E vërteta për “Fitoren e Pirros”, përtej mitit përçmues romak

0

Nga Elvi Sidheri

Të gjithë me siguri kemi dëgjuar për të ashtuquajturën “Fitore të Pirros”, një frazë përçmuese me origjinë nga romakët e lashtë, të cilët, të pamësuar historikisht me humbjet në fushën e betejës, ia patën bashkëngjitur këtë “detaj”, bëmave dhe jetës të udhëheqësit të shquar, mbretit të paharruar epirot.

Si është e vërteta e mirëfilltë historike ndërkohë?

Në vitin e largët 279 para Krishtit, rreth pesëdhjetë vite pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, botëpushtuesit legjendar maqedonas-ilir, perandoria e tij që shtrihej nga Maqedonia gjer në Egjipt e Hindukush në Indinë e skajit tjetër të globit, ishte ndarë në disa pjesë.

Njëri nga shtetet e këtillë ishte edhe Mbretëria e Epirit, që në epokën e Aleksandrit pati qenë aleate e Maqedonisë, sepse faktikisht vetë nëna e Aleksandrit të Madh, Olimpia, ishte një princeshë epirote, para se të martohej me Filipin II, që gjithashtu nga nëna kishte origjinë ilire. Ndërkaq, familja mbretërore epirote mbështetej në lidhje gjaku të drejtpërdrejtë me heroin epik mitologjik, Akilin.

Në vitin 297 para Krishtit, Pirro do të ngjitej në fronin epirot, teksa përgjatë dhjetëvjeçarit të mëparshëm ai ishte përgatitur në artin e luftës, kurse në 25 vitet pasues epiroti i pamposhtur do të shndërrohej në tmerrin e Romës, Kartagjenës, Maqedonisë dhe Spartës, fuqive më të mëdha të kohës.

Në vitin 281 para Krishtit, Pirro i Epirit tashmë 38 vjeçar, do të thirrej  nga qytet-shteti i Tarentit, Taranto i sotëm, që dikur ishte themeluar nga kolonët spartanë, por në trojet e banuara nga populli ilir i Japigëve (bashkë me Mesapët, shkrimet e të cilëve, përbëjnë dëshmitë e vetme të shkruara të ilirishtes, dhe Daunët, popujt ilirë të gadishullit italik), që paskëtaj do t’i jepte emrin edhe vetë rajonit të sotëm italian të Puljas.

Tarenti kërcënohej nga ushtria romake dhe Pirro, duke pikasur mundësinë për t’u zgjeruar në tokat italiane, menjëherë pati nisur përgatitjet për fushatën ushtarake përtej detit. Pas aleancës me Maqedoninë, për të mos patur andralla prapa shpinës, ai gjithaq do të kërkonte udhëzime në orakullin e Delfit, e pas miratimit nga orakulli, Pirro do të nisej për në Itali.

Pasi do t’i mbijetonte edhe një stuhie të llahtarshme, mbreti epirot do të zbarkonte në Tarent në vitin 280 para Krishtit me 23 mijë ushtarë këmbësorie, shumica e të cilëve qenë trupa të armatosura rëndë të falangave të këmbësorisë, e gjithashtu 3 mijë kalorës nga Thesalia, 3 mijë harkëtarë, pesëqind hobetarë nga Rodosi dhe njëzet elefantë lufte.

Elefantët qenë një risi për luftën e kohës, mjaft përpara përdorimit të tyre nga ushtaraku i shquar kartagjenas, Hanibali, dhe ishin ofruar nga mbreti maqedonas i Egjiptit, Ptolemeu II.

Po në këtë vit, Pirro i Epirit do të përballej me romakët në betejën e madhe të Herakleas. Kulmi i betejës do të ndodhte kur elefantët e patën tmerruar kalorësinë romake, duke dërrmuar krejt ushtrinë romake rrjedhimisht. Do të ishte hera e parë që romakët përballeshin me këto kafshë e pas betejës thuhet se mbreti Pirro kish treguar një vlerësim të lartë për ushtarët romakë, duke pohuar se mund të pushtonte tërë botën me njerëz të tillë në ushtrinë e tij.

Përkundër ngadhënjimit, humbjet në radhët e ushtrisë epirote ishin të shumta, në masë të atillë saqë do të kishin ligështuar këdo udhëheqës tjetër, por Pirro gjithsesi pati vijuar marshimin drejt Romës deri kur do të njoftohej për faktin se romakët kishin bërë paqe me etruskët, me të cilët gjithashtu ishin në luftë. Më tutje mbreti i Epirit do të kthehej në Tarent për të kaluar dimrin.

Në pranverën e hershme të vitit 279, romakët do të mblidhnin një ushtri të re, nën komandën e përbashkët të konsujve Publius Decius Mus dhe Publius Sulpicius Saverio, që mori udhën për në Tarent.

Kur Pirro i Epirit do të dëgjonte për këtë orvatje të re ushtarake të romakëve, do t’i quante bijtë e ulkonjës si “Hidra të cilës i dalin dy koka të reja për çdo kokë që unë i pres”.

Pa humbur kohë, Pirro i Epirit nisi gjithashtu marshimin nga Tarenti drejt Rrugës Apia për në Romë dhe dy ushtritë do të takoheshin pranë qytetit të Askulumit (Ascoli Satriano i sotëm).

Ushtria romake në këtë betejë vendimtare, përbëhej nga katër legjione, me rreth shtatëmbëdhjetë mijë ushtarë të mirëstërvitur romakë këmbësorie, të tjerë njëzet mijë ushtarë këmbësorie nga aleatët e Romës, 1200 kalorës romakë dhe 1800 kalorës Daunë (fis ilir i Puljas së sotme), duke e shndërruar këtë përballje thuajse epike ushtarake të lashtësisë, edhe në njëfarë beteje mes ilirësh të ndryshëm, në anën e Pirros të Epirit apo Romës e aleatëve të saj.

Në radhët e ushtrisë së Pirros së Epirit, vendin e nderit e mbante falanga maqedonase, ndërsa në qendër të fushëbetejës qendronin krenarë Thesprotët dhe Kaonët, fise të paepura nga Epiri i mbretit Pirro, ndërkohë të dyja palët ndërluftuese numëronin rreth dyzet mijë ushtarë në radhët e tyre.

Dita e parë e betejës do të kthehej në një ngecje të përgjakur, teksa Pirro do ta hidhte tërë këmbësorinë në mësymje dhe romakët do të bënin qëndresë në kodrat e pyllëzuara ku qenë vendosur.

Gjatë luftimeve që zgjatën thuajse një ditë të plotë, në fushën e betejës do të spikatnin pikërisht kalorësit ilirë Daunë, aleatë të romakëve, që do të sulmonin drejtpërdrejt fushimin e Pirros së Epirit, i cili do të detyrohej të dërgonte Gardën e vet Mbretërore dhe disa nga elefantët, për t’i sprapsur Daunët e ndërsyer.

Pas kësaj përleshje kryesisht mes ilirësh në të dyja krahët, dita e dytë e betejës do të niste keq për romakët, pasi Pirro i Epirit, para agimit të ditës pati dërguar këmbësorinë e lehtë për të pushtuar kodrat e pyllëzuara dhe brigjet e lumit që ditën e mëparshme u kishin dhënë përparësi taktike të vyer romakëve, për këtë arsye romakët do të detyroheshin të përballeshin me ushtrinë epirote në fushë të hapur dhe beteja do të vazhdonte pafundësisht me sulme e kundërsulme nga të dyja palët.Gjatë betejës, ku secila palë do të mësynte dhe fushimet përkatëse, Pirro i Epirit do të plagosej edhe vetë nga një shtizë.

Për të dalë në thelbin e këtij thellimi, pikërisht humbjet e secilës palë dhe rezultati i betejës, kanë rëndësi kyçe për të përcaktuar vërtetësinë e frazës së njohur “Fitore e Pirros”.

Burimet e kohës tregojnë se romakët patën humbur në fushën e betejës rreth tetë mijë ushtarë, ndërsa ushtria epirote bashkë me aleatët e saj rreth tre mijë e pesëqind ushtarë, por do theksuar se humbjet në radhët e epirotëve kishin të bënin kryesisht me falangistët maqedonas dhe përfshinin gjithaq shumë ndër udhëheqësit e ushtrisë epirote, vështirësisht të zëvendësueshëm.

Sidoqoftë, numerikisht e mirëfilli, epirotët qenë ngadhënjyes në këtë betejë me përmasa historike, që akoma sot përmendet në librat e historisë, ndonëse me një konotacion të gënjeshtërt, errësues për triumfin e mbretit të Epirit.

Në darkën e ditës së dytë të betejës, kur ishte duke përllogaritur humbjet njerëzore, teksa mjekët po ia mjekonin plagën, në çastin kur një lajmëtar po e uronte për fitoren, me një pamje të mugët në fytyrë, mbreti Pirro i Epirit do të thoshte: “Një fitore tjetër si kjo dhe do të rrënohem krejtësisht”.

Një fitore kundrejt një çmimi të kripur, padyshim, por gjithmonë fitore e pamohueshme.

Pirro do të thirrej për ndihmë edhe nga qytet-shtetet helene të Siçilisë kundër Kartagjenës, dhe përgjatë një fushate një vjeçare, e pushtoi krejt ishullin, kurse më tutje do të kthehej në Italinë kontinentale, ku do të përballej sërish me romakët në vitin 275 para Krishtit në Beneventum dhe pas një  tjetër beteje me rezultat të paqartë mbreti i Epirit do të kthehej në atdhe.

Në vitin 272 para Krishtit, Pirro i Epirit do të thirrej për ndihmë nga njëra palë e përfshirë në trazirat në Argos e gjatë hyrjes në këtë qytet-shtet Pirro dhe ushtria e tij do të përlesheshin me ushtrinë e Argosit nëpër rrugët e qytetit.

Në përleshje e sipër, një grua e moshuar vendase do ta godiste epirotin e pamposhtur me një tjegull për vdekje.

Pirro i Epirit ishte 46 vjeç!

Siç pohojnë historianët, kur lajmi për vdekjen e Pirros së Epirit pati arritur te mbrojtësit e Tarentit, ata përnjëherë u qenë dorëzuar romakëve, duke humbur shpresën për qëndresë të mëtejshme.

Historiani romak Tit Livi tregon se kur komandanti ushtarak romak Scipio Africanus pati takuar gjeneralin kartagjenas Hanibalin në Efesus në Azinë e Vogël, duke e pyetur këtë të fundit kush ishte komandanti më i madh ushtarak në histori, Hanibali i qe përgjigjur: “Aleksandri i Madh”.

Kur Scipio kish pyetur, po i dyti syresh, Hanibali pati thënë: “Pirro i Epirit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok