Anita Bitri, i ati: ”Ju rrefej pengjet e mia”

Tre vjet pa Anita Bitrin. Heshtje dhe dhimbje në shtëpinë e saj në Vlorë. I ati ka lënë shtratin e spitalit për të hapur dje derën. Miqtë e afërt të familjes dhe këngëtares së njohur bëjnë vizita. Tragjedia e ndodhur në Amerikën e largët, ku u shuan Anita bashkë me vajzën e saj Sibora dhe nënën, i ka gjurmët e freskëta. Skënder Bitri, i ati i saj e shuan mallin me zërin që ia dëgjon në CD e kaseta, por edhe duke u ngjitur herë pas here tek varri i mermertë në Babicë. Dhimbja e ka bërë ish-oficerin një grusht. Sytë e tij ngjajnë me dy guva, që gjatë gjithë kohës kanë qenë të lagura nga lotët e dhimbjes. I plakur edhe nga vitet, i rrënuar nga sëmundja që kaloi, Bitri thuajse e ka humbur burrërinë në këtë ditë. Me një rënkim të shpirtit gëlltit lotët që rrokullisen njëri pas tjetrit në kurrizin e faqeve të rreshkura, dhe askush nuk e kupton se çfarë thotë nëpër dhëmbë. Asgjë e re tre vjet pas mungesës së Anitës. Për autorësinë e kësaj tragjedie nuk thuhet asgjë, ndërsa të atin e saj edhe sot e brejnë dyshimet. Në këtë ditë ka pritur që kujtimin e së bijës ta shohë edhe në një pllakë të rrugës që është caktuar të mbajë emrin e saj, por kjo nuk ka ndodhur. Nuk flet gjatë, por i kanë mbetur shumë pengje.

Si ndjeheni sot?
E ndoqëm disa herë rresht dokumentarin që i kushtohet Anitës dhe të bijës. Ndjehemi të tronditur. Na duket sikur tragjedia ka ndodhur sot e jo tre vjet më parë. Gjatë 45 minutave të këtij dokumentari kënaqemi kur e shohim Anitën të gjallë, por në mbarim të tij e kuptojmë se ajo nuk është më mes nesh. Kjo na mbulon me trishtim dhe dhimbje.
Kanë kaluar tre vjet. Ka ndonjë të re për të kuptuar atë që ndodhi në Amerikë?
Asgjë e re. Mbetet po ajo çka është thënë në qershor të dy vjetëve më parë. Drejtësia amerikane arriti në përfundimin se në këtë tragjedi nuk ka asnjë element kriminal dhe se vdekja është aksidentale. Shkaku? Bllokimi pa ndonjë qëllim i tubave të shkarkimit të monoksidit të karbonit të boljerit gjatë ndërtimit të ballkonit. Në këto rrethana ata vendosën që të mos ndiqet askush penalisht, edhe pse ne si pjesëtarë të familjes me shumë letra e telegrame kërkuam ndëshkimin e personave mbi të cilët ka dyshime për t’i penalizuar.
Ju nuk e pranoni këtë vendim të Drejtësisë amerikane?
Ne kemi dyshuar dhe vazhdojmë të dyshojmë për Petrit Salillarin, i cili e ka mashtruar Anitën se ishte specialist ndërtimesh, kur nuk kishte asnjë njohuri për këto punime. Nëse do të ishte specialist i mirëfilltë dhe dikush tjetër do t’i kryente këto punime, a do të ndodhte pasoja? Me siguri që jo. Por ne nuk kemi mundësi të bëjmë gjë që këtu. Kjo na e shton më shumë dhimbjen.
Çfarë ka ndodhur pas tre vjetësh që mungon Anita Bitri?
Këshilli bashkiak përjetësoi një rrugë me emrin e këngëtares vlonjate, por nuk është bërë mukajet për të bërë ceremoninë. Do të na gëzohej shpirti nëse do të ishte bërë në këtë ditë të zezë për ne. Por ja që nuk ndodhi kështu. Ngushëllohemi duke shkuar tek varri, duke pritur miqtë që janë të shumtë. Drejtues të Bashkisë janë shprehur se ceremonia do të organizohet në 40- vjetorin e lindjes së këngëtares, ku do të ketë edhe një eveniment artistik me emrin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube