DORUNTINA DHE ZVARRITJA E FORMIMIT TË QEVERISË

0

Nga Xhelal Zejneli

Nga dita e zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë kanë kaluar rreth tre muaj. Që atëherë, qeveria ende nuk është formuar. Rezultatet e zgjedhjeve, në një pjesë të shoqërisë u pritën me entuziazëm. Zvarritja e formimit të qeverisë duket sikur e ka zbehur entuziazmin. Arsyetimet për prolongimin e formimit të qeverisë duken jobindëse, për të mos thënë – banale.

Fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit në vazhdim duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve të shtetit që do të duhet t’i trashëgojë dhe t’i administrojë. Duhet të tregojë konsideratë:

– ndaj institucionit të Presidencës të Republikës së Kosovës;

– ndaj institucionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës;

– ndaj institucionit të Kryeministrisë së Republikës së Kosovës;

– ndaj dikastereve të qeverisë së Republikës së Kosovës;

– ndaj organeve dhe autoriteteve të pushtetit vendor.

Fituesi i zgjedhjeve duhet t’i ketë parasysh:

– marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës;

– marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së;

– marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe aleatëve perëndimorë të saj; dhe

– interesat strategjikë të aleatëve perëndimorë në rajon.

Me një fjalë, zvarritja e formimit të qeverisë është në kundërshti me interesat e ndërsjellë të Kosovës, të Shqipërisë, të ShBA-së dhe të aleatëve perëndimorë të tjerë.

Fituesi i zgjedhjeve duhet të tregojë konsideratë ndaj:

– opinioneve të analistëve politikë apo të ndërtuesve të mendimit kritik;

– opinioneve të kritikëve shoqërorë; dhe

– mediumeve publike dhe atyre private.

Fituesi i zgjedhjeve duhet të ketë parasysh:

– situatën ekonomike të Kosovës; dhe

– mungesën e investimeve të huaja në Kosovë.

Fituesi i zgjedhjeve duhet t’i ketë parasysh problemet me të cila ballafaqohet Kosova, sikundër janë: problemet ekonomie, sociale, infrastrukturore, problemet në arsim, në shëndetësi, papunësia, shpërngulja e të rinjve, ikja e trurit, shpërngulja e popullatës për në vendet e Perëndimit etj.

Kosovës i duhet qeveri në mënyrë që qeveritarët e rinj të mund t’i përkushtohen sa më parë:

– punës për sjelljen e investimeve nga jashtë;

– përmirësimit të cilësisë në arsim;

– përmirësimit të cilësisë në shëndetësi;

– përmirësimit të kushteve të jetesës;

– uljes së papunësisë;

– reduktimit të dyndjes së popullsisë drejt Perëndimit;

– luftimit të nepotizmit;

– luftimit të korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit qendror apo atij vendor; dhe

– reduktimit të administratës në suazat që e kërkojnë standardet perëndimore.

Në rrethana të sipërthëna zvarritja e formimit të qeverisë nuk është veçse një luks. Fituesi i zgjedhjeve duhet të dijë se qeveria e përtashme që është në pritje të qeverisë së re, nuk ka motiv apo energji të mjaftueshme për t’u ballafaquar me problemet e sipërthëna. Me vetë faktin se qeveria e përtashme e pret largimin e vet, ajo vetvetiu nuk mund të manifestojë kapacitet qeverisës të mjaftueshëm. Në një fare mënyrë, aktualisht në Kosovë kemi një zbrazësi qeverisjeje. Një shtet me një mori problemesh ekonomie dhe sociale siç është Kosova, nuk mund të përballojë një vakum të këtillë qeverisjeje.

Zvarritja e krijimit të qeverisë së Kosovës reflektohet negativisht edhe në prestigjin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli do të thonë se udhëheqësit politikë të Kosovës nuk manifestojnë kapacitet politik të duhur për të qeverisur. Zvarritja e krijimit të qeverisë mund të jetë zhgënjyese për perëndimorët.

Nuk duhet harruar se armiqtë historikë të shqiptarëve – serbët, janë të prirë të thonë se shqiptarët janë popull joshtetformues, d.m.th. popull pa aftësi shtetformuese.

* * *

Elektorati i Kosovës është i ndarë. Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit të viti 2019, qytetarët votuan:

– për Lëvizjen Vetëvendosje;

– për Lidhjen Demokratike të Kosovës;

– për Partinë Demokratike të Kosovës;

– për bashkëlidhjen AAK-PSD;

– për bashkëlidhjen Nisma-AKR-PD etj.

Dy partitë politike – Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që tentojnë të krijojnë qeverinë e ardhshme të Kosovës, bashkërisht kanë më pak se 50% të votave të votuesve të Kosovës. Çdonjëra prej tyre e ka fituar besimin e vetëm një të katërtës së votuesve. Prej 120 deputetëve sa ka Kuvendi i Republikës së Kosovës, që të dyja bashkë kanë 57 deputetë.

Shpërndarja e këtillë e votave në pesë partitë politike të sipërthëna, asnjërës prej tyre nuk i jep hapësirë që të sillet me arrogancë apo me megalomani. Kosova nuk është pronë e asnjë subjekti politik. Është shtet i qytetarëve të saj – i shqiptarëve si trashëgues të shtetësisë dhe si mbartës të shtetësisë si dhe i minoriteteve të saj.

Zvarritjen e formimit të qeverisë dikush do ta interpretonte si paaftësi të fituesve të zgjedhjeve për t’u përballuar me problemet që rëndojnë mbi Kosovën.

Në një Kosovë në të cilën qytetarët e kryeqytetit qëllon të rijnë me orë të tëra pa rrymë, zvarritja e formimit të qeverisë është papërgjegjësi totale.

Në një Kosovë, e cila në vlerësimin ndërkombëtar të njohurive të nxënësve të moshës 15-vjeçare – testi PISSA, vazhdimisht renditet e fundit apo e parafundit në botë, zvarritja e formimit të qeverisë është e patolerueshme. Në një Kosovë në të cilën diku rreth 77% e fëmijëve të moshës 15-vjeçare nuk e kuptojnë atë që e lexojnë, vonesat e këtij lloji janë bizare, groteske, për të mos thënë edhe absurde.

Arsyetimet e llojit: Nuk mund të merremi vesh për postin e kryetarit të shtetit, janë absolutisht të pabaza. Aq më tepër kur dihet se kryetari i Kosovës, si shumë kryetarë të tjerë të botës, nuk ka ndonjë pushtet të madh apo ingjerencë politike të madhe. Ka raste kur roli i kryetarit të shtetit më tepër është protokollar sesa politik. Kryetari i shtetit çon peshë në vendet me sistem presidencial, siç janë ShBA-ja dhe Franca. Në ato vende shumëçka është në duart e Presidentit Tramp apo të Presidentit Makron.

Për të arritur marrëveshje Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk nevojiten tre muaj. Mjaftojnë dy-tri javë. O arrijnë marrëveshje, o nuk arrijnë. Politika është mjeshtri e së mundshmes apo art i së mundshmes. Politika nuk është inat dhe papërgjegjësi. Politika nuk është mendjemadhësi, arrogancë apo megalomani. Politika e shtetit dhe interesi shtetëror nuk durojnë animozitet midis politikanëve. Asnjë mungesë nuk është më e rëndësishme sesa ftesa e Kryetarit të Kosovës për t’ia dhënë fituesit të zgjedhjeve mandatin e formimit të qeverisë. Mënyra sesi i është dërguar ftesa mandatarit të ri, as që vlen të diskutohet.

Zgjedhjet e 6 tetorit u mbajtën sipas standardeve perëndimore. Kishte të tillë që thanë se Kosova është shembull sesi duhet të organizohen zgjedhjet në një shtet të botës. Prolongimi i formimit të qeverisë i hedh hije vlerësimit superlativ të ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 6 tetorit.

* * *

Kur midis dy a më tepër subjekteve politike nuk arrihet marrëveshje për bashkëqeverisje, atëherë kërkohen rrugë politike tjetërore. Një prej mundësive janë edhe zgjedhjet parlamentare të reja. Kjo do të ishte rruga më e keqe, më e panevojshme dhe më e kushtueshme. Humbje kohe dhe harxhim shtesë i energjive.

Në rast zgjedhjesh të reja, pavarësisht nga ç’tregojnë pyetësorë të caktuar, rezultatet do të ishin po këto. Madje mund të ndodhë që rezultatet të jenë në disfavor të LVV-së dhe të LDK-së. Qytetarët e Kosovës janë të lodhur nga pritja. Deri kur Estragoni do të presë Godonë?! Kosova nuk është sa një Indi që të mos mund të formojë qeveri as për tre muaj.

Qeveria e re duhet të formohet sa më parë në mënyrë që diplomacia e Kosovës të zhvillojë një veprimtari dinamike për t’ia bërë me dije botës se Kosova është shtet demokratik dhe faktor stabiliteti në rajon.

Çdo politikan i Kosovës duhet ta ketë parasysh faktin që në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë të mos e zhgënjejë ShBA-në. Ndryshe, na mori uji.

Të gjithë e dimë se ç’dramë tragjike shkaktoi arritja me vonesë e Doruntinës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok