«ERDHI ME BANANE VDIQ NGA BANALITETI»

0

Rreth falsifikimit të biografisë [historisë] dhe pasojave të skizofrenisë.

Edhe pse njeriu jeton brenda një habitusi faktik [gjuha p.sh.] ai nuk ndalet së falsifikuari çdo dokument, çdo argument për t’i fut ato në funksion të historisë që ia kanë ngulitur në kokë ideologjira e programe të ndryshme politike. Donë të bëhet ai që për nga historia s’mund të jetë. Pasoja: udhëtim i gjatë labirinthit të skizofrenisë. Dikur e hanë çakenjtë ose ia ndajnë trupin në atome politopatët.

Nga Xhemal Ahmeti

Në gropën ndërmjet dy shkëmbinjve gjendem unë. Njëri shkëmb simbolizon historinë time, tjetri dëshirat dhe synimet që kam – ato që nga presioni i kohës dhe grupit më janë bërë program. Daljen nga gropa mund ta bëjë në dy drejtime. Në cilën anë nuk më presin çakenjtë që mezi presin gjahun për ta bërë copa? Ehoja që prodhojnë shkëmbinjtë falsifikojnë burimin [ideologjitë!] e ulurimës së çakenjve: nga vijnë ato në të vërtetë, nga e majta apo e djathta?

Nëse ardhja dhe ikja ime individuale mund të përmblidhet vetëm me dy stacione si: erdhi me banane e vdiq nga banaliteti (H. J. Quadbeck 2006); atëherë s’ka asnjë rëndësi se në cilën dalje të gropës [nga shkëmbinjtë] presin çakenjtë. Do të mjaftonte vetëm të kisha dëgjuar nodnjëherë se dikur ka ekzistuar një Sokrat që paska thënë se «historia» as nuk nis e as «nuk mbaron me mua» dhe të dilja si trim nga aty e drejtë në… Kush nuk e merr jetën kaq të pavlerë dhe donë të shpëtojë duhet të futet thellë brenda vetes që të shpëtojë i shëndetshëm.

Dalja nga gropa e jo në gojë të çakallëve parakushtëzon biografinë e cila në vete përmban disa njohje si maksimat; unë gjendem në gropë dhe jo e gjithë bota; pa biografi s’ka histori; historia nuk është filozofi e ndertuar mbi idolët bashkëkohanikë [anti Dionisit nga Halikarnosi]; historia nuk është mjeshtre as e jetës e as të vrarëve [Anti Ciceron dhe anti Hinrich]; historia nuk është përsëritje e përjetshme ngase as inkarnimi nuk është garanci se lind e njejta specie si para 100 viteve [anti Thukydides dhe anti Nietzsche] dhe, dhe kësaj radhe pro e jo anti Ciceronit dhe Polybios: kush s’njeh historinë [e tij] mbetet fëmijë, kush e njeh atë është bërë syri i së vërtetës mbi veten dhe e di se nga vjen ulurima e çakenjëve, ngase hisitoria përherë është edhe gjeografi – kompas i njohjes së drejtimeve se ku gjenden shtëpitë, ku shpellat dhe ku malet ku jetojnë çakenjtë. Del i sigurt, në drejtimin e duhur e drejtë lirisë – për ta ndërtuar jetën ndryshe apo njejtë – absolutisht e një rëndësie tjetër kjo.

Duke ditur se historia nuk është mjeshtre e jetës sime por vetëm dije mbi atë se pse unë flas shqip e jo arabisht, turqisht, rusisht ose arameisht; duke qenë i sigurt se unë s’jam babai apo gjyshi im por komplet një formë dhe një habitus ndryshe e i paqenë ndonjëherë në histori; duke qenë i kthjelltë se gjuha ime është fakt; se pozita ime ndërmjet dy shkëmbinjve brenda maleve të Sharrit apo alpeve të Zvicrës e jo në Alaskë janë fakt, e di se nga cila anë mund të vijnë çakenjtë e nga cila jo.

Falsifikimi, mosnjohja ose refuzimi i këtyre fakteve, i këtyre koordinatave në natyrë e në frymë, pra mohimi se flas shqip, mohimi të jem brenda maleve të Sharrit e besimi të jem në Kaukaz diku, besimi se babai im nuk është Zeqiri i Lekeve, por Ebu Kastrati, Johannes von Dohnany apo Mahmuti do të thoshte vdekje e sigurt për mua. Do të përfundoja ndërmjet dhëmbëve të mprehtë të çakenjëve, ngase në këtë stad të luftës për shpëtimin tim idetë, idolët, programet i priorizova para fakteve të natyrës, qenies sime, pra falsifikova historinë, e ndoqa programin që ma ngulitën tjerët në kokë dhe nga zhurma e çakenjve nuk ia dola ta pyes veten se për ç’arsye flas unë si nëna ime e jo ndryshe, gjë që është porta e çdo hyrjeje brenda vetes në situata të tipit «të jesh apo të mos jesh».

Veç pas daljes nga gropa [duke njohur historinë dhe veten] mund të bëhem i lirë për të vendosur se në cilin drejtim do të ecë: drejtë Londrës, Moskës, Stambollit apo Bernës. Jeta në gropë donë të thotë eutanazi, ngase aty as pasqyrë nuk ke për ta vrarë veten duke parë psenë në vitrinë – në pasqyrë që së paku ta përjetosh veten në teatër para se të të fiken dritat e kësaj jete.

Çdo formë e falsifikimit të historisë [si pasojë e së cilës vdes nga çakenjtë ose nga depresionet e zhgënjimit të thellë pasi zbulon se s’je kushëri me Madonën apo Trumpin e as me Hazreti Alinë ose Karamuratin] çon detyrimisht në skizofreni – metafora e gropës këtë sëmundje mëtoj të përshkruaj. [2021|4]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok