Perspektiva amerikane e dialogut shqiptaro-serb!

Nga Enver Bytyçi
Nuk është fjala për dialogun midis Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq. As për marrëdhëniet e këtyre të dyve me presidentin e Kosovës dhe Baton Haxhiun. Të katër këta nuk kanë nevojë as për paqe, as për dialog, as për ndonjë zgjidhje. Të katër këta tashmë e kanë bërë zgjedhjen dhe zgjidhjen e tyre. Ndërsa Rama, Thaçi dhe Batoni janë bërë palë më Serbinë kundër Kosovës, madje edhe kundër Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve në rajon.
Është fjala për dialogun e vërtetë midis Prishtinës dhe Beogradit, me qëllim njohjen e shtetit të Kosovës. Pikërisht ky është problemi dhe shqetësimi i shqiptarëve. Duket se dialogun në fjalë tashmë e morën në duart e veta Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E vërteta është se të gjithë ne e kemi dashur dhe e kemi pritur këtë ditë, që SHBA-të të udhëheqin dialogun dhe t’i japin fund konfliktit në rajon. Në parim duhet pranuar si fatlum fakti që ndodhi kësisoj. Ky lloj optimizmi është trajtuar në komentin tim “Diplomacia ndryshe e Richard Grenell” para disa ditësh. Megjithatë sot do të më duhet të mos bëj optimistin e tepruar, sepse shqiptarët kanë nevojë që SHBA-të ta udhëheqin, por jo ta imponojnë të vetme zgjidhjen përfundimtare.
Nuk heq dorë nga e vërteta se SHBA-të kanë investuar shumë në Kosovë dhe për këtë arsye çfarëdolloj zgjidhje në dëm të së drejtës dhe të Kosovës zhvleftëson këtë investim amerikan. I përmbahem tezës se presidenti Clinton dhe presidenti Bush kanë marrë vendime historike për Kosovën. I pari për ta çliruar atë nga sundimi barbar i Serbisë dhe i dyti për ta shpallë Kosovën të pavarur e sovrane. Donald Trump, nëse dëshiron ndonjë sukses të tijin në fushatë elektorale, e ka të vështirë të bëjë ndryshe.
Nga ana tjetër mbetem optimist edhe për faktin se SHBA-të, nëse p.sh ndajnë territorin e Kosovës ose lejojnë që Serbia të jetë e pranishme në çfarëdolloj forme në Kosovë, do të krijonin kushte për praninë ruse në rajonin tonë. Por a mjaftojnë të gjitha këto për optimizmin tim të motivuar? Mendoj se jo.
Së pari, është e domosdoshme që në dialogun e Prishtinës me Beogradin të kyçen Brukseli, Berlini dhe Londra, krahas Uashingtonit. Nëse arrihet kjo, do të ketë konsensus ndërkombëtar për zgjidhjen që duhet të vijë. Kjo do të evitojë që një diplomat i vetëm të jetë në kërkim të suksesit të tij personal. Sepse nëse një diplomat I vetëm mbetet në lojë, atij për interesat e veta do t’i mjaftojë zgjidhja e konfliktit, jo domosdoshmërish zgjidhja e drejtë e tij. Në këto kushte ka shumë mundësi që t`i bëhet presion palës më të dobët e më të përçarë. Në rastin konkret palës shqiptare, e cila jo vetëm është e dobët, por është edhe e përçarë për shkak të bashkëpunimit të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit me palën kundërshtare, Serbinë.
Së dyti, premisa e trajtuar më lart dikton forcimin e faktorit shqiptar të Prishtinës në dialog. Kjo do të thotë që ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, para së gjithash zoti Grenell, të heqin dorë nga bashkëpunimi pa kusht me Hashim Thaçin dhe Edi Ramën. Çdo përpjekje për ta zgjidh konfliktin shqiptaro-serb në Kosovë me këta të dy se do ta thellojë jo vetëm këtë konflikt, por edhe konfliktin brendashqiptar. Nëse besohet se zgjidhja arrihet duke i përçarë shqiptarët, atëherë do të gabohet më shumë. Grenell dhe evropianët duhet të investohen më shumë për t’i dhënë Kosovës qeverinë legjitime me dy partitë fituese, si kusht për të shmangur rolin e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës në rezultatet e këtij dialogu.
Së treti, ka shumë mundësi që udhëheqësit e sotëm serbë të kenë ngritur kurth për bisedimet dhe rezultatin e tyre midis palëve. Sipas disa informacioneve të pakonfirmuara thuhet se Aleksandër Vuçiq ka premtuar se nëse arrihet një zgjidhje e konfliktit me shkëmbim territoresh dhe ndryshimin e kufijve, ai do të jetë i gatshëm që ta anëtarësojë Serbinë në NATO. Kjo ofertë e tij është mbrojtur nga avokati i Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Madje Rama ka lobuar me këtë formulë ndryshimin e kufijve, së bashku me Thaçin.
Është e sigurt se ky është një kurth serb për përfitime territoriale dhe të tjera benefite në Kosovë. Ky kurth është miratuar edhe në Kremlin, me qëllim që në fund të procesit Vuçiq të japë dorëheqjen, për shkak se qytetarët serbë nuk do ta votonin anëtarësimin e vendit të tyre në NATO. Dhe pasi të jenë ndryshuar kufijtë, Rusia do të investohej për krijimin e Serbisë së Madhe dhe daljen e saj në Adriatik përmes Republikës Srpska dhe Malit të Zi. Ky I fundit, në rastin e Serbisë së madhe, ashtu si Maqedonia, nuk do të ekzistonin si shtete.
Përfundimisht SHBA-të kanë nevojë të punojnë me aleatët e tyre evropianë, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, me qëllim që të evitojnë çdo ngutje dhe gabim në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Ndërkohë që dy partive fituese në Kosovë u duhet ta krijojnë së bashku qeverinë dhe të vihen në krye të dialogut me Serbinë, për të mos lejuar që Edi Rama dhe Hashim Thaçi të luajnë me fatin e territorit dhe shtetit të Kosovës.

Please follow and like us:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

YouTube
YouTube
Instagram