Ai që është gati të vdesë për Shqipërinë

Nga Faik KONICA

Ndër turinjtë më të dendur të Shqipërisë, duhet vënë re ai që është “gati të vdesë për kombin”.

U kapa me fjalë një ditë, me një njeri kësaj cipe, e ja shkurtimi i të folurit tonë:

Unë – Kur je gati për të vdekur për atdhenë, ç’pret?

Ai – S’erdhi koha.

Unë – Mos prit luftën e madhe. Që të nxehësh zemrat, që ta afrosh ditën e mirë, qite pallën, hidhu bëj një trimëri të shkëlqyer për atdhenë të çuditen bota e të çuditemi të gjithë.

Ai – S’erdhi koha.

Unë – Sille, në mos erdhi”

Ai – Pa më thua, pse s’vete të vritesh më parë ti që qenke më trim? A po s’erdhi as për ty koha?

Unë – S’erdhi, e, për mua, s’do të vijë kurrë. E sheh unë s’rrenj. S’jam trim unë. A shkrova, a thashë kurrë se do të nisem për luftë? Jo! Se nuk është puna ime. S’jam njeri i luftës. Palla ime është penda, atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë.

Ai – S’erdhi koha. Sot për sot sado trimërira të bëhen do të venë kot.

Unë – Asgjë s’vete kot. Trimëria që duket më e panevojshme, po të bëhet me mendje që t’i shërbejë atdheut, kot nuk vete. Ja një punë e mirë: Në do, ngjitu në Tour Eiffel (Kullë e Parisit) e hidhu poshtë, të thyhesh në një qind copë. Më par, shkruaj këtë biletë e vëre në taskë: “Vras vetem për të provuar se shqiptarit nuk i dhembet jeta. Për fare gjë e vrava veten. Le të kuptojë tani Evropa, me anë të gazetave, se ç’mund të bëjë shqiptari. Kur të jetë nevoja të vritet, jo për fare gjë, po për Atdhenë.”

Ai – Talle me mua.

Unë – Nuk tallem me ty. Në mos do të vrash veten, megjithëse je gati për të vdekur, çap në Shkodër, në Gjakovë, në Berat a në Gjirokastër, e, në mes të pazarit, thirr si tellalli të drejtat e Shqipërisë. Ja një punë e mirë. Ç’do t’të bëjnë më të ligë se të të vrasin, punë përë të cilën ti thua se je gati.

Ai – Fjalë, fjalë, s’erdhi koha, baba!

Unë – Në mos erdhi koha për të vdekur, djalë, erdhi një kohë tjetër: erdhi koha të ngrihesh e ta kapërcesh me vrap pragun e derës sime, se mjaft më çave kokën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube