Përurohet në Bukuresht një tjetër vepër e shkrimtarit Ismail Kadare

Ismail Kadare, Albanian writer, Roma, Italy, 2018. (Photo by Leonardo Cendamo/Getty Images)

Nga Entela Binjaku

Në një atmosferë të ngrohtë, mes miqve të librit dhe atyre që librin dhe punën me të jua mundësojnë të tjerëve,  është përuruar në Bukuresht botimi me titull: “Kalorësi me skifter” i shkrimtarit të shquar Ismail Kadare.  Libri ka pak kohë që ka dalë në treg i sjellë në gjuhën rumune nga përkthyesi i njohur Marius Dobresku, botim i shtëpisë botuese “Humanitas”.

Në këtë ceremoni të mbajtur mërkurën e datës 5 shkurt 2020 në një nga libraritë kryesore në Bukuresht morën pjesë edhe përfaqësues të trupës diplomatike të Shqipërisë në Bukuresht, si  Ambasadori i Shqipërisë në Rumani z. Ilir Tepelena dhe sopranoja Arlinda Morava, njëherazi Atasheu Kulturor i vendit tonë në këtë shtet.

Në këtë mbrëmje rreth veprës së Kadaresë folën shkrimtarja Ana Barton, kritikja letrare Simona Preda, përkthyesi Marius Dobresku dhe shkrimtari dhe dramaturgu Vlad Zografi, njëherazi pasues i një familjeje të njohur shqiptare.

Takimi nisi në orën 19.00 dhe u mbajt në Librarinë “Humanitas”, një nga më të njohurat në kryeqytetin rumun.

Në cilësinë e përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar, i ftuar në këtë mbrëmje ambasadori Tepelena ju drejtua të pranishmëve në gjuhën shqipe. “Do të flas në shqip, në atë gjuhë të bukur në të cilën shkruan Ismail Kadare. Kjo është e dyta herë gjatë detyrës sime si diplomat që jam në një aktivitet që mbahet këtu dhe të dyja herët ka qenë për Kadarenë. Kjo tregon për mbështetjen që gëzon shkrimtari. Kadareja e ka çuar gjuhën shqipe në lartësi të mëdha, duke qenë në këtë mënyrë ambasadori më i mirë i vendit tonë në botë”.

Në fjalën e saj Drejtorja e shtëpisë botuese Denisa Komënesku u shpreh: “Ismail Kadare është nga të rrallët shkrimtarët evropianë që meriton prej kohësh të nderohet me cmimin “Nobel”. Është i kandiduar prej vitesh të tëra edhe në listat e basteve letrare, ndaj shpresojmë që ai të marrë këtë çmim, ndoshta vitin që vjen në 85-vjetorin e tij”.

Në fjalën e saj znj. Komënesku foli edhe për projektin e afërt të kësaj shtëpie botuese që në pranverë do të sjellë për lexuesit rumunë një nga veprat më të shquara të Kadaresë.

“Kadareja”tha Komënesku”,-  pushtoi” botën me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”…Këtë vit kur mbushen 30 vjet nga themelimi i shtëpisë botuese “Humanitas” do të sjellim për lexuesit tanë “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” që shënon edhe veprën e 13-të të Kadaresë. Ju ftoj ta festojmë bashkë këtë ngjarje”, tha Drejtorja e Përgjithshme e “Humanitas Fiction”.

“Kalorësi me skifter” përmban katër 4 tregime dhe hapet pikërisht me tregimin që i ka dhënë dhe titullin veprës.

Në përshkrimin që enti botues i bënte botimit të ri thuhej: “Ky libër është një udhëtim në botën e absurdit totalitar, një botim që të mbërthen me instrumentat e saktë të një shkrimtari të madh”.  Në kopertinën e librit ndodhet Hans Holbein i riu në një portret ikonë i njohur ndërkombëtarisht.

Deri tani nga shkrimtari ynë i  shquar shtëpia botuese “Humanitas” ka sjellë ndër të tjera edhe “Pallatin e ëndërrave” dhe “Daullet e shiut”.  Në vitin 2020  do të botojë me radhë një vëllim nga novelat e Kadaresë, e më pas dy ribotime: “Aksidenti” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe në fund të vitit do të dalë sërish  “Mëngjeset në kafe Rostand”. Të gjitha këto vepra vijnë të përkthyera nga Marius Dobresku.  Përkthyesi Dobresku bashkëpunon me këtë shtëpi botuese prej 10 vjetësh. Ai  është i vetmi njohës i gjuhës shqipe që gëzon edhe besimin nga shkrimtari ynë i madh për të përkthyer veprën e tij. Puna me veprën e Kadaresë nisi në vitin 1983 me veprën “Kronikë në gur” dhe vijon edhe sot. Gjatë kësaj kohe ai  pothuajse ka sjellë në gjuhën rumune çdo gjë që ka shkruar shkrimtari ynë i madh.

Kadareja ishte edhe pari autor shqiptar që ai ka përkthyer. Por nëse për veprën e parë përkthyesi fliste si për një “përvojë të mundimshme”, sot kur vetëm nga korpusi i veprave të Kadaresë ka përkthyer thuajse rreth 30 vëllime,  me më shumë se 50 vepra si tregime, novela dhe romane, për vështirësi as nuk mund të flitet.  Madje sot është e vështirë të pohosh me siguri për këtë personalitet të letrave e të përkthimit, nëse është më shumë shqiptar apo rumun.

Në korpusin e punës së tij janë edhe të autorë të tjerë shqiptarë. Përveç kësaj Dobresku përgatit çdo muaj edhe 40 faqet e revistës “Drita”, aktivitet me të cilin merret prej vitit 2001.

Disa muaj më parë gjatë një interviste dhënë për mediat shqiptare  i pyetur  “sa e njohin lexuesit rumunë shkrimtarin shqiptar” përkthyesi Dobresku shprehej: “Librat e Kadaresë nuk janë libra komercialë, pra lexuesit e tyre janë njerëz që vlerësojnë letërsinë e mirë, atë të ideve dhe jo atë të të konsumit… Vitet e fundit, shtëpia botuese me të cilën punoj, “Humanitas”, e drejtuar nga Denisa Komënesku, një shkrimtare që e do Kadarenë, ka nisur serinë e ribotimeve të veprës së tij me romanet “Daullet e shiut” dhe “Pallati i ëndrrave”, shenjë që tregon se tregu rumun i librave e kërkon Ismailin”. Ndër të tjera ai shprehej: “Pothuajse nuk ka javë që nuk zbuloj në shtypin e shkruar ndonjë recenzë, analizë apo koment mbi të, të gjitha me shumë vlerësim”.

Pikërisht mbi këto vlerësime në kopertinën e pasme të librit: “Kalorësi me skifter”  ishte përzgjedhur  ky vlerësim për Kadarenë  bërë nga “Independent on Sunday “:  “Ai është krahasuar me Kafkën, me Gogolin dhe Oruellin, por zëri i tij është origjinal, universal me rrënjë të thella në traditën shqiptare”.

Mbrëmja e së mërkurës në Bukuresht solli përmes veprës së Kadaresë realitetin shqiptar të viteve të mbylles dhe të izolimit, të përcjellë në një mënyrë mjeshtërore dhe tërheqëse siç vetëm një shkrimtar i madh arrin ta përcjellë.

Please follow and like us:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube