20/04/2024

Bob Dole – Monument i përjetshëm në memorien tonë historike

0

Blerim Latifi:

Ishte viti 1990. Një vit më parë Serbia me tankse kishte hequr autonominë e Kosovës të vitit 1974. Gjatë dimrit të atij viti rrugët e Kosovës ishin përgjakur nga dhjetëra shqiptarë të vrarë nga policia që ishte urdhëruar t’i shtypte me dhunë demonstratat e tyre. Mijëra e mijëra punëtorë ishin përzënë nga vendet e tyre të punës. Një helmim masiv i nxënësve në shkollat e Kosovës kishte ndodhur në ndërkohë. Sigurisht, si një ndër format e terrorizimit të shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit. Serbia në sy të republikave të tjera jugosllave dhe në sy të gjithë botës kishte vendosur sistemin e terrorit shtetëror mbi popullin shqiptar në Kosovë. Dhe askush nuk i kishte reaguar, përjashto Shqipërinë, zërin e të cilës askush nuk e dëgjonte prej kohësh, krejt për fajin e saj. Kështu një dëshpërim i madh kolektiv kishte rënë mbi ne. Nuk donim të nënshtroheshim, por kishim frikë se nuk do të kishim askënd në krahun tonë. Sa e sa herë kjo gjë na kishte ndodhur gjatë historisë.

Në gushtin e atij viti një dritë shprese ngrohu zemrat tona. Në Prishtinë kishte ardhur një delegacion senatorësh amerikanë, në krye me Bob Dolin. Vetëm ata që e kanë jetuar atë kohë, e kuptojnë gëzimin e madh të asaj dite. Ishte gëzimi i ndjenjës se nuk ishim të vetmuar e të braktisur përballë terrorit serb.Atë ditë filluam të besojmë se bota kishte filluar të merrte vesh për vuajtjen tonë. Bob Doli foli hapur në mes të Prishtinës duke denoncuar represionin shtetëror. Ne kemi jetuar gjatë me pamjen dhe fjalët e tij të asaj dite gushti të vitit 1990. Besimi ynë në Amerikën i ka rrënjët në ato fjalë. Me to fillon ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës.

Miqtë më të mëdhenj të një populli janë ata që i gjenden pranë në orët më të liga të tij. Bob Doli bën pjesë në kategorinë e miqve të tillë të Kosovës. Si i tillë ai do të mbetet monument i përjetshëm në memorien tonë historike.

__________

Kur javën e shkuar Papa shkoi për vizitë në Greqi, sapo zbriti në tokën greke ai u prit nga thirrjet e një prifti ortodoks, i cili quajti Papën heretik. Papë, ti je heretik, u dëgjua disa herë të thërriste prifti, derisa nuk u largua nga njerëzit e sigurimit.

Prej vitit 1054, kur krishterimi përfundimisht u nda në dy degë të mëdha, katolikët dhe ortodoksët e kanë akuzuar njëri tjetrin për herezi, pra për devijim nga doktrina e vërtetë kristiane. Prej asaj kohe asnjëherë nuk kanë pasur sukses përpjekjet për pajtimin e dy kishave. Ndarja doktrinore e tyre ishte shndërruar më pas edhe në ndarje territoriale dhe kufiri midis dy kishave ishte vendosur m’u në territoret e banuara me shqiptarë. Kjo bëri që shqiptarët të ndaheshin në të krishterë ortodoksë dhe krishterë katolikë. Pikërisht në atë kohë ka lindur edhe emri “shkije”, i cili është modifikim fonologjik në shqip i fjalës greke “skizma”, që do të thotë ndarje. Kisha Katolike i quante skizmatikë të gjithë ortodoksët. Më pas, si pasojë e ndryshimit semantik, në të folurën e shqiptarëve emri skizmatikë, shkije, u përdor për të shenjuar sllavët ortodoksë. Dhe këtë më se miri e tregon fakti se ky emërtim ka mbijetuar vetëm në Shqipërinë e veriut, në Kosovë dhe trevat shqiptare në Mal të Zi..

__________

Kur me 1909 u hap Normalja e Elbasanit, shkolla e parë e mesme në gjuhën shqipe, në trevat shqiptare funksiononin qindra shkolla në gjuhë të huaja. Secila prej tyre mbante shenja të këtyre gjuhëve, simbole dhe uniforma osmane, greke, sllave, e të tjera. Që ta vinin në dukje karakterin shqiptar të Normales së Elbasanit, themeluesit e saj vendosën që nxënësit e saj ta kishin të detyrueshme mbajtjen e plisit të bardhë gjatë orëve mësimore. Kjo praktikë pastaj vazhdoi deri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur u zhduk nga komunistët, andej dhe këndej kufirit.

__________

Amaneti i nanës i lëkundë edhe malet

Imanuel Kant, njëri ndër mendimtarët më të mëdhenj në historinë e njerëzimit, u lind në një familje të varfër. Babai i tij ishte analfabet dhe mezi e mbante familjen duke prodhuar shala të kuajve. Nana e Kantit kishte mësuar shkrim dhe lexim dhe kur gjente pak kohë mundohej t’i ushqente fëmijët e saj me dashurinë për shkollën. Por kushtet e vështira të jetës sollën tragjedi në familjen e tyre. Nga nëntë fëmijët e tyre, pesë djem vdiqën njëri pas tjetrit. Vetëm Imanueli dhe motrat jetuan. E shkatërruar nga mjerimi, nana e tij vdiq në moshën dyzet vjeçare, duke e lënë atë në moshën 13 vjeçare. Dëshira e saj e fundit ishte që Imanueli të vazhdonte shkollën, të bëhej i ditur, dhe ai e plotësoi vullnetin e saj duke arritë majat e filozofisë botërore. Nuk thuhet rastësisht qysh nga kohët e lashta: Amaneti i nanës i lëkundë edhe malet!

__________

Midis një populli që pëlqen përrallat e “Përputhen” e “Big Brother” dhe një populli që pëlqen përrallat për fundin e afërt apokaliptik të botës, unë do të zgjedhja të parin, padiskutim. Për një arsye: populli i parë çmon kultin e jetës e të krijimit, ndërsa i dyti kultin e vdekjes e të shkatërrimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok