Njëri nga Trieshi  e   tjetri nga Koja, gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë aty ku është nevoja

Nga Gjekë Gjonaj

Bamirësia  sot nevojitet më shumë se kurrë.  Pse?  Sepse   jetojmë në kohën e tranzicionit, e cila për fat të keq ka zvetënuar, për të mos thënë ka zhdukur shumë vlera të shoqërisë tradicionale  shqiptare, me të cilat kombi ynë ishte i njohur   përtej kufijve gjatë gjithë historisë së tij të trishtë.   Edhe pse   në ditët e sotme , në pjesën më të madhe,  mungojnë ndjenjat e dikurshme  të mirësisë, solidaritetit, bujarisë, altruizmit, mëshirës , filantropisë  e humanizmit , ka mjaft malësorë ( shqiptarë)  në vendlindje dhe në mërgim të cilët  promovojnë  dashurinë ndaj njerëzimit.  Në mesin e  këtyre malësorëve  ( shqiptarëve)     që zemrën e kanë të madhe    janë  Mark Gjolaj, me origjinë nga Trieshi, i cili u lind dhe jeton në Tuz  dhe  Pjetër-Pero Kolçaj nga Koja, që  jeton në lagjen  Omerbozhaj, afër Tuzit.  Të dy janë sipërmarrës, afaristë,  të cilët që në fillimet  e sukseseve të  punës së tyre janë udhëhequr  nga  postullatet:  “ bëje për tjetrin atë që do të doje të bënin  të tjerët për ty”, “ sillu me tjetrin ashtu siç do të doje ti të silleshin me ty”, apo “duaje tjetrin si veten tënde”.  Edhe njëri edhe tjetri janë të njohur në Malësi  si  njerëz humanitarë , që kanë dhënë ndihma në ditët më të vështira , kundrejt atyre që u ofruan gjithçka  vetëm e vetëm  që t’i shohin të  lumtura e të buzëqeshura fytyrat  e tyre. Ata nuk marrin, përkundrazi japin. Nuk flasin, përkundrazi bëjnë  vepra të mira.

Pjetër – Pero Kolçaj është  një biznesmen dhe humanist i njohur. Ai para më shumë se tri dekadash krijoi  dhe drejtoi  Kompaninë “ Ave Maria Kolçeviq”. Viteve të fundit  hapi firmën e ndërtimit  “ Koja – Company” dhe disa biznese tjera më të vogla. Jashtë punës së tij profesionale Kolçaj   ka qenë gjithmonë pranë  njerëzve  në nevojë, bashkëvendësve të  vet, për t’i ndihmuar ata  në rast nevoje. Një pjesë të pasurisë së tij e ndau për t’ua dhuruar atyre njerëzve që kanë më së shumti  nevojë. Ndihmoi  dhjetëra familje  kryesisht nga Malësia, fëmijë jetimë, të sëmurit me sëmundje të rënda dhe ata që jetojnë në kushte ekstreme të jetesës.  Ndërtoi, riparoi dhe mobiloi  disa  shtëpi , madje dhuroi edhe dy banesa.  Përveç këtyre  ka  kontribuar me të holla , material ndërtimor e fuqi punëtore falas  në ndërtimin  dhe meremetimin e rrugëve lokale ,  pastaj të objekteve  fetare ( kisha, xhami dhe Funeralin “ Malësia”) .Kay kontribuar edhe në institucione shëndetësore në Tuz dhe Podgoricë, institucione arsimore në Malësi  dhe në ngritjen e përmendoreve ( shtatoreve). Gjithashtu ka mbështetur financiarisht  manifestime  kulturore dhe sportive.  Zemrën e tij  fisnike e dëshmoi edhe   gjatë  mbylljes së  plotë  të qytetarëve të Malësisë  brenda mureve të shtëpisë  për tri javë për shkak të  infektimit të  15 personave  nga kjo trevë me virusin e panjohur më parë  C0vid-19 .    Kolçaj,   përveçse ishte ditë dhe natë në shërbim të të  gjithë qytetarëve të Komunës së Tuzit, në kohën e karantinës,  dhuroi     sasi të mëdha produktesh blegtorale organike nga ferma e tij.

Edhe Mark Gjolaj, pronar i firmës “ Art  Ceramic” nuk po kursen asgjë, për të qenë pjesë aktive e bamirësisë, duke  dëshmuar gjithnjë e kudo   fisnikërinë, humanizmin dhe solidaritetin  si stil jete dhe veprimi. Përveç si biznesmen i gjeneratës së re  njihet si një njeri që  ka mbështetur  aktivitete të shumta humanitare në Malësi, në shumë sfera të jetës, në projekte  të infrastrukturës në vendlindje, në objekte banimi   dhe në aktivitete të shumta fetare, kulturore e arsimore.   Ka ndihmuar familje të varfra, fëmijë jetimë e tjerë.  Po ashtu u vu në aksion për t’i ndihmuar bashkëqytetarët e vet  për çdo nevojë që kishin në ato ditë të vështira  të karantinës. Të gjitha ndihmat i bën me vullnet sepse është i vetëdijshëm se të ndihmosh dikë është sevap, sidomos të varfrit  dhe ato familje që kanë nevojë, e që për fat të keq  në  shoqërinë e sotme ka mjaft. Çdo herë reflekton bujari, besnikëri,  përpikshmëri  dhe përkushtim në veprim, duke qenë  nxitës dhe motivues për gjeneratën e re.  Marku është një shëmbëlltyrë e një brezi të ri  të një malësori të denjë dhe fisnik që  do të mbetet   për shumë  kohë  frymëzues për brezat  që do të vijnë.

Këta  biznesmenë vullnetarë e  bamirës,  të lindur dhe të rritur  në familje  të ndershme  fshatare , tradicionale shqiptare,  po përpiqen të ndihmojnë  të varfrit, duke i bërë thirrje bujarisë së qytetarëve  për të dhënë një copë nga  pasuria apo kursimet e veta. Ata po përpiqen  të gjallërojnë traditat e hershme të shqiptarëve ( malësorëve)  për fisnikëri dhe bamirësi  për të ndihmuar sadopak familje në  varfëri të skajshme ( ekstreme). Këto të dy figura publike vlerësohen në bazë të veprave e jo  deklaratave dhe “ rrahjes së gjoksit dhe vetëlavdërimeve”. Ata kanë përzgjedhur  për të jetuar  dhe për të vepruar me dashuri dhe për dashuri  njerëzore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok