24/04/2024

Dy ”shoqet” e vetme të pandara  në shkollën e  Fraskanjelit – Ulqin

0

Nga Gjekë Gjonaj

Paralelja  e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Bedri Elezaga”  në fshatin Fraskanjel – Anë të Malit, falë mirëkuptimit të Ministrisë së Arsimit, edhe këtë vit shkollor  vazhdon të funksionojë me vetëm një nxënës.  Në një klasë shumë të rrënuar, që nxjerr frymën e disa kohëve të shkuara, mësuesja Ardita Ceka mësimin e zhvillon me   vetëm një nxënëse. Ajo quhet   Elidona Shkreli,  nxënëse e klasës së dytë , të cilën  mësuesja e saj e sjell dhe e merr çdo mëngjes nga fshati i afërt Amull, rreth tre kilometra larg shkollës.

Në këtë shkollë katërklasëshe të lënë pas dore me vite, në të cilën në vitin shkollor 1972/73 kanë qenë 20 nxënës, nuk bie zilja e shkollës, sepse nuk ka fëmijë për të thirrur. Në këtë vatër edukative –arsimore mësuesja e re e arsimuar  Ardita është edhe mësimdhënëse, edhe  edukatore edhe “shoqe” e bankës dhe  “partnere”  për edukatën  fizike,  muzikore …

Që nga viti i kaluar shkollor, mësuesja Ardita udhëton nga fshati i saj  Brajshë në Fraskanjel dhe rregullisht vjen në shkollë në kohë,  së bashku me nxënësen e saj, për të mos humbur procesin  mësimor. Ajo me mjaft emocion flet për fillimet e saj në këtë vatër të dijes.

“Mbaj mend si sot ditën e parë, në tetor  të vitit 2020,  kur  fillova punën në këtë  shkollë dhe kur në derë trokiti nxënësja ime e parë dhe e vetme -Elidona Shkreli, të cilën  e shoqëronte babai i saj, Tomë Shkreli nga fshati Amull.  Elidona  ishte e gëzuar dhe e emocionuar sepse po vinte për herë të parë në shkollë. Ishte një nxënëse  shumë e sjellshme dhe e dashur dhe shkollën e kishte shumë dëshirë. Mirëpo,  ajo ishte shumë e lidhur me prindërit të cilët nuk kishin arritur  ta çonin në kopsht. Kjo ndikoi  që Elidona e kishte shumë problem të qëndronte vetëm me mësuesen në shkollë,  dhe duhej gjithsesi prania në shkollë  e njërit prindër  ose e motrës. Ishte e mbyllur në vetvete dhe e kishte të vështirë të shoqërohej me njerëz të tjerë jashtë familjes.  Vetë fakti që ajo ishte nxënësja e vetme në këtë shkollë  dhe nuk kishte shokë apo shoqe, ndikoi edhe më keq që ajo të ambientohej dhe të mësohej që të qëndronte në shkollë pa praninë e njërit nga familjarët. Kështu në fillim u desh të kalonin 2-3 javë derisa ajo arriti të ambientohej dhe të bëheshim ’’shoqe’’. Pra nga dita kur filluam të bëheshim ’’shoqe’’e në vazhdim ne kemi krijuar një marrëdhënie jo vetëm mësuese-nxënëse por edhe shoqe-shoqe, pasi ajo më tregon gjithçka rreth vetes, është e lirshme dhe ju përgjigjet çdo pyetjeje që unë i bëj”, thotë Ceka.

Ajo s tutje shprehet se të punosh me një nxënës është e pazakontë , dhe se   nuk ndjehet mirë për shkak se   nxënësja e  saj nuk ka shokë  e shoqe të shkollës që të luajnë bashkë gjatë gjithë vitit shkollor.  Mirëpo, mësuesja Ardita   ka krijuar me të raporte të veçanta  afërsie saqë e konsideron atë jo vetëm si  nxënëse por si  “ shoqe”, apo “ motër” të vogël  . Siç tregon mësuesja Ardita  para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës  bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë  në shkollë dhe u gëzuan së bashku.

Para se të vijnë në shkollë, gjatë udhëtimit së bashku, fillimisht  bisedojnë për shumëçka. Elidona  i tregon mësueses se çfarë ka bërë një ditë më parë, me kë ka luajtur dhe të ngjashme. Dhe vetëm kur klasa fillon të ngrohet, ato  fillojnë mësimin.

“Ne të dyja  e bëjmë bashkë rrugën nga shtëpia në shkollë dhe nga shkolla në shtëpi . Mua pasi nisem në mëngjes në shkollë  Elidona më pret tek rruga e shtëpisë së saj dhe nga aty shkojmë dhe kthehemi nga shkolla së bashku. Mësimdhënia me një nxënëse është e pazakontë, por jo  e vështirë. Secilin   mësim në çdo  lëndë ia shpjegoj  disa herë vetëm derisa ajo ta kuptojë, duke përdorur metoda e mënyra të ndryshme. Megjithatë  mësimi  me një nxënëse ka dhe anët e veta negative.  Kur në klasë  ke  vetëm një nxënëse  ajo natyrshëm  ndjehet e vetmuar dhe  jo aq e motivuar për të mësuar më shumë apo për të parë se si   mësojnë e përgjigjen  nxënësit e tjerë. Mësimi me vetëm një nxënës,  për dallim nga  mësimi me shumë nxënës, komunikimi   zhvillohet  vetëm mes mësueses dhe nxënësit”, pohon Ceka.

Pavarësisht vështirësive që kanë pasur  mësuesja Ardita me nxënësen e saj të vetme Elidonën ato  kanë  kaluar kohë të këndshme në praninë e njëra-tjetrës. Përveç mësimit  janë shoqëruar, kanë  luajtur   dhe janë zbavitur aq sa kanë  pasur mundësi. Kështu para pak kohe festuan ditëlindjen e shtatë të Elidonës  bashkë me prindërit e saj, Tomën dhe Mondën, të cilët sollën një tortë  në shkollë dhe u gëzuan së bashku.

Gjendja e krijuar e gjithmbarshme në botë, pra edhe në vendin tonë, si rezultat i shfaqjes së pandemisë Covid-19, vendosi një rregullim të ri të gjallimit në pothuajse në çdo lëmi të frymimit shoqëror, duke përfshirë edhe atë në sferën e arsimimit në të gjitha nivelet. Mësimi në distancë, respektivisht  përmes platformave online  që erdhi papritur   për shkak të përhapjes së koronavirusit, paraqiti  sfida të mëdha edhe  për mësuesen Ardita Ceka dhe nxënësen e saj Elidona Shkreli.  “ Nxënësja  ime  ishte në klasën e parë. Ajo  kishte nevoja  e pyetje të  ndryshme  të cilat ishte shumë vështirë t’ia sqaroj  në këtë mënyrë.  Por, u përpoqa që në  kushte të jashtëzakonshme të bëj  me pasion më të mirën e mundshme, duke ruajtur  mbi të gjithë atë  më shenjtoren- shëndetin  tim dhe të nxënëses e pastaj edhe  të realizoj   planprogramin  mësimor. Ishte kjo një përvojë shumë interesante për mua  e cila  do  të mbetet  gjithmonë në kujtesën time si diçka e pazakontë por e bukur ”, thekson Ceka.

Si e vetmja, Elidona modeste  është edhe nxënësja më e mirë e kësaj shkolle, edhe pse nuk mund të mburret me nota të shkëlqyera. Pyetja e madhe është nëse shkolla në Fraskanjel do të funksionojë vitin e ardhshëm shkollor dhe,  siç theksojnë vendasit, nëse shkolla mbyllet kjo do të thotë se jeta është larguar përgjithmonë nga ky fshat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok