DIALOG IMAGJINAR ME GJUHËN SHQIPE

0

NGA SAMI ISLAMI

Në këtë kohë kur dialogu politik   është bërë lajtmotiv i çdo emisioni televiziv dhe i  emisioneve  të ndryshme në internet, si dialogu me Beogradin, dialogu me Brukselin, dialogu me Shtëpinë e bardhë… Dialogu, dialogu. Unë vendosa për një çast t’u shmangem këtyre dialogjeve politike, për të bërë një dialog me gjuhën shqipe! Pse jo? Edhe gjuha shqipe, sigurisht, ka telashet e saj që ka nevojë t’ia thotë dikujt. Po, nga që nuk kisha biseduar një kohë të gjatë me të, nuk e dija se nga t’ia filloja. Thashë me vete pse mos  ta pyes një herë  si është në përgjithësi dhe e pyeta:

-Si ju kam moj  zonjë e madhe?

-Nuk jam mirë!- m’u përgjigj. Shqiptarët nuk po më duan mua! Nuk po m’i përdorin fjalët e mia të bukura, të kuptueshme! Nuk po m’i përdorin shpesh as shprehjet frazeologjike të miat! Po kujtojnë se duke më injoruar mua do të bëhen më modern, më të civilizuar, më të përparuar!

-Pa hë! Për cilat fjalë dhe shprehje frazeologjike  e keni fjalën?

-Ka shumë! Bile druaj se do të mbushej një libër me fjalë e shprehje të tilla, por sa për fillim po i përmendi disa. Nuk e kuptoj se si disa intelektualë ma injorojnë fjalën shqipe duke përdorë fjalë të huaja, si fjalën “suplement” për shembull!? Ç ‘është kjo fjalë ore?

-Kjo fjalë domethënë “shtesë”, “plotësim”- i them. Me aq sa na tregojnë fjalorët   kjo është  fjalë me origjinë latine (Bratoljub Klaiq Fjalor i Madh i Fjalëve të Huaja, Zagreb, 1974, f.1259) dhe ka kuptimin “shtesë” (apo “plotësim”). Kurse këtë fjalë e shpjegon edhe Fjalori i Gjuhës Shqipe, 2006, f,992   si “shtojcë e veçuar e një gazete apo një periodiku”!

– Aha, e kuptova! Po pse ore këta shkrolaxhi, gazetarë, redaktorë, profesorë nuk e përdorin fjalën shqipe? A mos vallë po kanë turp ta përdorin  fjalën time? Apo ndoshta ata nuk po kanë dëshirë të kuptohen nga vetë shqiptarët.  Fjalën time e merr vesh edhe bariu në stan, kurse këtë të huajën, ndoshta vetëm në universitet, ose ka mundësi, që, ndoshta, as këta të mos e kuptojnë!

– Keni ndonjë shqetësim tjetër? – e provokoj.

-Po-më thotë-si jo! Një ditë në televizion e dëgjova folësin të thotë frazën  “ koncert gala”. A mos qe fjala për galat, (sorrat, ose stërqokat), që shpesh mbrëmjeve verore mbajnë “koncert” me kërrokamat e tyre?

– Keni të drejtë- i them. Fjala “gala”mund ta ketë edhe kuptimin e një zogu nëse theksi bie në rrokjen e parë “gâla”, por nëse  theksi bie në rrokjen e fundit “galá”, kjo fjalë merr kuptim tjetër. Në shembullin që e kemi në shqyrtim nuk është fjala as për galat, as sorrat, as për stërqokat!- i them.

-Po ç ‘është atëherë? Unë kështu po e kuptoj! Ma kthen e habitur gjuha shqipe!

-As kjo fjalë me këtë shqiptim, pra me theks në rrokjen e fundit, siç thamë, s’është  fjalë shqipe, e qetësoj. Kjo fjalë është me origjinë nga spanjishtja, që e ka kuptimin “solemn”, “i shkëlqyeshëm”, “i bukur”. Në shqip këtë togfjalësh të huaj do ta thoshim si “koncert solemn” “koncert madhështor”, ose “shfaqje solemne” ,”shfaqje madhështore”! Shqiptarët “me shkollë” po mendojnë se duke e nëpërkëmbur gjuhën e vet do të duken më të civilizuar!

– Më ka rënë në vesh-më thotë gjuha shqipe- por edhe e kam pa të shkruar në lokale të ndryshme mbishkrimin FAST FOOD (Fast fud). Nga na piku kjo frazë?- më pyet. Ç ’është kjo çorbë që s’po mund ta kapërdij kurrsesi ore?

-Eh, ky është një frazë ardhur nga anglishtja, që domethënë   “ushqim i gatshëm” që në përkthimin e fjalëpërfjalshëm  del si “ushqim të shpejtë”.

-Ashtu, a? E çfarë të keqe paska, pra,  nëse shqiptari thotë shqip USHQIM I GATSHËM, në vend të FAST FOOD?  Jam shumë e shqetësuar  pse po ikin shqiptarët prej meje? Unë jam gjuha  më e vjetra në Gadishullin Ballkanik, që më kanë respektuar shkrimtarët tanë të  vjetër qysh nga Gjon Buzuku,  Bogdani, Matrënga! Pastaj më lartësuan dhe më nderuan shkrimtarët Naimi, Samiu, Kristoforidhi, Gjeqovi!  Naimi madje më nderoi duke më krahasuar krahasoi si “gjuhë perëndie”! Lista e patriotëve që më kanë dashur dhe respektuar është e pafund, por le ta përmendi këtu  Aleksandër  Xhuvanin, Eqrem Çabejn, Selman Rizën e shumë e shumë të tjerë! Por në anën tjetër, si mund të jem e qetë e të mos bërtas, bile edhe të mos ulërij tani  kur shoh të  më injorojnë disa që mbahen si “modernë” e “bashkëkohorë”!

Përveç kësaj, si të mos protestoj kur shoh  më se  90% të reklamave në trevat shqiptare, sot,  janë në gjuhë të tjera, si në  anglisht, gjermanisht, frëngjisht. Çka po ndodh me mua ore?

Gjuha angleze më ka hy në çdo pore të jetës sime. Në të gjitha këto media mua po më lënë anash, kurse fjalët angleze po i qesin në vend të parë! Shumë po më vie inat besa! Bile atyre edhe  po iu bëjnë “temena”, si thotë një fjalë e vjetër, kurse fjalët dhe shprehjet  e mia shpesh po i hedhin në kosh.  Ndryshe si mund ta justifikoj përdorimin e shumë fjalëve të gjuhës angleze, si TOP TALK, TOP TALENT, TOP STORY, TOP NEWS.

-Keni të drejtë – i them. Ashtu është! Ne i kemi fjalët tona! Ne do të mund t’i  shprehim shqip shumë  thjesht në këtë rast të gjitha këto fjalë të huaja. Për TOP TALK, pse  të mos  themi  KRYEBISEDË,  për TOP NEWS,  KRYELAJM për  TOP TALENT  , KRYETALENT, për TOP STORY, KRYETREGIM, për,  etj. I kemi fjalët tona ore! Ashtu sikur që anglishtja që e paska  fjalën TOP për ndërtimin e këtyre frazave, ne kemi fjalën KRYE, si KRYEQYTET, KRYETAR, KRYEBASHKIAK, KRRYEINXHINIER, KRYEPARLAMENTAR, KRYEPLAK,  etj. etj.  Pra nuk kemi ne nevojë të përkthejmë diçka nga gjuhë të tjera, kur e kemi fjalën tonë, apo jo?

-Në një qendër televizive tonën- më thotë gjuha shqipe-një gazetar tha: “Këto janë mbathjet e fëmijëve të një populli indigjen në Kanada”! Ç’domethënë fjala “indigjen” ore? A nuk kemi fjalë shqipe për fjalën “indigjen”, a?

-Po është fjalë e huaj është -i them. E gjeta edhe në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, 2006, f.404. Shpjegimi: anas, rrënjës, vendës.

– Pse ore mos të thuhet në shqip “vendas” “rrënjës”, që të më marrin vesh të gjithë?-ma ktheu gjuha shqipe. Ose edhe nëse përdoret kjo fjalë e huaj (pasi që dikush po ka dëshirë patjetër  të përdor edhe fjalë të tilla), pse të mos ma shpjegoj edhe mua kuptimin tjetër?

-Për këto hyrje në gjuhën tonë, kush i ka fajet ?- e pyes.

-Të gjitha institucionet  që merren me gjuhën. Ato janë përgjegjëse për mua! Në gjuhën shqipe hyjnë fjalë të huaja pa asnjë kriter. Hyjnë ashtu sikur që njeriu hyn dhe del ne stacion të trenit, apo në shitore! Shqiptarët mund të krekosen sa të duan se kemi arritur shumë në gjuhë. Nuk është e vërtetë!  Edhe në gjuhë të tjera  hyjnë fjalë të huaja, por tek ato gjuhë rri dikush te dera dhe i kontrollon  para se të futen. Këta “dikush” , siç thashë,  janë institucionet e gjuhësisë  që kujdesen për to.  Edhe për mua do të duhej të kujdeseshin këto institucione. Merre me mend, vetëm mua ende nuk ma kanë mbledhur thesarin gjuhësor.  Kam mbetur me një fjalës që përfshin rreth 47.000 ose 48.000 fjalë. Çfarë po bën Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë së Tiranës dhe ai Prishtinës me vite e dekada. Krejt gjuhët e tjera, edhe këto fqinje e kanë kryer këtë punë me kohë. Le ta marrim për shembull gjuhën fqinje – maqedonishten, e cila e ka të mbledhur thesarin e vet në diku 8-9 vëllime fjalorësh, kroatishten , me 10-11 vëllime, pa të mos flasim për gjuhët e mëdha siç është anglishtja, që i ka më shumë se 16 vëllime fjalorësh!

-Mirë, t’i lëmë anash tash për tash çështjen e thesarit, a keni ndonjë shqetësim tjetër për ndikimet e gjuhëve të huaja?

-Po, kam! Më mbytën ore edhe përkthimet e huaja të fjalëpërfjalshme ose siç i quajnë ndryshe KALKE. Edhe në këtë pikë kam plot shembuj, por po i theksoj disa. Në këto vitet e fundit  shqiptarët më kanë futur përkthime me modele të huaja ( pra KALKE), nga më të ndryshmet që po më shtyjnë të vjell. Kurrë më parë nuk e kam dëgjuar shprehjen frazeologjike “Mos qofsha në këpucët tuaja!” Për çfarë këpucësh qenka fjala ore?

– Si të tjerat,  edhe ky është përkthim i një trupi anglez me rroba shqiptare!- i them.  Kjo është njësoj sikur një anglez të vishet me rroba tradicionale shqiptare! Si do të duket ai? Nga veshja shqiptar, kurse nga brenda anglez!

-Aha, kjo qenka nga gjuha angleze apo jo? -ma kthej  gjuha shqipe. Nëse është fjala kështu, atëherë i bie sikur unë të marr një mjet pune tek fqinji, duke e pasur timen aty. Ndryshimi është se fjala ime kuptohet dhe përdoret lehtë  nga të gjithë, sepse është e tabanit tim!   Këtë kuptim unë  e them “Mos qofsha në lëkurën tuaj “ (në kuptimin  “Mos e paça fatin tuaj”)!  , e jo: “Mos qofsha në këpucët tuaja”! Po më duket se edhe   porosia e kësaj fraze angleze qenka njësoj  si fraza shqipe, po anglishtja e paska me “këpuca” kurse unë me “lëkurë”.

-Më thatë se ke probleme edhe me kalke të tjera! Cilat janë ato?

– Dy nga këto kalke që po tentojnë të ma prishin sistemin gramatikor timin dhe që po më japin kokë dhembje janë   NË KURTHIN E PITER PAN dhe NË FUND TË DITËS. Pse ore këta skenaristë autorë gazetarë që gjuhën shqipe e kanë mjetin kryesor të punës po bëjnë eksperimente me mua? Ç’ është ky model shkrimi dhe shqiptimi që po tenton të m’i rrënojë themelet e mia? Ç’ është kjo tollovi përdorimi? Gjithçka bën vaki në televizionet tona! Në udhëzuesin e programit TV  shqiptar KLAN shkruan NË KURTHIN E PITER PANIT, udhëheqësja e emisionit thotë: “Mos harroni të ndiqni programin tonë: NË KURTHIN E PITER PAN”! Gjuhëtarët nuk po reagojnë, edhe pse duket qartë se diçka nuk është në rregull. E dëgjojnë për çdo ditë në televizione dhe heshtin. Çudi! Ky farë PITER PAN-i nuk po bëka t’i adaptohet rregullave  të mia gramatikore. Po sikur në vend të këtij PITER PAN-it të ishte ndonjë emër shqiptar, p.sh. po e perifrazoj disi, NË KURTHIN E AGIM! A thua do ky lloj konstrukti do tua vriste veshët  gjuhëtarëve se diçka nuk është në rregull? Sigurisht se po! E si do të duhej të ishte? NË KURTHIN E AGIMIT! Dihet se në gjuhën shqipe i kemi rasat dhe duhet t’i respektojmë! Le të themi shqip pra: NË KURTHIN E PITER PANIT!

Edhe tjetra:

Ne e kemi shprehjen tonë frazeologjike shumë bukurtingëlluese dhe kuptimplote, njëkohësisht, por po habitem pse po injorohem prej   shqiptarëve? Fjalën e kam për shprehjen frazeologjike NË FUND TË FUNDIT, që lirisht mund të zëvendësohet edhe me  TEKEFUNDIT, apo FUNDJA.  Por po habitem pse të merret një shprehje frazeologjike angleze NË FUND TË DITËS!

Kurrë në gjuhën shqipe nuk është përdorë shprehja  NË FUND TË DITËS! “Në mbarim të ditës”, po. Por kjo ka tjetër kuptim. Pra dita ka “fillim” që është mëngjesi dhe “mbarim” që është “mbrëmja”. Pra dita s’ka fund por ka mbarim! Duhet kuptuar, prandaj se “fundi” dhe “mbarimi” në kontekste të ndryshme kanë edhe kuptime të ndryshme.  Këto gjera po më shtyjnë të mendoj  se shqiptarët nuk janë patriotë sa duhet, sepse nuk po tregojnë respekt për mua. Prandaj shqiptarë, keni kujdes se filli i patriotizmit tuaj duket, në rend të parë, në respektin që  keni ndaj  meje!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok