Ibrahim Rugova, leader of the Democratic League of Kosovo, listens to a reporter's question at a press conference at Radio Free Europe headquarters in Prague, December 18, 1998. Rugova was in the Czech Republic to receive an award from a Czech humanitarian aid prganization, People in Need. (Photo by Sean Gallup)

Nga Elvi Sidheri

Në çdo 21 janar, pak ditë pas përkujtimit sado të vakët sidomos në nivel shtetëror dhe mediatik, të 17 janarit Kastriotas, ditës kur më1468-n u shua njeriu që mbajti në të gjallë dhe pas vdekjes Arbër e Shqiptarë në anën e duhur të historisë, gjeografisë dhe kulturës, prej vitit 2006 me dhimbje dhe respekt e mirënjohje vijojmë të kujtojmë edhe jetën, trashëgiminë e gjithanshme dhe veprën e paçmueshme të Ibrahim Rugovës.

Është një përkujtim i trishtë, i dhimbshëm, por njëkohësisht aspak vajtues, ashtu siç me siguri edhe vetë Presidenti Historik i Kosovës së pushtuar, të çliruar dhe “de fakto” të pavarur, do të kishte dashur.

Fundja, Ibrahim Rugovën duhet ta kujtojmë, jo vetëm në Kosovë ndër të tjera, ta vlerësojmë, ta përjetësojmë në kujtesën tonë historike, të shkuar dhe aktuale, dhe parimet e tij t’ua përcjellim brezave të ardhshëm me synimin që veprën e këtij tribuni të paqtë, t’ia falim Olimpit të mirësisë, të pavdekësisë të madhështisë së shqiptarësisë që aq përkryershëm jetësohej në frymëmarrjen letrare, paqedashëse dhe mendimin ringjallës të agut të çlirimit dhe sendërtimit të mosvarjes së tokës së tij, Kosovës, që ngërthente në çdo qelizë kolosi Rugova.

Jetojmë sot në kohë të turbullta, në një epokë ndryshimesh të thella, në një kapërcyell gjeostrategjik e mendësor, atëherë kur miqtë mund të shndërrohen në armiq krejt befas, sikundër edhe e anasjellta mund të ndodhë brenda një çasti të gjatë dhe vendimtar sa një përjetësi.

Kemi ende në mend ngjitjen e stuhishme në lartësitë e pushtetit në Uashtington, të presidentit të ri Donald Trump, fjalimin e tij përtej të gjitha skemave dhe dokeve tipike të thuajse tërë kolegëve të tij paraardhës, hutinë ndërbotërore për ngritjen e tij të rrufeshme, moskuptimin për filozofinë dhe furinë e tij çarmatosëse, tërheqjen në kufijtë e magnetikes nga gojëtaria dhe sentencat e tij therëse, sa edhe realiste, dhe gjithmonë e më tepër bindemi se asgjë nuk do të jetë më njëlloj paskëtaj.

Dhe miq, Rugova kish qenë krejt i këtillë, jo për nga ngjashmëria ideologjike, as për nga prapavija profesionale e ekonomike me The Donald-in amerikan, por pikërisht për nga dialektika çarmatosëse, argumentat e pakontestueshme, gjenialiteti i ideve dhe mprehtësia e mendimit të kulluar në një çiltërsi të cilës pakkush, në mos askush, pati ditur t’i bënte ballë për aq kohë sa Rugova do të gjallonte duke punuar, krijuar e ndërtuar, për tokën dhe popullin e tij.

Është ajo urtësia e bashkëlindur e njerëzve që për arsye krejt atipike, në momentet më kruciale shfaqen në eterin e popujve të mjegulluar nga mugëtirat kohore, duke marrë përsipër të udhëheqin grigjën e tyre drejt progresit, lirisë, mbrothtësisë, paqes dhe të ardhmes.

Janë njerëz që arrijnë në mënyra shpesh të cilësueshme jo edhe aq afërmendsh, si profetike, të shohin përtej zymtësisë të së tashmes së vranët, që zotërojnë atë shqisën plus që neve vdekatarëve të tjerë të zakonshëm çoç na mungon, dhe që i bën ata pikërisht për këtë shkak, të jenë specialë, që u fal atyre statusin e kolosëve, të miteve të gjalla në jetë, dhe të pikave të orientimit, të yjeve polarë për popullin e tyre, atëherë kur kanë shkuar në amëshim.

Ky ishte pra Ibrahim Rugova, një prijës i përndritur i vegjëlisë, një njeri që penën ia kushtoi letrave, studimeve të shumëanshme, letërsisë dhe historisë së kombit të tij, por që gjithaq kapacitetin e tij të pakrahasueshëm intelektual, mendjen dhe gjeninë e njeriut që shikon e synon më tepër seç i lejojnë e ofrojnë rrethanat e disfavorshme, diti dhe deshi që vetmohueshëm t’ia kushtojë veç mirëqenies, ekzistencës, rezistencës dhe të nesërmes së vendit e popullit të vet.

Sepse, kryevepra e këtij kolosi, ishte pikërisht fakti se popullit të tij Ibrahim Rugova i fali një të nesërme, atëherë kur e djeshmja dhe aq më tepër e sotmja e popullit shqiptar të Kosovës, ishte më e kërcënuar dhe e rrezikuar se kurrë.

Këtu qëndron kryebëma dhe kryevepra e këtij njeriu vigan, kësaj mendje të mrekullueshme dhe kësaj zemre të artë shqiptare, që me largpamësinë e vet, mundi të dallojë atë dritën e largët në fund të tunelit ekzistencial të shqiptarëve të Kosovës, duke e ndjekur besnikërisht me këmbëngulje kokëfortë atë dritëz që shpinte drejt lirisë, duke tejkaluar pengesa e errësira të kobshme, por gjithnjë pa u dorëzuar kurrë, me atë paqen e brendshme që do të dinte t’ia përçonte edhe popullit të tij të vuajtur edhe në momentet më të vështira.

Ky ishte sekreti i Rugovës, çelësi i mirëfilltë i mbijetesës së popullit shqiptar të Kosovës gjatë viteve të apartejdit shtetëror serb dhe luftës gjenocidiale të vitit 1999.

Pa qetësinë, gjakftohtësinë, largpamësinë dhe gjeninë e këtij njeriu, sot Kosova padyshim që do të ishte ndryshe, krejt tjetër, më pak e respektuar në botë, me më pak aleatë, më pak vitale dhe shumë pak e lirë.

Shumë pak njerëz, edhe më pak udhëheqës e tribunë të popullit, sot apo në të shkuarën, kanë mundur të jenë kaq vendimtarë për fatet e popullit të tyre, kaq përcaktues për ekzistencën e vendit të vet, dhe për këtë arsye Rugova ka përqafuar mitin, ose miti i është mveshur, është bërë tanimë njësh me kujtimin dhe imazhin e këtij kolosi.

Si në çdo përvjetor të amëshimit të Ibrahim Rugovës, edhe këtë vit, përveç një ceremonie të denjë dhe tepër të përkorë në kujtim të Presidentit Historik, Fondacioni Ibrahim Rugova, solli për lexuesit dhe gjithë ata që këtë figurë të pashlyeshme nga historia e shqiptarëve të Kosovës dhe jo vetëm e vlerësojnë dhe respektojnë , librin “Memento për Rugovën” me autor Sabri Hamitin.

Një libër tepër i vyer në këtë përvjetor të rradhës, ku shpërfaqet shterueshëm sa dimensioni letrar, aq edhe ai politik i Ibrahim Rugovës, një dëshmi e gjallë për kolosin e paharruar, nga kritiku, kolegu i letrave dhe shkrimtari dëshmitar ku lexuesi do të njohë të tjera aspekte të atij poliedrizmi aq unik, që do të shenjonte jetën, ekzistencën dhe veprën e pakrahasueshme të këtij njeriu të madh.

Është kjo një mënyrë dinjitoze dhe tejet e përshtatshme për të mbajtur gjallë mesazhin dhe kujtesën, “memento-n” historike për Rugovën.

Gjer në 21 janarin e ardhshëm, padyshim që “memento” Rugoviane, do të jetë pasuruar me shumë.

Zemra Shqiptare, 22.01.2017

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok