DY FJALË PËR “MORALISTËT” E PADHEMBSHUR…(!!!)

0

NGA ILIR ÇUMANI

Padyshim, jam kundër dhunës, jam për protesta civile paqësore dhe qytetare, jam kundër dëmtimeve të pronës publike dhe asaj private…. Por, mendoj se, zemërimi dhe indinjata popullore ka arritur kulmin dhe kupa e mbushur ka kohë që është zbrazur nga zullumet e keqqeverisjes, nga abuzimet dhe shpërdorimi me pushtetin. Këto ditë, është këputur në mes, në lulen e rinisë një jetë e pafajshme…! Krejt e pafajshme….! Nga një sjellje delikuente dhe papërgjegjshmëri e një punonjësi që përfaqëson shtetin dhe vepron në emër të shtetit. I keni parë protestat kudo në botë se çfarë ndodh me manifestuesit kur vriten njerëz të pafajshëm….!? Ç’farë mund të bëj një popull që shtypet, varfërohet, i nëpërkëmben dita ditës të drejtat elementare për të jetuar në mënyrë të dinjitetshme, që i ngushtohen të gjitha hapësirat e lirisë dhe mjetet demokratike nga rregjimet autokratike të korruptuara, për të protestuar ndaj rregjimeve represive që e vrasin shpresën dhe të ardhmen e një vendi…e, në fund të marrin edhe jetën…!? Si mundet të gjykojmë në këtë mënyrë, përpara një jete të humbur, që mund të ishte fëmija u cilido prej nesh, kur dalin disa “moralista” të pa dhembsur e shpirtkatranë, ca sahanlëpirës e përfitues të këtij pushteti korruptiv, kinse duke na përcjell përmes ekraneve apo në rrjete sociale “shqetësimin” dhe “merakun” e tyre të madh se u dogj në pemë e vitit te ri, apo se janë thyer ca xhama,  ca sende që patjetër zëvendësohen dhe rikuperohen, por nuk flasin për jetën e shuar të një djali të ri, vrasja e të  cilit i ka hapur plagë të mëdha familjes, nënës, babait, motrës, vëllait, të afërmëve dhe mbarë shoqërisë… !? Pse dreqin na mungon ky solidariteti dhe ky nerv i reagimit qyetar, i cili na katandisi në këtë gjendje ku ndodhemi… !? A ka pak shpresë që edhe ne shqiptarët të bëhemi si gjithë qytetarët e tjerë evropianë, të mund të reagojmë njëzëri, të lartësojmë ndërgjegjen dhe vetëdijen tonë kolektive për të rritur kërkesën e llogaridhënies të atyre që na keqqeverisin me mendësinë e një të shkuare totalitare, nepotike dhe autokratike….!? Mendoj se po…(!!!) Mirëpo kjo është në dorën e gjithësejcilit prej nesh. E kemi vetveten në dorë për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga reminishencat e së shkuarës dhe nga ajo që rëndomë njihet si sindroma e Stocholmit – nga sadomazokizmi patologjik…(kjo sindromë është kënaqësia për ti shkaktuar tjetrit mundime e vuajtje ekstreme, por njëkohësisht nga ana tjetër, të njëjtë individë, ndiejnë kënaqësinë për tu viktimizuar nga viktimizuesit e tyre permanent, pra, prej sundimtarëve autokratë që mbajnë peng jetët tona….) Kjo është i trishtë dhe të çon në një situatë pa krye e të pashpresë…. Sot, një NJERI mungon në mes tonë…. Një krijesë engjëllore KREJT e pafajshme e Zotit, sot është në QIELL….!  Një NËNË e plagosur thellë në shpirt dhe një BABA i mjerë, ofshama e të cilëve ka angështuar brengën dhe makthin tonë kolektiv, kanë nisur vajtimin e pafund, me destinacion deri sa ata të kenë frymën e fundit. MËKATARËT – NEKROFIL, me aureolën e PUSHTETIT POLITIK, sillen vërdallë si HIJENA ndër nesh. Ata janë të dukshëm dhe të padukshëm, shfaqen dhe zhduken si mirazh, por, si do që të jenë, janë gjithmonë në pritje të gjahut të radhës…. Ata, i kanë marrë peng jetët tona, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, të atyre që sapo kanë lindur në pelena, por, edhe të atyre që ende s’kanë lindur. Tashmë, ata e kanë krijuar DINASTINË e përjetshme të sundimit përmes pushtetit korruptiv që ushqehet në mënyrë kapilare nga dejet e mjerimit masiv që ka pllakosur vendin. Ky mjerim ka vrarë ëndrrën dhe shpresën tonë për ringjallje…. Ndaj, ti, NJERIU i pashpresë, edhe ti indiferent kronik, edhe ti militant i pafytyrë e sahanlëpirës partiak, ti dallkauk servil dhe i paaftë, ti parazit dhe brejtës pushteti i strukur në kthinat dhe skutat e errëta të administratës së kapur nga krimi dhe korrupsioni, ti “sindikalist” i rremë, edhe ti “aktivist” i klonuar i Shoqërisë Civile i blerë me paratë e pista të pushtetit në këmbim të heshtjes, edhe ti moralizues medial i kapur dhe i blerë për hiç mos gjë nga politika, që si gjinkallat e verës na shurdhon studiove televizive në të gjitha stinët e mërzitshme të vitit, edhe ti egoist mizantrop, dhe ti individualist anemik, cilido qofsh TI, zgjohu dhe dil nga guaska ku vegjeton MJERIMIN tënd human dhe REAGO, PROTESTO, flaki tej “prangat” e pengut dhe bëj LUTJEN tënde të dëgjohet me gjithë fuqinë e shpirtit: ZOT, vendos DREJTËSI!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok