ARBNESHËT E ZEMUNIKUT I RUAJTËN MBIEMRAT, POR JO IDENTITETIN

NGA SYLEJMAN MORINA
Kur shkruhet e flitet për arbneshët e Zarës, zakonisht mendohet për Arbanasin (Arbëneshin), ndërsa për Arbneshët e Zemunikut dhe Plloçës nuk shkruhet ose përmendën vetëm sipërfaqësisht.
Në fakt Arbneshët e Zemunikut përmenden kur është fjala për të shpërngulurit e parë që ishin vendosur në Zemunik, 14 km nga Zara. “Sipas njohurive të deritanishme grupi i parë i arbneshve të shpërngulur ishte vendosur në Zemunik. Në arkivin e Zarës ndodhet dokumenti i nënshkruar mbi dhënien e tokës, e cila iu dha 21 familjeve arbneshe në Zemunik në qershor të vitit 1726.”¹
Pesëmbëdhjetë shtëpitë e para u ishin ndërtuar, si dhe u ishte siguruar prona, pastaj kanë vazhduar edhe shpërnguljet tjera. Shpërngulja nuk ishte e rastësishme, por e organizuar, pasi që në ketë organizim ishin të përfshirë kryepeshkopi i Zarës V. Zmajeviqi dhe Republika e Venedikut. Mjerisht në ato vende të boshatisura nga shqiptarët u vendos popullatë malazeze. Arbneshët e vendosur në Zemunik ishin të paktë dhe nuk ishin të izoluar, por bashkëjetonin me popullatën vendore kroate dhe serbe. Procesi i asimilimit kishte rrjedhur shumë shpejt në këtë mes të përzier, arbneshët nuk munden t’i rezistonin këtij procesi shoqëror. Don Mijo Qurkoviqi në broshurën e tij mbi historinë e arbneshve ka përmend një fakt: ”Është e çuditshme që asnjë prej pleqve që jetonin në Arbanas rreth gjysmës së shekullit të kaluar (19) nuk mban në mend se arbanasit e Zemunikut kanë folur arbnisht” .2
Gjenerata e sotme në Zemunik, nuk e konsideron që kanë prejardhje arbneshe , edhe pse emrat e familjeve ,Paleka, Shestan, Pinçiq, Prengja, Qurkoviq vërtetojnë origjinën e tyre”3. Nga e kaluara e tyre si dëshmi kanë mbetur llagapet e familjeve të ruajtura deri më sot. Kjo dëshmon se sa herët ata e kishin humbur gjuhën e tyre. Historiani Tulio Erber, numëron edhe disa familje tjera të Zemunikut. Ata deri më 1812 i kanë takuar famullisë së Arbanasit (Arbneshit) dhe varret i kanë pasur të përbashkëta. Nga arbneshët e Zemunikut nuk kishte pasur personalitete që janë shquar për ndonjë aktivitet në ruajtjen e identitetit të tyre sikurse te arbanasit e Zarës. Ata gjuhën e kishin humbur herët , prandaj edhe interesimi i studiuesve të ndryshëm është përqendruar vetëm për arbneshët e Arbanasit.
Në Arbanas (Arbënesh ), ende jeton gjuha dhe zhvillohen aktivitete për ruajtjen e trashëgimisë së tyre kulturore. Këtu arbneshët kanë qenë më të shumtë në numër, më kompakt dhe një kohë të gjatë ishin martuar mes veti, kështu e kishin fuqizuar më të tepër lidhjen mes tyre, për këtë arsye procesi i asimilimit ishte zhvilluar më ngadalë. Arbanasi ka dhënë personalitete që kanë zhvilluar aktivitete për të mirën e etnitetit e tyre, dhe të kulturës shqiptare. Zemunikun, më 1830, e kishin pushtuar austriakët, ndërsa administrata e tyre e kishte bërë edhe regjistrimin e popullatës, pra 104 vjet pas vendosjes së arbneshve aty. “Sipas atij regjistrimi, në Zemunik jetonin 633 banorë në 119 familje, nga të cilat 393 kanë qenë katolikë, ndërsa 240 ortodoksë. ) Ndërsa Zemuniku është regjistruar origjinal italisht siç ishte në kohën e sundimit të Venedikut. Pra janë shkruar sipas origjinës italiane: Zemonico e Albanesi ose kroatisht Zemunik i albanci”3. ( Pra në këtë kohë shqiptarët i kanë dalluar nga kroatët). Ndërsa në regjistrimet e bëra më vonë arbneshët më nuk përmenden si komunitet i veçantë. Disa veçori etnike kanë humbur me herët e disa me vonë. Ne po e paraqesim një shembull. Udhëheqësi i Zhupës së Zemunikut Vincenza Basilea, e përmend një ngjarje që kishte ndodhur në mes të arbneshve, një vrasje mes familjeve arbneshe të, “Shimë Shestanit i cili e kishte vrarë Petar Qurkoviqin, kryefamiljarin e një familje të madhe. Vrasësi kishte mbajtur dënimin me burg ,20 vjet, në burgun e Gradishkes. Por familja e të vrarit Petar Qurkoviqit kishte kërkuar gjakmarrje, vdekje Shestanit gjashtëdhjetëvjeçar. Edhe pse kishin kaluar 16 vite nga dalja prej burgut kishte frikë për jetën e tij. Mirëpo pajtimi mes këtyre familjeve ishte arritur me ndërmjetësimin e priftit Basileu (1868.–1871.)4. Nga kjo kuptohet se edhe pse kishin kaluar 140 vite nga shpërngulja, larg atdheut, normat zakonore të gjakmarrjes, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit ende nuk ishin zhdukur.
Nga arbneshët e Zemunikut, megjithatë kanë dalë personalitete të shquara në lëmenj të ndryshëm, si: Senka Paleka shkrimtare, motra e saj atletja dhe basketbollistja Vanja Paleka (reprezentuese), Bernard Paleka gazetar, Ivan Prengja krye ipeshkëv i Zarës, Ivan Paleka skulptor, të cilin shkrimtari i shquar kroat Tin Ujeviq e kishte quajtur Mikelangjelo kroat, pastaj Mr. e agronomisë Nikolina Paleka, Dr. Marko Prengja, specialist i mjekësisë sportive, avokati i njohur Petar Pinçiq, delegati i FBA-s, Tonqi Paleka, agronomi i njohur Slavko Pinçiq, Mladen Paleka , lundrues dhe këngëtar shumë i mirë. Nuk duhet harruar se me origjinë nga Zemuniku është edhe familja e artistes se njohur Doris Pinqiq, Marko Pinqiqi trajner i NK “Zadar”, shkrimtari i shquar, kritiku i njohur Tomislav Bilosniq. Dy personalitete të shquara me origjinë nga Zemuniku e kanë pranuar se kanë lidhje gjaku me shqiptarët i ndjeri, Ivan Prengja dhe shkrimtari i njohur Bilosniqi. “Monsinjor Ivan Prengja, gjatë gjithë jetës kishte kontakte me shqiptar dhe Kishën katolike në trojet Shqiptare, sepse siç thoshte „Unë jam arbanas“ që do të thotë Arbëreshë.”5
Lidhja e gjakut e Bilosniqit me arbneshët është nga nëna, sigurisht edhe kontaktet me intelektualët shqiptarë, përkthimet e veprave të tija në gjuhën shqipe në Tiranë, mirëpritjet në Shqipëri e Shkup, vetëm sa i’a kanë sforcuar ndjenjën e përkatësisë arbneshe.
Zemunikun e kishte vizituar shkrimtari dhe publicisti Hajrullah Hajdari nga Ulqini më 2017. Si e ka përjetuar, vizitën në Zemunk të Zarës ai e ka përshkruar në reportazhin me arbëreshet e Zarës të botuar në “Koha Javore”, në të cilën kishte shkruar: “U larguam nga Zemuniku, disi të dëshpëruar për faktin se asimilimi i shqiptarëve këtu kishte arritur kulmin, qenia shqiptare ishte zbehur dhe përveç mbiemrave që të kujtonin prejardhjen e shqiptarëve banorëve të këtij lokaliteti, tjetër nuk u kishte mbetur”6. Por kështu ka ndodhur edhe me kolonitë tjera shqiptare në botë. Populli shqiptarë gjatë historisë i është ekspozuar asimilimit nga sunduesit e ndryshëm, ose duke u shpërngul në vende tjera edhe nga varfëria dhe atje janë asimiluar . Nga shtypja e varfëria kanë ndodhur edhe shpërnguljet të mëdha, si në Itali, Rumani Turqi, Dalmaci, Ukrainë, Bullgari, Siri, Amerikë, si dhe diaspora e re në vendet perëndimore etj. Por vijimësia e kësaj plage vazhdon edhe në shekullin 21. Shtrohet pyetja, cili do të jetë fati i shqiptarëve të shpërndarë në të gjitha kontinentet? A do të përsëriten edhe raste tjera si Zemuniku? Për të penguar asimilimin apo ngadalësuar duhet shumë veprime, të organizuara në vijimësi me projektet kulturore e arsimore me bashkëpunim me diasporën…
Shtetet tona jo te konsoliduara, jo demokratike me ekonomi katastrofale, me korrupsion aq të lartë, me elita politike të papërgjegjshme, nuk brengosen e as nuk shqetësohen për popullatën brenda shteteve tona e lëre më për diasporën. Këta duhet të angazhohen me projekte afatgjata për t`i i kthye ata që dëshirojnë, për t’i motivuar për investime, dhe për t’i tërheq investitorët e tjerë pa iu vu barriera burokratike e personale nga individët e fuqishëm politik. Këta nuk merakosen as për ikjen e trurit për të cilin ka investua aq shumë shoqëria e të cilin si produkt i gatshëm e marrin në shfrytëzim të tjerët. Këto elita mjerisht shumë dëm i kanë sjell popullit tonë në Shqipëri e Kosovë.
Nëse do të vazhdojnë trendët e këtilla të ikjes së rinisë fatkeqësisht është duke u rrezikuar edhe substanca e jonë kombëtare! Po ashtu mund të ndodh që pasardhësit e bashkëvendësve tanë të lindur në shtetet perëndimore do t’u falënderohen gjyshërive dhe baballarëve të tyre, falë të cilëve ata kanë lindur dhe jetojnë në vendet e zhvilluara demokratike, duke shpëtuar nga skamja, varfëria dhe korrupsioni me bollëk në vendet e të parëve të tyre. Ashtu siç ishte përgjigjur në një hulumtim shkencor nxënësi arbnesh i shkollës fillore “Kruno Kërstiq” nga Arbanasit i Zarës: “Është mirë t’i ruash dhe të mësosh për rrënjët tua, por megjithatë i falënderoj stërgjyshërit e mi që u shpërngulën nga Shqipëria malore në Kroacinë e bukur, që të bëjmë jetën tonë shumë të mirë dhe të këndshme”7
Literatura e shfrytëzuar:
- nkarbanasi.hr/o-arbanasima.htm
2.Qurkoviq don Mijo –Zhupnik u Diklu, Povijest arbanasa kod Zadra, Shibenik .1922 faqe 14
- http://kud-sveta-kata.hr/download/vb.pdf
3.Ante Bralić-Zemunik-za Austrijske Uprave, faqe 227
5 Revista drita . e përmuajshme fetare kulturore e kishës katolike
Janar 2010 nr.1 Prizren faqe 4.
6 Koha javore, Podgoricë, 763 ,4.05.2017 faqe 27
7 Povijesno naslijeđe i nacionalni identiteti,Zavod za školstvo Republike Hrvatske, Zagreb, 2006.faqe 113.