19/04/2024

Dora te koburja

0

Nga Edison Ypi

Nuk vuaj më. Tani e kam të qartë. Si zgjidhen problemet. Si të mos më ndali zemra. Si të mos më bjerë damllaja. Tash e tutje ka ku më vete mendja, ka ku më shkon dora. Te koburja.

Koburen e mbaj gjithmonë pranë. Kudo ku jam, kudo ku vete, koburen kurrë s’e ndaj, frikë aspak nuk kam, koburen e shkrep, me kobure  ja bëj bam.

Ka ca që thonë se nuk kemi Pluralizëm nuk kemi Demokraci. Para këtij pohimi idiotesk mua mendja më mpihet, gjymtyrët më ngijnë, sytë më erren, veshët më shurdhohen. Plehrat që thonë këtë marrëzi, unë nuk lodhem t’i bind se Shqipëria e sotme nuk është si Shqipëria e kurvit, Rusia e Stalinit, Italia e Musolinit, Gjermania e Hitlerit, Kina e Mao Ce Dunit, Kuba e Fidelit. Kur dëgjoj këta ndyrësira, dora më vete te koburja. Koburen e nxjerr. Në ballë ua shkrep.

Ka të tjerë që policat i duan infermiera. Edhe me ata nuk e zgjas. Edhe me ata të njëjtën gjë bëj; Dora te koburja, gishti te këmbëza, bam në tamth.

Është një takëm të pesekutuarish që në grindjet me njëritjetrin përdorin një fjalor pa lidhje me seriozitetin, me zotnillikun, ca fjalë që ta nxjerrin mallin e vigjilencës proletare të diktaturës. Edhe për këta s’kam mëshirë. Dora te koburja, bam në zemër. Thes përtokë.

Janë ca pisa që hiqen për majtista, progresista, paguhen me euro, punojnë nëpër OJF-ra. Për këta halabakë progresi dhe ideali nuk janë asgjë tjetër përpos porosi etërish kriminelë të pa nginjur me gjak. Edhe me këta teoricinë postkurvizmi, dora te koburja, gup nën mjekërr, top në vend.

Me ata që flasin keq për dëshmorët e vërtetë të Shqipërisë, diversantat, pasi më vete dora te koburja, ua zbraz koburen mbi kokë, nga lart, që tu kujtoj aeroplanët, parashutat, dëshmorët diversanta.

Disa të tjerë që i vras me koburen time janë ca që thonë se diktaturën shqiptare e sajoi Çurçilli për interesat e veta. Këtij lloji hajvanësh koburen ua zbraz ku budallenjtë dhe frikacakët i pëshpërisin njëritjetrit idiotllëqet, rrëzë veshit.

Me ata që bëjnë gam-gam në kafene dhe nuk venë në Prokurori për të denoncuar korrupsionin, pasi dora më vete te koburja, u afrohem nga mbrapa, ua vë tytën nga pas në zverk, dhe i urdhëroj; “Nisu qenbirqeni në Prokurori, po e ktheve kokën pas, ta zbraza”.

Me hajvanët që thonë se shqiptarët po vuajnë për bukën e gojës e kam më të lehtë. Atyre u zë pusi’ kur janë duke ngrënë male mishi. Ata sapo shohin dorën time te koburja, zverdhen, ngrihen në këmbë, ngrenë duart lart si nëpër filmat shqiptarë me italianë qesharakë dhe gjermanë frikacakë. Këtyre tytën e kobures ua rras brenda gojës plot me mish, dhe aty ua zbraz.

Kur më vete dora te koburja, thaj gjymtyrë, thyej brinjë, bluaj kocka, çaj kafka, ndal zemra, plagos shpirtra, kalb mushkri, shqyej kraharorë, sëmur tru, ndez ëndërra, dhe plot gjëra të tjera të mira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok