Biografi e Raif Mehmetit, profesorit e veprimtarit shembullor nder dekada

0

Shkruan: Shaban Krasniqi

Profesori Raif Mehmeti u lind në fshatin Gumnishtë të komunës së Vushtrrisë më 30 tetor 1961.

Katër klasat e para të fillores i kreu në fshatin e tij të lindjes, ku në fillim kishte disa mësues të përkohshëm dhe më pastaj mësuesi i tij që i dha mësim pjesën më të madhe të kohës ishte Riza Zymberi nga fshati Sumë, e i cili gjithçka që dinte mundohej ta transmetonte tek nxënësit e tij.

Në shkollën e Skromës vazhdoi klasat tjera të fillores dhe ka kujtime nga ajo kohë. Mësuesit ishin jo dhe aq të ashpër ndaj nxenësve dhe mundoheshin t’i mësonin me ato kushte dhe kompetenca që kishin. Thuaja të gjithë ata ishin vetëm me shkollë normale dhe kompetenca e tyre ishe e kufizuar, andaj dhe nxenësit nuk mund të krahasoheshin me fëmijët moshatarë që ishin në qytete. Sidoqë të jetë, nga suksesi shembullor në fillore, vitin e parë në shkollë të mesme në Mitrovice e kaloi me sukses të shumë mirë, me disa pesa, gjë që ishte një fillim i mbarë për te. Kështu vazhdoi shkollën e mesme dhe në vitin shkollor 1979/80 diplomoi në drejtimin kimi-teknologji. Kishte shumë arsimtarë të mirë që tanimë shumë prej tyre nuk janë më në jetë, por që i kujton me respekt, për dijen që ka marrë prej tyre.

I ka ngelur në kujtesë një këshillë e profesor Lavdim Shitës, akoma i pagjetur nga lufta e fundit, që u thoshte nxenësve të tij: “ Babai i im ma ka lënë amanet që çfarë do shkolle që të kesh, mos e lërë pa e pas dhe një zanat, se të bëhet çfarë të bëhet, zanati nuk të lë pa bukë”.

Në korrik 1980 e regjistroi fakultetin filozofik, dega filozofi – sociologji dhe në prill 1981, pas shpërthimit të demostratave studentore, e ftuan në sherbim ushtarak ku nuk kishte asnjë mundësi të bënte diç tjeter pos t’i ndërpresë studimet. Shkoi ushtar në te ashtuquajturen APJ një situatë të rëndë ku disa nga shokët e tij ishin burgosur, maltretuar e keqtrajtuar; kishte dhe të vrarë. Kjo bëri që ta kishte të  vështirë jetën si ushtar. Fal zotit, kapiten të çetes kishte një oficer kroat, i cili e mori në mbrojtje dhe Raifi e kishte përkrahjen e tij për çdo gjë. Nga familja kërkoi që t’ia dërgonin librat për t’i pregatitur provimet, dhe posa i mori librat me postë, u mor në pyetje nga kapiteni i sigurimit, për t’ja shpjeguar përmbajtjen e librave që lexonte.

Më 1982 Raifi mbaroi ushtrinë dhe vazhdoi studimet në vitin e dytë, ngase kushtin e kishte fituar falë mbarimit të provimeve në afatin e nëntorit 81, kur ishte në pushim vjetor si ushtar.

I erdhi i vështirë transformimi nga jeta ushtarake në ate civile. U vendos në konvikt ku kishte tre shokë që banonin bashkë e edhe në bibliotekë lexonin bashkë. Kjo i ndihmoi që të hynte prap në rrjedha të mësimeve. Notat në fillim s’i kishte aq të larta, porse i mbaronte provimet me kohë. Kur erdhi prilli i vitit 1985, kishte vetëm dhe dy provime për t’i mbaruar studimet. Po ate vit edhe u diplomua tek Profesor Gjergj Rrapi me temën: “Koncepti sociologjik i Ferdinand Tennisit”.

Një vit kërkoi punë, por nuk gjente. Falë një vendi të ri pune që u shpall në QAMO” Muharrem Bekteshi” në Vushtrri, u punësua më 1 shtator 1986 dhe aty punoi deri më 26 prill 1992, kur dhe emigroi për në Suedi. Thot se kishte shumë nxënës të zgjuar nga të cilët dhe mund të mësoje, sepse ata lexonin shumë dhe sot janë shembull për rezultatet që kanë arritur. Nuk i përmend me emra, ngase si thot mund t’ju hyj në hak ndonjerit, por gjithësësi ështe krenar me nxënësit e tij.

Kur erdhi në Suedi, jeta si mërgimtar iu duk shumë rëndë dhe mendonte që pas 6 muajve do të kthehej sërish në Kosovë…

Priti dy vjet për leje qëndrimi, dhe ate e mori nga shkolla e parë pa asnjë refuzim! Si azilkërkues punoi në Hallstahammar me fëmijë refugjatë, dhe pasi mori qëndrimin u vendos fillimisht për disa muaj në Arboga, dhe më pastaj u shpërngul në Kalmar. Aty filloi kursin e suedishtës për të huaj, kurs të cilin e ligjëron edhe sot, dhe pastaj e filloi gjimnazin për të rritur. Kreu disa kurse, në mesin e të cilëve dhe suedishten 3 në nivel të ciklit të lartë të fillorës, suedishten  A,B në nivel gjimnazi, një kurs për kompjuterë, filozifi, religjion, psikologji, njohuri shoqërore, histori A dhe B dhe disa kurse të tjerë. Në ndërkohë ishte dhe përgjegjës i fondit të 3% për Kalmar. Bashkë me bashkëpunëtorët i tij kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe deri vonë kur u krijue fondi i veçantë për pagesn e shpenzimeve postare, i kanë paguar vetë shpenzimet e postës. Garanton me jetën e tij se asnjë krunë suedeze s’u keqpërdorë dhe çdo herë kur i ka dorëzuar të hollat në postë ka qenë vetë i dyti, asnjëherë i vetëm. Gjatë kësaj kohe punonte në shkollën “Novaskolan” dhe hapi shkollën e së shtunës për nxënës që donin të mësonin mësim shtesë të  shqipes. Kjo ide i erdhi si inspirim nga shoqata greke e këtij qyteti, që ofronin mësim të shtunave.

Viti 99, kur mbaroi lufta në Kosovë, Raifin e gjeti në Hallstahammar, ku u punësua në shkollen “Kometenskolan” dhe ku mbante mësim me klasat 1-4 të gjitha lëndet, përfshirë dhe suedishten, ndërsa në ciklin e lartë e ligjeronte vetëm gjuhën shqipe. Dy vjet punoi me fëmijë refugjatë dhe si mësues ishte i prekur thellë me përjetimet e tyre. Në çdo kohë që i kërkonin ndihmë, Raifi ishte i gatshëm të ndihmonte.

Shumë herë kishte shërbyer edhe përkthyes falas për bashkëkombasit, te mjeku, psikologu etj. Kjo bëri që të gjithë t’a nderonin si mësues. Nga viti 2001 u punësua në Nybro, pasi arsimtari i deri atëhershëm, Mr.fil Sadulla Zendeli- Daja, doli në pension. Ky i fundit kishte bërë emër me punën e tij edhe si hartues i fjalorit suedisht-shqip.

Në këtë komunë shqiptarët e parë kishin ardhur në vitet e ’60-ta dhe ishin shumë të organizuar dhe tashmë kishin krijuar një shkollë në baza kombëtare dhe kishin kontribuar shumë për luftën e Kosovës. Ata e pritën Raifin si është më së miri dhe në vitin 2001 e festuan 28 Nëntorin bashkarisht, prindër e fëmijë dhe ish arsimtari Sadulla.

Në gusht të vitit 2001 Raifi fitoi titullin – arsimtar i kualifikuar nga Enti i Lartë Shkollor i Suedisë, me vendimin e lëshuar nga Kerstin Liljegren, ndërsa në vitin shkollor 2003/2004 i filloi studimet në Shkollën e lartë për arsimtar në Malmë, ku i arriti 30 kredite. Disa nga lëndet i mbaroi me notën më të lartë, dhe kjo pa u shkëputur nga puna.

Në vitin 2006 në Departamentin e Filozofisë, te profesor Rusiek Sliwinski, në Univerzitetin e Upsalës, mori kualifikimin teorik për ta ushtruar profesionin në lënden e filozofisë në gjimnazet e Suedisë. Pjesën praktike e bëri në gjimnazin “Åkrahäll” në Nybro te profesor Thomas Lund. Gjatë kohës kur e bënte praktikën për mësimdhenie në gjimnaz, i kujtohet një rast kur një nxënës i kishte lënë një pyetje me shkrim arsimtarit suedez dhe priste përgjigjie nga ky i fundit. Arsimtari i kishte dhënë përgjigjie, por nxënësi kërkonte sqarime shtesë. Ishte fjala për sqarimin e fjalëve krizë dhe kaos. Raifi i lutet arsimtarit që ta lejonte ta bënte sqarimin shtesë. Raifi ua shpjegoi: “Në Greqinë antike kishin qenë dy vëllezer me emrat Khiro dhe Khairos, që kanë pas lidhje shumë të ngushtë në mes vete. Njëri s’ka bë pa tjetrin dhe këto fjalë kanë mbetur në kohën tonë: kriza shkakton kaos dhe kur kemi kaos, atëherë situata na del nga kontrolli. E pyeta nxenesin se a ishte i kënaqur me përgjigjie? Ma ktheu: Shumë! Këtë Raifi e kishte dëgjuar nga një ligjiruese në Universitetin e Upsalës. Në shkurt 2013 nga enti i lartë shkollor i Suedisë “Skolverket” u çertifikua si arsimtar i liçensuar edhe në gjuhën shqipe, prej parashkollorës deri në klasën e nëntë. Në seminarët për mësues që u mbajtën në gjitha trevat shqiptare, u prezentua disa herë me tema shkollore që shpeshë dhe janë vlerësuar edhe nga ekspertët vendas. Nga ata që më së shumti i kanë mbëstetur ishte Prof.Dr Besnik Rama nga universiteti i Tiranës dhe Nuhi Gashi nga ministria e arsimit e Kosovës…

Nuk mund të mos e përmendim dhe 30 vjetorin e shkollës shqipe me shumë mysafirë vendas e të huaj, ku të ftuar nderi kishin amabsadorin e atëhershëm të Shqipërisë në Stokholm, z. Shaban Murati.

Shoqata NUFF u bë shtëpia e tij e tretë, pas familjes dhe shkollës. Sa herë kishte  kohë të lirë, ate e kalonte në aktivitetet e saj. Filluan në vitin 2006 projektin e parë në shumë prej 1000 eurosh, ku e pajisen komplet një klasë të Gjimnazit “Eqrem Çabej” në Vushtrri me karrika,  banka dhe një dërrasë të zezë. Në vitin 2007 të njejtës vatër arsimore ia dhuruan 3200 euro dhe e paisen me kompjuterë e sallë të informatikës. Projekti vazhdoi dhe në vitet 2009, 2010, 2011, 2012, 2013, 2017, 2018 dhe 2021. Është bërë një punë tepër e madhe rreth  këtyre projekteve. Në vitin 2011 patën dhe një projekt të përbashkët libri me një arsimtare suedeze, me një studente të mjeksësisë me origjinë tuniziane dhe dy shqiptarë të posa diplomuar në fakultetin juridik, njeri në Suedi e tjetri në Kosovë. Parathënien e këtij libri dhe redaktimin i bëri profesor Bedri Tahiri. Promovimin e bënë në Vushtrri falë organizimit nga drejtoria për kulturë dhe punës së palodhur të ish nxënësit të Raifit, përgjegjësit të teatrit, z. Fazli Muharremit. Më 2012 bënë edhe një promovim tjetër të një libri me autorë, prof Fadil Beqiri, i cili e pat shkruar pjesën e matematikës, Mona Fazzi pjesën e poezisë,

me përkthim nga miku dhe kolegu i tij, Shaban Krasniqi,profesor, si dhe  Raifi, si autor i tretë e punoi pjesën e sociolinguistikës. Parathënien e këtij libri e shkroi publicisti Baki Ymeri, doktorant në universitetin e Bukureshtit ,ndërsa redaktimin e librit e beri Bedri Tahiri, profesor.

Profesor Fadili u nda nga jeta dy vite më pas, dhe si pasoje e kësaj humbjeje që e preku thellë në zemër, Raifi nuk krijoi gjë rreth dy vite rresht. Më 2016 ka përkthyer për herë të parë një vepër me peshë, dramën në tri akte të August Strindbergut, “Babai”, e cila pasqyron raportin familjar mes Kapitenit, gruas së tij dhe bijës së tyre Bertes. Një dramë që ka një gjuhë të jashtëzakonshme dhe që ka qenë sfida e tij më e madhe në fushën e përkthimit. Raifi thot se pa ndihmën e bashkëpuntorëve të tij ajo punë nuk do të ishte kryer si duhet, andaj dhe i falënderon shumë të gjithë! Më vonë e përktheu dhe dramen tjetër, “Zonjusha Julie” nga i njejti autor, që ishte mrekullia e dytë në fushën e përkthimeve. Një dramaturg i madh tani flet edhe shqip dhe kjo e bën Raifin si perkthyes, krenar. Sigurisht se është me interes për lexuesit të dinë se këto dy drama në gjuhën serbe janë përkthyer qysh në vitin e hershëm 1951.Të dyja këto drama janë botuar në shtëpinë botuese “Gjon Buzuku” në Prishtinë. Botuesi ka arritur që në shqip të përkthej edhe shumë nobelistë me famë botërore dhe prandaj dhe aty edhe qëndron vlera e madhe që ka kjo shtëpi botuese.

Më 2017 në shkollën e lartë “ Högskolan väst” profesor Raifi fitoi 7,5 kreditë në mësimdhënie në gjuhën amtare. Aty kishin punime, referim temash, punë në grupe. Viti 2018 ishte një vit sfide, pasi që komuna ku punoi vendosi t’i tkurrë, të mos themi t’i zhduk fare vendet e punës në gjuhët amtare. Raifi me kolegë ishin në stres e dilemë të madhe – çka tutje, çka do të ndodhë me ta? Raifin e transferuan në gjimnazin për të rritur ku edhe sot e kesaj dite punon si ligjerues i lëndes – suedishtja për të huaj. Në këtë vend të ri pune ndihet shumë mirë dhe ka nxënës nga e gjithë bota dhe edhe pse bukur mirë i njeh kulturat e tjera, ka qenë në pozitë që t’i njoh më mirë kulturën aziatike, latinoamerikane dhe ate arabe. Secila nga këto kultura ka diçka të përbashkët dhe kur ato takohen, marrin dhe i japin njëra-tjetrës. Ka qenë nder dhe privilegj për te që si i huaj që vinte prej një vendi të vogël, siç është Kosova, të punonte në mesin e arsimtarëve suedezë dhe të jetë konkurent i barabartë me ta.

Orën e mësimit gjithmonë e planifikon paraprakisht dhe sigurisht i referohet planprogramit dhe në bazë të tij edhe i përdorë tekstet mësimore të nevojshme. Ora e mësimit gjithmonë duhet të ketë një hyrje ku ke hapësirë për pyetje, detyra dhe sqarime dhe më pastaj një  zhvillim të njësisë mësimore me sqarime të duhura, të nevojshme dhe të domosdoshme dhe së fundi një rikapitullim të asaj që ke shpjeguar në formë përfundimi dhe momenti i fundit vijnë detyrat për ditën në vijim dhe sqarimi se si duhet të punohet me to. Gjithmonë u thot nxënësve se është në dispozicionin e tyre edhe pas orëve të mësimit, për çfardo që ata kanë nevojë. Ka raste që dhe në mbrëmje i kontakton për të parë se si qëndrojnë me punime e me detyra. Nxënësi gjatë vijimit të kursit duhet të jetë i suksesshëm dhe nëse ai eventualisht dështon, një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi arsimtarin. Pra arsimtari gjithmonë duhet ta bëj punën e vet dhe të jetë i aftë të sqaroj, ta zbërthej materien e lëndes në ate mënyrë që ajo të jetë jo vetëm e kuptueshme për nxënësin, por edhe e kapshme dhe t’i jap frytet e saj. Pa punë të gjithëmbarshme nuk ka rezultate, thot Raifi.

Gjuha është si një oqean që si dihet fundi dhe sa më shumë që di, aq më shumë kërkesa dalin para mësuesit. Gjithmonë iu thot nxënësve të tij se për ta kuptuar një gjë mirë në gjuhen e huaj, duhet të dish ta bësh si duhet përshtatjen dhe krahasimin në gjuhen e tyre. E vëren se ata nxënës që kanë bazë të fortë në gjuhën e tyre, ose ata nxënës që kanë një gjuhë amtare që ka në njëfarë mënyre ngjashmëri me suedishten, ia dalin më lehtë, më mirë e më shpejtë se sa të tjerët. Në kursin e gjuhës – suedishtja për të huaj, është dhe provimi nacional që përfshin: Leximin A, B, të dëgjuarit, të shkruarit dhe të folurit. Të shkruarit dhe të folurit e vlerësojnë gjithmonë dy arsimtarë dhe pastaj vendosin për notën në bazë të një lloj shablloni që kanë e që quhet “Kriteret për njohuri”. I ka ndodhur që t’i lexoj hartimet e nxënësve që janë tek arsimtarët e tjerë dhe të jap mendimin e tij. Ka vërejtur se nxënësit që e kanë gjuhë amtare gjermanishten, bie fjala, përdorin shpesh fjalë të avancuara që nuk janë në nivelin e suedishtës për të huaj. Raifi e thot arsyen pse ndodh kjo: – Ngase ka shumë fjalë që janë të ngjashme me suedishten dhe rregullat gramatikore dhe drejtshkrimore gjasojnë, nëse nxënësi e njeh mirë gjuhën e parë.

Në nderkohë që ligjironte kursin e suedishtës për të huaj, ka studiuar dhe në Line Universitet kursin suedishtja si gjuhë e dytë në mësimnxënie dhe në mësimdhënie. Ky kurs ka përfshi pjesën e kulturës, të migrimit, të religjionit, të mësimdhënies në gjuhën e dytë, pjesëne gramatikës dhe të fonetikës. Ka pasur disa profesorë si: Birgitta Waiters, Lars Hansson, Lena Holmen, Johanna Salomonnsson, Anna Lundstrëm dhe të tjerë, nga të cilët ka arritur të mësoj shumë gjëra të reja. Kur mbaroi njërin nga kurset tek profesoreshë Anna Lundström, i shkroi mes tjerash dhe ketë: “Unë në karrierën time akademike kam pasur shumë profesorë të mirë, porse ju keni qenë njëra ndër më të mirat!” Ajo u falënderua shumë dhe i tha Raifit: ”Ju dini ta bëni analizën e teksteve dhe kjo është përparsi e juaja”.

Ditën më intenzive gjatë javës e kanë ditën e mërkurë, ku paradite kanë orë mësimi deri në drekë, më pastaj pauzë dhe pasdite palnifikim për ditën vijuese. Pas mbarimit të orarit kanë mbledhje me kolegë ku si gjithmonë kryetarja e aktivit të arsimtarëve e bënë rendin e ditës dhe dikush në modelin sipas radhës e mban protokollin/proceverbalin e mbledhjes. Kjo e fundit zgjat nga ora 16.00 -17.00. Mësimdhenësit diskutojnë gjendjen aktuale të nxënësve, përparimin e tyre në mësim, çështje aktuale pedagogjike, risi nga enti shkollor, tekste mësimore, planifikimin dhe kohëzgjatjen e kurseve, këmbim prëvojash, zhvillim kompetencë dhe shumë e shumë çështje të tjera.

Një sukses tjetër që e bën krenar janë nxënësit e shkollës shqipe në Nybro. Shumë prej tyre kanë bërë karrierë akademike dhe punojnë anekënd Suedisë si inxhinierë, ekonomistë, juristë, farmacistë, socionomë, matematicientë financierë, ekspertë të informatikës, konsulentë e çka jo tjetër. Aso kohe nxënesit shqiptarë kishin të drejtë mësimi nga foshnjorja deri në gjimnaz. Ai nuk mund të lë pa i përmend dhe nxënësit e tij tashëm në gjuhën amtare, ku Raifi punon aktualisht vetëm 20%. Janë reduktuar orët e mësimit dhe nxënësit kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën amtare vetëm 7 vite, e pastaj e marrin notën përfundimtare dhe nuk vazhdojnë më. Ajo që i vë në siklet dhe nxënësit dhe ate është fakti se ora e mësimit zgjatë vetëm 40 minuta, dhe ate në një grup ku janë bashkë klasa 1-3 një orë dhe klasa 4- 7 një orë, në çdo shkollë. Por, megjithatë asnjë nxënës i tij nuk ndodh ta mbaroj klasën e parë pa e ditur alfabetin dhe po e lexuar tekstin e abetares. Ka një alfabet të shkruar me shkronja të mëdha me ngjyra kuq e zi dhe çdo orë mësimi e fillon me alfabetin dhe shqiptimin e shkronjave. Nxënësit tanë që krijojnë një theks të mirë në shqip, flasin bukur dhe në theks nuk dallohen që s’janë suedezë apo anglezë, aq bukur i shqiptojnë fjalët. Shpreson se ky shkrim dhe këto fjalë ju kanë pëlqyer juve sado pak, të nderuar lexues, dhe sugjerimet dhe  kritikat tuaja i mirëpret me dashamirësi. Ka shumçka të thot, por shpreson se ndonjëherë tjetër do të flet dhe për projektin shkollor që patën realizuar më 2018 dhe 2019, vizita në vendet e origjinës dhe në Suedi ku mysafirë kishin një arsimtare, disa nxënës dhe drejtoreshën e shkollës 9 vjeçare “Gjon Buzuku” nga Tirana. Sponzor i këtij projekti të madh shkollor ishte “Tetova Åkeri”, me pronar Resul Murselin.

– I dashur Raif, me sa jemi në dijeni ju jeni zgjedhur më heret edhe anëtar kuvendi i një komune në Suedi, apo jo?

– Falemindrit shumë që ma përkujtoni. Kjo tregon se vërtet mund lirisht të themi se jeni një gazetar hulumtues. Kam harruar të ju tregoj për kohën si anëtar kuvendi/ansambelist në komunen e Nybors, ku jam zgjedhur në dy manadate – 2006/2010 dhe 2010/2014. Kam përfaqësuar partinë social-demokrate dhe kam arritur që për 30 vjetorin e shkollës shqipe, më 2006, t’i kemi në manifestim përfaqësuesit e komunës që aso kohe udhëhiqej nga socialdemokratet dhe aty të mbajnë fjalim dhe të na përkrahin.

Gjatë mandatit të fundit kemi pasur shumë diskutime në grupe dhe ky model është i mirë dhe për komunat tona, ngase grupet ishin të përziera me parti të ndryshme dhe secili grup zgjidhte një  procesmbajtës dhe një zëdhënes i cili/e cila prezentonte vendimet e marra në diskutim për secilin grup. Një më kishte rënë të jem në grup me shefin e komunës dhe me një anëtar të partisë djathtiste ekstremiste, ” Demokratët e Suedisë”, i cili nuk mundte fare t’më shikonte, ngase mezi prisja që ai të thoshte diçka kundër të huajve. Ekstremisti mbeti tepër i rezervuar dhe nuk foli gjë.

Raifi kishte menduar përherë edhe për ish kolegët e tij të gjimnazit të Vushtrrisë, edhe kur këta të fundit punonin në shtepitë shkolla dhe mirreshin në “biseda informative” dhe rraheshin e maltretoheshin. Ajo situatë e kishte prekur shumë, andaj edhe vendosi që nga mjetet e tija të dërgonte material për gjimnazin në vlerë prej 1300 markash gjermane.

Shenim: Këtë shkrim Raifi ia dedikon motrës së tij të ndjerë, Ganimete Mehmeti Salihu, e cila para një viti, në moshë të njomë, u nda nga jeta pas një sëmundje e rëndë!

Raifi e mbyll kete interviste me fjalet – Qoftë i përjetshëm kujtimi për tëdhe për të gjithë ata që vdiqën si pasojë e pandemisë!

shtator 2021

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok