ROBERT ELSIE: FISET E SHQIPËRISË

Nga Frank Shkreli

Me 2 tetor mbushen dy vjet që është ndarë nga kjo jetë Dr. Robert Elsie, shkrimtari, përkëthyesi, albanologu, interpretuesi dhe specialist i njohur, ndërkombëtarisht, i studimeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.  Ai ka shkruar mbi 70-libra, ku trajtohen subjekte nga kultura, gjuha dhe historia e shqiptarëve, përfshirë librin “Fiset e Shqipërisë –Historia, Shoqëria dhe Kultura”, një libër ky që më ra në dorë kohët e fundit.   Libri me titullin anglisht “The Tribes of Albania –History, Society and Culture”, është botuar fillimisht në vitin 2015, por kopja që kam në dorë, është ribotuar sivjet, njëkohësisht, në Londër, Nju Jork, Oksford, Nju Delhi dhe Sidnej, nga shtëpia botuese I.B. Tauris.

Libri, Fiset ose Bajraqet Shqiptare, cilindo përkthim të preferoni, është një përmbledhje që u kushtohet rreth 70-fiseve të Shqipërisë së Veriut, jetës dhe zakoneve, traditës, fesë dhe kulturës së tyre.  Pa dyshim se si një libër unik i kësaj natyre, libri i të ndjerit Robert Elsie, botuar pas vdekjes së tij, ashtu si edhe shumë vepra të tija, do të shërbejë si trashëgimi e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për historianë, akademikë dhe studentë të interesuar në këtë fushë, jo vetëm mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në veçanti, por edhe për studimin nga të huajt, të historisë, etnografisë dhe antropologjisë së trojeve shqiptare dhe më gjërë, gjatë shekujve.  Sipas vet autorit, “ky vëllim synon të zhdukë mungesën e të dhënave dhe të jape sa më shumë informacione mbi të gjitha fiset kryesore të Shqipërisë, të pakën aq informacion që ekziston e që mund të gjëndet dhe që mund të mblidhej ende nga kujtesa kolektive e banorëve të këtyre krahinave.”

Përveç të dhënave të hollësishme mbi fiset e ndryshme, në këtë libër lexuesi gjenë gjithashtu të dokumentuara edhe përshtypjet e personaliteteve të huaja të njohura që kanë vizituar trojet shqiptare në shekullin 19 dhe fillim shekullin e 20-tët, si Edith Durham dhe Johann George von Hahn.   Si plotësim i të dhënave, Robert Elsie ka sjellur edhe biografi të shkurtëra të figurave të njohura në të kaluarën të fiseve të ndryshme.  Mendohet se libri i albanologut Robert Elsie mund të jetë i vetmi studim i këtij lloji ku përmblidhen të dhëna mbi fiset dhe bajraqet kryesore të Malësisë së Madhe dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë së veriut, fise këto që shtrihen edhe në Kosovë e Mal të Zi dhe zona të tjera të trojeve shqiptare.  Robert Elsie ka bërë një punë të mrekullueshme duke lënë pas këtë vepër akademike mbi shoqërinë fisnore, në të cilën – bazuar në informacionin që kishte në dispozicion — ai u hedh një vështrim të hollësishëm fiseve më të njohura shqiptare, duke përfshirë të dhëna historike mbi vendin ku kanë jetuar dhe vepruar banorët e këtyre fiseve, hollësi mbi përkatësinë fetare, mbi strukturat shoqërore, statistika mbi popullësinë, mbi folklorin, legjendat dhe mbi historinë e këtyre 69 fiseve të Shqipërisë.

Albanologu i njohur Robert Elsie profilizon fiset dhe bajraqet më të njohura të Malësisë së Madhe si, Hoti, Katrati, Shkreli, Kelmendi, Gruda, Trieshi, e të tjera, por pa përjashtuar fiset e bajraqet e krahinave të tjera, si fiset e Dukagjinit, Malësisë sëe Gjakovës, Malësisë së Lezhës, krahinës së Pukës, Malësisë së Krujës, krahinës së Mirditës, zonës së Matit, e të tjera.  Ai i cilëson këto fise të Shqipërisë së veriut dhe të Shqipërisë veri-lindore si tepër të veçanta në Evropë dhe ndoshta në botë, të cilat sipas tij, janë i “Vetmi shembull i vërtetë i një shoqërie fisnore, e mbijetuar në Evropë deri në mesin e shekullit të 20-të”.  Megjithëse këto krahina, mbeten edhe sot më pak të zhvilluara, jo vetëm në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë, por edhe në krahasim me botën tjetër për rreth saj, Sir Noel Malcolm, eksperti britanik për çështjet e Ballkanit, ka shkruar në një parathënie në librin “Fiset e Shqipërisë”, se “Ishin këto fise — të cilat megjithëse territori i tyre, me qindra vite ishte nën pushtimin Osman, por pothuaj kurrë nën kotrollin otoman — përbënin bazën për identitet shoqëror, për drejtësi vendore dhe veprimtari ushtarake”.

Robert Elsie-t nuk ia zë kush vendin në radhët e më të njohurve albanologë.  Ai ka lenë pas një mori veprash — gjithsejt rreth 70 libra të botuara sa ishte gjallë, mbi kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqipe, të gjitha këto me vlera të përjetshme dhe të pazëvendsueshme për kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare.  Noel Malcolm ka vlerësuar librin e Robert Elsie-t mbi fiset shqiptare duke thënë se, ndonëse “Në botë mund të kenë ekzistuar shumë pak njerëz të aftë që të shkruanin një libër të tillë, absolutisht asnjë person nuk do të kishte mundur të shkruante një vepër të tillë, më mirë se Robert Elsie, i cili në këtë fushë ka një njohuri të pakrahasueshme me me këdo tjetër.”

Por, sipas disa specialistëve, ndoshta vepra më ambicioze për shkrimtarin Robert Elsie duhet të ketë qenë përkthimi në anglisht, në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck, i Lahutës së Malëcisë, të madhit të letrave shqip At Gjergj Fishtës: The Highland Lute:The Albanian National Epic, botuar në Londër, në vitin 2005. Si përfundim dhe falë punës së palodhur të Robert Elsie-t, Lahuta e Malëcisë së Gjergj Fishtës i këndon sot heroizmit dhe trimërisë së këtyre fiseve arbërore të Malëcisë së Madhe edhe në gjuhën anglisht.  Ka mundësi që Robert Elsie të jetë frymëzuar të shkruante librin e botuar kohët e fundit, “Fiset e Shqipërisë” nga Lahuta e Malëcisë e At Gjergj Fishtës, të cilën ai e ka vlerësuar me këto fjalë: “Lahuta e Malëcís është një kryevepër, e cila zë vend në radhën e eposeve të mëdha botërore.  S’ka lexues që të mos e pëlqejë.  E kemi fjalën për lexues, që kanë durim të shfletojnë një libër me 15, 613 vargje… Natyrisht, po ta kesh parasysh historinë politike të Lahutës dhe të Fishtës, dmth., heshtjen më se 50 vjeçare dhe zhdukjen e eposit kombëtar nga historia shqiptare, për një periudhë gjysëm shekullore, për rininë e sotme, nuk është e lehtë të lexohet, aq më pak, të interpretohet.  Por, “kush asht trim”, do ta lexojë me një frymë, do ta shijojë e do të mahnitet nga bukuria e verbit të Poetit.  Sot ky monument kulturor merr një rëndësi të veçantë jo vetëm për Veriun, por për tërë Shqipërinë.  Ajo bëhet shumë më tepër se një vepër letrare”, ka shkruar ai.  Robert Elsie e ka quajtur Lahutën e Malëcisë të Gjergj Fishtës si, “Vepra e parë letrare shqiptare që i përket botës…dhe e cila nuk do të jetë kurrë jashtë kohe”.

Ndonëse, fiseve dhe bajraqeve u ka kaluar koha në Shqipëri dhe kudo tjetër, vepra Robert Elsie-t mbi Fiset dhe Bajraqet e Shqipërisë, sipas disa ekspertëve, është një kontribut i rëndësishëm dhe i nevojshëm në fushën e studimeve etnike në përgjithësi dhe të studimeve albanologjike, në veçanti.  Libri, “Fiset e Shqipërisë”, megjithëse siç shprehet edhe vet autori mund të mos jetë një histori e prëgjithshme e fiseve shqiptare, por është një kontribut i madh për të plotësuar nevojën e madhe që ekziston për të dhëna dhe njohuri të tilla rreth historisë së fiseve shqiptare.  Megjithëse, siç shënon edhe autori, vitet e fundit, Shqipëria ka pësuar ndryshime të mëdha demografike dhe shumica e krahinave fisnore në veri të vendit janë zbrazur.  Historikisht, jetesa për malësorët ishte gjithmonë e vështirë dhe pa standarde, sidomos gjatë diktaturës komuniste, me të cilën ata nuk u pajtuan kurrë.  Shëmbja e komunizmit solli edhe shpërndarjen e këtyre fiseve në zona më të volitshme jetese në Shkodrë, Tiranë e Durrës, por edhe jashtë vendit, në mergim në Evropëën perendimore, në Australi e deri në Amerikë.

Vdekja e parakohshme, dy vjet më parë, këtë tetor e albanalogut dhe shkrimtarit Robert Elsie ka krijuar një zbrazëti të madhe në fushën e studimeve albanologjike, e cila nuk mund të plotësohet aq kollaj në vitet dhe dekadat e ardhëshme, madje as nga albanalogët vendas, sidomos kur të merret parasyshë njohuria e përsosur e gjuhës shqipe nga Robert Elsie, është shprehur Casper ten Dam i universitetit Leiden të Holandës.  Ndërsa historiani Jason Tomes, autor i një punimi mbi Mbretin Zog, ka vlerësuar veprën e Robert Elsie-t, “The Tribes of Albania”, (Fiset Shqiptare), si një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme edhe për demistifikimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në përgjithësi.

Robert Elsie, duket se është kujdesur që puna e tij kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve të vazhdojë edhe pas vdekjes së tij, pasi thuhet se ka lenë pas një mori shkrimesh të pa botuara, disa prej të cilave gjënden në portalin e tij të internetit, me shpresën se ashtu si edhe libri “Fiset e Shqipërisë”, të nxisin një interesim të mëtejshëm për këtë shoqëri unike dhe të veçantë evropiane.  Ndërkaq, njoftohet se para se të ndërronte jetë papritmas, dy vjetë më parë më 2 tetor, 2017, Robert Elsie kishte përfunduar së shkruari dy libra të tjerë, “Bektashinjtë e Shqipërisë” dhe “Libri mbi Kosovën”,që  pritet të botohen në një të ardhme të afërt nga shtëpia botuese Taris Verlag në Londër – duke vazhduar kështu kontributin e tij edhe pas vdekjes, ndaj historisë dhe kulturës së shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor.

Please follow and like us:
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
YouTube
YouTube
Instagram