KUSH DHE SI E MENDONTE NDARJEN E KOSOVËS?

0

Nga Adil FETAHU

Para luftes së 1999-ës

Qysh prej pushtimit në Luftën Ballkanike (1912/1913), dhe ripushtimeve më 1918 e 1944,  Kosova e dominuar nga populli shqiptar që s’ka lidhje gjaku, gjuhe as feje me pushtuesin,  e që vazhdimisht ka luftuar për t’u ç;iruar, ishte një gur i rëndë në qafën e Serbisë.  Përpjekjet e pushtuesit për t’a hequr qafet atë guri të rëndë ishin nga më të ndryshmet, më makabre:  që me zhdukjen fizike, qoftë me vrasje apo shpërngulje të dhunshme, ta reduktonte numrin e shqiptarëve sa të mos paraqet rrezik as pengesë për qetësinë e shtetit serb. Dhe dihën valët e dhunës, të vrasjeve e të shpërnguljeve para, gjatë dhe pas luftërave që janë zhvilluar në tokën e Kosovës. Përkundër të gjitha përpjekjeve, Serbia kurrë nuk arriti qëllimin e  spastrimit etnik të Kosovës nga pupullsia autoktone shqiptare. Prandaj, intelektualët dhe politikanët serbë gjithnjë e kanë pasur në mendje edhe variantin rezerve të zgjidhjes së problemit me Kosovën: ndarjen e saj, ashtu që një pjesë, në mos gjysmën, bile një të tretën ta merr Serbia, pjesa tjetër ose të mbetet e pavarur ose të bashkohet me Shqipërinë. Kjo ide është e vjetër dhe  variantat janë përpunuar në çarqet intelektuale dhe në kuzhinat e shtetit të Serbisë, të paktën prej pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, komunistët e shteteve ballkanike kishin idenë e formimit të Federatës Ballkanike. Në këtë kontekst Partia Komuniste e Jugosllavisë  ishte e pajtimit që pas përfundimit të luftës, Kosova t’i “jepet” Shqipërisë, ashtu që Shqipëria ose t’i bashkangjitet Federatës së Jugosllavisë si republika e shtatë, ose si republikë në Federatën Ballkanike. Me këtë ide është lejuar e mbajtur  Konferenca e Bujanit (1944/45), në të cilën u miratua Rezoluta për bashkimin e Kosovës shtetit amë, Shqipërisë.  Mirëpo, pas luftës ky bashkim nuk u realizua dhe për shkak të konfliktit me Informbyronë (1948),  plani për formimn e Federatës Ballkanike dështoi. Por, preokupimi serb për zgjidhjen e problemit me shqiptarët nuk është hequr kurrë nga rendi i ditës,  veçse me programe e plane të ndryshme, të hapta e të fshehta janë munduar ta zgjidhin këtë problem, gjithmonë në dëm të shqiptarëve, derisa me luftën e fundit (1998/99) pretendoi t’i shpërngulë njëherë e përgjithmonë të gjithë shqiptarët nga Kosova. Edhe ky plan i dështoi.

Kur u bindën se shqiptarët janë të vendosur për barazi, liri e zhvillim dhe se Serbia nuk mund të realizojë synimet  e saj nacional-shoviniste për zhdukjen e tyre, lansuan idenë e ndarjes së Kosovës. Idenë e ndarjes  së pari e përhapën intelektualët, por shpejtë ajo u bë pjesë e politikës dhe shetit.  Intelektuali  serb, që mori epitetin“baba i kombit”, Dobrica Qosiq, është edhe “baba i idesë” për ndarjen e Kosovë. Në vazhdën e debateve për ndryshimet kushtetuese,  Qosiqi në Plenumin e KQ të  Lidhjes së Komunistëve të Serbisë (29 maj 1968) pati deklaruar: “Nëse realizimi i sovranitetit kombëtar serb na shpie rrugës së shkëputjes së Kosovë-Metohisë nga Serbia dhe Jugosllavia, atëherë janë të pashmangshme ndeshjet tragjike, me pasoja  dhe fatkeqësi të paparashikueshme”. Lidhja Komuniste e Jugosllavisë dhe ajo e Serbisë e distancuan Qosiqin për një kohë, derisa ai u shfaq  përsëri në skenën politike pas demonstratave të vitit 1981 që ndodhën në Kosovë. Në ditarin e tij të vitit 1981, të botuar më vonë në liber (2004), Qosiqi kishte shkruar: “ Brënda periudhës prej një ose dy decenieve, Kosova do të bëhet vend  (shtet,v.j.) i Shqiptarëve. Ajo duhet të ndahet me Shqiparët”. Pas vitit 1990, Qosiqi edhe si inelektual, edhe si politikan (një kohë ishte edhe kryetar shtetit të Jugosllavisë 1992-1993), idenë e ndarjes së Kosovës  ia paraqiti (1990) kryetarit të Juosllavisë, Borisav Joviqit, dhe kryetarit të Serbisë – Sllobodan Millosheviqit, që ky i dyti e refuzoi me përbuzje. Por, Qosiqi nuk u ndal kurrë nga ideja e tij për ndarjën e Kosovës. Në vitin 1992, këtë ide ia paraqiti ambasadorit amerikan në Beograd,  Woren Cimerman, me propozim konkret, që 1/3 e territorit të Kosovës, pjesa lindore dhe qendrore, t’i jepet Serbisë, ndërsa pjesa tjetër Shqiptarëve. Këtë ide e mbështeste në të drejtën etnike të shqiptarëve, si popull shumicë, dhe në të drejtën historike të serbëve, si djep i kulturës dhe shetit mesjetar serb.  Idenë e Qosiqit për ndarjën e Kosovës e kishte  pranuar dhe ishte munduar ta zbatonte Zoran Gjingjiqi, kryetar i Qeverisë së Serbisë në periudhën (2001-2003).

Ish-kryetari i Akademisë  së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Aleksandar Despiq, në Kuvendin vjetor të asaj Akademie (1996), kishte tërhequr vërejtjen se “Nëse  nuk e zgjidhim  tash problemin me shqiptarët, brënda 20-30 vjetëve Serbia do të bëhet shtet me dy popuj të barabartë dhe me dy gjuhë të cilat nuk janë të një rrënje, prandaj sa më parë duhet të fillojmë bisedimet për përkufizim në parimet e popullsisë shumicë, duke marrë parasysh fakorët ekonomikë dhe kulturorë”. Këtë ide të Despiqit e kishte përkrahur vetëm një deputet federativ (Desimir Toshiq), ndërsa e kundërshtuan ashpër serbët e Kosovës.

Miodrag Joviçiq, një profesor i së drejtës në Serbi, zgjidhjen e problemit me Kosovën e shihte përmes rajonizimit të të ashtuquajturës RFJ (Serbi e Mali Zi).  Sipas tij, shteti duhet të ndahej në 13 rajone dhe të suprimoheshin krahinat autonome (Kosova dhe Vojvodina). Kosova do të ndahej në dy rajone. Rajoni me shumicë shqiptare do të kishte më shumë të drejta të administrimit.  Një ekspert tjetër serb për planfikim hapësinor, Branisllav Kërstiq,  në vitin 1992 dhe 1993, ua kishte paraqitur planin e tij kryetarit të qeverisë së dhe kryetarit të shtetit të  Jugosllavisë, Millan Paniqit, respektivisht Dobrica Qosiqit, dhe Shtabit të Përgjithshëm, i cili mbështetej në parimet e Planit të Wens-Ovenit për Bosnje-Hercegovinën. Ai propozonte përkufizimin midis Serbëve e  Shqiptarëve, në dy “zona të sigurisë paqësore”. Zona serbe do të përfshinte pak më tepër se 1/3 e territorit të Kosovës, kryesisht në pjesën veriore dhe lindore. Stiven Majstoroviq, një profesor serb i shkencave politike në Universitetin e Kolorados, në Amerikë, kishte propozuar ndarjen e Kosovës, ashtu që 1/4 e territorit të Kosovës, pjesa veriore, duke përfshirë edhe Pejën, Manastirin e Deçanit, Mitrovicën dhe minierën Trepça, t’i takojë Serbisë.  Dushan T.Batakoviq, në shtator të vitit 1998, kishte propozuar ndryshimin e kufijve të komunave, duke grupuar vendbanimet me shumicë serbe dhe me kishat e manastiret të cilave do t’iu ktheheshin tokat që kanë pasur në vitin 1941, dhe kështu të krijoheshin 5 kantone serbe në Kosovë. Këtë plan e kishte pranuar edhe kisha serbe, dhe ua kishte prezentuar zyrtarëve ndërkombëtarë. Thuhet se idenë e kantonizimit të Kosovës e kishte propozuar edhe shefi i Misionit të UNMIK-ut (1999), Bernard Kushner, por ishte refuzuar nga bashkësia ndërkombëtare, sepse ishte në kundërshtim me parimet e ndërtimit të Kosovës unike multietnike. Zoran Angjellkoviqi, kryetar i të ashtuquajturit Këshillit Ekzekutiv të Kosovë-Metohisë, në janar të vitit 1998, i kishte propozuar kryetarit të Serbisë, Milan Millutinoviqit të bisedojë me S.Millosheviqin për ndarjen e Kosovës, por se ky i fundit për këtë ide nuk donte të dëgjojë. Angjellkoviqi këtë propozim ia kishte paraqitur edhe delegacionit rus në bisedimet për Kosovën, që ta marrin në konsiderim opsionin e ndarjes së Kosovës, por ata i kishin thënë se “tashmë është tepër i vonuar ky opsion”.

Pas luftës së 1999-ës

Politikani i parë serb i cili pas luftës doli publikisht me propozimin për ndarjen e Kosovës  në dy entitete (serbe dhe shqiptare), ishte Nebojsha Qoviqi, në vitin 2001, kur ishte në krye të Këshllit Koordinues për Kosovë e Metohi, në Qeverinë e Serbisë. Përveç në çarqet serbe, këtë propozim e kishte paraqitur edhe në Konferencën për Sigurii në Europën Juglindore, që u mbajt në Beogrd. Sipas tij, entiteti serb do të përfshinte shumicën e përmendoreve serbe, të cilin do ta mbronte ushtria dhe policia serbe, ndërsa entiteti shqiptar do të kishte nivelin më të lartë të autonomisë dhe do ishte nën mbrojtjen e forcave ndërkombëtare. Qoviqi edhe kur e themeloi partinë e tij Socialdemokrate, në vitin 2005 doli me të njëjtin propozim për ndarjen e Kosovës në dy entitete.

Zoran Gjingjiqi, pasi erdhi në krye të Qeverisë së Serbisë (25.01.2001 – 12.03.2003),  në një mbledhje të mbyllur të Partisë së tij Demokrtike (2002), pati deklaruar se”Zgjidhjet e mira për Kosovën janë konsumuar në vitin 1999, e ajo që është zgjidhje më së paku e keqe është ndarja e Kosovës”, duke u pajtuar plotësisht me propozimin e Dobrica Qosiqit. Bile, për këtë Gjingjiqi iu kishte shkruar letër të gjithë zyrtarëve ndërkombëtarë, me lutje që t’i çasen zgjidhjes “së drejtë” të çështjes së Kosovës. Duke parë situatën në prizmin e raporteve ndërkombëtare, Gjingjiqi pat thënë: “Kosova është si një ndërtim i egër, të cilën bashkësia ndërkombëtare më lehtë e legalizon se sa e rrënon. Prandaj, ta gjejmë një kompromis përmes bashkëpunimit rajonal, përmes bashkëpunimit të pjesës shqiptare të Kosovës me Shqipërinë, dhe  bashkëpunimit të pjesës serbe me Serbinë”. Idetë e tij për ndarjen e Kosovës, Gjingjiqi i ka përsëritur në të gjitha takimet me zyrtarët e huaj. Thuhet se për idetë e tij Gjingjiqi është takuar e ka folur fshehtas  edhe me udhëheqësit shqiptarë të Kosovës. Por, idetë e tij, të rrezikshme për Kosovën, u këputën me atentatin dhe vrasjën që iu bë më 12 mars 2003.

Politikani më ekstrem në raport me Kosovën ishte Vojisllav Koshtunica, i cili si gramofon i prishur përsëriste atë mantrën e tij bajate: “autonomi substanciale dhe asgjë më tepër”. Me lojë fjalësh literare, edhe shkrimtari Vuk Drashkoviq, që ishte ministër i jashtëm, përsëriste  togfjalëshin: “Më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”, duke marrë si shembull  statusin e Hongkongut në raport me shtetin e Kinës.

Ish-kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, në shtator të vitit 2008, deklaroi se është i gatshëm të shqyrtojë edhe opsionin e ndarjës së Kosovës, nëse nuk mund të gjejë zgjidhje me opsione tjera.

Retorika serbe për opsionin dhe modelet e ndarjes  ose për autonomi substanciale të Kosovës u ndërprenë për një kohë, pas Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (2010), sipas së cilës, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën  ndërkombëatare. Këtë Mendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, udhëheqja shtetërore e Kosovës nuk diti ta shfrytëzojë e kapitalizojë në diplomacinë e në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në bisedimet me Serbinë, për zgjidhjen e problemeve praktike, si dy shtete të pavarura e të barabarta, por pranuan të hyjnë në dialog me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së, duke rrëshqitur në diskutimin e çështjeve statusore dhe në pozitë të pabarabartë kundrejt kërkesave agresive të Serbisë.

Opsioni i ndarjes, vs. shkëmbimit të territoreve

Edhepse teorikisht “ranë në ujë” opsionet për ndarjen ose kantonizimin formal të Kosovës sipas modeleve e variantave të shumta të përmendura më sipër, praktikisht në terren është arritur diçka nga ato opsione në favor të Serbisë.  Së pari, me grumbullimin e serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës, pas ngjarjeve të vitit 2004; pastaj me formimin e 10 komunave me shumicë serbe, edhe aty ku nuk kishte arsye,   kushte  ekonomike as popullsi, sipas  kritereve për themelimin e komunave; me lidhjen Marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe (2013); me eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve serbe,- që të gjitha këto segmente punojnë e veprojnë nën ombrellën, me politikën  dhe me ligjet e Serbisë dhe nuk e njohin as pranojnë shtetin e Kosovës.

Tash e dy vjet na del në opinion opsioni i përkufizimit midis serbëve e shqiparëve, sepse serbët nuk kanë besim as nuk duan të jetojnë në shtetin i cili dominohet nga shqiptarët. Për ta zbutur idenë e ndarjes, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi po e quan shkëmbim i territoreve, gjoja të një pjese të veriut të Kosovës (pa precizuar sa dhe cilat), me një pjesë të Luginës së Preshevës. Duket se për këtë kanë arritur njëfar pajtimi me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, por asnjëni as tjetri nuk e kanë pëlqimin e popullit të vet. Dhe derisa në Kosovë këtë shkëmbim territoresh e kundërshtojnë do “patriotë të mahallës”, të cilët nuk merren vesh nga marrëdhëniet ndërkombëtare, në Serbi këtë e kundërshton opozita, për arsyet e saj të kundërshtimit të pushtetit, dhe më së tepërmi Kisha Ortodokse Serbe kundërshton çfarëdo ndarje, shkëmbimi apo njohje të pavarësisë së Kosovës (Kuvendi i arkierejve të KOS, 17.05.2019  insiston në ruajtjen e sovranitetit të Serbisë mbi tërë Kosovën!).

Opsionin e pa definuar qartë, se a është ndarje e Kosovës, apo shkëmbim i territoreve, e pëlqen edhe Rusia, për shkak të situatës së vet me Ukrainën. Pas takimit të Vuçiqit në Moskë me kryetarin  Vlladimir Putin, Vuçiqi u deklaroi gazetarëve se nga dy orë sa ka zgjatur ai takim, 50 minuta kanë biseduar vetëm për Kosovën, dhe ai nuk e refuzon planin e përkufizimit midis Serbisë e Kosovës, si zgjidhje racionale, por atë plan e kanë hedhur poshtë vendet e BE-së, si dhe vet serbët dhe shqiptarët.

Ambassadori rus në Beograd, Aleksandar B.Harçenko, në intervistën dhënë gazetës “Politika”, 1.09.2019, vlerëson se derisa RSFJ dhe RFJ u shpërbënë me ndarje, edhe ndajra e Kosovës nuk paraqet presedan (ai mendon ndarjen e Kosovës, e jo  në shkëmbim territoresh).

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mënyrë indirekte pajtohet për ndarjen e Kosovës, kur thotë se është joserioz cilido që kundërshton përkufizimin me Serbinë si zgjidhje e problemit të Kosovës. As ky nuk është i qartë, nëse përkufizimin e nënkupton si shkëmbim territoresh, apo vetëm ndarjen e një pjese të Kosovës për t’i dhënë Serbisë?!

Më i qarti sa i përket zgjidhjes së raporteve me Serbinë, përmes shkëmbimit të territoreve është akademiku Rexhep Qosja. Ai, në një intervistë dhënë “Gazetës Shqiptare” , të datës 28 nëntor 2018, ka shpjeguar arsyet logjike, politike, kombëtare dhe të sigurisë që justifikojnë shkëmbimin e territorit të një pjese të veriut të Kosovës,  e banuar kryesisht me popullsi serbe, me një pjesë të Luginës së Preshevës, e bauar kryesisht ose me shumicë shqiptare.

Sipas mendimit tonë,  në parim nuk duhet refuzuar opsioni i shkëmbimit të territorit midis Kosovës e Serbisë,  si zgjidhje ndërshtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare, por duhet pasur kujdes që vet qyteti i Mitrovicës dhe miniera e Trepçës nuk guxon të ndahet as të shkëmbehet me asgjë. Çështje e Liqenit të Ujmanit mund të zgjidhet me marrëveshje të logjikës ekonomike midis dy shteteve e me garancione ndërkombëtare. Pjesa tjetër e veriut që u përket komunave të Leposaviqit, Zveçanit  e Zubinpotokut, e dominuar kryesisht me popullsi serbe, është vetëm një tumor brënda trupit të Kosovës. Një pjesë e atij territori, edhe ashtu deri në vitin 1959 ka qenë në përbërje të Serbisë, e jo të Kosovës.

Gjatë gjithë historisë, në bisedimet e zhvilluara për vendosjen e paqes pas mbarimit të luftërave, fuqitë e mëdha kanë vendosur për kufijtë e shteteve ndërluftuese. Edhe në rastin e Kosovës, nëse  nuk arrihet marrëveshje e pajtueshme midis dy palëve, janë fuqitë e mëdha ato që do të vendosin, dhe nuk duhet të kemi iluzion se nuk do të përfillin (edhe) interesat e Serbisë. Alternativa tjetër do të ishte edhe më e keqe! Kosova edhe ashtu nuk e ka, as ka gjasa ta shtrijë pushtetin e vet në atë pjesë, madje nuk e ka pushtetin as në pjesët tjera në enklavat serbe. Prandaj, zgjidhja e problemit me Serbinë, përmes shkëmbimit të territorit do ishte zgjidhje më e pranueshme, duke lënë “bishta” tjerë, si gozhda e Nasradinit  për enklavat apo kishat serbe në Kosovë. As me një marrëveshje të tillë, me shkëmbim të territoreve, nuk duhet pasur iluzion se arrihet paqe e përhershme me Serbinë hegjemoniste, sepse ajo gjithmonë do të synojë e shpresojë ripushtimin e Kosovës. Por, një paqe e përkohëshme mundëson zhvillimin dhe konsolidimin kombëtar shqiptar, për t’u bërë faktor i respektueshëm në këto hapësira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok