Adi Krasta: Shqipëria ia mbyll dyert, Kosova ia hap portat!

0

Nga Enver Bytyçi
Një monolog i munguar prej muajsh në Shqipëri bëri bujë përmes Kosovës. Adi Krasta i mohuar në vendlindjen e tij, ka gjetur strehë dhe ka dhënë shpresë nga një dritare tjetër, nga dritarja e TV T7 në Prishtinë. E nisi protagonizmin e tij në Agon Channel, por mizori mbylli stacionin televiziv, më qëllim që t’ia mbyll gojën Adi Krastës dhe kolegëve të tjerë të tij. Sepse bëri sherr me të. Dhe sherri me Adi Krastën i kushtoi namuzin.
“Namuzxhiu i madh”, njëkohësisht pa din e imanë, duke mbyllur TV Agon Channel, u dha shqiptarëve një faturë prej 130 milion eurosh për ta paguar. Kostoja e namuzxhiut tonë të frikshëm ishte dhunimi i fjalës së lirë me një pagesë prej 130 milionësh. Megjithatë Adi Krasta nuk u ndal. Shfrytëzoi konjukturat e përshtatjes së pronarëve televizivë me lëvizjet e mizorit në krye të piramidës shtetërore dhe nisi në News 24 Adi Shoun e famshëm me monologët e njohur tashmë.
Mizori brutal ngriti një ditë telefonin dhe urdhëroi: “Nëse nuk mbyll emisionin e Adi Krastës, do t’i shkurtoj këmbët”, i tha ai pronarit të News 24. Ky i fundit, për herë të parë në periudhën postkomunizëm, ndjeu në shpirt se nuk qenka pronari i vërtetë i biznesit dhe grupit mediatik dhe financiar që ka ngritur. Pronar i vërtetë i tëlevizionit të tij na qenka kryeministri i vendit. Dhe u detyrua t’ia ngrijë zërin një prej emrave më të fuqishëm të medias së lirë në Shqipëri. Adi Krastës iu mbyll dera e një TV shqiptar. Në Shqipëri nuk guxoi askush ta hapë këtë derë! Çelësin e kësaj dere e kishtë shtënë në dorë tashmë mizori kryeministër.
Ndërkaq ky lloj tirani nuk u mjaftua me Adi Krastën! Hartoi ligjin e censurës mediatike dhe është gati ta miratojë atë në parlamentin monist, pavarësisht reagimeve të shumta të asosacioneve të mediave dhe gazetarisë së lirë në Europë, SHBA e në vendin tonë. Unë uroj që të kalojë ai ligj në parlament! Së paku do ta ketë një impakt:- Edhe ata që mashtrohen prej tiranit tonë kryeministër do të binden se shteti shqiptar ka në drejtimin e vet një mizor, një monstër, i cili tejkalon të gjitha monstrat e mëparshme në drejtimin 107 vjeçar të shtetit shqiptar e më gjerë!
Por fatmirësisht jetojmë në epokën e internetit dhe të teknologjisë më të lartë të informacionit. Kosova i hapi portat Adi Krastës dhe duke hap portat e saj për të dha mësazhin se nga ekranet e Prishtinës mund të ushtojë zëri i lirë i shqiptarëve edhe në Tiranë. Mësimi më i madh që mori Edi Rama në këtë rast është se ligji i censurës nuk do t’i bëjë punë. As largimi i Ilir Zelës nga AKEP nuk do ia zgidhë hallin që ai ka me median e lirë. Kësisoj kryeministrit tonë mizor i mbetet të mbyllë edhe portat e medias së lirë në Kosovë, çka nuk ka asnjë shans ta arrijë.
Nëse sot Kosova ia hapi portat Adi Krastës, më qëllim që të ushtojë fjala e lirë për ato që ndodhin në Shqipëri, kjo ndodh falë faktit se Kosova është e lirë nga Serbia. Nëse Serbia do ta sundonte Prishtinën plotësisht, atëherë Edi Rama në bashkëpunim me Beogradin do ia kishte mbyllur portën e Prishtinës Adi Krastës.
Mjafton dhe për kaq që Kosova të jetë e të bëhet shtet i lirë, i pavarur, sovran i fjalës së lirë dhe integritetit të saj! Mjafton dhe për kaq që Kosovën të mos e pushtojnë dhe sundojnë mizorët tiranë si Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok