Borxhin Bechettit nuk ia ka shteti shqiptar, ia ka Edi Rama!

0

Nga Panajot Soko

Një gjykatë arbitrazhi vendos të ndëshkojë një shtet, kur persona me pozicione drejtues në autoritetet e këtij vendi shkelin ligjin dhe marrin vendime në dëm të një investitori të huaj. Me ligj nënkuptohet ligji vendas, marrveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, vendimet e Gjykatave vendase apo ndërkombëtare, marrveshje/kontrata biznesi ose konçesionare të ratifikuara me VKM ose vendim parlamenti.

Pra në thelb qëndron shkelja e një akti ligjor ose nënligjor, në fuqi në Republikën e Shqipërisë nga një individ ose disa individë me pushtet.

Pra “Shkelje e ligjit”!

Në rangun e veprave penale renditet njëlloj me atë që vjedh lekët e taksave, por renditet shumë më lart se ai që lidh dritat, se s’ka lekë të paguajë muajin.

Qytetarët shqiptarë nuk i detyrohen asnjë kokërr leku Bechettit. Ata që i detyrohen lekë Bechetit janë njerëz me emra dhe mbiemra.

Vendimi i gjykatës i ka të shkruar emrat. Kush pushtetar e ka marrë vendimin e paligjshëm, kush pushtetar e ka kërcënuar zotërinë për shkak të opozicionit që televizioni i tij bënte.

Ata që kanë shkelur ligjin dhe që janë gjetur si të tillë nga vendimi i gjykatësve të Washingtonit, duhet të marrin përsipër të paguajnë gjithë shumën nga lekët e tyre personale.

Të shesin shtëpi, të shesin prona, të mbledhin lekët ku i kanë fshehur e groposur, të marrin kredi në bankë, të bëjnë çfarë të duan, ata duhet t’i paguajnë zotërisë çdo dëm që i kanë shkaktuar nëpërmjet shkeljes së ligjit që gjykata ka evidentuar. Dhe pasi të kenë paguar dëmet, të shkojnë para drejtësisë penale për t’u përgjigjur për shkeljen e ligjit.

Unë personalisht Bechettin as e njoh, as e kam parë, as e kam takuar ndonjëherë dhe normalisht s’i kam shkaktuar ndonjëherë dëm. Asnjë gjykatë s’më ka gjetur fajtor ndaj tij. S’kam asnjë detyrim ndaj tij. S’paguaj asnjë lek për të.

S’paguaj asnjë lek, se i do qejfi Edi Ramës të sillet si sherif western, apo se Erion Veliaj nuk do që një TV të flasë për dasmën e tij të bërë në një kala, si me qënë princ.

Unë jam “qytetari shqiptar”. Dhe kjo vlen për çdo qytetar.

Borxhin Bechettit nuk ia ka shteti shqiptar, ia ka Edi Rama, Erion Veliaj dhe kush tjetër është përmendur në vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok