ATDHE, PËRGJYSMË TË KANË LËNË

0

KRISTAQ TURTULLI

Fragment poeme

 

Kryet mbështetur në re,

Më e bukura ndër shoqe je,

Po pse, pse, siç ishe mbete,

Gjysmë, përgjysmë Mëmëdhe?!

 

Në kërthizë të botës je,

Gjysmë yll, gjysmë zjarr rrufe.

Shpatullat në gjysmë hënë,

Gjysmë e përgjysmë të kanë lënë.

 

Gjysmë perde shprese.

Gjysmë perëndim e gjysmë lindje.

Gjysmë diell i brymtë, ke qenë dhe je,

Me vete çahesh, ndahesh dhe, s’di pse.

 

Qerpikët përzhitur nga luftërat i ke.

Të lënduan, copëtuar, dogjën mëmëdhe.

Me smirë e hidhësi të prenë,

Të lanë të dobët, me gjysmë krahë.

 

Në bukuri në qafë të merrje,

Nga marazi të hodhën gurë.

U ndryshuan rrjedhë krojeve.

O gjysmë engjëll me brymë!

 

Gjysmë fustanellë e lashtë,

Çitjane të verdha përgjysmë.

Gjysmë opingë me xhufkë, në flakë,

Gjysma tjetër e çjerrë, përzhiturë.

 

E magjishme ke qenë, e hijshme je,

Xhelozon e çmend dynjanë.

Pse ngjitesh dhe zbret në gjysmë shkallë,

Në godinën si patkua përgjysmë?

 

Gjysmë natë dhe gjysmë ditë.

Gjysmë ftohtë dhe gjysmë vapë.

Gjysmë borë dhe gjysmë erë.

Gjysmë mollë dhe gjysmë shegë.

 

Bën të ngjitesh në gjysmë qerpikë.

Gjysmë diell  dhe gjysmë hije.

Gjysmë meditime dhe pëshpëritje.

Gjysmë fllad dhe gjysmë shtrëngatë.

 

Gjysmë vështrime harlisin në mure,

Gjysmë ëndrra dhe gjysmë përshtypje.

Treten në gjysmë shkëndijime…

E ëmbla e bukura Shqipëria ime.

 

Gjysmë brune mëmëdhe je,

Gjysmë fytyrë zbehtë,

Gjysmë e freskët, e sy shkruarë,

Gjysmë plakë me çitjane.

 

Gjysmë zanë,  gjysmë sirenë.

Gjysmë diell, gjysmë hënë.

Gjysmë ëndërr, gjysmë hije,

As perëndim, as lindje.

 

U nise në luftë për një të tërë,

Mes rrugës ngelesh,

Pse gjysmë e përgjysmë e mbetesh?

Dhe mend s’ve kurre!

 

Në ajër ndehet një gjysmë puthje…

Na lanë në të thatë, ty atdhe dhe ne.

Më e bukura ndër shoqe je,

Por siç ishte mbete,

Gjysmë përgjysmë, Mëmëdhe?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok