Dr. Ibrahim Rugova dhe ndërtimi i raporteve me SHBA dhe BE

Nga Gjon Keka*

Lidershipi është njohës i identitetit, i kulturës dhe i rrënjëve të vërteta të vlerave të një kombi. Ai nuk është vetëm timonier i shtetit apo i popullit të tij; para së gjithash, ai është edhe sytë, veshët, goja, ndjenjat dhe vullneti i popullit të tij. Me anë të kësaj ai tregon se është i lidhur me popullin e tij, me vullnetin e tij, me vizionin e përbashkët për të ardhmen, për përgjegjësinë historike etj. Po ashtu, lidershipi i vërtetë nuk ecën sipas bindjeve të unit të tij dhe të atyre vetjake në rrugëtimin e në drejtimin e vendit; ai ecën sipas kërkesave të popullit, vullnetit historik të popullit dhe rrënjëve të vërteta të kombit të tij.

Kështu, edhe presidenti Rugova ishte një lider i vërtetë i popullit të Kosovës; ai ishte edhe një shërbëtor i vërtetë i kombit të tij shqiptar, duke i shërbyer atij me tërë përgjegjësinë dhe duke ndjekur rrugën e paraardhësve të kombit të tij. Mbreti i Prusisë, Friedrich der Grosse, gjatë udhëheqjes së popullit të tij shkruante: “Unë jam shërbëtori i parë i shtetit tim” . Prandaj, edhe presidenti Rugova në këtë mënyrë kishte saktësuar mendimin e përbashkët, por edhe kishte krijuar marrëdhënie mes tij dhe popullit, një marrëdhënie kjo e natyrshme në të mirë të vendit dhe ardhmërisë së popullit të tij.

Ibrahim Rugova i shërbente vendit dhe e drejtonte atë në proceset e rëndësishme, si të ngritjes ashtu edhe të njohjes së Kosovës (Dardanisë së lashtë) nga bota demokratike, por edhe të zhvillimeve dhe përparimeve të Kosovës drejt demokracisë, drejt lirisë së plotë, drejt formimit të saj shtet demokratik e juridik dhe bashkimit me familjen e lashtë evropiane, si një bashkim i natyrshëm apo rikthim në familje, për të ecur së bashku në proceset e gjithëmbarshme historike.

Gjithë procesi i lëvizjeve politiko-diplomatike të Kosovës në ndërtimin e raporteve të veçanta me bashkësinë ndërkombëtare e, posaçërisht me ShBA-në dhe BE-në, nuk mund të kuptohet pa politikën dhe lidershipin e presidentit Rugova. Gjatë asaj periudhe të vështirë për popullin shqiptar të Kosovës apo Dardanisë së lashtë, pastaj pas çlirimit të Kosovës nga skllavëria me ndihmën e ShBA-së, BE-së dhe NATO-s, si dhe procesit të njohjes së Kosovës shtet i pavarur, demokratik dhe evropian, roli i tij ishte vendimtar.

Me anë të kësaj mund të themi se presidenti Rugova u bë shërbëtor i vendit, duke marrë përgjegjësinë e lëvizjes së proceseve pozitive dhe të njohjes së çështjes së Kosovës, pastaj të paraqitjes së plotë të gjendjes së rëndë dhe represionit të vazhdueshëm serb të shkaktuar ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës. Gjatë tërë gjurmëve të proceseve politike dhe historike të popullit të Kosovës në rrugën drejt çlirimit nga prangat e skllavërisë së pushtuesit serb e deri në shtrimin e rrugës së shtetit të Kosovës drejt procesit të kthimit në familjen euroatlantike, kjo gjë tregoi qartë se Rugova ishte një lider me mision e me vështrim të qartë, me përgjegjësi të lartë, i cili mbante mbi vete fatin dhe proceset e ecjes së Kosovës drejt të ardhmes.

Po në lidhje me këtë, më duhet të nënvizoj një pjesë nga punimet mbi lidershipin dhe sfidat të studiuesit anglez Richard Bolden: “Lideri shërbëtor është shërbëtori i parë. Ai fillon me ndjenjën natyrore që dëshiron për të shërbyer, ama për të shërbyer, së pari. Pastaj vjen deri te zgjedhja e vetëdijshme për të aspiruar si lidership i vendit”.  Kështu që pikënisja e parë e një lideri fillon nga dëshira e madhe për të shërbyer me përkushtim, me përgjegjësi të lartë e me dashuri, e cila normalisht që do të reflektonte te hapat e tij të dukshme të të qenit lider shërbëtor e më pas të ngjitjes në shkallët e aspiratës të të qenit një lidership jo vetëm shërbëtor, por edhe model i vërtetë e me shumë ndjekës pas vetes.

Sigurisht që një lidership i vërtetë duhet të jetë model për të tjerët, duhet të jetë frymëzimi më i lartë për ta, duhet të jetë shërbëtori i të gjithëve e, posaçërisht shërbëtor i të vërtetës së kombit të tij dhe i drejtimit të tij në rrugën e përparimit e të ardhmërisë së mirë për brezat në vijim. Vetëm liderët që kanë vizion të pastër, pasion dhe përgjegjësi të lartë mund të arrijnë gjëra të mëdha, të bëhen ndryshimi që nis nga vetja e tyre, me anë të shpalosjes së hapave të sigurta të filozofisë së tyre dhe mendimit rrezatues, e deri te ndryshimi i vërtetë për të mirën e të ardhmes së kombit të tyre, në përgjithësi.

Populli që rri syçelë di t’i njohë edhe hapat e një lidershipi të vërtetë, por edhe ta ndjekë atë, sepse në këtë rast ai është frymëzim për ta, si dhe shenja më dalluese e kryesore që sheh populli në rrugëtimin e tij drejt të ardhmes. Populli është gjithashtu i entuziazmuar e plot me energji, nëse sheh te lideri besnik e i vërtetë rrugët e bëra me kujdes e me përgjegjësi, si dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit, duke arritur kështu një përmbushje të vullnetit të tij, të mirëqenies e të përparimit të vazhdueshëm të kombit.

Ndërkaq, në kuadër të gjithë kësaj, duhet nënvizuar se etika, kultura, identiteti, personaliteti dhe stoicizmi janë zemra e një lidershipi të shëndoshë, të vërtetë dhe që i kupton thellë ndjekësit e tij; pastaj është i lidhur ngushtë me ta, sepse, siç shkruante apostulli Pal te 1e Korintansve, 9:19, duke shpalosur hapat e tij të të shërbyerit: “… e bëra veten time shërbëtor të të gjithëve që të fitoj sa më shumë njerëz”.

Prandaj, në lidhje me këtë, si kultura edhe vlerat e lidershipit të presidentit Rugova ishin të atilla, çka reflektonin një njeri, së pari shërbëtor i popullit dhe i çështjes së Kosovës apo, më mirë të themi shërbëtor i së vërtetës dhe i së drejtës së kombit të lashtë evropian shqiptar; dhe, së dyti, një misionar e vizionar i madh i kohës sonë.

Shërbimi i lidershipit ishte një ndër qëllimet themelore të presidentit Rugova; ai këtë e kishte si thirrje historike dhe kombëtare, por edhe si një vlerë të tij të brendshme, të cilën e shpaloste gjatë rrugës së tij nga një lidership shërbëtor në një lidership transformues, frymëzues e të vërtetë.

Ibrahim Rugova ishte lidershipi me përgjegjësi të lartë; hapat e tij të kujdesshme tregonin qartë se lëvizjet e tij politike dhe ato të proceseve historike të vendit i bënte gjithnjë duke nxjerrë vendime të sigurta nga vullneti dhe nga e vërteta e popullit shqiptar evropian, si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen e brezave.

Presidenti Rugova, si një lidership shërbëtor, kishte po ashtu edhe përgjegjësi ndaj shoqërisë, ndaj nevojave të saj, me vëmendje të madhe të kushtuar në vazhdimësi. Thjesht, ai ishte një lidership shërbëtor dhe largpamës, i cili kishte vendosur që, së pari, të ndihmonte apo ta vinte në binarë çuarjen e vendit drejt lirisë, demokracisë, pavarësisë dhe bashkimit me familjen evropiane; së dyti, të lidhte aleancë të një lloji të fuqishëm historik me vendet më demokratike në botë, siç ishin ShBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore.

Shembulli i tij prej një lidershipi shërbëtor tregonte qartë se ai ishte një personalitet i jashtëzakonshëm, që arriti të nxjerrë nga rrënjët e kombit shqiptar të vërtetën dhe kulturën burimore në dritën e zhvillimeve moderne, dhe kështu t’ia bashkojë këtë pjesë jetësore e të rëndësishme familjes evropiane.

Po ashtu, Ibrahim Rugova u bë një ndër shembujt botërorë të lidershipit shërbëtor e me vizion, i cili jo vetëm do të linte gjurmë të pashlyeshme në histori, por do të bëhej edhe një nga pikat ku do t’i referohej më pas politika dhe ndjekësit e tij.

Jo rastësisht shkruante filozofi, misionari dhe mjeku i njohur gjerman Albert Schweitzer rreth çështjes kryesore të lënies gjurmë nga shembujt e të mëdhenjve: “Shembulli nuk është gjëja kryesore në ndikimin e të tjerëve, por ajo është gjëja e vetme”.

Me anë të kësaj ne mund të kuptojmë thelbin e gjurmëve, si dhe shembullin, si një nga ndikimet e vetme dhe të rëndësishme që i prek në pikën më delikate të tjerët, për të ecur sipas hapave dhe gjurmëve, duke hyrë kështu në shembullin jetësor të atyre personaliteteve të jashtëzakonshme. Kështu, krijojmë në të pikën e referimit gjatë tërë ecjes dhe rritjes së një lidershipi apo individi-personalitet në rrugën e thjeshtësisë dhe të shërbyerit të tjerëve apo kombit, në përgjithësi.

Vetëm një lider shërbëtor i shëndetshëm që dëgjon zërin-vullnetin e popullit, që ka vetëdijen e lartë shpirtërore, kulturore e kombëtare, që është i bindur e vepron në kohë, që kujdeset për rrënjët e vërteta të kombit të tij, që është largpamës e syçelë, mund ta ndërtojë së bashku me popullin e tij ardhmërinë e sigurt dhe të mirë të kombit të tij.

Një lidership shërbëtor, me një shpirt të edukuar dhe me një personalitet e identitet që vjen nga rrënjët e kombit, mund të jetë një nga dorëzanët e përmbushjes jetësore të punës së vënë mbi krahët e tij dhe të përgjegjësisë e gëzimit në arritjen e qëllimit historik dhe të dobishëm të kombit, si dhe zhvillimit të tij në të gjitha aspektet.

Presidenti Rugova ishte një lidership i tillë që, jo vetëm pasqyronte edukatën e tij shpirtërore, kulturore dhe personalitetin e tij të jashtëzakonshëm, por edhe përgjegjësinë dhe lëvizjet e rëndësishme e jetësore, të cilat ai i bëri në drejtimin e vendit kah fatit të tij historik dhe të lashtë. Pra, kthimit te rrënjët e vërteta, së pari, e pastaj edhe të shpalosjes së vullnetit të plotë të popullit të Kosovës (Dardanisë së lashtë) për liri, demokraci dhe pavarësi.

Ky ishte një nga shembujt e shkëlqyer të tij, që jo vetëm ua mbyll derën marrëzive dhe erërave orientale me ideologji helmuese të islamizmit, por edhe ndikimeve të tyre të brendshme të disa vijave ideologjike të mbetura nga periudha e errët otomane, për ta penguar këtë lëvizje historike rrënjësore në kthimin te rrënjët e vërteta të kombit shqiptar, pra kthimit te rrënjët e lashta evropiane.

Dhe, siç do të thoshte pedagogu dhe reformatori amerikan Booker T. Washington: “Nuk ka fuqi në tokë që mund të neutralizojë ndikimin e një jete plot virtyte, të thjeshtë e të dobishme”. Pra, me një fjalë, presidentit Rugova, si një lider shërbëtor u bë një nga shembujt më të shkëlqyer gjatë fundshekullit XX dhe fillimshekullit XXI, i cili la gjurmë dhe e çoi popullin e tij në anijen e qytetërimit evropian, por edhe në vendin apo në tokën e lashtë të lirisë, të demokracisë, të pavarësisë e të zhvillimeve të tjera pozitive e të gjithëmbarshme.

*[Shkëputur nga Libri: “IBRAHIM RUGOVA, LIDERSHIP I IDEALEVE TË MËDHA”, Autor Gjon Keka,SHB Botart, Tiranë,2011]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube