AKSIDENTET, TMERRI I RRUGËVE TONA

0

Nga Ndue Dedaj

Aksidentet rrugore janë kthyer në një tmerr për shqiptarët. Përditë vrasje dhe përgjakje në rrugë! Duket si një fatalitet i pashmangshëm, që nuk ka polici e qeveri ta ndalë. Ka humbur shpresa se ky vend mund të jetë normal, sidomos sa i përket qarkullimit rrugor. Nuk ka ditë që nuk lajmërohen nga tre – katër aksidente, thuajse të gjitha me viktima. Bërtit sa të duash, në kupë të qiellit: “Quo Vadis Shqipëri”? Prapë nesër në luftën e rrugëve do të ketë të rënë, mjafton që dikush “çmendet” (nga alkooli, droga, deliri etj.) dhe arma e verbër e tij, makina, vret pa mëshirë kë t’i dalë përpara.  Për pesë muajt e parë të vitit 2021 numërohen 547 aksidente rrugore, një rritje drastike krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur për shkak të pandemisë shifrat ishin shumë më të ulëta. Lamë pas Covid 19 dhe hymë në “pandeminë” e përhershme të aksidenteve rrugore.

Ata që sapo u shuan ishin njerëz që shkonin në punën e tyre, në një ditë normale, si gjithë të tjerët, por që befas, krejt befas, në të dhjetën e sekondës i gjuaji “rrufeja” në mes të asfaltit, në makinën me të cilën udhëtonin, duke u marrë jetën. Sakaq ata u kthyen në viktima, numra që raportohen në media, në ministrinë e Brendshme, në Policinë e Shtetit, INSTAT dhe aq. Por, o Zot, si mund të jetë kaq e thjeshtë? Janë ndërprerë në mes jetë njerëzore, ëndrra të bukura dhe projekte për të ardhmen. Dita e ne të gjithëve është veshur në zi. Për papërgjegjshmërinë dhe mendjelehësinë e dikujt. Për fajin e një shteti të pazot që nuk iu del përzot rrugëve dhe qytetarëve të vet, të cilët i ka “numërorë” votimesh. Për një mijë faje të tjera të shoqërisë sonë mosvetëvepruese, që nuk i bën gjerat me themel.

Aksidentet kanë marrë jetë qytetarësh të zakonshëm dhe ministrash, në ditë me diell e ditë me shi, në rrugë të paasfaltuara malesh dhe në autostradë. Katër pjesëtarët e familjes Gushi nga Patosi kishin emra, ishin një baba dhe një nënë, me dy vajzat e tyre të vogla, përkatësisht: Eduarti, Silvana, Anastasia dhe Eva, më i madhi 44 vjeç, më e vogla 9 vjeçe. Vetëm tërmeti mund të godasë kaq fatalisht! Rronin në Greqi, por kishin ardhur për pushime, të shmalleshin me tokën e tyre dhe të afërmit. Humbën jetën në një nga rrugët e reja të vendit, atë Fier – Vlorë. Shqipëria vazhdon t’i vajtojë me dhimbje të madhe. Edhe ata që kishin ndërruar jetë më parë kishin emra, biografi, ëndrra, përpiqeshin ta bënin më të paqtë e më të ditur të nesërmen e shoqërisë. Dikush ishte i njohur, dikush i panjohur. Por ata ishin të gjithë të njohurit tanë, njerëzit e këtij komuniteti, me veshët ngrehur për aksidentin e radhës. Kur kalon në Milot, të del parasysh, shtrirë në rrugë, trupi i pajetë i një djaloshi, që më vonë do ta merrje vesh se ishte ai i Fitor Ollomanit nga Kukësi, me të cilin njiheshe; rreth dyzet vjeç, inspektor Arsimi, studiues i letërsisë dhe pedagog. Rruga aty mund të kishte ndonjë problem teknik, por as mbas aksidentit nuk është bërë diçka, që do të thotë se gjëma prapë mund të përsëritet. Apo, në Rubik, ku hyrja nga supërstrada në qytet bëhet në kah të kundërt!? Sa e sa “kleçka” të tilla të dukshme e të padukshme kanë rrugët tona. Shto pastaj, telefoni në vesh, shpejtësia tej normave të lejuara, mosmbajtja e distancës mes mjeteve në autostradë, gjithashtu shkak për aksidente; ku në segmentin Tiranë – Durrës ka dhjetëra “incidente” në ditë, por jo gjithnjë me dëmtime, për çka dhe mund të anashkalohen pa u raportuar. Aksidentet kanë dhe një anë tjetër, për të cilën nuk flitet kurrë, pos jetëve të humbura, traumave psikologjike, lënë pas dhe një faturë e rëndë ekonomike shumëvjeçare, pasi ka invalidë që mbetën spitaleve, KEMP-eve, një rrënim dhe nga kjo anë i njerëzve.

Nuk kemi krahasim me rajonin, veç me veten. Mangësi në infrastrukturën e rrugëve, institucionet menaxhuese të transportit, qarkullimin rrugor, rendin publik, te drejtuesit e mjeteve etj. Rruga krysore e vendit, që lidh veriun me Tiranën dhe me jugun është më së shumti me dy kalime, e arnuar gjithandej. Askush nuk mund të thotë se sa të sigurta janë mjetet që transportojnë fëmijët e shkollave (furgonat, autobusët), ku ka pasur dhe aksidente me të lënduar. Po ashtu ka raste që patentat blihen. Ka të droguar që ngasin mjetet dhe nuk ka një parashikim ligjor për ta. Adoleshentët e qyteteve vijojnë të xhirojnë gomat në sytë e policëve. Trafiku rëndohet gjatë verës nga emigrantët e kthyer për pushime, që jo rrallë i “harrojnë” frenat, ndryshe nga vendet perëndimore ku jetojnë. Kësisoj është frikë të dalësh në rrugë, ku ligjin e bën makina dhe jo kalimtari.

Katastrofën nuk po e ndalon dot Policia, me shtim të pranisë së policisë rrugore pas aksidenteve, vënie gjobash e heqje patentash. Jo të gjithë e kanë frikën e ligjit. Është një kategori individësh që lëviz lirisht me “xhama të zinj”, falë njohjeve në Polici, parave nën dorë etj. Kjo nuk do të thotë se në Policinë e Shtetit nuk ka policë e oficerë të përkushtuar, që kanë sakrifikuar dhe jetën në luftën kundër krimit. Nuk është fjala vetëm për disa heronj e disa të tjerë profesionistë të pakarruptuar, por për një trupë policore në lartësinë e detyrës nga i pari tek i fundit. Masat ligjore ka, por ato nuk zbatohen në terren. Nuk është i mjaftushëm sistemi i kamerave. Nuk ka policë pa uniformë që vëzhgojnë trafikun si në vende të tjera. Mungon një faqe online e përdorshme nga të gjithë, që të raportohen në kohë reale aksidentet, shkeljet e rënda të trafikut, që të mund të ndërhyhet në çast nga policia. Bile ndodh e kundërta, këtu dhe në Kosovë, drejtuesit e automjeteve ia bëjnë me drita shoqi-shoqit duke i njoftuar se para kanë policinë rrugore.

Reagimi qytetar ka qenë i vakët, shoqëria civile nuk ndihet. Të rinjtë e tubuar me biçikleta para ministrisë së Brendshme në protestë kundër aksidenteve janë një lajm i mirë. Por a mjafton? Kërkohet një shoqëri aktive, që nuk do të zbresë nga qielli e as nuk do ta importojmë, por do të farkëtohet këtu, nga roli që do të luajnë shkollat, familjet, bashkitë, prefekturat, shoqatat etj. Lypet një strategji kombëtare ndryshimi. Po përballemi me një situatë të jashtëzakonshme, jo vetëm të aksidenteve rrugore, por dhe të vrasjeve, krimit në familje etj., që kërkon ndërhyrje të jashtëzakonshme për t’u tejkaluar dhe hyrë në normalitet. Kështu duam ta lexojmë dhe deklaratën e Kryeministrit, të dielën 27 qershorit (kur vendi u gdhi me vrasjen e katërfishtë të Velipojës) se do të përshpejtohej ristrukturimi i Policisë së Shtetit, planifikuar për në vjeshtë. Një gjë duhet thënë hapur, asgjë nuk nis nga poshtë, nga një plazh, nga polici rrugor diku në periferi, por nga kupola e shtetit. Urojmë të ndodhë për të mirën e të gjithëve, por si mund ta besojnë ndryshimin qytetarët, kur shohin gjithandej përplasje të fortësh për “zona influence” pushteti: në Kuvend, në qeveri, në gjyqësor; në ndërtimet pa leje në bregdet, në zaptim territoresh për hidrocentrale, “arash” të hashashit nëpër male, gjer te ato “copat” e bregdetit për të vënë shezlongjet, që shkaktuan viktima.

Aksidentet rrugore nuk janë një dukuri e shkëputur, por pjesë e së tërës, e një rendi publik të pastabilizuar, si të tilla ato nuk ndalen pa u ndëshkuar korrupsioni në organet e qarkullimit rrugor, sistemin e drejtësisë, administratën publike etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok