23/04/2024

“NJERËZIT BININ PORSI MIZA”

0

Nga Fotaq Andrea

Ky titull i frikshëm, me frazeologji të fuqishme dhe tone plot tragjizëm, à la Boccaccio, buron drejtpërdrejt nga pena erudite dhe enciklopedike e Faik Konicës. Është nxjerrë nga një shkrim i tij botuar te almanaku “Kalendari i Maleve”, Bruksel, 1900, ku jepet njëfarësoj historiku i shpejtë i përhapjes së murtajës dhe të sëmundjeve të mëdha në botë e në Shqipëri gjatë të shkuarës, mbi bazën e hulumtimeve të thella që Konica bënte në do “libra të moçëm”, siç e thotë edhe vetë, duke përmendur në veçanti librin referencial Historia politica et patriarchica Costandinopoleo. Epirotica. MDCCCXLIX. Veçse, përtej tragjizmit real të pandemisë që shkaktojnë sëmundjet ngjitëse me përmasa korrëse (në parantezë, a nuk personifikohet vetë vdekja mitologjikisht me një skelet njeriu dhe kosë në dorë?), Konica nuk mungon të nxjerrë në pah dy faktorët themelorë për parandalimin dhe ndalimin e pandemisë: së pari, “Kujdesin e guvernave” (qeverive), ku domosdo nënkupton masat e rrepta në shoqëri me kufizme të mëdha në lëvizjen dhe në kontaktet e njerëzve, dhe së dyti, “Fuqinë e shkencës”, siç shprehet ai, për t’i bërë ballë rrezikut të përgjithshëm shkaktuar nga “sëmundje e tutshme”.

Shkrimi i Konicës, me vezullim perle, mjaft i ngjeshur dhe plot brum të tharmë, me stil të prerë e të shpejtë, shfaq ethshëm zezonën pandemi, tablonë e zymtë të burimit të sëmundjeve epidemike, evolucionin e tyre marramendas, me pasojën alarmante, vdekjeprurëse, të korrjes mizore të jetëve njerëzore. “Njerëzit binin porsi miza”, thotë në mënyrë tronditëse Konica. A nuk përmban kjo shprehje e lashtë, me originë nga Mesjeta e hershme, përtej idesë që njerëzit vdisnin masivisht (apo mizërisht e mizorisht, do thoshim në shqip për një konotacion edhe më të fuqishëm), vetë kuinesencën e pamundësisë më të madhe njerëzore përpara sëmundjes gjëmëmadhe, virale a bakteriale, pamundësi për t’i ardhur sadopak në ndihmë vetvetes apo tjetrit, tek sheh vdekjen me sy hapur, me mushkri të asgjësuara dhe imunitet të shterur? Palé që një pamundësi e tillë njerëzore arrin kulmin e vet kur nuk ke faktikisht kurrfarë mundësie as për t’u ndarë për herë të fundit nga njerëzit më të shtrenjtë, që shkëputen mynxyrshëm nga gjiri i familjes, të vetmuar, të braktisur mes tubave oksigjenues, tek i sheh me sytë e mendjes të ikin ashtu, aq papritur, në kohët moderne, mes asaj që do ta cilësonim në këtë rast “çnjerëzorja/njerëzorja e arsyeshme e faktit izolim” për shmangie të infeksioneve dhe rrezikut epidemik. Dhe të pikon në shpirt të mendosh që njeriu tënd më i dashur, dhe kushdoqoftë nga kapitali NJERI, i infektuar rëndë, që kërkon thjesht të marrë pakëz ajër, pakëz frymë, me mushkri të nxjerra jashtë funksionimit, ikën kësisoj i vetmuar, i braktisur, me sy të etur për dashuri jete që fatalisht i shuhet në çastin fatal.

Andaj, sot, në pandeminë mizore covid19 merr një kuptim më të veçantë, human, në shkallë të epërme, shprehja morale, shumëpërmasore e Sokratit “Njih vetveten ti vetë”, që do të thotë në rastin tonë : njeri, ndërgjegjësohu përpara rrezikut, ndërgjegjësohu për vetveten, për të tutë, për shoqërinë! Sepse koronavirusi nuk është shaka prej leshkoje, është hata! Dhe kur je i ndërgjegjësuar, shprehja e Sokratit merr një kuptim edhe me të thellë tek shpalos krejt ndjenjën e vetëdijes dhe të solidaritetit të fuqishëm njerëzor: “unë jam unë, unë jam tjetri”, që do të thotë: “jam unë që kam në dorë jetën time, jam unë që kam në dorë jetën e tjetrit”; dhe për këtë, më duhet të izolohem, më duhet të vetizolohem! Për më tepër që, në shoqërinë tonë, shprehja merr kuptim edhe më të thellë tek sheh ndoca kapadainj shqipo, me cigare në gojë – ata të tipit të “honxhobonxhove, xhuxhubocëve e xhixhillimëve” siç thotë Konica për njerëzit mendjemykur, mediokër e sharlatanë -, të gjezdisin shpërfillshëm bulevardit e rrugëve si gjeli majë çatisë mes virusit pandemik, apo më keq, si ajo fabula e dikurshme e atij këmishëzbërthyeri majë skodës karakatinë që “fluturonte” mes rrapëllimës e që thosh: “Fry moj erë në gjoks të beqarit!” Dhe kur era ia dha “zotërisë” së tij brinjë më brinjë, mes lëngatës e temperaturës së lartë nga të ftohtit që mori, ai tha: “Ç’deshe mojë erë që u more me një copë jevg!” Kuptohet morali i fabulës në këtë rast: ku era, dhe ku covid19!

Në përfundim, dhe në nderim të thellë, një heqje kapeleje për bluzat e bardha, një duartrokitje moderne masive nga ballkonet e godinave për ta dhe për tërë ata që në krye të detyrës, sfidojnë vdekjen, në emër të jetës, për t’i thënë ndal njëherë e mirë korrjes njerëzore të koronavirusit. Dhe… me sëmbim në zemër, me lot në sy, sjell sot ndër mend, tim atë, Dr. Llazi Andrea, epidemiolog, infeksionist e higjenist ushtarak që, pas 30 vjetësh pune këmbëngulëse kërkimore, studiuese e shkencore në Laboratorin e Spitalit Ushtarak, u flijua në krye të detyrës në mesin e viteve ’80, pas një infeksioni të rëndë viral, që e mbërtheu në Shishtavec të Kukësit duke luftuar me thonj për të sjellë në jetë një ushtar në lulen e rinisë me temperaturë 42°C e viruse të fuqishme.

Konica – Koleksion Follaand

FAIK KONICA

Murtaja dhe sëmundjet e mëdha në Shqipëri në kohët e kaluara

Në shkollat e mjekësisë rrëfejnë se të katër sëmundjet e mëdha që kanë korrë papushim njerëzinë nëpër brezat e vjetëve, e kanë të gjitha burimin në grykat e do lumenjve të mëdhenj e në baltërat e ndyra që i rrethojnë. Kolera ka marrë gjithmotin burim në grykë të lumit Gang, në Hindustan; tifuzi [tifoja] në grykë të Tunës; ethet e verdha në grykë të Misisipit; e murtaja në Nil e në Indokinë.

Kjo sëmundje e tutshme, mbas shumë vjetësh mungimi, filloi të shfaqej më 1899 në Skënderie, në Lisbonë dhe – e thonë me zë të ulët – në Anversë të Belgut, në Paris e në Portsmouth. Kujdesi i guvernave, i ndihmuar me fuqinë e shkencës do t’i dalë zot – na mban uzdaja – këtij rreziku të përgjithshëm, e që tash duket se sëmundja e tutshme zuri të pakësohet në atë vend ku kish rënë.

Sido në qoftë, për të plotësuar dëshirën që kanë ligjëruesit për të gjetur në një kalendar të mirë përmendje [historike] për ndodhira të vitit, u munduam dhe gjetëm në do libra të moçme vitet e rënies së murtajës në Shqipëri.

Më 1368, ra në Janinë një murtajë e madhe, e u hap deri në Berat.

Më 1374, ra murtaja në Nartë,  dhe vdiq kryezoti i vendit Pjetër Llosha.

Më 1375, murtaja goditi prapë Janinën, dhe vdiq zonja Irena, e bija e dukës së Janinës.

Më 1736, ra në Janinë një murtajë e tutshme, të cilën e pruri nga Vllahia një gunar i emëruar Zamari. Vdisnin vetëm brenda në Janinë 50 a 60, e shpesh edhe 80 veta përditë. Kjo murtajë filloi të korrë në muaj të Frorit e u mbajt deri në ditë të Shën Mitrit.

Më 1814, ushtarë shqiptarë të sulltanit, duke u kthyer nga Misiri, sollën një murtajë të madhe që ra, e rreptë e e tutshme, në Shkodër, në Ipek [Pejë], në Durrës, në Vlorë, në Janinë, dhe më tepër në Delvinë. U mbajt deri më 1819, dhe bota binin porsi miza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok