Edhe kështu mund të ketë ndodhur

Nga Astrit Lulushi

Në kohë zbulimesh të mëdha, shpesh për interesa të ndryshme, fshihen edhe identitetet e njerëzve që i kryejnë ato. Dhe historia përzihet.

Ndërsa Kristofor Kolombi është pretenduar prej kohësh nga Italia, ka gjithashtu spekulime se ai mund të ketë qenë spanjoll, portugez, bask, hebre, kroat, polak, grek, francez e tjetër. Një studim i ADN-së së tij ka filluar.

A ishte Kolombi një punues leshi nga Gjenova, apo Princ Bizantin dhe marinar nga ishulli Kios në atë kohë pjesë e Republikës së Gjenovës?

Gjithashtu, ka kohë të mjaftueshme për t’u ndalur rastësisht në ndonjë kiosk për të gjetur një libër të vogël të harruar që mund të ndryshojë mendjen për origjinën e Kolombit, njeriut që zbuloi Amerikën. Libri është shkruar nga Ruth G Durlacher-Wolper, themeluese e Muzeut të Botës së Re në San Salvador, Bahamas, ku anijet e Kolombit zbarkuan për herë të parë në vitin 1492.

Shumë është shkruar për Kristofor Kolombin, dhe megjithatë e kaluara e tij është mbështjellë me mister. Të gjithëve na është thënë se ai erdhi nga Gjenova, qytet në Itali, lundroi për mbretin dhe mbretëreshën e Spanjës, pas shumë vite përpjekjesh për t’i bindur ata se bota ishte e rrumbullakët, një besim i pazakontë pavarësisht nga fakti që Aristoteli e kishte thënë mbi një mijë e 500 vjet para Kolombit.

Por shumica e asaj që dimë për Kolombin është hamendësim; shumë nga historia e tij u shkrua nga njerëz që nuk e njohën kurrë ose kishin arsyet e tyre për rishkrimin ose paraqitjen si të vërtetë të diçkaje që ishte thjesht një teori. Historia e të qenit bir i një leshpunuesi nga Gjenova, për shembull, erdhi vetëm nga fakti se ishte dikush me emrin Kolombi nga Gjenova i cili ishte punëtor leshi; dhe kjo është një legjendë që i atribuohet Peter Martyr de Anghiera, historian italian në shërbim të mbretërisë së Spanjës në kohën e eksplorimeve. Shkoni në Gjenova dhe do të shihni se ka monumente dhe shfaqje krenarie që qyteti është vendlindja e Kolombit.

Mbiemri i Kolombit erdhi nga koha kur Palaiologu i Bizantit rreth vitit 1235 vendosi arbëreshë në rajonet e pa populluara të Greqisë. Të parët e Kolombit mund të ishin të vendosur në Kios fillimisht me mbiemrin “Pllumi”, që u bë italisht “Colomb”, e spanjisht “Colon”.

Origjina e familjes Palaiologo është gjithashtu e paqartë. Sipas disa traditave gojore, Palaiologët e kishin origjinën në Itali, në qytetin Viterbo. Sipas këtij versioni, emri i familjes Palaiologos (Palaios logos, “fjala e vjetër”) ishte përkthim greqisht i latinishtes “vetus verbum”, një etimologji e Viterbos.

Një version tjetër i historisë mbi origjinën e Palaiologos pohon se ata kishin origjinë të lashtë dhe kishin udhëtuar në Konstandinopojë së bashku me Kostandinin e Madh (ilir), kur qyteti u themelua dhe u bë kryeqyteti i ri i Perandorisë Romake në vitin 330. Kjo histori e dytë e origjinës është e ngjashme me traditat e familjeve të tjera fisnike, të tilla si Dukas ose Phokas, të cilët gjithashtu përdorën histori antike për të forcuar prestigjin e tyre dhe për të legjitimuar disi pretendimet për fronin e Perandorisë Bizantine, që ishte vazhdimi mesjetar i Perandorisë Romake.

Libri i Durlacher-Wolper, pasi e lexon, edhe nëse je i bindur, me siguri që bindjet do të lëkunden dhe do të bëhesh më pak i sigurt se gjithçka që dije më parë ishte e vërteta. Për ata që mendojnë historinë bizantine, mund të kujtojnë se Palaiologët ishin Perandorët Bizantinë që gjurmuan pasardhësit e tyre deri në Shtëpinë Mbretërore të Davidit dhe ikën në perëndim pas rënies së Kostandinopojës nën sundimin osman në vitin 1453. Kolombi dhe vëllai i tij Colon-i Riu shkuan në Francë me familjen e Palaiologëve. Kështu bënë edhe shumë arbëreshë, prej tyre Kalmirët (Bonopartët), të cilët u vendosën në Korsikë e më pas u bënë perandorë të Francës.

Pra, përse mbreti dhe mbretëresha e Spanjës do t’i jepnin tre anije dhe shumë para Kolombit nëse ai do të ishte djali i një punuesi leshi gjenovez?

Kolombi kurrë nuk tha se ishte nga Gjenova, por nga Republika e Gjenovës, që është diçka shumë ndryshe. Ishulli i Kios ishte koloni e Republikës së Gjenovës. Kolombi kurrë nuk i kërkoi Italisë anije ose ushqime dhe strehim kur kishte nevojë për ndihmë. Nëse ishte nga Genova, pse jo? As ai nuk e përmend kurrë familjen Kolombi të Gjenovës me të cilën historia thotë se ishte i lidhur. Kolombi as fliste dhe as lexonte italisht. Megjithatë, mbi librin e tij të preferuar Imago Mundi të Kardinalit Pierre d’Ailly, ai shkroi në Greqisht që ishte gjuha e Bizantit.

Kolombi u quajt gjenovez sepse vishej sipas modës gjenoveze. Ai nënshkroi emrin e tij “Columbus de terra Rubra” që do të thotë “Kolombi nga toka e kuqe”. Ku ndodhej kjo tokë ‘rubik’ që Kolombi përpiqej të mos e harronte?! Edhe zonat mastike të Kiosit njiheshin për ngjyrën e kuqe të dheut. Kolombi mbajti dy regjistra në udhëtimin e tij, një të vërtetë dhe një të rremë. Në regjistrin e vërtetë ai përdori matjet në lega greke dhe në të rremin shënonte matjet në lega romake. Autorja Durlacher-Wolper përdori regjistrat dhe matjet e vërteta për të rindërtuar zbulimin e ishullit të San Salvadorit dhe pastroi shumë mospërputhje në gjeografinë e zonës.

Familja Kolombi e Gjenovës ishte analfabete dhe Kristofori ishte një leshpunues. Që ky person të fitojë mësimin, përvojën dhe vullnetin për të bindur një mbret dhe një mbretëreshë të huaj që t’i besonte një marinë të vogël dhe një pasuri nuk duket e mundshme. Ndoshta në Amerikën e shekullit XIX, biri i një familje fermeri të varfër si ajo e Linkolnit mund të rritej për t’u bërë President, por në Evropën e shekullit XV një leshpunues nuk kishte gjasa për t’u bërë Kapiten, aq më tepër Admiral në krye të një flote. Ka më shumë të ngjarë që Kolombi, për të marrë audiencë me një mbret dhe mbretëreshë, duhej të ishte vetë mbretëror ose të kishte lidhje mjaft të mira.

Djali i Kolombit, Ferdinandi shkroi se paraardhësit e tij kanë ndjekur gjithmonë detin. Në qoftë se familja Kolombi e Genovës kishte një histori të gjatë të të qenit endës pëlhurash ose qethës delesh, ata nuk do të njiheshin. Në fakt edhe pse jetonin në Genovë në kohën kur Ferdinandi po shkruante për babanë e tij, paraardhësit nuk përmenden. Ata nuk përmenden as në Testamentin e Kolombit.

Kolombi nuk ishte një punëtor leshi i goditur në kokë nga Zoti, si Zhan D’Arka, dhe i mbushur papritur me njohuri të lundrimit, filozofisë, astronomisë, psikologjisë, gjuhëve dhe fuqisë për të bindur mbretërit t’i jepnin çfarë të donte. Ai ishte një njeri me arsim, kulturë, përvojë dhe i nisur nga një ndjenjë fati që e shtynte për ta përmbushur atë.

Banorët e ishujve Kios janë të njohur për aftësitë e tyre në det dhe për numrin e madh të kapedanëve të anijeve. Nëse Kolombi do të ishte nga Bizanti, atëherë Kios është vendi më i mundshëm nga ai do të ishte. Me arkitekturën gjenoveze, historinë e lundrimeve të largëta, heroizmat e njerëzve, dhe gjithashtu me provat se Kios ishte vendlindja e Homerit të verbër (O i Mjeri), nga cili vend tjetër do të ishte Kolombi?

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube