HEROIZMI I GRUAS SHQIPTARE PARË NGA TË HUAJT

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Jeta e kombeve më së shumti iu ngjan jetës së burimeve, e rolin e burimeve në jetën e kombeve e luan me një dinjitet të lart edhe gruaja. Gruaja, është burim i të gjithave: i lindjes, i përtëritjes dhe i qëndresës. Edhe nëna shqiptare, është pjesë e pa ndashme e këtyre burimeve. Ajo në shikim të parë e brishtë e me plot fines, por në kohën kur e thërriste zëri i atdheut, ajo ishte trime, e guximshme dhe gjithnjë stoike në furtunat e kohës. Falë kësaj nëne që diti fort mirë, që përtej shekujve të ruaj gjakun e të parëve, e që lirisht mundemi ta quajmë edhe grua qëndrestare.

Çështja e gruas shqiptare, pa marrë parasysh se në ç’formë shtrohet, përbën një temë vazhdimisht aktuale në të gjitha kohët dhe në të gjitha shoqëritë, do të jetë e diskutueshme por, ta analizosh angazhimin dhe përfshirjen e saj në jetën politike dhe vendimmarrëse në Kosovë parë nga të huajt, deshëm o s’deshëm ne, nëpërmjet kësaj na del në shesh realiteti ynë nëpër të cilën kaloi gruaja shqiptare[1] dhe respekti i madh që pati nga të huajt.

.Puna dhe veprimtaria e gruas shqiptare është një histori e gjatë, e bujshme dhe një rrugë plot vështirësi. Roli dhe kontributi i saj në periudha të ndryshme historike ofron mjaft të dhëna për të cilat ka se çka të shkruhet dhe të flitet. Është fakti i pamohueshëm se gruaja shqiptare zë një vend të rëndësishëm në historinë kombëtare të popullit tonë, duke filluar që nga periudha ilire e këndej.

Veç autorëve shqiptar që shkruan për gruan shqiptare, për të shkruan edhe shumë autor të huaj, të cilët kishin arritur në përfundime të gruaja shqiptare është një nga gratë më trime dhe më besnike në Ballkan, madje ndonjë prej këtyre udhëtarëve shkencëtarë i quante gratë shqiptare si “femrat ndoshta më të bukur të “Turqisë Perëndimore”[2].

Pra, sipas burimeve historike, qëndresa dhe sakrifica e gruas shqiptare, si formë e rezistencës se saj, dëshmohet si vazhdimësi. Nga shumica e femrave shqiptare, të cilat qëndruan dhe vepruan në rrethana ngufatëse të kohëve të ndryshme dolën heroina të shquara, trimëritë e të cilave i tejkaluan kufijtë gjinorë dhe kombëtarë.

Kjo grua gjatë gjithë historisë, me dinjitet e fisnikëri të lart, do të jetë e zonja që gjithmonë të mbaj lart flamurin e qëndresës dhe të familjes. Fuqia e gruas siç dihet, është themeli ndërtues i një shoqërie. Sa më e ditur që është ajo, aq më i sigurt do të jetë ardhmëria e një kombi.

Gruaja e jonë, epokë pas epoke, luftë pas lufte, marshoi krenare s’bashku me burrin, djalin, vëllain, prindin ashtu e pa përkulur nëpër shekuj e mijëvjeçar, e erdhi krenare deri këtu, por e vetëdijshme se edhe më tutje, rrugën duhet vazhduar[3]. Gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë të historisë, falë asaj-gruas sonë, populli i ynë arriti që të shpëtoj nga asimilimi, duke ruajtur në të njëjtën kohë gjuhën, historinë, traditën, kulturën dhe përkatësinë tonë kombëtare.

Me gjithë dhunën permanente dhe politikën antishqiptare që ndoqën dhe ndjekin shovinistet sllav, dhe të tjerët nga lagja e tyre, ata, megjithatë Kosovën nuk e nënshtruan dot, ama, as ta mposhtin dhe, as ta sllavizojnë.

Ajo në rrethanat më të përshtatshme historike inkuadrohet në rrjedhat që i imponoheshin nga vetë faktori kohë. Në një kohë kur në trojet shqiptare mungonte thuajse tërësisht sistemi edukativo-arsimor i organizuar nga institucionet shtetërore ose publike, roli edukues i ambientit familjar dhe në mënyrë të veçantë i nënës dhe i gjyshes për fëmijën ishte vendimtar. Burrat trima lindin dhe rriten vetëm nga nëna trimëresha, thotë një fjalë e popullit. Gruaja shqiptare e ka përbuzur kurdoherë frikacakun, ajo e ka përbuzur dhe e ka mallkuar edhe birin e saj kur plogështohej përpara vdekjes[4].

Duke shfletuar faqet e historisë, gratë shqiptare i gjejmë pjesëmarrëse aktive në luftërat e vrullshme të kryetrimit Skënderbe. Gjatë rrethimit të parë të Krujës, në vitin 1450, kur në Shqipëri erdhi mbarë ushtria otomane me në krye sulltan Muratin II, Skënderbeu urdhëroi të zbrazej plotësisht qyteti nga gratë, fëmijët dhe pleqtë dhe të mbeteshin vetëm luftëtarët, që duhej të mbronin kështjellën deri në vdekje. Për këtë ngjarje humanisti i njohur Marin Barleti shkruan: “kur dhembja u ul pakëz e ngopur prej lotëve, nënat u kthyen nga djemtë e tyre… dhe me fjalë të përsëdytura iu epnin porosi krenare”, ndërsa kronisti venedikas i asaj periudhe legjendare, A. Sabellico, më 1478 shkruante: “në mes të zjarrit të luftës, kur çdo gjë shungullonte nga armët e barbarëve, në ato qytete ku Skënderbeu kishte mbretëruar, grupe vajzash e kishin zakon që në çdo tetë ditë të mblidheshin e të këndonin lavditë e princit të vdekur, ashtu siç bënin të moçmit për heronjtë e mëdhenj”[5]. Nga kjo mund të përfundojmë se gruaja shqiptare ishte aktive edhe atëherë kur nuk dilte në fushën e betejës, por në një mënyrë tjetër e luftonte armikun – me armën e kurajos që u jepte luftëtarëve. Shekulli XV theksohet si shekull i kthesave të mëdha për gruan shqiptare, duke pasur parasysh normat morale e juridike të vendosura gjatë shekujve mesjetarë. Edhe pse jetoi e shkëputur nga fati i kombit. Si e para edukatore e fëmijëve ruante dhe transmetonte gjuhën, virtytet e traditat e kombit. Me ndjenja të forta atdhetare, liridashëse shpesh gjendej në kuvende me burrat dhe thoshte fjalën për problemet e mëdha të vendit.

Gruan shqiptare edhe më aktive e gjejmë në shekullin XIX gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë periudhë ajo me armë në dorë merr pjesë në luftërat për liri e pavarësi dhe me këtë dëshmoi se nuk ishte vetëm nënë e bashkëshorte e mirë, por mbi supet e saja të forta e krenare para armiqve të shumtë njësoj bartte tempullin e shenjtë dhe të fortë – çështjen e atdheut.

Që të mos rrijë duarkryq para sulmeve barbare dhe okupuesve të ndryshëm gruan shqiptare e shtynin në radhë të parë traditat e lashta në luftë për lirinë e vendit, të kultit për nderin e familjes, të shpirtit të lartë të vetë sakrificës, virtyte këto të vëna në dukje nga çdo njohës i mirë i traditës së popullit shqiptar. Ndjenja e sakrificës për gruan shqiptare shpesh gjente shprehje e sidomos kundër sulmeve të egra otomane. Për gruan tonë rënia në duart e turqve ishte kulmi i fatkeqësisë dhe i poshtërimit, sepse pasi kishte humbur djalin, vëllanë, prindin ajo humbte së bashku me të edhe lirinë e krenarinë[6]. Për t’i shpëtuar kësaj katastrofe, gruaja shqiptare shkeli normat mesjetare, që e ndalonin të delte në fushën e betejës, rrëmbeu armët dhe së bashku me burrat u rreshtua në vijën e zjarrit, ballë përballë me armikun.

Duhet përmendur edhe trimëreshën e detit, Bubulinën, që emri i vërtet i saj ishte Dhaskalina Pinoçe, bijën e arbëreshit Stavrian Pinoçit nga Hidra[7]. Ajo njihej si arvanitasja më e famshme e historisë shqiptare dhe greke. Kishte lindur me 11 maj 1771, nga prindërit Skevo (e ëma) dhe Stavri Pinoëi (i jati). Dihej se në moshën 17 vjeçare u martua me kapitenin arbëresh të marinës së Specës (ishull grek), Dhimitër Janozën i cili u vra gjatë një beteje. Më pas në moshën 30 vjeçare u martua me kapitenin tjetër arbëresh Dhimitër Bumbilli i cili gjithashtu u vra gjatë një beteje në det nga piratët në vitin 1811. Emri i Bubulinës lidhet ngushtë me kryengritjet antiosmane të viteve 1821-1829[8]. U vra në Speca, me 25 maj 1825 në kryengritjen greke, duke drejtuar anijen “Agamemnon”.

Aty nga mesi i shekullit XIX një nga njohësit e mirë të Shqipërisë Veriore, Jasint Hekard (Hyasint Hecquard), shkruante: “Gruaja shqiptare, qoftë myslimane, qoftë e krishterë, edhe pse është e nënshtruar ndaj burrit, ai këshillohet me të jo vetëm për punët e familjes, por edhe për çështjet e vendit”. “Gratë shqiptare”, vazhdon Hekardi, dinë t’i mbajnë lotët e dhembjes edhe kur janë përpara njerëzve të tyre më të shtrenjtë të shtrirë për dhe, shpeshherë duke mbajtur nëpër duar kufomat e tyre i kanë shpënë, ato në mes të luftëtarëve për t’i nxitur që të hakmerren kundër armikut”. Më poshtë vazhdon: “Më kanë treguar nëna që nuk i kanë pranuar në shtëpi fëmijët e tyre, të cilët kanë lënë nga frika luftën duke i shpënë ato vetë përsëri në fushën e betejës, ose nuse që janë ndarë nga burrat e tyre vetëm pse këta janë larguar në një çast nga zjarri i luftës”[9]. Këta shembuj, të pakët i cekëm për të ilustruar trimërinë e tyre të pamohueshme që treguan për lirinë e vendit.

Gruaja shqiptare ishte pjesëmarrëse aktive sidomos në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, në luftërat për çlirim kombëtar të atdheut. Me qindra gra ndihmuan kryengritjet me mjete e me strehim, me informata e kurajo. Në ato vite revolucionare gruaja nuk qëndroi vetëm në prapavijë. Me një guxim të rrallë ajo kaloi edhe në vijën e zjarrit. Gratë kosovare dolën me armë në dorë në Grykën e Kaçanikut, ballë për ballë armikut[10]. Shembullin e tyre e ndoqën edhe gratë e Malësisë së Mbi – Shkodrës e të Dibrës[11]. Gratë dolën në luftë anekënd Shqipërisë, aty ku kishte nevojë dhe ku buçiste lufta. Gazeta “Sabah” që delte në Turqi, shkruante më 16 prill 1911: “Ndërmjet kryengritësve shqiptarë kishte edhe gra. Në luftimet që u bënë në rrethet e Tuzit kishte edhe gra të veshura me rroba burrash…bile disa nga këto gra kanë treguar edhe trimërinë e tyre, aq sa të kalojnë në radhët e para të luftës”[12].

Gruaja shqiptare ka dëshmuar heroizmin e saj të vërtetë në mbështetjen e të gjitha proceseve nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë gjatë gjithë historisë së tij. Aq më tepër që lufta dhe peripecitë me të cilat u përballë ajo, ishin shumëdimensionale krahasuar me ato me të cilat përballeshin burrat. Burrat në aktivitetin dhe punën e tyre, në gruan shqiptare gjetën partnere të vërteta të cilat i mbështetën ata pa asnjë kusht.  Edhe në kohën e rezistencës femra Shqiptare së fundmi në Kosovë është dalluar për kontributin e saj qoftë në aktivitete politike dhe shoqërore qoftë drejtpërdrejtë në luftë krah për krah me burrat. Virtytet e Gruas Shqiptare ishin frymëzim për shumë këndë që vizitonte viset tona. Njëri ndër ta ishte edhe XhorxhWilliams i cili para më shumë se 100 vitesh konstaton se gruaja tek shqiptarët trajtohet me respektin më të lartë. Ajo vërtetë punonte në shtëpi, por zinte një vend të nderuar në shoqëri dhe se jeta e saj fisnikërohej me të qenit nënë. Është e vërtetë se ajo vlerësonte dhe vlerëson edhe sot shumë lartë të qenit nënë dhe bashkëshorte. Gjithë jeta e saj ndërtohet në këto dy shtylla kryesore, por edhe jo rrallëherë ajo ka dëshmuar se që të dyja i sakrifikon për liri, gjë që e ngritë atë në piedestalin e barazisë me heronjtë[13].

Në punimin “Krah për krah me burrin në luftën për liri”, autori Ligor Mile, shkruante se një shkencëtar i huaj kishte thënë për gruan shqiptare se gratë që nxjerrin në dritë burra të pamposhtur dhe trupmëdhenj dallohen gjithashtu për forcën e organizimit të tyre edhe për thjeshtësinë e zakoneve  të tyre… Ato ndajnë me burrat punët, udhëtimet dhe rreziqet e tyre”[14]. Ndërsa një udhëtar francezë i mesit të viteve 30 të shekullit të 19-të, pasi u njohë me popullsinë e trevës së Tomorit, erdhi në përfundim se “Midis luftëtarëve të Tomorit dhe midis grave  të tyre gjendën më shumë se një model për një Apollon dhe për një Venus”[15]

Gjatë lëvizjes kryengritëse, që shpërtheu në vitet 1844-1845 në verilindje të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Dibër, dokumentacioni arkivor na dëshmon se në malësitë e lira “gra dhe fëmijë bënin pjesë në radhët  e luftëtarëve”, “se  “gratë qenë të ngjeshura me armë, të veshura  ushtarakisht” duhet dalluar sidomos gratë në Shqipërinë e Sipërme.

Duhet cekur se gruaja shqiptare në asnjë periudhë kur ishte vendi në rrezik nuk qëndroi duarkryq. Shembujt e pjesëmarrjes së gruas në luftërat për liri janë të shumta, sidomos duhet përmendur luftërat që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej. Ky patriotizëm i njohur i gruas shqiptare, këto cilësi të rralla morale të saj, morën një përmbajtje të re dhe u shfaqën me forcë në ato gra e vajza të popullit që ngjeshën armët dhe luftuan krah për krah me burrat gjatë LDB.

Më 1945, Kosova dhe viset e tjera shqiptare përreth pa vullnetin e tyre mbetën nën kthetrat e sllavëve. Mu nga kjo kohë filloi edhe një aktivitet i dendur për ruajtjen e unitetit kombëtar. Gjatë kësaj periudhe ajo nuk deshi të jetë vetëm vështruese indiferente e proceseve shoqërore, as si qenie e varur vetëm nga burri e as objekt i mëshirës së tij e të tjerëve. Me aftësitë që kishte mori pjesë drejtpërdrejt në orientimin e aksioneve dhe proceseve politike e shoqërore në familje dhe në shoqëri[16]. Në organizata ilegale shqiptare që synim kryesor kishin çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në mesin e burrave vepronin edhe gratë, në një mënyrë të veçantë, ilegalisht. Disa nga to u zbuluan dhe u pushkatuan nga organet okupuese, e disa vepruan me stoicizëm duke iu ndihmuar ilegalistëve.

Gjatë periudhës rankoviqiane 1945-1966, shumë intelektuale e nxënëse shqiptare në Kosovë u maltretuan dhe u dënuan në procese të shumta politike. Çka bëri që të huajt të shkruajnë me admirim për trimërinë e gruas  shqiptare.

Edhe pse kishte përfunduar Lufta e  Dytë Botërore, burrat e gratë e Kosovës nuk u kënaqen me gjendjen ekzistuese. Ata gjetën forma e mënyra që ti kundërvihen okupuesit të “ri”. Gratë shqiptare në Kosovë dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, krah për krah me burrat u ndodhën në krye të detyrës duke organizuar fillimisht grupe e organizata ilegale e më vonë morën pjesë në demonstratat gjithë popullore të vitit 1968, 1981, 1989, por, me formimin e UÇK-së[17], dolën edhe në male duke u bërë pjesë e denjë e luftërave për liri.

Në gazetën ilegale që botohej në ato vite “Kosovarja e re”  në mes tjerash autori-ja shkruajnë: ”Historia shoviniste e serbomëdhenjve, që shpërtheu në formë të papërmbajtur, pas ngjarjeve të pranverës së vitit 1981, në Kosovë, i bëri aq të verbër sa më nuk qenë në gjendje t’i kamuflojnë, as sipërfaqësisht qëllimet e tyre të errëta[18]. Populli shqiptar në ish-Jugosllavi siç dihej nuk gëzonte kurrfarë të drejte, as njerëzore e as kombëtare. Duke u nisur nga këto padrejtësi populli ishte i detyruar që të formonte organizata ilegale dhe nga këto doli edhe kërkesa për Republikë, që në vete sintetizonte çlirimin klasor nga eksploatimi i huaj dhe pavarësinë dhe barazinë kombëtare në kuadër të RSFJ, me ç’gjë do të eliminohej plaçkitja dhe shtypja si dhe do të hapej perspektiva e Kosovës.[19]

E vetmja zgjidhje për të dal nga një situatë robëruese siç ishte Kosova si imperativ i kohës u paraqit, lufta dhe angazhimi i shqiptarëve për luftën e përbashkët për të dal nga kthetrat e saja. Andaj, edhe kur çështja  u shtrua në këto baza të shëndosha e më se njerëzore, ishte krejtësisht normale që edhe të përkrahet  nga opinioni i gjerë, pati të atillë që e përkrahen edhe nga republika e Kroacisë e e Sllovenisë, por ata që dolën hapur kundër kësaj kërkese  ishte klika shoviniste e Beogradit, grupe udhëheqësish maqedonë e malazezë, të cilët për të ruajtur sundimin shtypës e plaçkitës mbi Kosovën përdorën tërë forcën e armatosur, dhunën brutale dhe me një agresivitet primitiv, që ishte në kundërshtim të plotë me vet rendin juridikë vendas dhe at ndërkombëtar bënë përpjekje gjakpirëse  që të shuajnë këtë kërkesë.

Më 1981, po përsëritej historia e cila kishte ndodhur pas Kongresit të Berlinit në vitin 1878, kur hyri Serbia e parë, ajo që ndodhi kur kushte hyrë Serbia e dytë, pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, ajo që ndodhi pas Mbledhjes së Versajës kur u krijua Jugosllavia e krajlëve serb, dhe ajo kur në Kosovë hyri për të tretën herë, Serbia, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur edhe u bënë masakrat më të mëdha. Kjo po përsëritej edhe më 1981.[20]

Gruaja shqiptare zë një vend të veçantë edhe si humaniste. Andaj, për këtë burrështetasit dhe të huajt e çmuan dhe e himnizuan këtë vlerë. Duhet përmendur shqiptaren e madhe Nënën Terese e cila me të bëmet e saja prej humanisteje të përkushtuar u bë target i shumë fjalimeve e shkrimeve ana e kënd globit. Me këtë rast do përmendja vetëm fjalën ish presidentit të SHBA-ve – BillClinton, kur sapo kishte mbaruar lufta e NATO-s kundër agresorit gjenocidial të Beogradit, kishte shkuar në Kalkutë dhe duke u lutur mbi varrin e Nënës Terezë, ndër të tjera i kishte thënë: “Nënë, ndjehem krenar dhe i çliruar në shpirt, që Zoti na ndihmoi dhe ta çova në vend amanetin! Tashmë populli yt në Kosovë është i lire dhe po ndërton demokracinë”[21].

Burrat dhe gratë shqiptare përballuan me stoicizëm promethiane tufanin e egërsuar shovinist pan-sllav. Me gjithë plagët dhe dëmet e mëdha që i shkaktuan truallit tonë, ajo përsëri ngadhënjeu mbi egërsinë e armiqve pushtues. I hodhi si të pavlera planet shkombëtarizuese e sllavizuese të Karagjorgjeviqëve, Pashiqëve, Andriqëve, Rankoviqëve, e mbi të gjitha e mundi babanë e Elaboratit shkombëtarizues e shfarosës ndaj shqiptarëve- Vasa Çubrilloviqin, kur kjo nënë e detyroi atë që të pranojë haptas, para vdekjes, një të vërtet se “megjithatë luftën në Kosovë e fitoi nëna shqiptare”[22].

Edhe pse ky popull mori plagë e riplagë, Kosova edhe më tutje eci, ecën dhe do të ecën gjithmonë përpara në rrugën e mundimshme, ama të ndritshme të lirisë kombëtare. Kjo rrugë e jona, është një ligjësi objektive, të cilën nuk ka forcë që mund ta ndal, sepse Kosovës ngadalë por sigurt, po i hapën shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë.

[1]SabileKeçmezi-Basha, Gruaja, shtyllë e rëndësishme në rrjedhat politike, Epoka e Re, 11 janar 2016

[2]Krah për krah me burrin në luftën për liri, Lajmëtari i Lirisë, viti I, nr. 1. Gusht 1980. f, 14.

[3]Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f. 761

[4]Zejnepe Dibra, Fjalor enciklopedik i Gruas Shqiptare, Shkodër 2009, 24-25

[5]MedihaShuteriqi, Gruaja shqiptare në luftë për çlirim kombëtar, (Simpoziumi për Skënderbeun, 9-12 maj 1968), Prishtinë 1969, f, 405-406; Fatmira Musaj, Gruaja në Shqipëri vitet 19121939, Tiranë, 2002

[6]SabileKeçmezi-Basha, Gratë shqiptare për çështjen kombëtare, Kosova, nr. 35/36, 2012.

[7]ShkelzenRaça, Marrëdhëniet shqiptaro-greke 1829-1881, Prishtinë

[8]Zenepe Dibra, Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare Shkodër, 2009, 86.

[9]MedihaShuteriqi, Gruaja shqiptare në luftë për çlirim kombëtar, (Simpoziumi për Skënderbeun, 9-12 maj 1968), Prishtinë 1969, f, 405-406

[10]Gjyltekin Shehu, Disa të dhëna  frënge mbi shqiptarët (shek. XIII-XVI)-Francuskipitopisi po albanskimkrajevimaod XIII-XVI veka- Qelquisfrançaisdanslespaysalbanophonesaux XIII-XVI sieclis- nr. 10-11, (1974-1975), Vjetari, 1979, f. 287-295.

[11]Zenepe Dibra,Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare Shkodër, 2009, 86.

[12]Gazeta “Sabah”  16 prill 1911,  Turqi.

[13]SevëmeFetiqi, Gratë janë shtylla të një kombi e jo dekor për standard,gazetaora.com/grate-jane-shtylla-te-nje-kombi-e-jo-dekor-per-standard, 19 Mars, 2014 – 5:01 pm

[14]Ligor Mile, Krah për krah me burrin në luftën për liri , Kosovarja e Re, nr. 1. 1982, f, 2.

[15]Po aty

[16]SabileKeçmezi-Basha, Kosova (Retrospektiva historiko-politike), 1945-1999, (monografi në dorëshkrim)

[17]SabileKeçmezi-Basha,Gruaja shqiptare në shërbim të çështjes kombëtare (fejton 5 vazhdime),”Bujku” 24-28 janar 1996

[18]Partia zbërthen planet rankoviqiste, Kosovarja e Re, nr. 1, 1982, f, 3.

[19]Po aty.

[20]Po aty.

[21]MehmetGëzhilli, Nëna Terese në sytë e botës, Tiranë 2010,ww.gazetakritika.net/literatur/nene/tereza.html; Engjëll Koliqi, www.forumishqiptar.com/threads/39475-Gonxhe-Bojaxhiu-(-Nene-Tereza)

[22]Çubriloviqi, NIN, 12.05.1985; Gazeta “Rilindja”, 15.05.1985; AliHadri, Antishqiptarizmi i Çubrilloviqit, (punim në dorëshkrim), 27.05. 1985, Dosja “AliHadri”, Instituti I Historisë, Prishtinë, f.1-2.

Please follow and like us:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube