Kosova ka sakrifikuar njësoj si hebrejtë për shtetin në territoret e saj!

0

Nga Enver Bytyçi

Vizitat e dy senatorëve amerikanë, Ron Johnson dhe Chris Murfhy, në Kosovë dhe në Serbi të kujtojnë fillimin e viteve ’90, kur Beogradin dhe Prishtinën e vizitonin senatorë të tjerë po amerikanë, si Bob Doll, Tom Lantosh, Eliot Engel, Joseph Diogardi, etj. Ashtu si para gati tri dekadash, edhe tani duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ruajnë interesa jetike në Kosovë e në rajon. Edhe emërimi i zotit Palmer si negociator dhe përfaqësues i shtetit amerikan në rajonin tonë na kujton angazhimin dhe diplomacinë brilante preventive të të të ngarkuarve të Presidentit Clinton e Georg W. Bush për Ballkanin si Richard Holbrook, Chris Hill etj.

Bazuar në përvojën tri dekadash të kësaj veprimtarie politike dhe diplomatike të Uashingtonit duhet pritur që suksesi amerikan në Kosovë e në rajon të kurorëzohet më arritjen përfundimtare të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në këtë pjesë të botës ku mpleksen interesa të shumta ndërkombëtare dhe ku përplasen midis tyre SHBA-të dhe Europa nga njëra anë dhe Rusia e Turqia nga ana tjetër.

Por a ka ndryshuar koha prej 20 viteve të fundit? Sigurisht që ka ndryshuar, ndërkohë që ky ndryshim pritej. Natyrshëm ndryshojnë rrethanat, por në rastin e Kosovës ka ndryshuar më shumë koncepti shqiptar i shtetësisë së Kosovës. Ndërsa para 20-30 vitesh lidershipi shqiptar me Rugovën ishte homogjen dhe i përcaktuar qartë për pavarësinë e vendit, tani kemi një president në Prishtinë që ka zhvleftësuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Kemi në Shqipëri gjithashtu një kryeministër, i cili nuk besoj se e njeh vendimin e Gjykatës së Hagës. Hashim Thaçi dhe Edi Rama i janë bashkuar të njëjtës pikëpamjeje të Aleksandër Vuçiq dhe Ivica Daçiç sa i përket legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. Kanë edhe të njëjtat qëndrime.

Në këto kushte, nuk kishte se si të mos ndryshonte edhe qëndrimi i ndërkombëtarëve sa i përket bisedimeve dhe rezultatit përfundimtar të zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Kur kryeministri i Shqipërisë thotë se është i gatshëm të mbështesë apetitet territoriale të Serbisë në Kosovë, pse duhej të prisnim që dikush në Amerikë apo gjetkë të mendonte ndryshe?! Kur presidenti i Kosovës e bën të vetën idenë serbe të ndarjes së vendit të vet, pse duhet të prisnim p.sh nga Strache i Austrisë që të thoshte të kundërtën?!

Angazhimi amerikan në Kosovë dhe për Kosovën është gjithnjë një lajm i mirë. Së paku mund ta ndalojë çmendurinë e këtyre udhëheqësve shqiptarë për ta sjellë në territoret shqiptare Serbinë e në rajon Rusinë. Por amerikanët janë të detyruar në këto kushte të gjejnë një mënyrë për ta zgjidhur përfundimisht konfliktin Kosovë-Serbi. Ata janë të detyruar tashmë që ta marrin në konsideratë formulën serbe, sipas së cilës ‘Nuk mundet që njëra palë t’i fitojë të gjitha dhe tjetra palë të humbasë gjithçka’. Këtë formulë e pranoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Duam, s’duam ne, amerikanëve u ka ik nga dora argumenti i kundërshtimit të kësaj formule.

Prandaj dhe senatorët Johnson dhe Mërfhy flasin për kompromise dhe sakrifica të të dy palëve. Megjithatë ata do të pranojnë atë çfarë pranon Prishtina. Kjo është e sigurt. Nëse Prishtina do ta lejojë Hashim Thaçin të bëjë pazare me territoret shqiptare të Kosovës, atëherë amerikanët mund të thonë dakord, nëse është vullneti juaj. Por nëse Hashim Thaçi izolohet dhe mënjanohet nga bisedimet, atëherë sakrifica e Kosovës zvogëlohet. Eshtë në dorën e qytetarëve që më 6 tetor të vendosin për këtë. Do të votojnë forcat progresive, apo ato regresive të përfaqësuara nga presidenti i vendit?!

Ndarja e Kosovës krijon precedentin që Kosova të humbasë gjithçka dhe Serbia të fitojë çdo gjë. Nëse humbet territoret, Kosova humbet jo vetëm territorin, por edhe shtetin. Ndërsa Serbia nuk fiton vetëm veriun e Kosovës, por edhe Republikën Srpska dhe krijon kësisoj Serbinë e Madhe. Nuk besoj se amerikanët ia japin këtë shans Serbisë dhe janë për shkatërrimin e investimit të tyre për shtetësinë e Kosovës. Ndërkaq kjo do të bënte që Rusia të zgjerohej. Flitet se Moska ka planifikuar aneksimin e Bjellorusisë. Perendimi nuk do ta lejojë që ajo të vijë përsëri në Ballkan.

Për mendimin tim Kosova ka sakrifikuar shumë për Serbinë. Nuk janë pak gati 17 mijë viktima, shqiptarë të masakruar dhe shumë prej tyre ende të pagjetur. Janë aq shumë 20 mijë vajza e gra të përdhunuara. Janë tepër shumë 120 mijë banesa dhe objekte të shkatërruara. Eshtë i patolerueshëm gjenocidi kulturor e fetar i Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë. Të gjitha këto janë sakrifica të mëdha, shumë të mëdha. Kosova ka sakrifikuar gati njësoj si hebrenjtë për shtetin e vet të pavarur! Këtë shtet nuk mund ta zhbëjnë më! Ndoshta mundet që Kosova t’i falë këto dëme dhe sakrifica në këmbim të normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë e njohjes reciproke, si dhe në këmbim të ardhmërisë në paqe e qetësi. Por me dy kushte:

Së pari, autoritetet e Beogradit me rezolutë të posaçme të parlamentit të dekretuar nga presidenti i vendit duhet të pranojnë krimet kundër njerëzimit në Kosovë e të kërkojnë ndjesë publike për këtë.

Së dyti, nëse është për t’i falë këto krime, para nënshkrimit të një marrëveshjeje të tillë, duhet bërë referendumi popullor, sepse janë qytetarët e Kosovës ata që kanë pësuar këto krime. Nëse qytetarët pranojnë të falet e kaluara kriminale e Serbisë në Kosovë, atëherë mund të nënshkruhet e ratifikohet një marrëveshje e tillë. Me asnjë çmim tjetër nuk mund të bëhet pajtimi shqiptaro-serb dhe të arrihet ndonjë marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit. Dhe duhet ditur, ky është një kompromis shumë i dhimbshëm i Kosovës ndaj Serbisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok