20/04/2024

Në përvjetorin e ekzekutimit

Nga Reshat Kripa

10 gusht 1988. Sistemi komunist kishte marrë rrokullimën. Në të gjithë vendet komuniste të lindjes kishin shpërthyer revoltat që do të shembnin sistemin. Por Shqipëria, si dhe herë të tjera do të ishte e vonuar. Pikërisht në këto ditë komunizmi shqiptar do të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Në mes të Kukësit do të varej në litar, vini veshin, do të varej në litar një tjetër poet, një tjetër bir i kësaj toke, Havzi Nela. Një jetë e tërë me të përpjeta e të tatëpjeta. Ishte jeta e njeriut që kishte dëshirë të jetonte i lirë dhe nuk e linin as për të jetuar.

Një odise e gjatë përpjekja e tij për dije. Vjedhurazi mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik me korespondencë në Shkodër. U end fshat më fshat ku, nëpërmjet poezive të tij, u mësonte fëmijëve dashurinë për atdheun. Arrestohet dhe dënohet me akuzën e arratisjes së tij në Jugosllavi.  Pas njëmbëdhjetë vitesh lirohet dhe internohet në fshatin Arrëz.

24 qershor 1988. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, vulosin dënimin e tij me varje në litar. Edhe varrimi i tij ishte cinik. Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Si shpërblim të kësaj mizorie, disa vite më vonë, kur në vend do të ishte vendosur sistemi demokratik, këta gjykatës do të dekoroheshin nga Presidentët e Republikës. Kjo është Shqipëria e sotme, Shqipëria në botën e çudirave.

Ekzekutimi i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike. Sipas deklaratës së bërë nga përfaqësuesi sllovak, Piter Bielek,  në Kongresin e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Tiranë në vitin 2009, dënimi i fundit me vdekje për motive politike në Sllovaki ishte dhënë në vitin 1956. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuar lexues.

Megjithatë vargjet e tij  mbijetuan. Ato  vazhdojnë edhe sot të gjëmojnë me nje forcë të jashtëzakonshme:

Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni “Ndjesë pastë!”

A e dini çfarë kam hjekë,

Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: – Ku e ka vorrin?-

Kur t’kërkoni me ma gjetë,

Thoni: – Ai urreu mizorin! –

Thoni: – Dheu s’ka me e tretë!

Ky ishte Havzi Nela, poeti i madh i dhimbjes njerëzore.

Brenda vetes time ndjej një revoltë. Dua të thërras, dua të çirrem. Askush nuk më jep përgjigje. Heshtja sundon kudo. Më dhemb zemra për këtë poet të madh që Atroposi i preu fillin e jetës. Ndaj pyes:

–    Deri kur do t’i kemi mbi krye vrasësit e poetëve? Deri kur?

Kjo pyetje kërkon përgjigje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok