Dita e  Pavarësisë  dhe politika e politikanët e sotëm

Nga Skënder Sadri KAPITI

Sot është 28 Nëntori Festa Kombëtare e të gjithë shqiptarëve.

Pavarësia është vepra më e lartë e kombit shqiptar, e luftëtarëve, patriotëve dhe e të gjithë atyre që sakrifikuan për kombin dhe  për shtetin shqiptar. Por duke parë se ku është sot realiteti politik, shtetëror, demokratik dhe drejtësia  dhe se sa janë realizuar ato në Shqipëri e Kosovë dhe duke i krahasuar këto me korrupsionin, papërgjegjshmërinë, me hajninë e politikës dhe të politikanëve shqiptarë prej të cilave dy shtetet shqiptare janë sot më të prapambeturat në Europë në rrugën e civilizimit, demokracisë, mirëqënies, sigurisë, progresit, të shtetndërtimit modern dhe të integrimit, atëhere pyesim se: kjo politikë me këta politikanë a kanë të drejtë që ata të duken e të bëjnë moral patriotik në Ditën e Pavarësisë?

Besoj se kjo pyetje ka brënda edhe përgjigjen e saj, atë se politikanët shqiptarë ,politika dhe pushteti janë sot më të neveritshmit te shumica e shqiptarëve. Kur pushtetarët shqiptarë, krerët me të lartë të shtetit e të politikës dalin sot në përvjetorin e Pavarësisë për ta kremtuar atë, ajo nuk u shkon atyre për t’u dukur në krye të kombit, por duhet të fshihen sepse ekspozimi, amoraliteti dhe hipokrizia e tyre vetëm sa e venit festën më të madhe të shqiptarëve.

Për çfarë duhet të dalin ata në këtë festë, për të mbuluar dhe për ta justifikuar veten e tyre para popullit si “kombëtarë e patriotë” një herë në vit?!

Apo duan të dalin për t’u dukur si “baballarë e burra shteti” sa për të mbuluar korrupsionin, mashtrimet, zullumet, tradhëtitë dhe hajnit kombëtare të tyre?!

Dita e Pavarësisë duhet të jetë protestë, pra një festëprotestë popullore kundër papërgjegjshmërisë, kundër varfërisë, papunësisë dhe kundër politikës dhe drejtësisë së korruptuar dhe të kriminalizuar, të cilat kanë viktimizuar shumicën e shqiptarëve duke i detyruar ata që të largohen nga atdheu.

Për çfarë dalin këta “kryetëparë” të kombit në Festën e Pavarësisë për t’u mburrur me atë se prej tyre shqiptarët marrin arratinë dhe largohen nga atdheu prej padrejtësive të atyre të cilët ua kanë bërë jetën shqiptarëve sketerrë, të padurueshme dhe të pamundur në Shqipëri. Dita e Pavarësisë nuk u takon pra këtyrëve, të cilët vetëm sa kanë spekulluar me sakrificat e atyre të cilët dhanë gjithçka për Pavarësinë e Shqipërisë.

Kjo festë i takon që ta festojnë  shqiptarët, Gjithë Kombi Shqiptar. Nuk i takon politikës shqiptare që ta festojë këtë festë, nuk u takon atyre që ta privatizojnë edhe këtë festë sepse prej tyre mbahet peng zhvillimi, ndërtimi dhe konsolidimi i Shtetit ligjor dhe demokratik shqiptar;prej tyre Shqipëria ka mbetur e fundit në Europë në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit për në BE.

Festa Kombetare është një festë madhështore në kujtim të ngjarjes më të madhe historike të kombit, por ajo shërben njëkohësisht edhe si një “gjyq” për ata të cilët e drejtojnë shtetin shqiptar sot, gjyq i cili i vë ata përpara përgjegjsive se a e meritojnë ata vëndin që kanë në krye të shtetit e të kombit, a janë ata me të vertetë të merituar për të qeverisur dhe si pasues dhe respektues të vërtetë të sakrificave të jashtëzakonshme të atyre prej të cilëve erdhi Pavarësia Kombëtare?!

Sot më shumë se çdo ditë tjetër opinioni gjykon se a i meriton këta, a e meritojnë shqiptarët këtë elitë politike në krye, a e meriton këtë politikë dhe pushtet që të qeveriset prej tyre. Festa shërben si kujtim e nderim për të shkuarën , por edhe si reflektim , gjykim dhe reagim për të sotmen në atë që në rastin më të afërt të zgjedhjeve kombëtare populli të gjykojë dhe të ndëshkojë të pamerituarit, të korruptuarit dhe të gjithë ata të cilët kanë interesin personal mbi ata kombëtar, për të dëbuar nga politika e pushteti të gjithë ata prej të cilëve dhe për shkak të të cilëve kërcënohet sovraniteti kombëtar.

Durrës, 28 Nëntor 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube