Me dashuri për Shqipërinë, nga Melburni i largët- Intervistë me z. Fritz Radovani

Nga Entela Binjaku

Australia është një vend i largët dhe i pazbuluar në mjaft drejtime për shumë prej nesh që nuk kanë pasur mundësinë ta vizitojnë apo të takohen me njerëz që jetojnë atje. Sot me lehtësirat që ka krijuar teknologjia, kufijtë janë thjesht imagjinarë dhe njerëzit ndjehen më afër se ndonjeherë. Biseda me zotin Radovani nisi falë shqetësimit mbi zjarret që pushtuan shumë nga zonat e Australisë, por dëshira për ta intervistuar ka qenë e kahershme. Kërkesën time ai e pranoi dhe teksa lexoja përgjigjet, më shtohej edhe më shumë admirimi për personalitetin e tij, për gjuhën e përdorur, kujtesën e cmuar dhe informacionin e pasur, që duke ma besuar, më dha mundësinë ta ndaja me lexuesit.

Ndiqeni në vijim intervistën me Fritz Radovani.

  1. Radovani prej sa vitesh jeni nëAustrali dhe cila ka qenë rruga juaj deri tani?

E Nderueme zj. Entela,

Së pari Ju falnderoj per dëshiren Tuej per një komunikim direkt dhe me zemer të hapun. Kjo asht meritë e Jueja!

U bane në Dhjetorin që shkoi plot 20 vjet që jam në Australi. Kur kam ardhë këtu, tue mos dijtë anglishten ishe po ai jetim që mbeta mbas bombardimit të 13 Tetorit 1943… Dyert e shkollave të hapuna per ne, ishin një mrekulli e madhe per me kuptue ku jemi e nga erdhëm?

Australia njihej pak e aspak prej meje. Pritja nga Kryetari i Komunitetit Shqiptar z. Sezar Jakupi dhe Kryetari i Shoqnisë Katolike të qytetit të Melbournit z. Lekë Ndreka, ishin një ngrohje shpirtnore e pakufi.

Sa i lidhur ndjeheni me Shqipërinë dhe me cilën pjesë të saj e gjeni më shumë këtë lidhje?

Lidhja me Shqipninë ishte e përditëshme, sepse nuk mungonin as vizitat nga shqiptarët e larguem prej Atdheut që nga vitet 1946 – 47, të cilët vinin me më takue sikur i kishe njerzit e mij të dashtun, edhe pse asnjëherë nuk i kisha njohë as komunikue me Ata, që fatkeqsisht si zonja Lezina Vata, si dhe zotni Pjeter Gjoni tashti nuk jetojnë ma.       Ata ishin për mue miq aq të dashtun sa nuk u zëvendsuen kurrma…

Si e morët vendimin për tu vendosur kaq larg?

Largimi nga Shqipnia nuk ishte dëshira ime. Ai ishte një imponim i dhunshem me kërcnim jete dhe, vetëm i Ndjeri Ferdinand Temali e ka përjetue me mue atë kohë, mbasi Ai dhe vetëm Ai.., më shpetoi jeten. Ardhja në Australi për mue ishte ma afer se Zalli i Kirit…E, Rrëmaji!

Si do të jua përshkruanit lexuesve tanë vendin ku jetoni?

Vendi ku jetoj asht një nga mrekullitë e Shek. XX, dhe per me dashtë me e kuptue kush asht Melbourne, Sidnej apo Adelajde e kësaj bote të panjohun për ne shqiptarët, vetem me pa zhvillimet e kampionateve të tenisit nder këta vende, apo në koncertet që jepen për Krishtlindje dhe Festa nacionale, dhe garat e kuajve të dashtun të kontinentinentit… Vetem atëherë mërrinë me njoh edukatën dhe qytetnimin e mërrijtun nga jeta demokratike dhe liria e plotë e mendimit të australianëve. Kudo e gjithshka asht në shërbimin e së ardhmes per një jetë ma të lumtun!

Shpesh në shkrimet tuaja zë vend e kaluara, historia me njerëz dhe fakte. Si arrini ti ruani kaq mirë në kujtesë disa prej tyre?         Si dokumentoheni për artikujt tuaj përkujtimorë?

Unë kam pasë fatin me njoh njerzit ma të nderuem të Shkodrës gjatë gjithë kohës që jetova atje dhe u bana 60 vjeç, tue fillue nga mësuesit, ku nuk harroj edukaten që kemi marrë nga profesorat e Elbasanit, kur ishe në shkollen e mesme Pedagogjike e deri tek Liceu Artistik me korespondencë në Tiranë, kuptohet shumë i rij me moshë. Profesorat e vizatimit Luigj Sheldija, Simon Rrota dhe Vladimir Jani, ku mora disa nga virtytet e jetes së Tyne si piktor, e deri tek Prof. Zef Shoshi në Tiranë, ishin dhe mbetën përjetsisht të daltuem në formimin tim Shpirtnuer!

Ndersa, gjithmonë jam krenue e krenohem me kenjen time “nxanës i një prej burrave ma të nderuem të Elbasanit, Pedagogut Gani Daiu, ish Drejtor i Shkollës Pedagogjike të Shkodres, dhe Prof. Ndriqim Gjates,  po nga Elbasani, që më la “një porosi” para transferimit nga Shkodra…” Ata më siguruene perfundimin e shkollës dhe fillimin e jetes… Tue mos harrue asnjëherë Prof. Roza Bebi, Dedë Shala, Arta Franja etj…  Persa I perket kujtimeve të mija ata fillojnë me Prof. Sadedin Hotin e Shkodres.

Artikujt përkujtimor janë pjesa e pashlyeshme e atyne kujtimeve që sot më bajnë me kenë krenar i Asaj Shkoder ku linda dhe u bana Njeri. Një meritë per këte ka nana ime, që nuk e harronte kurr rrugën e jetës, sado e vështirë kjoftë ajo: “Brinjë kaçubave me ferra dalin vjollcat e bukra…”

Kleri katolik sipas jush çfarë vendi ka zënë në historinë tonë?

Historia e popullit shqiptar ka një fillim të shkruem nga i Madhi Imzot Pal Engjulli, në të parët e fisit tim. Vazhdimi i rrugës së Tij deri në ditët tona nga mbasardhësit e nderuem, dhe hapja e shkollës së Shirokës në shtëpinë e gjyshit tim Tomë Radovanit, nga Don Zef Ashta në 1874,     që me qellim “harrohet”, tregon se Kleri Katolik Shqiptar e ka ngritë dhe e ka sterngritë monumentin e vet të atdhetarizmit dhe të lavdisë së Tij. Ndersa axha i Nanës sime, At Mati Prennushi ishte Ai që i dorzoi nga gjoksi i vet Dedë Gjo’ Lulit Flamurin e Shqipnisë, që u ngrit në Deçiq në vitin 1911. Gjyshja ime, nana e babës Kolë, Gjystja Gurakuqi ishte bash vajza e axhës e të Madhit Luigj Gurakuqi, që po e persëris thanjen time: “Po mos t’ ishte nji ky burrë, kurr në Shqipni s’ u ngrit Flamur!”

Pa i mbushë 10 vjetët, këta Visare të Shenjta, ishin mësimet që më brumosi daja i im në Dajç të Bregut të Bunës, Don Kolec Prennushi…

Çfarë ju mundon më shumë kur është fjala për Shqipërinë?

Ajo që më mundon ma shumë asht “gjymtimi i shkollave Shqiptare”! Nuk mund të kuptoj sesi perjashtohen njerzit ma të mëdhaj të historisë, tue fillue nga Herojt e Atdheut që dhane jeten per Liri e Perparim, e tue vazhdue me figurat e nderueme të letersisë, artit dhe të kultures sonë kombtare Shqiptare. Po ndiqet rruga ma e shemtueme e tradhtisë ndaj Atdheut, drejt humbjes së Lirisë dhe Pamvarsisë fitueme me gjak…  E kjo bahet per me i sherbye fqinjëve të njohun prej sa vitesh në sa e sa dokumenta historike të Esad Pashë Toptanit me Malin e Zi.., të Ahmet Zogut me Pashiqin, Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe deri tek fundi i koshit…”rilindasi” Edi Rama, me serbë, rusë, grekë, kinez, turq, italian’e kush ti mbushin xhepat.., per veprat tradhtare kunder Shqipnisë së të Madhit Gjergj Kastrioti – Skenderbeu e deri tek e Madhja Nana Tereze…

A ka rrugëdalje për problemet e shqiptarëve në të dy shtetet tona në Ballkan? Sipas jush ku gabojmë ne që gjendja është kjo që është?

Rruga e vetme e daljes nga balta shekullore asht vetem NJË:
Shkatrrimi deri në themel i “Murit Shkumbinit”… Unifikimi i Gjuhës Shqipe dhe studimi i Shkrimtarëve Shqiptar nga Rinia Shqiptare, ku duhet të perfshihen Trojet tona dhe shkollat nder shtete të hueja.

Duhet medoemos me ripunue tekstet e Historisë, Gjuhës dhe Letersisë mbi bazat shkencore të dijetarve Shqiptarë, që mendonin per Atdheun e Lirë dhe të Pavarun, me baza demokratike e jo anadollake. Shqipnia dhe Shqiptarët I perkasin vetem Europës dhe VETEM Asaj!

A ka një mesazh që e keni më për zemër ta ndani me lexuesit tanë?

Mesazhi im asht vetem ky: “Vllaznim  e vetem vllaznim! Luftoni e mos hezitoni me zhdukë fanatizmin nder organet drejtuese Shtetnore kudo kjofshin ata. Kerkoni me Ju drejtue njerzit e Kultures Europjane! Ata i keni në mesin Tuej… Vetem zgjidhni nga prejardhja e Tyne, nga Ajo gurrë e pashueme e Vllaznimit, Bashkimit kombtar dhe e Lirisë së Shqipnisë Kastriotit..,në këte vit 2020-të, Perkujtimor t’ At Fishtës!

Ju uroj një Shqipni të Lirë dhe Ju falemnderes që më keni kujtue!

Me shumë respekt, Fritz Radovani. Melbourne, 2 Shkurt 2020.

Please follow and like us:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

YouTube
YouTube
Instagram