ÇAKRRAISJA  SERBE NDAJ REKOMANDIMEVE TË KOMITETIT TË POLITIKËS SË JASHTME TË KONGRESIT AMERIKAN

Nga Adil FETAHU

Me ftesën e kongresistit Eliot Engel, kryetar i Komitetit të Kongresit Amerikan per Politikë të Jashtme, më 8 dhjetor 2020 u mbajt në Washington një konsultë dëgjimi të mendimeve dhe rekomandimeve të ekspertëve për politikë të jashtme, të cilën do duhej të ndjek administrata e re amerikane, me kryetarin e ri të zgjedhur Xhozef Bajden. Në seancën dëgjimore, përveç kryetarit të atij Komiteti, Eliot Engel dhe anëtarit Majkel Mekoll,  morën pjesë ish-sekretarja e shetit, Madeline Olbright, profesori i studimeve ndërkombëtare të Universitetit “Xhorxh Hopkins”,Daniel Server, presidenti i Qendrës për Studime Strategjike, Janush Bugajski.

Pjesëmarrësit i bënë një analizë politikës së jashtme të Administratës së presidentit Donald Trump dhe strategjisë që duhet të ndjek Administrata e re e kryesuar nga Xhozef Biden në marrëdhëniet me Bashkimin Europian dhe në zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë problemit midis Kosovës e Serbisë dhe problemit të Bosnje-Hercegovinës.

Formuluar “në vija të trasha”, rekomandimet që dolën nga ai takim mund të sublimohen në këto formulime:

  •     të shtohet dhe përforcohet angazhimi  dhe ndikimi i ShBA-ve në Ballkanin Perëndimor;
  •     të forcohet bashkëpunimi dhe koordinimi midis ShBA dhe BE-së, veçmas me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, për zgjidhjën e problemeve të vendeve të Ballkanit;
  •     t’i jepet përkrahje më e madhe zhvillimit të demokracisë, reformave, sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit;
  •     të bëhet presion mbi liderët e korruptuar, të cilët e shfrytëzojnë nacionalizmin për të mbajtur pushtetin e tyre;
  •     t’i bëhet e qartë Serbisë, se nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian pa e njohur pavarësinë e Kosovës;
  •     Madeline Olbrajt të përfshihet në procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, që po zhvillohet nën patronatin e BE-së;
  •     Bajden dhe Merkel të bëjnë presion që  pesë shtetet  anëtare të BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës;
  •     të ndikohet që Rusia dhe Kina të mos vejnë veto kundër anëtarësimit të Kosovës në KB;
  •     të neutralizohet ndikimi i Kinës dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor, veçmas në Serbi.

Reagimet ndaj rekomandimeve

Kundër kësaj “pakoje të rekomandimeve” të njohësve më të mirë të politikës së jashtme, në Sërbi janë hakërruar e çakrraisur strukturat e shtetit, të politikës, të kishës, të elitave intelektuale dhe të mediave, duke e quajtur “plan skandaloz dhe presion kundër Serbisë e popullit serb”. Dhe jo vetëm në Serbi, por edhe diplomacija ruse, duke nisur nga vet shefi i diplomacisë, Lavrov, dhe ambasadori rus në Beograd, Alesandar Bocan-Harçenko, rekomandimet e dhëna Administratës së re amerikane i quajtën presion mbi Serbinë, mbi udhëheqësinë dhe mbi politikën e saj të pavarur.

Reagimet në Serbi kundër rekomandimeve të Komitetit për Politikë të Jashtme të ShBA-ve ishin të orkestruara nga struktura të pushtetit, shoqërisë civile, kishës, qeverisë deri te kreu i shtetit.

Përveç reagimeve prompt (të menjëhershme) të televizioneve, internetit dhe gazetave ditore, duke i quajtur rekomandimet e Engelit, Olbrajtit e Serverit sipas titujve nga gazetat: “Sulm mbi Serbët dhe Serbinë”, “Plan skandaloz”, “Paralajmërim i grushtshtetit”,- analistë e komentues të ndryshëm në emisione televizve i quajtën ato presione mbi mbi Serbinë dhe udhëheqjen e saj për: njohjen e shtetit të Kosovës; për heqjen dorë nga Republika Srpska; për heqjen dorë nga lidhjet e forta me Rusinë e Kinën; nëse Vuçiqi nuk i plotëson këto, të vie në pushtet dikush që i plotëson. Vlerësime të përgjithshme në Serbi janë se Eliot Engel, në fund të mandatit të tij po përpiqet t’i jep edhe një goditje Serbisë.

Si “postë e porositur”, njëfar gorani nga Prizreni, tashmë krejtësisht i serbizuar, Orhan Dragash, drejtor i Institutit Ndërkombëtar për Siguri, në Beograd, i dërgoi një letër kryetarit të ri të zgjedhur të ShBA-ve, Xhoe Bajden, në të cilën, veç tjerash thekson se rekomandimet e Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan nuk janë të mira për politikën e ardhshme të ShBA-ve ndaj Ballkanit, veçmas ato ndaj Kosovës. Dragashi posaçërisht e kundërshton qëndrimin e Serverit dhe të Bugajskit, të cilët insistojnë jë njohjen e Kosovës nga Serbia.

Një reagim poashtu si postë e porositur vjen nga një shkrim “autorial” i një peshkopi serb, miropoliti i Zagrebit e Lublanës (Porfirije,  B=92, 16.XII) dërguar “Tanjugut” e botuar nga të gjitha mediat serbe, me titull: “Kome je u interesu da pokrene novi ratni pozar” (Në interes të kujt është nxitja e zjarrit të një lufte të re). Sipas vlerësimeve të atij kleri, që nuk janë (vetëm) të tij,  “kreatorëve profesional të konfliktit nuk iu konvenon paqja dhe përparimi i popullit serb dhe i shtetit të Serbisë, prandaj po zhvillohet fushatë e orkestruar kundër qeverisë dhe kryetarit të saj. Skenari është i njëjtjtë, producenti i njëjtë, regjia është monotone, shfaqja efektive për keqdashësit, të gjithë janë humbës, vetëm kreatorët profesioalë të konfliktit janë fitues”, përfundon shkrimi i mitropolitit.

Ministri i punëve të brendshme të Serbisë, Aleksandar Vullin, që është si një megafon i prishur i Vuçiqit, në stilin e tij të vrazhdë e të papërmbajtur, reagoi duke thënë se ”Nga Madeline Olbrajt dhe Eliot Engeli mund të priten vetëm paragjykime, urrejtje dhe gënjeshtra kur flasin për Serbinë. Ata duan të na detyrojnë të prishemi me Rusinë dhe Kinën. Engelin dhe Olbrajtin i kanë mbuluar me para përfaqësuesit politik të narko-dilerëve nga Kosova. Serbët janë popull i vogël për t’i humbur aleatët aq të mëdhenj, siç janë Rusia dhe Kina”,thotë Vulini (“Tanjug”, 8 dhjetor).

Edhe ai “ariu i Gërmeçit”, siç e quan  Çeda Jovanoviqi udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik,  thotë se “Fjalët e Daniel Serverit për Banjallukën janë paralajmërim i grushtshtetit(!) nga një armik i dëshmuar i Republikës Srpska”. Autorët e rekomandimeve për administratën e re amerikane Dodiku i quan “lobues të politikës së Muslimanëve të Bosnjës. Ndryshimi i Kushtetutës së Bosnjje-Hercegovinës mund të shkaktojë destbilizim me pasoja të paparashikueshme. Nëse Serveri dhe të tjerët mendojnë se Republika Srspka do ta heshtë suprimimin e saj, do të thotë se ata nuk kanë mësuar asgjë nga e kaluara as e shohin realisht momentin aktual. Por, ShBA-të janë fuqi e madhe dhe jam i sigurt se politikën e jashtme nuk e koncipojnë në bazë të imagjinatës së kuazi-analistëve të cilët janë lobues të politikës muslimane të BH”, thotë Dodik (“Dnevni avaz”, 8 dhjetor).

Ndaj rekomandimeve të Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, ka reaguar edhe diplomacia ruse. Ministri i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, gjatë vizitës së tij në Bosnjje-Hercegovinë dhe në Sërbi, për të satën herë përsëriti  se Rusia e mbështetë qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Ndërsa gjatë vizitës në BH, Lavrov shkaktoi incident diplomati, kur u takua vetëm me udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millord Dodik, i cili është anëtar i treshës së Kryesisë së Bosnje-Hercegovinës, ndërsa në atë takim nuk kishte shenja (flamur) të BH, por vetëm të Rusisë dhe të Republika Srpska, që do të thotë se Lavrovi atë e trajton si shtet të pavarur! Incidenti  tjetër diplomatik Dodik-Lavrov ishte edhe kur Dodiku ia dhuroi Lavrovit një ikonë, të cilën vullnetarët dhe mercenarët serbë pjesëmarrës në Luftën e Krimesë e kishin vjedhur  atje gjatë luftës.

Ndërkaq, ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me rekomandimet e Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, ka theksuar se “do të ketë edhe më shumë presione mbi Serbinë, sepse po iu pengon Serbia e pavarur. Rusia e ka agjendën e vet të marrëdhënieve me Serbinë. Ne do të hapim edhe Përfaqësinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë në Beograd dhe do të mbëshesim zhvillimin e marrëdhënieve të veçanta të Serbisë me Republika Srpska”.

Reagimi më me peshë  në Serbi ndaj rekomandimeve të përmendura vjen nga vet kryetari  i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se muajtë e ardhshëm “na presin sfida të mëdha lidhur me Kosovën, lidhur me Republika Srpska dhe lidhur me marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë. Po duan  që përmes një reforme kushtetuese t’ia marrin kompetencat Republikës Serbe, përkundër Marrëveshjes së Dejtonit. Po ta nënshkruaja njohjen e Kosovës, do ta fitoja Çmimin Nobel për Paqe dhe do të shpallesha demokrati më i madh. Por njohje të Kosovës nga Serbia nuk do të ketë sa të jem unë kryetar i Serbisë, deri në prill të vitit 2022”, ka thënë Vuçiq (B=92, 18.XII.). Ai ka shtuar se, si refleksion i atyre rekomandimeve, edhe në Raportin e Komisionit të BE-së për Kosovën, hartuar nga Viola fon Kramon, ftohen pesë shtetet anëtare të BE-së  që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ka gjasa që Madeline Olbrajt të përfshihet  si përfaqsuese e ShBA-ve në dialogun midis Kosovës e Serbisë. Ne duhet t’i kundërvihemi këtij presioni. Serbia nuk do të hyjë në NATO, sepse është shtet ushtarakisht neutral,- ka thënë Vuçiq.

Konteksti aktual

Fitorja e Xhoe Bajdenit në zgjedhjet për  president të Amerikës, e ka shqetësuar skenën politike në Beograd dhe jo vetm atje, ngase pritet ndryshim i kursit politik amerikan  në lidhje me Ballkanin. Presidenti i ri Bajden është personalitet me eksperiencë të gjatë politike e shtetërore dhe njeh  shumë mirë situatën në Ballkan, e di kush ishte agresori në luftërat e përgjakshme gjenocidale në ish-Jugoslavi. Veç kësaj, z.Bajden është shumë më i përshtatshëm dhe më i përkushtuar  për bashkëpunim me partnerët e tij Europeanë se sa që ishte Trumpi.

Njohësit e ecurive politike ndërkombëtare e kanë pasur të qartë se Europa pa Amerikën nuk mund t’i zgjidhë problemet e mëdha në Ballkan, të shkaktuara tash e dy shekuj nga  hegjemonizmi serbo-rus. Hapat që bëri presidenti Trump me “përafrimin” e Kosovës dhe Serbisë me ndonjë komponentë ekonomike-infrastrukturore  veçsa i rriti apetitet e Serbisë për të marrë përkrahjen amerikane për ambicjet e veta të dominimit dhe zgjidhjes së “çështjes serbe në Ballkan”, me bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet të përbashkët, në boshtin Beograd-Banjallukë-Podgoricë-Mitrovicë, me sigurimin e daljes në Detin Adriatik. Kjo është strategji prej së cilës Serbia nuk heq dorë, sepse e ka fituar me luftë, formimi i entitetit të quajtur Republika Srpska. Prandaj edhe insiston në forcimin dhe pavarësimin e atij entiteti,  respektivisht bashkimin e tijj me Serbinë.

Promovuesi i kësaj politike dhe strategjie, Aleksandar Vuçiqi, shpeshherë e thekson se politika e tij mbështetet në katër shtylla: në Rusinë, Kinën, ShBA-të dhe BE-në. Ai bënë lojë  jo të sinqertë kur këto katër  shtylla i përmend vetëm për kamuflimin e gjeostrategjisë  së tij politike,  ngase në realitet është i orientuar kryesisht kah Rusia, dhe e di fare mirë se këto nuk kanë interesa të njëjta e të përbashkëta, por Vuçiqi do të kapitalizojë interesat e veta nga interesat e ndryshme të fuqive të përmendura, t’i shfrytëzojë  të gjitha ato për favore ekonomike, politike dhe ushtarake. Vuçiqi e luan lojën e Titos me shtetet e painkuadruara. Por ky është dyftyrësh:  thotë se angazhohet për anëtarësim në BE dhe afrim me NATO-n, e nga ana tjetër sa herë e ka pohuar se do të heqte dorë nga anëtarësimi në BE, në qoftë se kjo kushtëzohet me “humbjen” e Kosovës, dhe se  do të mbajë neutralitet ushtarak, pra nuk do t’i bashkohet NATO-s, e nga ana tjetër ushtarakisht është i lidhur këmbë e krye me Rusinë.  Natyrisht, pretendimin  më të madh e ka ndaj të ashtuquajturës Republika Srpska, por aktualisht e mbanë nën rogoz, për shkaqe të njohura. Dhe në realitet fare nuk është i interesuar për t’u bërë pjesë e Bashkimit European, ngase ashtu do të eliminoheshin ambicjet për bashkimin e Republika Srpska me Serbinë. Prandaj, tash për tash politika e Serbisë është e përqëndruar në zbatimin e Memorandumit 2 të Akademisë së Shkencave të Serbisë, për destabilizimin e rajonit, pengimin e konsolidimit të shteteve të brishta siç janë Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, por edhe Mali i Zi. Dhe këtë e bënë përmes  rebelimit të minoritetit serb që ka në këto shtete, të cilët i mbështetë financiarisht dhe në çdo mënyrë tjetër, nën parullën e mbrojtjes së popullsisë serbe kudo që ajo jeton.

Mund të thuhet se në frymën dhe si refleksion i rekomandimeve të Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, të datës 8 dhjetor, është Rezoluta 729, dt.20 dhjetor 2020, e miratuar nga Senati Amerikan me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Dejtonit. Në atë Rezolutë Senati amerikan i bënë apel dhe e kurajon  pushtetin e Bosnje-Hercegovinës që të zbatojë reformën kushtetuese dhe të vazhdojë përpjekjet për t’u anëtarësua në BE dhe në NATO.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube