Kemi harruar vallë të shkruajmë me dorë?

0

Nga Elvi Sidheri

Në epokën teknologjike në të cilën jetojmë, gjithmonë e më shumë po debatohet në lidhje me rrallimin e të shkruarit me dorë, ndërkohë që lapsa e stilolapsa, ashtu si edhe letra, shpejt po shndërrohen në relike thuajse të lashta, me përparimin e mëtejshëm të teknologjisë.

Një pjesë e theksuar e panoramës filozofike të shekullit të XIX, gjithaq edhe mendja pjellore e dikujt aq kokëfortë dhe polemik si Shopenhaueri, vinte në dukje praninë e dy llojeve të shkrimtarëve. Ky kategorizim i thjeshtë dhe i përmbledhur theksonte qartësisht dallimin midis atyre që shkruanin për hir të tematikës përkatëse në vetvete, domethënë, që kishin patur ide dhe përvoja që i patën cilësuar si të vlefshme për t’u komunikuar gjerësisht, dhe atyre që shkruanin thjesht për të shkruar duke e mbështetur në nevojën e përfitimit financiar tërë prirjen e tyre.

Në këtë kontekst mund të përfshihen edhe letrat e shkruara për shekuj me radhë me dorë, letra të çdo lloji, njoftime, letra dashurie, urime, etj.

Me shumë mundësi gjithkush pati shkruar me dorë letra, kartolina, pusulla me dorë, i përkiste grupit të parë syresh, të atyre njerëzve që dorëshkrimin e cilësonin si mënyrën më efikase dhe të drejtpërdrejtë për të dëshmuar me tërë dashamirësinë e rastit se i merrte malli për dikë, se ndienin dashuri për tjetërkënd, se u mungonte dikush.

Nevoja në fjalë për të kapur një laps, një stilolaps, një penë, për të shkruar në letër gjithçka dëshironin të mbetej ashtu e ngrirë në kohë, tashmë është shndërruar në diçka që ngadalë po nis të duket si krejt e harruar, veçanërisht kur shohim si letrat nuk përdoren më si mjet komunikimi, njëlloj edhe posta nuk kryen më këtë funksion, gjithashtu edhe kartolinat përshëndetëse për festa nuk përdoren më.

Gjithçka që për shumë kohë ishte përdorur si hapësirë e nevojshme për këtë qëllim, si njëfarë terapie e menjëhershme e të shprehurit, ndjesi dhe epoka që me kalimin e kohës janë duke u zëvendësuar me emotikonet e tre majmunëve që mbyllin veshët, gojën dhe sytë, “sticker” të gjithanshëm.

Ndërkohë që ndodh ky ndryshim paradigmash, në evoluim e sipër të mjeteve të komunikimit, teksa presim edhe zhdukjen e mundshme të vetë ushtrimit të të shkruarit me dorë, mes uraganit teknologjik që mbizotëron në realitetin tonë të tashëm, gjithsesi një pyetje bëhet e pashmangshme: a jemi vallë duke harruar të shkruajmë me dorë apo thjesht jemi duke mësuar të komunikojmë në një mënyrë të ndryshme?

Siç pohon filozofi dhe përkthyesi spanjoll Fernando Castro: “Mund të luajmë me idenë post-Derrida (filozof i njohur francez), që thotë se nëse historia e filozofisë ishte, ndër të tjera, harresa e të shkruarit, rrjedhimisht, një orientim dëgjimor e zanor, ndërkohë epoka e tashme globale, nën shenjën e neoliberizmit shenjohet nga rrëgjimi i të shkruarit. Nuk besoj se jemi përfshirë fort nga ndonjë amnezi lidhur me të shkruarit apo që përballemi me mospërdorimin tërësor të shkrimit me dorë, përkundrazi,  kemi të bëjmë me një prani tejet të shtuar të tij, një lloj defiçiti qëmtues për shkak të hiperaktivitetit. Neve shkruajmë me tepri, rrimë tërë kohën duke postuar çfarë shkruajmë dhe nuk arrijmë dot të përmbahemi. Jemi shndërruar në delirantë të çartur të të shkruarit të pandalshëm”.

Në rastet kur nuk përzgjedhim veç një mënyrë të veçantë të të shkruarit (me dorë apo jo), atëherë vështirësisht mund të biem pre e këndvështrimeve katastrofiste, sikur të nevojitej akoma të shkruanim veç me pendë shpendësh si qëmoti.

Xhungla e tabletëve, telefonave të mençur, laptopëve, kuptueshëm e koklavit të shkruarit, sidomos kur shkruajmë me dorë, pa mundur sidoqoftë ta pamundësojë këtë gjë.

Faktikisht shpesh na ndodh që të lexojmë dhe shkruajmë në të njëjtin aparat teknologjik dhe meqënëse këto dy veprime kryhen në të njëjtin vend, jemi të detyruar që të shkruarit t’ia përshtasim të lexuarit. Përdorimi i Viber, Whatsapp, Messenger, vlen si shembulli më i qartë në këtë kontekst, sepse  chat-i mund të nënkuptohet si diçka më vete.

Kjo lloj dikotomie midis gjuhës së shkruar, që përgjithësisht është më shumë e menduar, formale dhe rreptësisht më e shkëputur, dhe gjuhës gojore, që përafrohet me afrinë dhe çiltërsinë, ka gjetur një hapësirë që gëzon tipare të sakta.

Një hapësirë me mjetet e saj përkatëse dhe kodet përkatës të komunikimit, përdorimi i të cilës në momentin e shprehjes së një mendimi varet kryekëput nga vullneti individual i përdoruesit të radhës.

Shumëkush mund t’ia ketë nisur duke shkruar me dorë me laps, pastaj me makinë shkrimi si dikur, gjer në kohën e kompjuterëve të parë.

Ndokush ka diktuar artikuj gazete nga telefoni fiks, tjetërkush ka dërguar tekste të tërë përmes një aparati të moçëm të zbërdhulur të quajtur faks, kurse tanimë gjithçka kryhet urtë e butë në internet.

E vuajmë vallë mungesën e të shkruarit me dorë?

Ndoshta vërtet na mungon të shkruarit me dorë, por t’i mohojmë mundësitë e pakufishme që na ofron bota e teknologjisë në lidhje me komunikimin mes njerëzve, do të ishte jo vetëm e gabuar, por diçka e rrezikshme.

Fjalët vijojnë të kërkojnë që dikush t’i shkruajë, me qëllim që, siç thoshte një i mençur njëherë e një kohë, mos t’i marrë era, por sakaq përzgjedhja e mjeteve përkatëse për ta bërë këtë gjë, qoftë një tastierë kompjuteri apo laptopi, një tastierë elektronike tableti apo telefoni të mençur, një stilolaps, me gishtat e dorës apo të këmbës po të jetë nevoja, kjo gjë ka për t’u varur veç nga interesi që do të shfaqin brezat e ardhshëm për të mos e shndërruar artin e mahnitshëm të të shkruarit në një kujtim të largët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok