Spastrimi etnik në Itali nga Tito, kopje e manualit të Vaso Kubriloviç, kundër kosovarëve!

0

Nga Aleks Martin Kapllaj

Muaji shkurt, është muaji i ceremonive përkujtimore të viktimave italiane të kryer nga partizanët jugosllavë, në periudhën nga viti 1943, deri në vitin 1956, që zhduken në 1700 humnerat e Dalmacisë, pothuaj 11000 italianë të pafajshëm të të gjitha moshave.

Për 60 vjet me radhë, komunistët dhe partizanët italianë, fshehen faqen e shëmtuar të historisë e nuk i denoncuan krimet e partizanëve jugosllavë të Josip Broz Titos, që zhdukën 11000 italianë dhe dëbuan nga shtëpitë e tyre 350 000 të tjerë, sepse ata ishin aleatët e tyre e për këtë arsye e braktisën popullsinë e pambrojtur të qyteteve të Triestës, Goricias, Fiumes, Zaras, Polas e Cittanuovas.

Nga vitet 1943 deri në vitin 1956, në pjesën Dalmate të Italisë, Trieste, Goricia e deri në Pola të Kroacisë, partizanët e Titos, pushkatuan, zhduken dhe burgosen në kampet e tyre të përqëndrimit pothuajse 11000 italianë me të vetmin faj, se ishin qytetarë italianë nën regjimin fashist të Mussolinit.

Nga viti 1943 deri në vitin 1956, ushtria partizane e Jugosllavisë deportoi nga Istria e Dalmacia, Trieste, Pola, Basovica, Goricia, Fiume 350 000 italianë.

Qëllimi i Titos, ishte spastrimi etnik i popullsisë italiane, që jetonte në tokat e pushtuara nga ushtria jugosllave dhe për këtë ai përdori terrorin ndaj popullsisë së zhdukur në 1700 shpellat e Dalmacisë.

Për qëllimin e tij ai përdori zhdukjen e italianëve në këto shpella si mjet për realizimin final të deportimit të popullsisë civile italiane. Të parët që ranë në makinën shfarosëse ishin përfaqësuesit istitucional, civilë e ushtarak, të të gjitha niveleve që kishin kryer funksione aministrative gjatë periudhës së fashizmit.

Në fazën e dytë u goditën qytetarët e thjeshtë, fëmijë, gra, pleq e njerëz të gjitha moshave pa përjashtim, me qëllim terrorizimin e popullsisë.

Shumë prej tyre u zhduken në humnerat e Dalmacisë, ku një grup i madh i viktimave lidheshin njeri pas tjetrit me një tel dhe kur ishin afër humnerës, i lidhnin gurë të rëndë dhe qëllonin me armë një ose dy të parët dhe ata që ishin të plagosur tërhiqnin mbas tyre, të tjerët që ishin akoma të gjallë dhe gjatë rënies e përplasjes në shkëmbinjë ose vdisnin ose plagoseshin dhe vdisnin ngadalë në fund të humnerës, që i kishte paretet e saj të thepisura, pothuaj të pamundura për t’u ngjitur.

Të pakët ishin ata që u mbijetuan humnerave të Dalmacisë.

Një ndër ata të pakët, që pati fatin të shpëtojë, kujton atë ditë dramatike të jetës së tij me këto fjalë:

“Pas disa ditësh burgosje të rëndë, gjatë të cilave ne rriheshim çdo ditë dhe ishim të uritur, një mëngjes, para agimit, na nxorën të gjashtë të lidhur me një tel njeri pas tjetrit, përveç telit që na kishin lidhur duart mbas shpine, na nisen për në Arsia. Kishim të veshur vetëm pantallona dhe çorapet në këmbë.

Ecëm në këmbë një kilometër dhe na ndalën rrëzë një kodre. Një gur prej të paktën njëzet kilogramësh ishte varur në duart tona të lidhura. Na  shtynë drejt buzës së një foiba, ( shpellë me një thellësi deri 50 m), ku hyrja e saj (ishte si një gojë e një përbindëshi gjigant që përpinte jetët e italianëve).

Njëri nga ne, gjysmë i vdekur nga torturat që pësoi, u hodh në boshllëk, me iniciativën e tij. Një partizan jugosllav, me mitraloz në dorë na kërcënoi që të hidheshim edhe ne në shpellë, siç bëri ai që u hodh para nesh. Meqenëse nuk po lëvizja, ai më qëlloi me automatik dhe unë u hodha në humnerë. Por në këtë pikë ndodhi mrekullia: plumbi, në vend që të më lëndonte, preu telin që e mbante gurin të lidhur, kështu që kur u hodha në shpellë, guri ishte rrokullisur larg meje. Humnera kishte një gjerësi prej rreth 10 metra dhe një thellësi 15, deri në sipërfaqen e ujit. Ndërsa rashë, nuk arrita deri në fund dhe kur u ktheva në sipërfaqe, munda të fshihesha nën një shkëmb. Menjëherë pas kësaj, pashë katër shokë të tjerë të goditur nga breshëri mitralozi. Pas pak, një bombë u hodh në zgavër dhe ajo shpërtheu nën ujë, duke më shtypur mua me presionin e ajrit kundër shkëmbit. Drejt mbrëmjes kam arritur të ngjitem në murin e pjerrët dhe të shkoj në fshat, ku mbeta për katër ditë dhe katër netë radhazi, i fshehur në një vrimë. U ktheva fshehurazi në vendin tim nga frika se mos do bija në kthetrat e përndjekësve të mi, deri sa arrita në Pola. Dhe vetëm atëherë mund të them se unë vërtet u shpëtova”- deshmon i mbijetuar i genocidit të partizanëve të Titos, kundër popullsisë të pafajshme italiane në qarkun e Triestes, Istria, Fiume, Postume, Goricia e deri në Pola e Zara.

Në vjeshtë të 1943, ushtria partizane jugosllave, arriti të bëjë një spastrim etnik në Istria, përherë nën çadren mbrojtëse të aleatëve anglo-amerikan që kishin arritur para gjermanëve në këto territore.

Në këtë fazë të projektit të spastrimit etnik u hodhen në humnera deri 1000 italianë, shumica e tyre të hedhur në shpellën e Vines e pjesa më e madhe e tyre, ishin akoma të gjallë.

Në maj të 1945 ushtria partizane e Titos, hyn në Venecia Gjulia duke pushtuar Triesten dhe Gorician dhe pjesën tjetër të Istrias.

Me 1 maj, ushtria jugosllave, hyn në Trieste dhe e anekson atë në hartën e Republikës Popullore të Jugosllavisë.

Disa historianë, si francezi Michel Roux, profesor i universitetit të Tolozës, thotë: “spastrimi etnik kundër popullsisë italiane ishte një simulim i strategjisë së Vaso Kubriloviç, (që më vonë u bë ministër i Titos) kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, që në vitin 1937, duke perdorur terrorin vrasjet e dëbimet me forcë si dhe me ndihmën e kolonëve malazez, për t’u zënë tokat dhe istitucionet shqiptarëve.

E gjithë kjo strategji e ka origjinën në metodat e Leninit që luftonte armiqtë e klasës me sloganin “Shoku Lenin pastron vendin nga krimbat”, duke u referuar, familjes mbretërore, monarkistëve, prifterinjëve, intelektualëve dhe kapitalistëve.

Manuali i Kubriloviçit u përdor për italianët, nga viti 1943 deri në vitin 1956. Por ky manual ishte shkruar e ideuar për shqiptarët e u përdor në vitin 1937, 1945, 1999 në kohën e Titos dhe Milosheviçit dhe e kishte origjinën në ideologjinë komuniste të eliminimit etnik ose kundër armikut të klasës së regjimeve komuniste, strategji që përdoren të gjitha vendet komuniste në Evropën Lindore dhe kudo ku ishin në pushtet, përfshirë edhe Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok