Kur libri shndërrohet në pasion jetësor

0

Nga Elvi Sidheri

Në këto ditë kur Shqipëria dhe bota shqiptare në përgjithësi, akoma vuan pasojat vdekatare, shoqërore, shpirtërore, traumat e dhimbjen e pashlyeshme të shkaktuar nga goditjet pafund të tërmetit që tronditi jetët dhe zemrat e truallin e shqiptarëve, Durrësin, Thumanën, Laçin, Lezhën, Tiranën e shumëkund tjetër, të flasësh e shkruash për librin mund të tingëllojë në dukje e tepërt, po në të vërtetë, në ditë të tilla, libri ngërthen edhe më shumë vlera në vetvete, përkundrazi.

Libri, letërsia, të shkruarit në shqip, na bashkon, na afron, na gjallëron e na bën të mendojmë, lexojmë, krijojmë, lëvrojmë e botohemi në shqip, si shqiptarë, duke sendërtuar letërsi në gjuhën tonë të dëlirë shqipe, pavarësisht qytetit, rajonit apo edhe shtetit nga vijmë, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, diaspora e gjerë shqiptare apo kudoqoftë.

Do pranuar fakti që përkundër mangësive të rastit, që gëlojnë në marrëdhëniet midis dy shteteve shqiptare, prapëseprapë bota e librit, paçka se ka vend për shumë përmirësime, në mos thjesht ligjore, edhe drejtpërdrejtë në sferën e bashkëpunimit, bashkërendimit e harmonizimit të botimeve në dy anët e Morinës, edhe në nivel privat, ndërnjerëzor mes shqiptarësh letrarë, përveçse nga instancat përkatëse shtetërore, sidoqoftë tashmë libri në shqip, gjen hapësirë botimi, ngjizje e shpërndarje thuajse njëlloj, mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në këtë mënyrë, nuancat e ndryshimit mes dy realiteteve shtetërore shqiptare, ndërkohë që shoqëritë tona sa vjen e afrohen, si mendësi, zhvillim e përditshmëri, duke ruajtur sakaq secila veçoritë e veta brendapërbrenda universit kombëtar shqiptar, po zbehen gjithmonë e më tepër, në veçanti sa i përket botës së librit, që përbën edhe synimin e përveçëm të këtij thellimi.

Një shembull ilustrues më së miri i çfarë thuhet më sipër në këtë shkrim, mund të cilësohet me gojë të plotë edhe SHB. Lena Graphic në Prishtinë, në funksionin e disafishtë të Shtëpisë Botuese dhe Shtypshkronjës së teknologjisë së fjalës së fundit, mikpritjes bujare, shërbimit të patëmetë, punës cilësore dhe botimeve pafund që përfshijnë një gamë tejet të gjerë të universit letrar shqiptar, ku vërtetohet katërcipërisht shprehja e njohur, “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, në mbështetje të letërsisë dhe librit shqip.

Për këdo që ka pasur të bëjë me SHB. Lena Graphic, kjo adresë është shndërruar padyshim në një pikë pelegrinazhi letrar të pashmangshëm, ku puna me librin shqip, përherë njësohet në udhë e sipër, me diskutimet e zjarrta për historinë e shqiptarëve, për doket tona të lashta, për të tashmen, të shkuarën, por edhe të ardhmen e popullit tonë, në syrin e gjykimin dashamirës të njerëzve të letrave, mirëfilli nga të gjitha trojet e mërgatat shqiptare, që mblidhen së toku, mes një botimi të ri dhe tjetrit, duke i kaluar çastet apo orët e pritjes së botimeve të radhës, të përfshirë ethshëm në dritëhijet e shumta të shqiptarësisë, në çdo aspekt të saj.

SHB. Lena Graphic mbetet një derë e hapur bujarisht për shkrimtarët, poetët, historianët, dashamirësit e librit në shqip, nga shqiptarët dhe për shqiptarët, të cilët papërjashtim ndiejnë befasinë e një shtëpie botuese që librin shqip e shikon pikësëpari si mision, si detyrë, si shërbim ndaj vlerave më të epërme kombëtare, duke nxjerrë në plan të dytë aspektin biznesor.

Një fakt ky që në një shoqëri të hutuar kapitaliste si e jona, meriton vlerësim e vëmendje të veçantë, meqënëse sidomos për popullin tonë, të drobitur nga kushtet ekonomike, pasiguritë e shumta shoqërore e zhgënjimet politike, letërsia e mirëfilltë e shkruar dhe botuar në shqip, përbën një burim të vyer lartësimi kulturor, vetëdijësimi kombëtar e syçelësie kundrejt rrethanave vendore, rajonale e botërore të kohës tonë dhe të kaluarës, të afërt e të largët.

Të botosh, siç më ka ndodhur fatmirësisht edhe vetë, në një mjedis shpirti të lirë letrar shqiptar, ku bisedohet lirisht, miqësisht, për gjithçka e mundon shqiptarin e këtyre dy dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XXI në mijëvjeçarin e tretë, të kesh fatin të frymëzohesh nga shkëmbimet e çiltëra të mendimeve, ideve, pikëpamjeve, me njerëz të ndryshëm të letrave shqipe, të çdo zhanri letrar, të gjithë të përkushtuar e nxitur nga mirëqenia dhe përparimi i mëtejshëm i letërsisë së lëvruar në gjuhën tonë të bukur shqipe, e tëra shndërrohet në një përvojë të paharrueshme për këdo që shtegun e botimit të romanit, poezive apo studimeve të veta historike e gjithçka tjetër, e ka ndërlidhur me SHB. Lena Graphic.

Hajdar Fejzullahu, themeluesi dhe shpirti i paepur që mban vazhdimisht të ndezur zjarrin e pasionit letrar thelbësisht shqiptar që flakëron ditë pas dite në mjediset e zhurmshme, nga makineritë ku libri merr formë, jetësohet gjer në botim, por edhe nga diskutimet e debatet e pareshtura për gjendjen e shqiptarëve në ditët e sotme, është një njeri i përkushtuar, të cilin vitet nuk e kanë kërrusur dot, as puna e palodhur, përvojat në fushën e botimeve në mërgim e Kosovë, përkujdesja e skajshme ndaj librave dhe autorëve të tyre dhe saktësia e pashmangshme mjeshtërore në çdo detaj të punës me librin, që nuk mundet dot të mos e ndjekë personalisht në çdo hap.

E përreth tij punojnë sipas të njëjtit shembull e përkushtim, një grup bashkëpunëtorësh pasionantë, që librin e ndiejnë po aq të dashur, sa edhe udhëheqësi i tyre në këtë rrugëtim thuajse të përditshëm me krijimet letrare në shqip, që mund të dallohet fare natyrshëm nga kushdo që një ditë ka bujtur në mjediset e SHB. Lena Graphic, për të botuar librin e vet apo thjesht për të rrahur mendimet e kaluar një copë herë frymëzueshëm mes miqsh, ithtarësh të letërsisë shqiptare, dashamirësish të trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve, njerëzish të fisëm e të thjeshtë, që çdo botim të ri dinë ta kthejnë në ngjarje që meriton kremtim, duke hapur faqe të reja me çdo libër të ri që sheh dritën e botimit në këtë shtëpi botuese.

Këtë mjedis artizanati letrar shqiptar, nevojitet ta çmojmë për frymën e risisë që ka prurë në fushën e botimeve shqipe, duke ndërthurur seriozitetin profesional me mikpritjen burimore shqiptare, diçka që ndihet e prekshme në çdo libër që ngjizet në këtë oaz letërsie dhe atdhedashurie, ku libri dhe krijuesit shqiptarë ngrihen në piedestalin e merituar dhe lexuesi pasurohet me larminë e nevojshme letrare.

Nga puna e përditshme në SHB Lena Graphic

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok