DOKTOR RIFAT LATIFI: ME EMËRIMIN TËND, FITON KOSOVA!

Një shënim personal

Nga Frank Shkreli

Kryeministër Kurti, ke marrë më të mirin që kemi në këto anë, këndej oqeanit. Zgjodhe dhe emërove një Ministër të Shëndetësisë për Republikën e Kosovës, njërin prej më të mirëve — jo vetëm të botës shqiptare – por edhe njërin ndër më të mirët e Amerikës dhe të botës, Dr. Rifat Latifin.

Të martën që kaloi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti njoftoi se ka emëruar Prof. Dr. Rifat Latifin, Ministër të Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.  Emërimi i tij u bë i ditur në një konferencë të përbashkët për shtyp të Kryeministrit Kurti dhe Dr. Rifat Latifit.  Zoti Kurti vlerësoi përvojën profesionale dhe arritjet akademike të Doktor Latifit – i njohur mirë për ekspertizën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe në botë – përfshir Kosovën dhe Shqipërinë.  Dr. Latifi ka punuar gjatë dekadave të kaluara në disa prej universiteteve dhe qendrave spitalore më të dalluara dhe më me zë të Amerikës, përfshir atë të fundit, Westchester Medical Center në Nju Jork.

Siç theksoi edhe Kryeministri Kurti gjatë paraqitjes së tij, Doktor Latifi, megjithse jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dekada, ai kurrë nuk u nda as nuk e harroi vendlindjen e tij – Kosovën.  Gjatë gjithë kësaj kohe Dr. Latifi ka promovuar zhvillimin e një mjedisi shëndetësor më të mirë e më të denjë për Kosovën dhe për Shqipërinë, përfshir edhe themelimin e Telemedicinës atje dhe në shumë vende të botës.  Në të vërtetë ishte rreth katër dekada më parë që e kam njohur për herë të parë Dr. Rifat Latifin. Më kujtohet sikur të ishte dje, një mjek i ri, plot entuziazëm dhe energji, pat ardur për të vizituar Zërin e Amerikës, për herë të parë. Por kishte ardhur edhe për një qëllim tjetër: dëshironte një intervistë me Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe, për të folur për një ide të re që ai kishte në mendje dhe të cilën donte t’ia njoftonte botës shqiptare dhe më gjërë: TELEMEDICINA– Telemjekësia.  Ne shikuam njëri tjetri, pasi ishte një term që nuk e kishim dëgjuar më parë, jo vetëm ne, por besoj nuk përdorej as në qarqet mjekësore të kohës – dhe filluam të qeshnim.  Po, mirë i thamë, ti shpjegoje se për çfarë e ke fjalën. Nejse, e gjithë kjo është histori tani, ne të Zërit të Amerikës ishim gabim që dyshonim në atë kohë Dr. Latifin për idenë e tij të telemedicinës dhe me kohë, ai ka provuar se kishte të drejtë.  Si rrjedhim i asaj vizite të parë, për një kohë, Dr. Latifi paraqitej rregullisht në programet e Zërit të Amerikës duke iu përgjigjur pyetjeve të dëgjuesve mbi telemedicinën dhe shëndetin, në përgjithësi. Sot, kontributi i Dr. Latifit në fushën e telemjekësisë njihet, nderohet, çmohet dhe adhurohet këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, siç vlerësohen edhe veprat shkencore të tija, të botuara gjatë viteve, e që përdoren në universitetet më të mira të mjekësisë në Amerikë dhe më gjërë.  Është autor dhe bashkautor i mbi 350 punimeve shkencore apo kapitujve të librave shkencorë, ndërsa, njëkohësisht, shërben edhe si anëtar i bordit editorial të disa revistave shkencore.

Gjatë gjithë kësaj kohe ai ka promovuar zhvillimin e një mjedisi shëndetsor më të mirë e më të denjë për Kosovën dhe për Shqipërinë, përfshir edhe themelimin e telemedicinës atje, dhe në shumë vende të botës. Doktori ynë i mirë, përveç gjithë këtij aktiviteti të madh në fushën e ekspertizës së tij, një pjesë të madhe të karierës së tij, ai ia ka kushtuar gjithashtu edhe vullnetarizmit – një dukuri kjo që fatkeqësisht nuk është aq e përhapur në shoqërinë shqiptare – por Dr. Latifi edhe në këtë fushë ka dhënë ndihmesën e tij me shembëllin e tij të ofrimit të shërbimeve mjekësore, pa pritur ndonjë përfitim financiar ose ndonjë privilegj tjetër. Edhe për këtë fushë, Dr. Latifi është i njohur ndërkombëtarisht.  Dr. Latifi është nderuar për kontributin në ngritjen e telemjekësisë në zonat rurale të SHBA-së dhe në vendet e dala nga konfliktet apo fatkeqësitë natyrore në botë, përfshir Kosovën dhe Shqipërinë.

Lista e arritjeve të Dr. Latifit është tepër e gjatë për tu përfshir në një shkrim si ky, por duhet përmendur se në kohën më kritike të pas luftës në Kosovë, Dr. Latifi dhe ekipi i tij, ndër të tjera, ngriti atje një qendër telemjekësie që përfshinte infrastrukturën teknike, një bibliotekë elektronike dhe programe të edukimit virtual. Qendra të tjera, pastaj, ai krijoi në Shqipëri dhe Afrikë, që tani quhen International Virtual E-Hospital (IVeH). Pastaj, i quajturi Sistemi Spitalor, me seli në qytetin Hope të shtetit amerikan Idaho dhe një tjetër në Brazil i është përkushtuar rindërtimit të sistemeve të kujdesit shëndetësor në zonat e thella e të varfëra të atij vendi. Dr. Latifi, si president i organizatës, ka punuar me kolegët për të zhvilluar një model të njohur si Inicimi-Build-Operim (IBOT) për të siguruar qëndrueshmërinë e programit. Sipas një njoftimi, nga www.facs.org, modeli përfshin ndërtimin dhe forcimin e burimeve të sistemit, vendosjen e pajisjeve dhe zhvillimin e mundësive të arsimit dhe trajnimit, nga të cilat kanë përfituar qindra universitete, qendra mjekësore dhe organizata shëndetsore në dhjetëra vende kanë transmetuar qindra aktivitete edukative dhe leksione përmes sistemit ndërkombëtar, IVeH.  Veprimtaria e Dr. Latifit është vlerërsuar mjaft edhe nga ente qveritare ndërkombëtare nga të cilat ka marrë edhe grante për veprimtarinë e tij, siç janë Agjencia Evropiane për Rindërtim, Departamenti Amerikan i Shtetit, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), qeveria e Sllovenisë, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndër të tjera.

Vitet e fundit, Dr. Latifi ka punuar si profesor dhe Drejtues i Departmentit të Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë së Nju Jorkut, drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Qendrën Mjekësore të zonës Westchester, Spitalin për fëmijë të “Maria Farerit” dhe spitalin rajonal të krahinës Mid-Hudson.  Ishte pikërisht në këtë spital, ku unë u shtrova, para disa muajsh, për një operacion shumë të rëndë – një operacion që falë kujdesit të jashtzakonshëm të Dr. Rifat Latifit, kirurgut tim Dr. David Spielvogel dhe ekpit më të gjërë të mjekëve dhe infermiereve që mbikqyrte miku im Dr. Latifi – operacioni im, ndonëse tepër serioz për nga natyra – kaloi mirë dhe tani disa muaj më vonë e ndjejë veten shumë mirë. Në këtë botë ka lloj-lloj heronjsh. Për mua, ekipi i Dr. Latifit në Qendrën Mjekësore Westchester janë heronjtë që bënë ndryshimin në rastin tim.  Respekti që ekipi i tij kishte për Dr. Latifin – si profesionist dhe si drejtor dhe bashkpuntor – vihej në dukje në çdo bisedë që kisha me mjekët dhe infermieret gjatë qëndrimit tim në Westechester Medical Center. Dola prej atij spitali – ku Dr. Rifat Latifi nderohej dhe respektohej aq shumë prej të gjithëve. Dola prej atij spitali, krenar për një shqiptar i arritjeve të përmasave të tilla dhe aq i respektuar nga kolegët e tij. Dola

nga spitali me ndjenjën se heronjtë i takon rëndom çdo ditë, heronjë që luftojnë për të shpëtuar jetë, që luftojnë për kauza fisnike, heronjë që krejtë, qetësisht, dhe pa zhurmë, pa rrahur gjoksin se bëra këtë e kështu – ndajnë dashurinë e tyre për njerëzimin. Se për ta, dashuria për të tjerët është, vërtetë, ajo që mjekët dhe infermierët ndajnë me botën dhe njerëzimin.

Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, Ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës,Dr. Latifi falënderoi kryeministrin Kurti për nderin e madh dhe besimin për këtë detyrë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Dr. Latifi u zotua se, bashkë me ekipin e tij, do të angazhohen që në mënyrë afatgjatë të ngrisin standardet mjekësore në Kosovë. Unë nuk kam asnjë dyshim se Ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë, Dr. Rifat Latifi, kur flet për standard ka në mend standardet amerikane, dhe se do përpiqet me gjithë qenjen e tij njerëzore dhe profesionale, të vendosë një kulturë dhe një përvojë amerikane në mjedisin shëndetsor të Kosovës, në dobi dhe për dashuri që ai ka për njerëzimin dhe për Kosovën-Dardaninë e tij të dashur, e kur të harruar, siç theksoi edhe Kryeministri Kurti. Me emërimin e Dr. Latifit në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës, Kryeministri i Kosovës tregon seriozitetin e qeverisë së tij për të emëruar në detyra kyçe të qeverisë së Republikës së Kosovës, shqiptarë që kanë bërë karierë në vendet perëndimore – në këtë rast në një mjedis, ku ka jetuar e punuar Dr. Latifi – një mjedis shumë konkurues, me më të mirët e Amerikës dhe të botës.

Kryeministër na e more më të mirin e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një ndër më të dalluarit e Amerikës – në fushën e tij profesionale të telemedicinës dhe jo vetëm. T’a bëjmë hallall që e more, Dr. Latifin, se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për njerëz të tillë. Mikut tim Dr. Latifit i uroj sukses në detyrën e tij të re. Urimet e mia edhe Kryeministrit Kurti për një emërim të shkëlqyeshëm. Uroj që ky vendim të hapë dyer të reja që Kosova dhe Shqipëria të fillojnë të konsiderojnë, më në fund dhe pa paragjykime politiko-ideologjike, emërime të tilla të shqiptarëve të dalluar në profesionet e tyre në diasporë. Shqipëria dhe Kosova, vetëm do të përfitojnë nga individë të përgatitur siç është Dr. Rifat Latifi.

Natyrisht, se për komunitetin tonë këtu në Amerikë dhe për disa shqiptaro-amerikanë si unë, që e kemi njohur Dr. Latifin për një kohë të gjatë – vërtetë, do na mungojë shumë prania e tij në takime, darka e dreka të komunitetit, ku ishte shpesh i pranishëm. Në të vërtetë, para disa javësh kur komunikova me anë të një mesazhi me Dr. Latifin, më premtoi se me të këthyer nga Kosova, do të takoheshim së shpejti, “për një gotë verë, për të celebruar jetën”, sipas fjalëve të tija, një referencë kjo siç duket ndaj përmirësimit të shëndetit tim pas operacionit në spitalin Westchester Medical Center, ku ai ishte Drejtor i Departmentit të Kirurgjisë.  Ani, i dashur Doktor Latifi, gota e verës së kuqe pret, besoj se do të kemi rast.  Kosova ka më shumë nevojë për ty, sot. Me emërimin tëndë, Kosova fiton!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube