Albin Kurti në kurthin e Edi Ramës

Nga Enver Bytyçi

Katër orët e takimit Rama-Kurti janë momenti mëi spikatur i kohëve të fundit në përpjekjet e kryeministrit të Shqipërisë për të ngrit kurthe të reja kundër Kosovës, pavarësisë dhe integritetit territorial të saj. Nga deklaratat e zotit Kurti ve re se lideri i Vetëvendosjes, kandidat për kryeministër të Kosovës, qenka bindur se “Rama nuk është për ndarjen e Kosovës dhe tjetërsimin e territoreve të saj përmes shkëmbimit të territoreve”. Ndërkaq zoti Kurti qenka surprizuar nga propozimi i zotit Rama për formimin e ministrive të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Detaje tjera nuk dimë nga ai takim katër orësh midis dy majtistëve anarkistë shqiptarë. Por mua më mjaftojnë këto dy indicje për konkluduar se kryeministri i ardhshëm i Kosovës po shkon në rrjetën e Edi Ramës dhe ndoshta pavetëdijshëm po bëhet patericë e tij. Nëse Kurti akoma pa u mbyllur mirë takimi merr përsipër të shfajësojë Edi Ramën nga akti antikombëtar i tij për ndarjen e Kosovës, ky veprim i tij jo vetëm që konsiderohet i papjekur, por shkon në funksion të shtrembërimit të të vërtetës. Albin Kurti, duke deklaruar se “Edi Rama nuk është për ndryshimin e kufijve”, e shfajëson atë nga marrëveshjet që kryeministri shqiptar ka me presidentin e Serbisë, Vuçiq, si dhe e ndihmon Edi Ramën për t’iu kundërvënë akuzave që atij ia ka bërë publikisht kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Nëse kjo do të ishte e vërteta, do ishte një mrekulli, sepse po të mos kishte një marrëveshje Rama-Vuçiq e më pas Thaçi-Vuçiq për ndarjen e Kosovës, pavarësinë e shtetësinë e saj do ta kishin njohur shumë vende të tjera në botë dhe Prishtina zyrtare do ta kishte vendin e saj tashmë në INTERPOL, UNESCO dhe organizata të tjera prestigjioze mbarë-planetare. Ishte pikërisht projekti i ndarjes i hartuar në Beograd dhe i mbështetur prej Edi Ramës e Hashim Thaçit që i ka krijuar ngërç shtetit të Kosovës.

Por mesa duket kryeministri i Shqipërisë i ka përrallisur kryeministrit në ardhje të Kosovës ninullat foshnjore, sipas të cilave Edi Rama është engjëlli dhe mesia e kombit shqiptar. Me naivitet apo me dashje, Albin Kurti jo vetëm e paska dëgjuar me respekt, por edhe na qenka bind se “Edi Rama është “akullore” në raport me qëndrimet e tij për Kosovën”.

Ndërkaq joshja pas idesë së zotit Rama për krijimin e ministrive të përbashkëta nuk është as më pak, as më shumë se skemë në funksion të zbehjes së imazhit të institucioneve të Kosovës, dobësim i shtetësisë dhe mohim i pavarësisë së saj. Nëse Albin Kurti vjen në pushtet që sovranitetin e vendit të tij ta dorëzojë te Edi Rama, atëherë e sigurt është se do ta përfundojë projektin e Serbisë për shkëmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës. Atë që Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq nuk mundën ta bëjnë me Hashim Thaçin do ta realizojnë me Albin Kurtin.

Ndoshta zoti Kurti joshet nga ndonjë dredhi e Ramës për “bashkimin kombëtar”! Por ky lloj bashkimi, pa formalizuar ndërkombëtarisht pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, do të çojë automatikisht në ndarjen e Kosovës. Dua t’i bëj me dije zotit Kurti se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë pa arritur që ajo të ulet në OKB dhe pa u depozituar në OKB rezoluta për njohjen e saj në kufijtë e sotëm, do të thotë ndarje e Kosovës. Dhe në këtë rast gërshërët e presin hartën e Kosovës jo më në Ibër, por shumë kilometra poshtë tij. Bashkimi i Kosovës së mbetur me Shqipërinë është projekti më dobiprurës për Beogradin dhe më shkatërrues për shqiptarët.

Së fundi një këshillë për zotin Kurti dhe gjithë politikanët shqiptarë. Duhet të merrni një vendim. Të hiqni dorë nga retorika e bashkimit kombëtar së paku derisa Kosova të realizojë shtetësinë e saj të plotë. Të jem i sinqertë, unë jam e do të jem për dy shtete të ndara, edhe pse shqiptarët e Kosovës do të quhen ashtu siç janë, kosovarë. Hiqni dorë nga kjo, sepse interesat e kombit e të atdheut qëndrojnë shumë më lart se keqpërdorimi i emocioneve nacionaliste nga ana e politikës. Nuk më erdhi mirë as për atë që mbrëmë Doktor Berisha e ritheksoi dëshirën për bashkim kombëtar. E kuptoj se një dëshirë e tillë buron nga shpirti. Por shpirti i kombit varet te integriteti territorial i tij dhe rritja e mirëqenies, kulturës dhe jetës sociale. Politika duhet t’u ofrojë shqiptarëve mirëqenie, jo bashkim fiktiv, socializim të shoqërisë, jo përçarje dhe grindje pa fund, civilizim të politikës, arsimim, shëndet, mundësi pa fund dhe jo izolim, emigrim, shpërbërje, injorancë!

Bashkimi i kombit qëndron në forcën konkurruese të tij me kombet e tjera. Edi Rama me nisma si ajo e Shëngenit Ballkanik, dëshiron ta vendosë kombin tonë në varësinë e Beogradit. Albin Kurti ia paska mbajt ison, si në këngën labçe. Ky nuk është vetëm inferioritet i tij, por edhe kapitullim e dështim ende pa nis detyrën e lartë të kryeministrit të Kosovës!

Please follow and like us:
error

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
YouTube
YouTube
Instagram