Çfarë e ndan Ramush Haradinajn me Edi Ramën?!

Nga Enver Bytyçi

Eshtë bërë virale një video ku shfaqet debati i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, në një studio televizive në Tiranë për çeshtjen e kufijve të Kosovës dhe rolin e Edi Ramës në këtë proces. Nuk dua të ndalem te gazetarët mediokër, të cilët në atë studio e konsideronin dialogun e Prishtinës me Beogradin si bisedime për statusin e Kosovës. Të tillë injorantë ndoshta u duhen të tilla studiove televizive, sepse kwsisoj funksionon më mirë strategjia serbe në Tiranë.

Por dua të ndalem te një anë tjetër e problemit. Ramush Haradinaj në atë studio foli konkretisht se si Rama dhe të tjerë njerëz i kanë bërë presion dhe e kanw joshur kryeministrin e Kosovës, që ai t’i bashkohej projektit të ndarjes së Kosovës. I kanë ofruar pushtet, pasuri, komoditet, gjithçka çka i duhet një njeriu me ambicje të sëmurë antikombëtare, me qëllim realizimin e projektit të Vuçiq për ndryshimin e kufijve në Kosovë e në Ballkan. Edhe shërbimet secrete nuk ofrojnë më shumë për spiunët që rekrutojnë në vendet armike të tyre.

Kryeministri i Shqipërisë u përgjigj menjëherë, duke e përgenjështruar Ramushin, madje duke e quajtur atë “gënjeshtar e shpifës”. Ai u shpreh se “Ramush Haradinaj që kur la pushkën për çlirimin e Kosovës ka e zevendësoi atë me pushkën e shpifjes”

Që në fillim duhet thënë se akuza e Ramës mund tw besohet nga dikush që nuk ka haber se çfarë përfaqësojnë e si njihen Edi Rama dhe Ramush Haradinaj. Edi Rama mendon se edhe gjykata themelore e Prishtinës funksionon në një planet tjetër, për pasojë nuk ka haber se kush janë palët përkatëse, paditësi, Edi Rama dhe i padituri, Ramush Haradinaj! Në të vërtetë qytetarët e Kosovës, jo më gjyqtarët e saj, janë vetë dëshmitarë të asaj çfarë kanë ndodhur gjatë kohës kur Vuçiq, Thaçi dhe Rama ishin angazhuar për ndarjen e Kosovës. Edhe të vdekurit janë dëshmitarë të faktit se Ramush Haradinaj e ndali këtë projekt shkatërrues për shtetin e Kosovës.

Ndërkaq akuza e Ramës në gjykatë ishte ky njw akt i paprecdent në marrëdhëniet midis shteteve e sidomos midis shteteve që kanë të njëjtat interesa strategjike si Shqipëria dhe Kosova. Por ajo që gjithkush e di dhe ka provuar gjatë viteve të fundit lidhet me faktin se armët e shpifjes, mashtrimit, gënjeshtrës së stërholluar, armët e intrigës, hipokrizisë, janë arti i mjeshtrisë për mbijetesë në politikë e në jetë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Kur ai artikuloi fjalinë, sipas së cilës “Ramush Haradinaj që kur la armët e zjarrit për çlirimin e Kosovës, rrëmbeu armët e gënjeshtrës dhe shpifjes”, jam i sigurt se e përdori këtë si shprehje të eksperiences së tij të përdorimit të shpifjes, trillimit dhe mashtrimit për vetëmbrojtje.

Trillimi më i madh i Edi Ramës lidhet me mohimin e asaj çfarë ai ka predikuar e për çka punuar prej gati shtatë viteve në pushtet në korrelacion me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq është përkushtuar. Nuk është Haradinaj që mori në mbrojtje ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve. Këtë akt të turpshëm e aplikoi me muaj e vite, Edi Rama. Nuk ishte Haradinaj që rekrutoi presidentin e Kosovës në projektin serb të ndarjes së Kosovës. Por ishte Edi Rama. Bashkëpunëtorët e kryeministrit të Shqipërisë flisnin hapur gjatë diskutimit për ndryshimin e kufijve se me ndarjen e Kosovës, pjesa e mbetur do të bashkohej me Shqipërinë dhe kryeministër i “Shqipërisë së bashkuar” do të jetë Edi Rama dhe president i saj Hashim Thaçi. Ata flisnin pikërisht për atë çfarë Haradinaj thotë se I është ofruar edhe atij në tepsinë e “Shqipërisë së bashkuar” me Kosovën e ndarë. Ndërsa bashkëpunëtori i Vuçiq dhe i Edi Ramës, ai që ka marrë nofkën Baton Stanishiq, luajti rol të rëndësishëm në shkëmbimin e mesazheve midis Ramës e Thaçit, mesazhe të cilat përmbanin joshje, kërcënime me gjykatën speciale dhe marifete të tilla, të cilat ia ofronte kreu i ekzekutivit shqiptar presidentit të Kosovës në emër të presidentit të Serbisë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Ramush Haradinajn.

Gënjeshtra, mashtrimi, shpifja, mohimi i të vërtetave është atribut dhe ekskluziivitet i përhershëm i sjelljes politike dhe njerëzore të Edi Ramës. Ato nuk janë cilsësi politike e aq më pak njerëzore për Ramush Haradinajn. Por Rama përdori si akuzë ndaj Haradinajt pikërisht atë pjesë të etikës, që nuk është e Ramushit, pra atë pjesë trillimi, që i përket Edit! Nëse e vemë re sjelljen dhe diskursin e zotit Rama, atëherë do vemë lehtësisht re se arti i shpifjes dhe mbrojtjes prej kundërshtarit permes shpifjes përdoret në mënyrë djallëzore e permanente nga ai që fatkeqësisht vijon të jetë kryeministër i vendit tim! Edhe kur kapet me presh në duar, Edi Ramën e kemi dëgjuar të thërrasë pa u skuqur “Shpifje, shpifje, shpifje”! Kjo është e vetmja armë që atij i ka mbetur për vetëmbrojtje. Të njëjtën armë e përdori edhe kundër mbrojtësit të fuqishëm të territorit të Kosovës, të cilin e kërcënuan Aleksandër Vuçiq, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, pra kundër Ramushit!

Please follow and like us:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

YouTube
YouTube
Instagram