19/04/2024

Shkolla si paraprirëse e zhvillimit

0

Nga Fran Gjoka, Lezhë

Në gjithë këto vite demokraci, arsimi shqiptar natyrisht që ka bërë hapa përpara, ai është integruar më shumë dhe suksesshëm me arsimin bashkëkohor europian, ndërkohë që  është shkëputur nga shumë hallka dhe përvoja strikte e shabllone të së kaluarës, duke u vendosur në shina të reja, duke u reformuar përherë e më shumë. Ndryshimet e shkollës i ka bërë më të domosdoshme edhe  fakti se në shkollë është  brezi më energjik dhe më aktiv i vendit, fëmijët dhe të rinjtë, të cilëve u takon   e ardhmja; janë ata që do të jenë nesër pararoja, lokomotiva e jetës dhe e zhvillimeve demokratike, social-ekonomike, shkencore e kulturore të vendit. Arritjet janë të padiskutueshme, por të atilla janë dhe problematikat që shoqërojnë këtë zhvillim të arsimit e që kanë të bëjnë veçanërisht me zbatimin dhe aplikimin e vazhdueshëm të reformave e risive, me mbështetjen e gjerë dhe të shumanshme, por edhe me gjetjen e mjeteve dhe  metodave sa më efektive, materiale, shkencore, kulturore e pedagogjike.

Arsimin dhe shkollën e përbëjnë shumë komponentë të rëndësishëm, mjafton të çalojë njëri e pastaj edhe të tjerët çalojnë. Janë komponentë të njohur, që kanë parësor: mësuesin si figurë qëndrore të shkollës, drejtimin e saj modern, por dhe vet nxënësit, që janë kryesorët, sepse, në radhë të parë, misioni i shkollës ka të bëjë me ta, gjithçka bëhet që ata të tregohen  sa më aktivë dhe të interesuar që të përvetësojnë sukssshëm programet mësimore-edukative, përmbajtjen e teksteve bazë të çdo lënde mësimore, por dhe të shkathtësohen me vetveprim aktiv për të fituar kurdoherë dije dhe njohuri të gjera e të gjithanshme.

Drejtim bashkëkohor

Natyrisht që asgjë nuk arrihet nëse roli dhe drejtimi i shkollës nuk është në  lartësinë e duhur, kjo dhe për faktin e thjeshtë se një program bashkëkohor realizohet nga drejtues bashkëkohor, e, nëse ka mospërputhje midis drejtuesit  dhe programit që duhet të zbatohet, atëherë  gjithçka është e dështuar që në nisje. Kjo hallkë e rëndësishme, pra drejtimi bashkëkohor i shkollës,  merr vlerë e rëndësi të dorës së parë sidomos sot kur reformat e ndërmarra synojnë standarde të reja të shkollës, duke filluar nga godinat e  tyre të pajisura me të gjitha aksesorët dhe kushtet e duhura e moderne: me  klasat, kabinetet dhe laboratorët, infrastrukturën e nevojshme për  zhvillimin e procesit mësimor, përzgjedhjen e teksteve të lëndëve, të cilat duhet të përmbajnë arritjet më të thella të shkencave sociale, shkencore, teknike dhe ekonomike, ndërkohë që gjithçka duhet të shoqërohet me zbatimin e kërkesave bashëkohore pedagogjike, me bashkëpunimin e shkollës me komunitetin etj. E gjithë veprimtaria drejtuese në shkollë me përmbajtje të shëndoshë, me strukturë dhe standardet e nevojshme, detyrmisht kërkon të zbatohet nga drejtues dhe pedagogë të përgjegjshëm, të aftë profesionalisht, nga njerëz që ecin me hapat e kohës dhe që i përkushtohen shkollës me të gjitha energjitë dhe fuqitë e tyre intelektuale, që udhëheqin me shembullin e  tyre, duke përdorur forma të larmishme e të zhdërvjellëta gjatë gjithë procesit mësimor e veçanërisht gjatë zhvillimit të orës së mësimit.

Nga ana tjetër, zbatimi korrekt dhe pa i koklavitur gjërat artificialisht, por duke vënë gjithçka në fuksion të përcjelljes te nxënësi të grumbullit të  njohurive që janë programuar për një vit shkollor. E bënë efektive një shkollë, veçanërisht drejtimi me plane dhe programe të studiuara mirë dhe të kapshme nga nxënësit, të lehtësuara nga pesha  e tepërt e teorive dhe frazelogjive boshe, por edhe bashkëkohësia që ka në bazë metodologjinë dhe pedagogjinë më të avancuar e më moderne, ashtu dhe zbatimin e lirive dhe të drejtave  demokratike të nxënësve dhe të mësuesve.

Një drejtues bashkëkohorë, i pajisur me cilësitë e kërkuara sociale, shkencore e pedagogjike, natyrisht që është në gjendje t`i kryej me sukses këto detyra dhe mund të themi se, në arsmin shqiptar janë mundësitë për një përzgjedhje sa më realiste dhe objektive, jashtë paragjykimeve apo ndikimeve e praktikave partiake,  nepotike e liberale. Besojmë që, sot, të gjithë janë të ndërgjegjshëm për këtë seriozitet dhe përkushtim ndaj shkollës, i cili duhet të vijë në radhë të parë nga shteti, por edhe nga e gjithë shoqëria, deri nga çdo familje shqiptare, ashtu dhe nga vetë fëmijët dhe të rinjtë që studiojnë në bankat e shkollës. Arritjet apo mos arritjet e deritanishme na bëjnë që të jemi shumë herë më kërkues për vendosjen e shkollës në baza gjithnjë e më të shëndosha shkencore e moderne, duke larguar nga drejtimi kuadro të paaftë, të vendosur aty nisur nga interesa partiake, miqësore apo nepotike, që, megjithse mund të kenë dëshira të mira, s`mund të përmbushin dot kërkesat që ka drejtimi i një shkolle moderne.

Drejtuesi i mirë nuk drejton dot vetëm, por së bashku me këshillin e mësuesve

Nuk mund të thuash sot që “shkolla kërkon vetëm klasa, libra, mësues dhe zilen që bie çdo 45 minuta!” Kjo do të ishte shumë sempliste dhe s`do t`i shërbente askujt, përkundrazi do ta bënte shkollën krej formale e të pa vlerë, ku gjithkush mund të bëj çfarë të dojë dhe si të dojë, ku të gjithë të kërkojnë të drejta dhe t`u kthejnë shpinën detyrave. Ky qëndrim i skajshëm liberal e tolerantë, do të ishte një gabim i pafalshëm jo thjesht për fëmijët dhe të rinjtë pjesëmarrës në një shkollë, por do të ishte një boshëllëk i madh edhe për vet shoqërinë, për vet zhvillimet aktuale dhe të mëvonshme që do të reflektohej në të gjitha fushat e jetës, do të ishte një ngecje në vend, prapambetje dhe hapa prapa. Një shkollë moderne, s`ka asgjë të përbashkët nga sa thamë më sipër, ajo,  është një “organizëm” i gjallë dhe në lëvizje të vazhdueshme, një institucion serioz i dijes dhe i edukimit, i cili kërkon doemos që, drejtuesi i saj të jetë ndër mësuesit dhe specialistët e arsimit nga  më të përgatiturit dhe më të formuarit nga ana profesionale e shkencore, një menaxhues i kualifikuar, teorik dhe praktik i organizimit të punëve brenda shkollës, një njeri i aftë që të njohë mirë kolegët mësues dhe të ndërtojë me ta marrëdhnënie sa më korrekte, duke u kërkuar vënien në lëvizje të aftësive dhe fuqive të tyre intelektuale, por dhe duke i nxitur dhe duke u besuar atyre sepse, janë pikërisht ata, që do t`i zbatojnë planet dhe programet e  shkollës, që do të vënë në jetë idetë më të përparuara, duke bërë sa më të përvetësueshme tekstet dhe përmbajtjet e tyre, programin dhe planin mësimor edukativ, ndërkohë që ky drejtues, duhet të di dhe të njohë thellë shpirtin e kontigjentit të fëmijëve e të rinjve që përbëjnë dhe pjesën qëndrore dhe më të rëndësishme të vetë shkollës, sepse në fund të fundit, shkollimi është pikërisht për ata, fëmijë dhe të rinj, që t`i armatos ata me dije dhe njohuri të thella, që të njohin veten, jetën dhe botën që i rrethon, të kenë kureshtje dhe dëshira për të ditur dhe për të mësuar sa më shumë.

Drejtimi i shkollës nuk është thjesht një vend punësimi

Drejtimi i shkollës nuk është asnjëherë një barrë e lehtë, nuk është thjesht një vend punësimi komod dhe i lakmuar. Jo! Një drejtor shkolle ka përgjegjësi të mëdha për zbatimin e një programi serioz e bashkëkohor së bashku me mësuesit që janë zbatuesit e drejtpërdrejtë të atij programi, secili në lëndën e tij, në klasën e tij dhe me nxënësit e tij e, të gjithë bashkë, drejtues, mësues, nxënës dhe prindër, të përbëjnë një trup të vetëm, të interesuar fuqimisht në përgatitjen shkencore dhe qytetare të brezit të ri, që t`i përgjigjet edhe vet zhvillimeve të vendit, pasi edhe fëmijët dhe të rinjtë tanë, janë sot dhe, do të jenë edhe nesër, pararoja e shoqërisë  moderne. Ashtu siç kërkojmë drejtor të zotë dhe të kualifikuar, sot në shkollë kërkojmë dhe duhet të kërkojmë edhe mësues profesionalë e të përzgjedhur, të gatshëm të marrim përsipër detyra jo thjeshtë rutinë dhe sa për të kaluar edhe këtë orë mësimi, por të atillë që të ndjejnë përgjegjësi për zhvillimin e plotë dhe efektiv të orës së mësimit, duke arritur të përcjellin me nivel te nxënësit atë sasi njohurish të programuara, por edhe të dhëna cilësisht dhe me forma sa më efektive e të larmishme, tërheqëse dhe të dashura për nxënësit. Natyrisht që ka nxënës që druajnë dhe nuk janë të përqendruar gjatë orës së mësimit dhe, aq më keq nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur studimit të lëndës për të nesërmen, por pikërisht këtu është dhe e duhet të jetë edhe aftësia e drejtuesit dhe  e mësuesit, që ta bëjnë dhe ta zhvillojnë mësimin në mënyrë që ai të prezantohet me gjithë rëndësinë e tij, sa më i kapshëm dhe i kuptueshëm, duke tërhequr edhe nxënësin në përvetësimin  sa më të mirë të tij.

Jo kushdo mund të kryejë detyrën e drejtorit të shkolles

Përpjekjet  tek ne kanë qenë gjithnjë të tilla për të përzgjedhur si drejtues shkolle mësuesit më të mirë dhe më të përgatitur, ndërkohë që me të zgjedhurit janë zhvilluar dhe zhvillohen trajnime të vazhdueshme. Edhe vetë personi që kërkon të bëhet drejtor, duhet doemos ta mendoj si një nga detyrat dhe misonet më të rëndësishme të jetës së tij drejtimin e  shkollës, përkushtimin e  plotë ndaj saj, por edhe organet eprore të shkollës, që nga Ministria e Arsimit dhe e organet vartëse të saj, duhet të kërkojnë dhe të këmbëngulin në formimin e plotë të këtij drejtuesi, që ai të ketë aftësitë e duhura duke filluar nga rregulli dhe displina  e nevojshme për një shkollë me standarde, por edhe  sesi ai të kërkojë zbatimim bashëkohor të planeve  dhe të programeve moderne në shkollën që ai drejton. Nga përvoja them se drejtuesi në arsim i të gjitha niveleve duhet të jetë i vetëdijshëm për misionin e tij, ai nuk duhet të jetë vetëm njeri i urdhërave, i dhënies së porosive dhe detyrave, por në radhë të parë duhet të jetë njeri i përgatitur profesionalisht, metodikisht dhe i përkushtuar për të kryer detyrën deri në detaje, aktiv në çdo kohë duke u qëndruar në kokë punëve të shkollës, jo paternalist, se “e di unë” dhe “kështu them unë”, por edhe duke nxitur iniciativat e mësuesve më të përparuar të shkollës. Një drejtues i mirë, me kulturë dhe i përgatitur krijon atmosferë të ngrohtë me mësuesit dhe me nxënësit, në mënyrë që punët të kryhen se, duhet, por edhe me ndërgjegje e vullnet, me zhdërvjelltësi.

Ministria  e Arsimit i ka zhvilluar, le të themi, kurset apo trajnimet e duhura me drejtuesit e shkollave gjatë muajve të verës, por ato trajnime janë dhe duhet të jenë të përhershme, sepse shkolla, si një organizëm i gjallë, kërkon të “ushqehet” vazhdimisht me ide, forma dhe metoda nga më të avancuarat, aq më shumë sot kur Shqipëria është e hapur me botën edhe informacioni bashkëkohor është aty pranë dhe mund të merret sa më shpejt,  sikurse edhe format dhe metodat dhe gjithçka e re në drejtim të shkollës, mund dhe duhet të përvetësohet në kohë dhe cilësisht. Ndryshe humbasim shumë, krijojmë shumë boshllëqe dhe në vend të një shkolle moderne, do të kishim një shkollë rutinë e formale.

Një drejtues i mirë, përpos sa thamë më sipër, dëgjon dhe tërheq edhe mendimet e  mësuesve të përparuar, i vlerëson ata dhe i përgjithëson. Kjo edhe për faktin se nxënësit kanë secili karakteristika dhe veçori të llojllojshme, janë tipa dhe  karaktere të ndryshme dhe me ta nuk mund të punohet në global, me të gjithë njëherësh dhe me të gjithë njëlloj, si me njërin edhe me tjetrin, por edhe duke u ndaluar në  tiparet dhe karakteristikat e tyre të veçanta. Në këtë kuptim drejtuesi i mirë e kërkon këtë zhdërvjelltësi edhe te mësuesi, por edhe i përgjigjthëson shembuj më të mirë dhe më të përparuar.

Mësuesi, figura qëndrore e shkollës dhe  e klasës.

Kemi vënë re se bëhen shpesh herë trajnime të mësuesve dhe natyrisht kur këto mbështeten në përvojat më të përparuara europiane dhe ato botërore, edhe arritjet dhe rezultatet nënkuptohen që janë shumë herë më të mira, por do të  thosha që edhe vet drejtuesit apo mësuesit professionalë, duhet të sygjerojnë forma metodike, sikurse përvoja që janë të avancuara dhe japin rezultate konkrete te nxënësit tanë.

Nëse merret apo aplikohet një përvojë ta zëmë nga vendet skandinave, që janë të përparuara në arsim, sigurisht që ky hap është një gjë shumë e mirë nga institucionet arsimore të vendit, por të mos harrojmë se ato reforma nuk duhet të zbatohen shabllon, sepse edhe mësuesit, edhe nxënësit tanë, kanë disa karakteristika të ndryshme, që lidhen me zhvillimet e shumanshme të atyre vendeve e që ato janë: sociale, ekonomike, teknologjike e shkencore. Por, edhe ligjet, udhëzimet, metodologjitë që përdoren etj., atje i përkasin dhe i përgjigjen atij standardi të lartë dhe jo nivelit e standardit tonë aktual. Specialistët që e njohin mirë këtë problematikë, natyrisht që duhet ta thonë më mirë dhe me më shumë kompetencë fjalën dhe mendimit e tyre, veçanërisht tani në fillimin e vitit shkollor, sepse, një punë e nisur mirë, përbënë edhe një mundësi dhe bazë për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt.

Natyrisht që shkolla sot dhe puna e mësuesit është edhe më e vështirë se në dekadat e monizmit, kjo edhe për faktin sepse sot bëhet problem i madh dhe i papranueshëm për shoqërinë mbajtja e displinës së nxënësve me anë të dhunës, me anë të shuplakave dhe britmave frikësuese. Sot kërkohen forma sa më efektive, por të bazuara dhe në liritë dhe të drejtat që ka, ashtu si mësuesi, por edhe nxënësi, i cili duke qenë në rritje dhe duke mësuar, ka nevojë edhe të respektohet më shumë, të trajtohet ngrohtë, si dhe të nxitet e  ndërgjegjësohet për nevojën e përvetësimit të lëndës, duke ia bërë shkollën sa më të dashur dhe jo si një vend të bezdisshëm e monoton, por të mirëpritur, që ai të shkojë me qejf e dëshirë atje, duke kuptuar se ajo është për atë vetë,  për shoqërinë e familjen, për dhe vetë zhvillimet. Këtu, mësuesi merr përparësi dhe rol të veçantë e pararojë. Një mësues të mirë, që di ta kryej më së miri detyrën, nxënësit jo vetëm e  dëgjojnë dhe  e kuptojnë, por ata arrijnë ta përvetësojnë që në klasë temën e mësimit, kurse duke e thelluar më tej në shtëpi, të nesërmen, ata janë të aftë  të tregojnë nivelin e përvetësimit të dijeve që kanë fituar.

Përgjithësimi i shembujve të mësuesve më të përparuar

Të gjithë ne, kur bëjmë retrospektivë të kohës kur kemi qenë nxënës, sjellim në vëmendje mësuesit tanë më të mirë dhe më të dashur prej të cilëve kemi mësuar aq shumë, por dhe që kanë ditur të sillen  mirë duke ndërtuar me ne marrëdhënie sa më të pëlqyeshme që i kanë shërbyer përgatitjes me dijet e nevojshme dhe edukimit.

Prandaj, kërkesa është e tillë që, shembujt e  emësueve të përparuar dhe model, duhen përgjithësuar, në seminare, takime dhe trajnime, duke përgjithësuar vecanërisht aftësitë e tyre profesionale dhe pedagogjike, aftësitë e mësimdhënies dhe ato për të menxhuar klasën, duke e bërë lëndën krejtësisht të përvetësueshme nga nxënësit.

Këto janë vlera që s`duhen anashkaluar. Këtë e bëjnë edhe vetë mësuesit, duke përfituar nga metodat dhe përgatitja profesionale e pedagogjike e kolegëve të tyre, por duhet ta bëjnë edhe drejtuesit e shkollave jo thjesht dhe vetëm si vlerësim për më të mirët, por edhe si shembull që duhet përgjithësuar. Vet shkolla, si një institucion i organizuari, i ka të gjitha mundësitë e zhvillimit të këtyre përgjithësimeve, shpejt dhe saktë, pa zyrtarizëm dhe pa ceremoni formale.

Mësuesit e klasës së parë

Sidomos në fillimin e viti të ri shkollor, drejtuesit dhe mësuesit, e kanë për detyrë pedagogjike të krijojnë një atmosferë sa më të ngrohtë që nxënësit ta kenë shkollën, klasën, mësuesit dhe drejtuesit sa më të dashur. Kjo është më se e nevojshme vecanërisht  me nxënësit që vijnë në klasë të parë, të cilët kanë shumë nevojë të afrohen me dashuri me shkollën, ta ndjejnë atë  si vendin ku do të marrin njohuri dhe dije të shumanshme për jetën dhe botën, por dhe ku do të shfaqin talentin dhe formimin e  personalitetetit për të nesërmen. Në bisedat që bëjmë  me shumë kolegë arsimtarë, sapo atyre u kujton shkollën, në përytyrim u shfaqen vecanërisht mësuesit e klasës së parë, madje shpesh herë ata e identifikojnë shkollën me mësuesen që kishin në klasën e parë, ia kujtojmë emrin me mall dhe nuk  e harrojnë asnjëherë gjatë gjithë jetës. Kjo ndodh sepse mësuesi i klasës së parë është kontakti i parë me shkollën, atë e shohin si një figurë qëndrore kur  përqendrohet e tërë vëmendja, duke respektuar dhe mbajtur mend gati cdo fjalë apo mendim që ai apo ajo shfaq,madje fëmijët e klasës së parë e kanë në gojë shprehjen:“Kështu tha mësuesja! Këtë e di mësuesja…”. Mësuesi apo mësuesja  e klasës së parë e bënë fëmijën të futet në një botë të re ta panjohur më parë, duke nxitur tek nxënësit kureshtjen dhe imagjinatën për të ardhmen. Është mësuesja e klasës së parë që u mëson fëmijëve abc-në, të shkruajnë dhe të lexojnë, u zbulon përpara tyre të fshehtat dhe bukuritë e gjuhës shqipe dhe të tingujve të ëmbël të saj. Te cdo nxënës, përfytyrimi i saj është shumë i dashur dhe shpesh ndodh që klasa dhe shkolla identifikohen me portretin e mësueses së klasës së parë. Sapo e kujton klasën, ajo të vjen në mendje dhe të shfaqet përpara syve.

Me fillimin e vitit të ri shkollor, janë shumë prindër të cilët ngulmojnë që fëmijën e tyre ta regjistrojnë te mësuesi apo mësuesja e klasës së parë që ata preferojnë, sepse për të kanë dëgjuar fjalë dhe opinione të mira. Dhe të tillë mësues ka dhe janë gjithnjë të kërkuar, vecse dëshirat e prindërve nuk mund të plotësohen gjithnjë, sepse klasat sot janë me një numër nxënësish standard, mbështetur në parametrat e klasave moderne. Ndërkaq, drejtoritë e shkollave, kanë rastin që përvojat e  mësuesve më të mirë, më të kërkuar, që janë mjeshtër të vërtetë të mësimdhënies, vecanërisht në klasat e para, t`i përgjithësojnë, që dijenitë e tyre të bëhen pjesë dhe praktika të suksesshme edhe nga mësuesit e tjerë.

Nisur nga këto realitete shoqëria, shteti, të gjithë, doemos duhet të respektojmë vlerat dhe dobinë e jashtëzakonshmetë të mësuesve. Respekti për mësuesen është dhe duhet të jetë gjithnjë i velerësueshëm,pasi roli dhe puna e tyre kanë ndikimin e tyre gjatë gjithë jetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok