19/04/2024

Aftësimi shoqëror – emocional i fëmijëve në kopësht

0

Nga Entela Binjaku

Prej datës 9 mars 2020 sistemi arsimor shqiptar  ka ndalur së ushtruari veprimtarinë në mënyrën  tradicionale. Ka disa javë që ky sistem ka hyrë në një mjedis virtual duke lëvruar  të mësuarin nga shtëpia. Si shkak për këtë ka shërbyer pandemia prej COVID-19. Këtë formë veprimtarie të re edhe për përmasat e tij (thuajse) kombëtare, e nisi fillimisht sistemi parauniversitar. Që në dy javët e para mjaft nga aktorët e këtij sistemi u sonduan dhe mësues, prindër dhe fëmijë u shprehën edhe publikisht se si e kishin gjetur veten në këtë risi. Afro 322 mijë qytetarë (prindër, mësues, nxënës) të lidhur drejtëpërdrejtë me të mësuarin nga platformat digjitale në 9 zona të  vendit, nga fshati dhe qyteti, u shprehën në katër ditë të dy javëve të para të fillimit të mësimit. Ata  i dhanë opinionit qetësinë se janë duke ecur mirë dhe punët po ju shkojnë mbarë!

Sistemi universitar nisi më vonë të mësuarin nga interneti  dhe ende sondazh nuk kemi për të, por duke qenë të rritur,  përvoja e mëparshme digjitale u ka ardhur në ndihmë,  gjë që të bën të mendosh se ata e kanë gjetur veten më lehtë. Në shumë raste të gëzon frekuentimi më i lartë i studentëve se në orët tradicionale, por vëmendja e tyre vështirë të matet. Ky lloj mësimi është i lodhshëm dhe ndoshta edhe pabarazitë mes studentëve vijnë e rriten. Më të interesuarit vijojnë të mbesin të tillë, ndërsa largësia mes tyre dhe më pak të interesuarve duket sikur vjen e rritet.

Në të gjitha këto raste nuk duhet mohuar pamundësia e shumë prej nxënëve apo studentëve për të pasur qasje në internet, problemet me energjinë elektrike në zona të ndryshme, bashkëngjitur pamundësisë për të pasur pajisjet teknologjike të duhura apo dhe vështirësitë që sjell përdorimi  i njëkohshëm i tyre nga disa pjestarë të një famileje etj. Por nëse në këto mjedise deri diku situata njihet, me sistemin parashkollor, nuk dihet ende si po përballohet kjo periudhë. Shumë prindër shprehen se fëmijët kërkojnë shokët, të tjerë kërkojnë edukatoret, të tjerë nuk duan as të dalin nga shtëpia, por e diela e kaluar “e lirisë” tregoi se në të vërtetë fëmijët kërkojnë lojën. Lojën  bashkë me të tjerët,  në natyrë dhe të lirë nga kufizimet e metrave katrorë dhe larg monitorit. Aq e vërtetë është kjo sa mjaft të shihje se me sa vështirësi prindërit po i tërhiqnin drejt banesave kur orari i “ajrimit” përfundoi.

Duke ditur sa të pamundur e kanë fëmijët të luajnë në mjedise të kudogjendura për ta, ku hapësirat e lojrave janë mjaft të vogla,  ku monitori është i vetmi mjet, kur edhe qëndrat tregtare ku gjejnë më lehtë këndet e tyre të argëtimit tashmë janë mbyllur, kopshtet si institucione marrin një rëndësi edhe më të madhe.  Roli që ka kopshti nuk lidhet vetëm me përgatitjen e tyre për të nisur shkollën. Fëmijët në kopësht shkojnë jo thjesht për të mësuar vjersha, jo për të mësuar të numërojnë, për të mësuar shkronjat apo format gjeometrike etj. Aktiviteti kryesor i kopshtit është loja. Çdo gjë fëmijët e mësojnë përmes lojës. Në moshën nga 3 deri në 6 vjeç truri i  një fëmije që ndodhet në kopësht duhet të zhvillojë aftësitë shoqërizuese dhe kontrollin e emocioneve.  Nga mosha 3-6 vjeç që përkon pikërisht me periudhën e kopshtit, fëmija mëson aftësitë shoqërore-emocionale.

Nëse edukatoret arrijnë të kenë parësore në punën me fëmijët,  kontrollin e emocioneve dhe aftësitë shoqërizuese, ato jo vetëm kanë arritur një objektiv të rëndësishëm profesional, por u kanë dhënë fëmijëve disa lehtësira të çmuara, familjes dhe vetë shoqërisë një ndihmë të madhe.  Emocione dhe marrëdhënie individi do të ketë gjithë jetën e jo vetëm në fëmijëri.

Ka mjaft prindër që duke i mbajtur në shtëpi fëmijët jua mësojnë vetë aftësimin konjitiv: pra si të tregojnë përralla, të mësojnë poezi, këngë, të mësojnë të numërojnë, të bëjnë veprime matematikore etj., por fëmija duke qëndruar pranë prindit, e ka të vështirë të mësojë aftësitë shoqërore-emocionale.

Që të menaxhojë zemërimin,  fëmija duhet të ndjejë, ta provojë zemërimin. Që të mësojë të ketë kurajo, ai ka nevojë të ndjejë frikën. Që t´i qëndrojë pranë një njeriu të trishtuar, duhet ta dijë si është të jesh i trishtuar.  Kopshti është ai institucion që u jep fëmijëve kontekstin e plotë ku ata të jetojnë dhe të ndjejnë të gjitha emocionet dhe u mëson administrimin e tyre.

Në kopësht fëmijët mësojnë si të tolerojnë shqetësimet, të presin radhën, të presin sa shoku t´i japë lodrën dhe të jetë i përgatitur të bëjë diçka tjetër derisa shoku/shoqja t´i japë lodrën, etj.,  nëse nuk i mëson këto në moshën e duhur është e vështirë t´i mësojë ato më vonë.

Kultura jonë ka ndërtuar shkollat si institucione të edukimit. Shpesh herë shkolla vihet në qendër të vëmendjes publike dhe  kryesisht kjo ndodh për aktet e dhunës. Një rol të madh në këtë drejtim kanë mediat sociale ku edhe rastet bëhen të njohura dhe komentohen. Në shumicën e tyre vihen re se prindërit ndahen në dy kategori: disa kritikojnë mësuesit, shkollën, disa kritikojnë fëmijët që nuk kanë edukatë.  Ka shkolla në vendin tonë që kanë kuptuar se fëmijët kanë nevojë për ngrohtësi, kanë nevojë të kuptohen, të dëgjohen dhe të pyeten. Ka mësues që i japin rëndësi këtij aspekti dhe kanë nisur të studiojnë,  madje janë shfaqur të interesuar edhe për psikologjinë.

Por derisa vijnë në shkollë fëmijët duhet të dinë disa nga aftësitë bazë siç janë: mbajtja nën kontroll e emocioneve dhe zgjidhjen e konflikteve. Kur  ata bëhen pjesë e shkollave  pa  i mësuar këto aftësi,  në kapitullin e shoqërizimit do të presim probleme. Për këtë është mjaft e rëndësishme që para se tu drejtohen shkollave ata të dinë si të zgjidhin zënkat, si të përballojnë emocionet e zemërimit, të frikës, si të kenë konceptin e ndarjes me të tjerët,  të dinë si të bashkëpunojnë etj.

Kur fëmijët vijnë në shkollë duke i pasur këto aftësi me vete, në kapitullin e disiplinës ata nuk do të kenë probleme dhe shkolla do të vijojë e qetë me detyrat e saj. Aftësitë intelektuale të një fëmijë janë të rëndësishme,  por në vitin e parë të shkollës jo edhe aq. Fëmijët e kësaj grupmoshe duhet të dinë të kontrollojnë emocionet e tyre që të mund të shmangin lehtë situatat që krijohen në shkollë.

Kur fillon shkollën,  që në ditët e para fëmija përqëndrohet tek përgatitja akademike: pra mësuesit u mësojnë të rrinë në bankë, të zgjidhin detyra, të shoqërizohen gjatë pushimit, u mësojnë se në orën e mësimit nuk flitet etj.  Por paralelisht me këtë fëmijët duhet të vijnë të pajisur me disa aftësi që i kanë të mësuara në kopësht.

Ne si qënie shoqërore kemi nevojë për të tjerët. Fëmijët kanë  nevojë për marrëdhënie harmonike me të tjerët përreth. Megjithë nevojat e tyre, marrëdhëniet mes bashkëmoshatarëve nuk janë gjithmonë të tilla.  Disa prej tyre karakterizohen nga konfliktet dhe të tjera nga një përfshirje e madhe emocionale që mund të rezultojë edhe në dhunë. Ndaj edhe kur flasim për edukimin institucional, ai do të duhet të ketë nisur që në kopësht, nëse duam të presim një tjetër nivel edukimi të fëmijëve, do të duhet të rrisim nivelin e edukimit të punonjësve të këtij sistemi. E ardhmja e shoqërisë në nivel edukimi, nis me prindërit, por në kuptimin e aftësimit shoqëror- emocional  fillon pikërisht me ta.  Për këtë nevojitet më shumë kualifikim, më shumë literaturw tw zgjedhur pwr botwn e tyre, mw shumw interes pwr psikologjinw  e moshave, më shumë trajnime mbi ato që i nevojiten fëmijëve: zhvillimin e shoqërizimit dhe aftësimin emocional.

Kjo periudhë shkëputjeje nga aktiviteti i zakonshëm, prej koronavirusit ndoshta mund t´u ketë ardhur në ndihmë punonjësve të këtij sistemi për të rivlerësuar rolin e tyre dhe të institucionit ku punojnë në jetën e fëmijëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok