EMRIN TËND NUK E PËRMEND NJERI

0

Tregim nga Hamza Halabaku

Zgjedhjet e përgjithshme në nivel të vendit dhe të komunave ishin caktuar për në gjysmën e dytë të qershorit. Deputeti i një komune, të cilit po i përfundonte mandati, shpresonte se serish do të zgjidhej deputet, do të zinte ndonjë pozitë të lartë në kryeqytet, ose së paku në komunën, të cilës i takonte. Ama dëshirën e kishte që ai për mandatin që vinte të jetë në kryeqytet qoftë si deputetë, apo në ndonjë pozitë tjetër. Ai nuk ishte shumë i vetëdijshëm sa shumë ishte larguar nga baza dhe kohën më të madhe e kishte kaluar në kryeqytet.

Koha e zgjedhjeve po afrohej dhe ai tani ishte kujtuar se duhej t’i kthehej bazës. Por si të paraqitej në bazë pa asnjë sukses të vërejtshim të tij. Sorollatej nëpër kryeqytet në përpjekje për të gjetur ndonjë gazetar të programeve televizive apo të gazetave për të bërë ndonjë emision a reportazh për të.

Në fundjavën e dytë të majit kishte vendosur të zdirgjej deri në komunën ku e kishte bazën zgjedhore. Synonte serish të zinte ndonjë pozitë për mandatin që vinte. Moti ishte i mrekullueshëm dhe natyra ta kënaqte syrin me bukuritë e veta…

Për atë fundjavë kishte planifikuar që të takohej me udhëheqësit e sofrës së parë të komunës. Ishte bërë rregull që kur vinin kuadrot e larta në komunë, paria e komunës shtronin pije e porositnin dreka të begatshme. Dhe në orët e para të paradites, në njërën nga kafiteritë e qytetit, diku në periferi, kishte nisur takimi. Aty përveç kryetarit të komunës dhe kryetarit të qeverisë lokale ishin ulur edhe disa nga shefat e drejtorive dhe përfaqësues të lartë të partisë, por edhe ndonjë qytetar me autoritet.

Pasi kishin porositur pijet e preferuara i pari kishte filluar bisedën deputeti me pyetjet e tija.

– Si po ecnin punët rreth përgatitjeve për zgjedhjet e reja?

Pasi kryetari i komunës i ishte falënderuar kamerierit që u kishte sjellë pijet duke e lëvizur filxhanin e vetë të kafes kishte filluar ta njoftonte me punët që kishin bërë rreth përgatitjeve për zgjedhjet, madje kishte përmendur edhe disa emra konkret.

– Për kryetar të komunës, në mandatin e ardhshëm, kemi vendosur që të propozohet Guri Bardhi, natyrisht, nëse e votojnë qytetarët. Për deputet në nivel qendror, nga komuna jonë, kemi vendosur të propozohen Shpati dhe Shega. Këta, të dytë, ishin emra të njohur në komunë. Përveç asaj që Shega është aktiviste e dalluar e plotësojmë edhe kriterin gjinor për komunën tonë. Kështu po insistojnë edhe këta të huajt. Kryesia e partisë është pajtuar me propozimet tona për Shpatin e Shegën, – kishte thënë kryetari i komunës.

Deputeti i dëgjonte me vëmendje fjalët e kryetarit dhe lëvizte kokën, poshtë lartë, në shenjë miratimi, edhe pse për këto kuadro, nuk e pyeste askush.

Kryetari i komunës vazhdoi t’i shpjegonte edhe për tjerat funksione si në nivel komune ashtu edhe në nivel qendror, por pa e përmendur asnjëherë emrin e deputetit.

– Po emrin tim, e përmend njeri në komunë, apo më keni harruar fare!?  – kishte pyetur ai. Nuk jam ndalur asnjëherë gjatë këtyre katër viteve që po shkojnë. Kam bërë shumë për komunën, por nuk jam kursyer fare edhe për nivelin qendror . Ju me siguri i keni parë gazetat dhe emisionet e ndryshme televizive që kanë pasqyruar angazhimin tim – kishte thënë deputeti.

– Jo për besë, emrin tënd nuk e kemi dëgjuar asnjëherë as në emisione televizive dhe as nuk e kemi parë në gazeta, madje as që të ka propozuar kush për ndonjë vend udhëheqës në komunë, po as në nivelet e tjera të pushtetit qendror –  kishte thënë kryetari i komunës.

– Emrin tënd duket se e kanë harruar fare në këto anë, ama duhet të të them se nënën tënde shpesh po ta përmendin – ishte dëgjuar të thotë njëri nga veprimtarët e dalluar të komunës, i cili njihej edhe për shakatë e tij me lezet, por edhe me zarar kur e lypte puna.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok