, si dhe disa ideve, të cilat gjatë decenieve të fundit janë prezantuar në literaturë, me qëllim që të kontribuojnë që këto shtete në mënyrë kushtetuese-juridike dhe institucionale, si dhe praktiko-politike të zgjidhin çështjet kruçiale, të përmirësohen marrëdhëniet ndëretnike, të hamonizohen interesat, të shmangen konfliktet, apo së paku të bëhet zbutja e tyre.

Idetë e tilla llogarisin në kapërcimin e dominimit ose të kërcënimit me dominim të një bashkësie etnonacionale mbi të tjerat, si dhe të vendosjes së raportit dhe bashkëpunimit ndëretnik mbi parimet e partneritetit. Mirëpo, këto ide në praktikën e një pjese të madhe të mapës politike nuk janë jetësuar.

Hulumtimet tregojnë se konfliktet rreth interesave dhe sistemit të vlerave luajnë rol shumë të madh dhe shpien deri në mosmarrëveshjet dhe kacafytjet politike. Me rastin e konflikteve të interesit, palët janë më të gatshme për kompromise, se sa me rastin e konflikteve rreth vlerave (fetare, ideologjike etj.).

Studiuesit theksojnë, po ashtu, se zgjidhjet kushtetuese dhe institucionale është më e lehtë t’i gjesh para se pas shpërthimit të përleshjeve të hapura, sepse kur të ndodhin kacafytjet, atëherë as ato zgjidhje të cilat në kohën e mëparshme ndoshta ishin të mundshme, më nuk e kënaqin as njërën prej palëve në konflikt. Ka mjaft indikatorë që tregojnë se lufta e të mëdhenjve për pushtet, apo e elitave politike, luan një rol tejet të madh dhe paraqet një nga shkaqet më kryesore të konflikteve.

Në atë drejtim, gjithsesi, një rol të rëndësishëm e kanë vetëdija etnike dhe paraftyrimi që ndonjë prej grupeve ka mbi vetveten, për tiparet etnike, nacionale, fetare të identitetit, si dhe mbi marrëdhëniet e veta me grupet e tjera. Imagjinatat e tilla përshkojnë jetën e anëtarëve të grupit dhe ato janë me rëndësi, pa marrë parasysh, ose pikërisht për arsye se në to mund të gjejmë një mbushullim paragjykimesh dhe paraftyrimesh të gabuara, elemente dhe ndjenja mitike e iracionale, botëkuptime të njëanshme etj. Kjo, natyrisht, e vështirëson edhe vërtetimin e së vërtetës dhe të zgjidhjeve të konflikteve dhe raporteve kontestuese ndërmjet dy ose të më shumë grupeve. Në zgjidhjen e këtyre çështjeve një rol të madh e luan pushteti i së drejtës, respektivisht aranzhmanet kushtetuese-juridike.

Në kërkimin e zgjidhjeve mbi baza të pushtetit të së drejtës domosdo duhen të merren në shqyrtim edhe idetë që parashohin krijimin e intitucioneve adekuate për shoqërinë pluraliste, heterogjene, multikulturore dhe multietnike, si dhe autonomitë e pakicave, qofshin ato politiko-territoriale, kulturore apo personale.

Problemi i jetës së përbashkët (konsociation) të popullatës së bashkësive të ndryshme etnike ka një rëndësi shumë të madhe në përpjestime të gjera, meqënëse numri i shteteve monoetnike në botë, sot është fare i vogël. Ndërkaq, sot jetojmë në epokën e “ringjalljes etnike“, të “eksplodimit të identitetit“ dhe të baticës së nacionalizmit etnik. Situata aktuale sot domosdo shpie në drejtim të studimit dhe analizës së opsioneve (zgjidhjeve) të ndryshme të institucionalizimit të statusit dhe marrëdhënieve ndëretnike në një shtet.

Opsionet, në një masë të madhe, varen nga situata të ndryshme: nga karakteristikat shoqërore të bashkësive etnike apo nacionale dhe marrëdhëniet e tyre reciproke, statusi, shpërndarja dhe vendosja territoriale, madhësia e kolektiviteteve në fjalë, si dhe nga ajo se a janë bashkësitë etnike të “territorializuara“ apo jetojnë në diasporë dhe – në rastin kur ato janë të territorializuara, cila është shkalla e homogjenitetit të popullatës me nacionalitetin përkatës në ndonjërin prej territoreve, respektivisht sa është madhësia e hapësirës ku kolektiviteti i tillë e përbën shumicën.

Kërkesat, të cilat i parashtrojnë bashkësitë e ndryshme etnike, mund të klasifikohen:

a) identiteti; b) të drejtat  dhe liritë individuale e kolektive të bashkësisë etnonacionale pakicë; c)participimi i nacionaliteteve në pushtetin shtetëror; ç) synimet e bashkësive etnike të vendosin kontrollimin mbi resurset natyrore në trojet ku jetojnë ose në të cilat pretendojnë dhe në ndarjen e pasurisë shoqërore. Në disa raste pushtetin politik e kanë bashkësitë etnike shumicë, kurse pasurinë ekonomike e kanë bashkësitë etnike pakicë.

Në situata të tjera, bashkësitë etnike numerikisht më të vogla mund të jenë ekonomikisht të parëndësishme, por duke iu falëndëruar pozitës  politike dhe “gjuhëzës“ në terezi të koalicioneve parlamentare, ose mandej në mënyrë sistemore, me të drejtë për veto, çka u jep mundësi që të ndikojnë në proceset politiko-juridike.

Në një hapësirë të gjerë, jo vetëm të Evropës Juglindore dhe të ish-Bashkimit Sovjetik, por edhe më gjerë, do të takohemi me konceptimin e kombit të bazuar në elemente të origjinës së përbashkët, gjuhës, kulturës, historisë etj., e jo sikurse  trajtohet dhe definohet në teorinë politike të Evropës Perëndimore, të mbështetur nën nënshtetësinë e qytetarëve.

Në historinë e shteteve multietnike, një kohë të gjatë ka dominuar një koncept i tillë, se mbi bazat e të drejtave individuale të qytetarëve mund të zgjidhen edhe problemet e pakicave etnonacionale. Nga një logjikë e tillë, si dhe për arsye të frikës nga pasojat e ndonjë qasjeje tjetër, janë injoruar ose minimizuar të drejtat kolektive të pakicave kombëtare ose të grupeve etnike. Ndërkaq, një koncept i tillë u ka dhënë koloritin e vet ngjarjeve politike, shpeshherë të përgjakshme dhe me pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike.

Mirëpo, përveç përvojave negative të marrëdhënieve ndëretnike, njohjet teorike dhe praktike tregojnë se sot një numër i konsiderueshmë i shoqërive multietnike të Evropës demokratike bashkëkohore funksionojnë me sukses dhe në harmoni, si p.sh.: Finlanda, Tiroli Jugor i Italisë, Zvicra, Belgjika, etj.

Zhvillimi prosperues i këtyre vendeve nuk mund të paramendohet as të kuptohet, nëqoftëse nuk e kemi parasysh se sistemet e tyre politike janë të bazuar dhe të krijuar në rend të parë në parimet, sikurse janë: pushteti i së drejtës, përshtatshmëria, toleranca, nderimi, respektimi dhe besimi reciprok i qytetarëve dhe bashkësive etnike, nacionale, gjuhësore, fetare etj.

Nuk mund të thuhet se këto parime janë diçka e re, të panjohura në teori dhe praktikë, diçka në çka nuk thirren edhe shumë shtete të tjera. Ndërkaq, ajo çka është karakteristike për to qëndron në atë aspekt se parimet në fjalë në një mënyrë të terësishme sendërtohen në praktikë dhe se paraqesin një pjesë përbërëse të jetës së përditshme të qytetarëve dhe bashkësive etnonacionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok